Ndodhi

Biblioteka e Lezhës ka mbyllur dyert 1 muaj më parë, por librat i ofron online

25 prill 2020/ Elvis Hila/ Porta Vendore/ Lezhë

Prej më shumë se 40 ditësh biblioteka “Gjergj Fishta” në Lezhë ka mbyllur dyert për lexuesit, në zbatim të masave për mospërhapjen e koronavirusit të ri, por të pasionuarve pas leximit nuk po iu mungojnë botimet e ndryshme që disponon kjo bibliotekë, nëpërmjet librave virtualë.

Për të qenë sa më pranë lexuesve në këtë periudhe karantine është krijuar biblioteka virtuale, ku janë vendosur online botimet e autorëve lezhjanë. Kjo nismë është ndërmarrë nga klubi letrar “Ndoc Gjetja” në bashkëpunim me Bashkinë Lezhë, ndërsa synimi është që lexuesve të mos iu mungojnë librat në këtë periudhë të vështirë që po kalon vendi si pasojë e përhapjes së koronavirusit.

“Fillimisht kemi vendosur botimet e autorëve lezhjanë, por në ditët në vazhdim bibliotekën virtuale do ta pasurojmë dhe me botime të tjera. Kjo është një mënyrë e mirë për të qenë pranë lexuesve në këto ditë karantinimi që po kalojmë. Ishte një ide e jona që gjeti mbështetjen e Bashkisë Lezhë dhe e realizuam me sukses. Biblioteka virtuale është vënë në funksion prej disa ditësh dhe do të vijojë të jetë aktive deri në tejkalimin e kësaj situate. Mjafton që të klikojnë faqen Bashkia Lezhë dhe aty gjejnë bibliotekën virtuale, ku mund të kërkojnë botimin që dëshirojnë të lexojnë” thotë Hekuran Koka, përfaqësues i Klubit letrar “Ndoc Gjetja” në Lezhë.

Biblioteka virtuale është pritur mjaft mirë nga lexuesit në Lezhës, të cilët e vlerësojnë maksimalisht këtë iniciativë.

Unë jam shumë e pasionuar pas librit dhe jam frekuentuese e rregullt e bibliotekës. Por për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi prej 1 muaji, e kam pasur të pamundur kontaktin fizik me botimet që disponon biblioteka “Gjergj Fishta” në Lezhë. Prej 1 javë është krijuar biblioteka virtuale dhe kjo më gëzoi shumë. Aty mund të gjej një numër të konsiderueshëm botimesh, që janë mjaft interesante. Gati 3 orë në ditë unë ia dedikoj leximit në këtë periudhë karantine dhe duhet t’i falënderoj pamasë iniciatorët e kësaj nisme, të cilët na sollën librin në shtëpi në këtë kohë të vështirë që po kalojmë”, thotë Alma Jaku, lexuese e bibliotekës në Lezhë.

Të tjerë lexues thonë se biblioteka virtuale, nuk e zëvendëson ndjesinë e kontaktit fizik me librin, por gjithsesi kjo është një mënyrë e mire që mos të mungojnë botimet në këtë periudhë karantine, ku libri është gjithnjë një ushqim i mirë për shpirtin.

“Normalisht që biblioteka virtuale nuk e zëvendëson asnjëherë kontaktin fizik me librin, që po na mungon shumë këtë periudhë. Gjithsesi, unë mendoj se kjo është një mënyrë e mirë për ne lexuesit që të mos na mungojnë librat në këto kohë. Përveç botimeve të autorëve lezhjanë, shpresoj të vendosen dhe botime të tjera që të kemi larmi zgjedhjesh. Shpresoj që kjo situatë të kalojë sa më parë dhe t’i rikthehemi normalitetit sepse të them të drejtën më mungon shumë biblioteka, të cilën e vizitoja thuajse çdo ditë, duke u takuar me miq, por edhe shfletuar botime të ndryshme” thotë Medi Dashi lexues i bibliotekës “Gjergj Fishta”.

Biblioteka virtuale në qytetin e Lezhës është krijuar për të qenë në shërbim të lexuesve dhe do të vijojë të jetë aktive, deri më tejkalimin e gjendjes së jashtëzakonshme të krijuar nga COVID-19. Në këtë periudhë karantine leximi shihet si një mënyrë e mirë për të larguar edhe stresin që mund të krijohet nga qëndrimi i gjatë në ambiente të mbyllura.