Ngjarje/Personazhe

Qytet Studenti, qyteti fantazmë në kohën e Covid 19

24 prill 2020/ Elisa Gjerani/ Porta Vendore/ Tiranë

Qytet Studenti ka në total 5400 studentë, ndërsa aktualisht në godinat e tij jetojnë 78 studentë. Shumica prej atyre studentëve që kanë lënë konviktin, duke u kthyer në qytetet e tyre në fillim të marsit, atëherë kur u shfaq edhe rasti i parë me Covid 19 në Shqipëri ka bërë që ata të kërkojnë rimbursim të tarifës së paguar prej 45 mijë lekësh në vit, për muajt, të cilët nuk kanë jetuar në konvikt, ku rrjedhimisht nuk kanë marrë as shërbimet, për të cilat kanë paguar.

Disa pika shiu janë shoqëruese të rrugëtimin tonë për në brendësi të qytetit të studentëve. Aty ku akomodohen çdo vit mijëra studentë nga e gjithë Shqipëria, konviktet e të cilit kanë pritur e përcjellë nëpër strukturat akomoduese mijëra të rinj, që zgjedhin si destinacion të studimeve të tyre kryeqytetin, me shpresa dhe ëndrra shumë.

Qetësinë e prish herë pas here vetëm një makinë patrulle policore, e cila monitoron situatën, duke përshkuar nëpër rrugët kryesore të Qytet Studentit.

Hyrja kryesore e Qytet Studentit. Foto:E.Gjerani

Lokalet në hyrje kanë filluar të pastrojnë e rregullojnë ambientet e tyre me shpresën që së shpejti do të njoftohet hapja, për t’iu rikthyer jetës normale dhe biznesit.

Nuk kemi punë fare, vetëm ndonjë person na vjen gjithë ditën, edhe ai kërkon vetëm ndonjë fotokopje të mjetit të identifikimit ose të ndonjë dokumenti tjetër. Punë ka këtu që s’merr dot frymë vetëm kur ka studentë. Ne me ato mbahemi, ndaj lusim që kjo situatë të marrë fund sa më shpejt, e që ata të rikthehen për të vijuar studimet e lëna në mes”, na thotë një zonjë në kancelarinë që ndan Fakultetin Ekonomik me Qytet Studentin.

Në rrugë nuk ka asnjë shenjë dalluese që këtu vetëm dy muaj më parë kanë jetuar rreth 5400 studentë.

Qytet Studenti i boshatisur. Foto:E.Gjerani

Pranë sheshit Demokracia, dallohen lëvizjet e para të disa këmbësorëve, dy-tre të rinj dhe disa të moshuar rezidentë në pallatet e pozicionuar të QS-së.

“Jemi motra dhe banojmë në një shtëpi me qira këtu në Qytet Studenti. Nuk jemi rikthyer në qytetin tonë të Pogradecit sepse vazhdojmë punën dhe nuk duam ta humbasim. Punojmë në Call Center. Ka pak rrezik gjatë kësaj periudhe, por kemi respektuar rregullat dhe nuk na ka gjetur gjë deri më tani, falë zotit”, tregon Sidorela një nga motrat pogradecare.

Godina e parë është ajo me nr.14, e njohur ndryshe si konvikti i çunave, ku në derën e së cilës është vendosur një rregullore për mbrojtjen nga përhapja e Covid 19.

Nuk ka asnjë njeri këtu. Kanë ikur të gjithë studentët. Që në datën 10-12 ikën të gjithë. Jemi vetëm ne të stafit të QS”, tha përgjegjësi i kësaj godine, ndërsa na shpjegon se lajmërimi në derë është bërë që në fillim të marsit, kur u mor vesh që Covid 19 kishte mbërritur në Shqipëri.

Rregullat për tu ndjekur që janë afishuar në çdo godinë të QS-së. Foto:E.Gjerani

Kafenë dhe mensat në brendësi të qytetit rinor janë mbyllur dyert që prej datës 10 mars, dhe qëndrojnë ende ashtu, deri në një urdhër të dytë nga qeveria për hapjen e tyre, i cili siç edhe është thënë pritet diku nga fundi i majit.

Qetësinë e prish së largu një trapan, pasi edhe këtu si në shumë zona të tjera të Tiranës, kanë nisur restaurimet e bizneseve, ku kanë përfituar pikërisht nga kjo kohë pushimi.

Konvikti 24-25 ka jetë. E njohur ndryshe si godina e gazetarisë, aktualisht këtu janë rreth 20 studentë që po qëndrojnë. Puna i ka detyruar ata të jetojnë larg familjes edhe në këtë kohë pandemie, në shërbim të publikut dhe lajmit.

Godina e gazetarisë ka shenja jete. Foto:E.Gjerani

Unë nuk jam kujdestare e kësaj godine, pasi ne e bëjmë me rotacion tani, për shkak të stafit të reduktuar, mirëpo di që studentët vijojnë normalisht jetesën në konvikt, si më parë, pa ndryshuar asgjë. Shumica e atyre që janë, punojnë, ndaj s’kanë dashur të shkëputen siç duket. Madje një gocë nga Lushnja erdhi para nja një ore mori disa rroba dhe iku përsëri”, tha kujdestarja që qëndron në sportelin e katit të parë të godinës nr. 24-25, pa dashur që të na tregojë emrin e saj.

Ledina punon si gazetare në një nga TV informative në Tiranë, ndaj ajo ka qenë e detyruar të vazhdoje jetesën në konvikt dhe ndërkohë të kryejë misionin e saj si gazetare. Megjithatë Ledina na tregon se vetë konvikti nuk e ka respektuar vendimin e Kryeministrit Rama për shtyrje të afatit të qirasë, ashtu sikurse u kërkua të ndodhte me studentët që kishin një kontratë qiraje.

“Unë nuk e kam bërë gjithë pagesën në fillim, por kam vendosur të paguajë një herë në 3 muaj. Prillin e kam paguar, por tani kujdestarja po më kërkon 3-mujorshin tjetër, ndërkohë që pretendohet që do ketë një shtyrje të afatit për pas qershorit”, tha Ledina për Portën Vendore, ndërsa thekson se në konviktin e gazetarisë ka shumë të tjerë si ajo që nuk janë studentë por të punësuar, e megjithatë ndjejnë vështirësi financiare për shkak të krizës që po kalojnë bizneset dhe reduktimit të pagave.

Përballë Drejtorisë së Qytet Studentit, në lulishten e vogël, stolat qëndrojnë të heshtur, në pritje të të qeshurave të studentëve që kalojnë aty orët e pasdites ose të mbrëmjes në shoqërinë e njëri-tjetrit. Gjithçka duket se ka ndalur këtu. Nga ana tjetër, për aq kohë sa nuk ka ende një vendim për funksionimin e procesit mësimor, rikthimi i të rinjve duket sa i afërt aq edhe i largët.

Më tutje është një godinë e rrafshuar, në atë që për më shumë se 20 vite me radhë kanë jetuar familjarë, e që tërmeti i 26 nëntorin nuk e kurseu, duke i dhënë goditjen e fundit. Bashkia Tiranë e ka prishur, e hequr inertet teksa pritet rindërtimi i saj për studentët.

Godina e sheshuar e familjarëve në Qytet Studenti. Foto: E.Gjerani

Në qytet Studenti puna për riparimin e godinave të tjera, nuk ka ndalur, ajo vijon edhe në kohë koronavirusi.

Rikonstruksioni i disa prej godinave në Qytet Studenti. Foto:E.Gjerani

Ky qytet mban në brendësi të tij, rreth 5400 studentë, ndërsa shumë prej tyre me problematika të mëdha social-ekonomike. Ndaj së fundmi për shkak të situatës së krijuar, shqetësues i ditëve të tyre në karantinë është bërë edhe kompensimi i tarifës së paguar për qëndrimin dhe akomodimin në këto konvikte.

Tea është një e re nga Mallakastra, ndërsa vijon masterin për administrim publik, ajo është e angazhuar edhe në shoqërinë civile. Ndaj si një zë i njohur në Qytet Studenti kur vjen puna për mbrojtjen e të drejtave të saj dhe të studentëve të tjerë ajo tha për Portën Vendore se presim kthim mbrapsht të tarifës për muajit e munguar.

“Unë jam kthyer në qytetin tim që në datën 10 mars, por neve kemi parapaguar për një vit të plotë që në fillim të viti akademik, dmth në tetor 2019. Por ndërkohë ne nuk po përfitojmë nga shërbimet për të cilat kemi paguar ndaj na duket e logjikshme që të kërkojmë kthimin mbrapsht për muajit që s’kemi qenë pjesë e konviktit të parave. Ka shumë studentë që janë në gjendje shumë të keqe financiare ndaj kjo do t’i ndihmonte sadopak ata”, tha Tea, duke shpresuar që një gjë e tillë duhet të ndodhë, për aq kohë sa kjo gjendje do të vijojë.

“Unë vetë personalisht kam dashur të kthehem në konvikt, pasi mu bë një kohë shumë e gjatë që qëndroj larg punës. I kam shkruar dy e-mail drejtorisë si edhe kujdestares së godinës por skam marrë asnjë konfirmim, megjithëse di që në godinën nr.16 ku unë jetojë nuk ka asnjë student tjetër dhe nuk është e hapur deri më tani. Por qejfi ma kishte nëse do më lejonin tu ktheja në Tiranë pasi kjo gjendja po zgjat dhe po na penalizon në punën që bëjmë”, tha Tea për Portën Vendore.

Sipas burimeve zyrtare të nga Rezidenca Studentore Universitare nr.1 janë aktualisht 78 studentë, dy nga të cilët kanë mbërritur me kërkesë të vetë atyre ditën e enjte të datës 23 prill, ndërsa në ditët në vijim priten edhe të tjerë, që i rikthehen godinave kryesisht për arsye pune.

Porta Vendore pyeti gjithashtu Anila Shehun, drejtuesen e Qytet Studentin për sa i përket rimbursimit të tarifës studentore.

“Sa i përket tarifës së konviktit ne kemi komunikuar me të gjithë studentët. Ka lloje të ndryshme mënyrash që studentët zgjedhin që të paguajnë tarifën e konviktit, pasi jo të gjithë paguajnë tarifën e plotë, ka nga ata që e paguajnë çdo muaj, një herë në 3 muaj ose 6 muaj. S’është marrë ende një vendim se çfarë do bëhet me shkollën, sapo të merret edhe ne do marrim një vendim. Pa diskutim që pagesa e konviktit për këto muaj që nuk është shfrytëzuar do të kthehet mbrapsht. Nëse do të kishte një kërkesë të vetme qoftë edhe nga një student që është në vështirësi ekonomike ajo do të ishte kthyer menjëherë, pasi paratë janë të gjitha në bankë. Nëse situata vijon e tillë deri në qershor dhe ka studentë që do të vijojnë të qëndrojnë në konvikt edhe për vitin e ardhshëm atëherë mund të bëhet një shtyrje e tarifës së pashfrytëzuar për muajit në vijim”, tha Shehu, ndërsa thekson se aktualisht drejtoria ka hapur konvikte edhe për vetëm 1 studentë në godinë.

“Sot kam hapur godinën 26 për vetëm 1 student. Konvikti nr. 4 ka dy studentë. Dhe konviktet do hapen për çdo studentë që dëshiron të rikthehet për arsye pune ose të tjera”, përfundon ajo.

Lidhur me shqetësimin studentët kanë firmosur një peticion, i cili përmban 332 firma dhe që në datën 23 prill iu dorëzua Këshillit Bashkiak, në mënyrë që kërkesa e tyre për kthim të tarifës së konviktit për kohën e emergjencës së fatkeqësisë natyrore t’i kthehet pas.

“Kjo është një nismë e Qëndresës Qytetare e mbështetur nga një grup joformal studentësh banorë në Qytetin Studenti, të titulluar Këshilli i Qytetit Studenti. Nisma mori jetë për shkak të situatës së krijuar nga Covid 19, ku studentët u detyruan të largohen në qytetet e tyre në mënyrë të njëanshme nga RSU Nr.1 por pa i disbursuar ata për tarifat që tashmë i kanë paguar. Ndaj duke shfrytëzuar mbështetjen e Lëviz Albania ne aplikuam peticionin elektronik si mundësi pjesëmarrje në vendimmarrjen e Këshillit Bashkiak pa prezencë fizike. Nisur nga reagimet e para të Anëtarëve të Këshillit Bashkiak të cilët janë sensibilizuar me kauzën jam shpresëplotë se do të ketë një zgjidhje në favor të studentëve. Tarifa e cila është paguar dhe për të cilën studentët nuk po marrin shërbim i jep mundësi RSU Nr.1 të arkëtojë rreth 1 milion euro, para të studentëve pa ju ofruar shërbim atyre për 50% të kohës së mbetur për t’u akomoduar në konvikt. Pra nëse do të kemi një vendim pozitiv nga Këshilli Bashkiak secilit nga 5400 studentët e Qytetit Studenti do ti kthehen 200 euro”, tha Rigels Xhemollari drejtues i Qëndresës Qytetare, duke theksuar se ata janë duke ndjekur rrugën ligjore.

Pas peticionit të firmosur nga studentët e dorëzimit të tij nga Qëndresa Qytetare në Këshill Bashkiak, dhe interesimin e Portës Vendore lidhur me këtë çështje, Drejtoria e QS-së ka telefonuar menjëherë studentët për ti dhënë lajmin e rimbursimit të tarifës, për muajit e pandemisë, studentëve të cilët janë rikthyer në qytetet e tyre.