24 prill 2020/ Geri Emiri/ Porta Vendore/ Durrës
Qentë endacak në qytetin e Durrësit kanë qenë një shqetësim për aktivistët e mbrojtjes së kafshëve. Vetëm gjatë 2 muajve të parë të 2020 janë helmuar 9 të tillë në lagjen nr.4, kryesisht nga banorët ose bizneset, ndaj aktivistët bëjnë apel për mbrojtjen e tyre.
Gjenovefa Hasanaj-Müller e gjejmë në një lagje periferike të Durrësit. Dera e ndryshkur dhe një lavazh aty pranë, nuk të lënë shumë hapësirë të mendosh se je pranë një qendre për trajtimin e qenve endacakë. Gjenovefa përqafon njëri pas tjetrit qentë që duken të përkëdhelur nga prania e vizitorëve.

Ajo e kalon vitin midis Zvicrës dhe Shqipërisë, duke dhuruar dashuri për kafshët e rrugës dhe ndihmuar në kurimin e tyre. Në vendin tonë, jo më larg se 10 vite më parë, qentë endacakë ishin gjerësisht pre e gjuetarëve, që i vrisnin kundrejt shpërblimit monetar nga pushteti vendor, me qëllim uljen e numrit të tyre.
“Në vitin 2016 Bashkia Durrës nënshkroi me ne një marrëveshje se nuk do t’i vriste qentë sepse shumë bashki në Shqipëri i vrasin, megjithëse nuk e thonë”, tregon për Portën Vendore Gjenovefa. Ambienti pranë disa godinave të amortizuara në zonën e Shkozetit, iu dha shoqatës nga bashkia e qytetit në vitin 2018, me qëllim trajtimin e qenve të rrugës, por kushtet duken larg standardeve të nevojshme për trajtimin e tyre.
Sterilizimi, “frenim” për shtimin e qenve endacakë
Pushteti vendor ngarkohet nga Ligji për Shërbimin Veterinar që të kujdeset për kafshët e rrugës dhe mbajtjen nën kontroll të numrit të tyre. Bashkia e Durrësit ndaloi vrasjen e qenve të rrugës kur u përball me kërkesën e aktivistëve që morën përsipër sterilizimin e tyre.
Gjenovefa drejton shoqatën “JETA, Tier und Mensch” (JETA, Kafshët dhe Njerëzit), me bazë në Zvicër dhe që operon në Shqipëri, duke ndihmuar kafshët e rrugës në Fier dhe Durrës. Me anë të vetëfinancimit dhe dhurimeve, deri më sot në Durrës janë trajtuar 640 qen, duke i sterilizuar dhe kastruar.
“Kjo është metoda më efikase për uljen e numrit të tyre sepse frenon shtimin e qenve që në burim dhe e mban nën kontroll”, shpjegon veterineri që bashkëpunon me shoqatën, Eror Zylyftari.
Në Durrës nuk ka të dhëna të sakta për numrin e qenve endacakë, megjithatë sipas zyrtarëve të bashkisë numërohen rreth 2000 qen, por sipas aktivistëve ata janë gati dyfishi i këtij numri, që u rrit ndjeshëm pas tërmetit të 26 nëntorit, ku shumë pronarë i lëshuan qentë e tyre gjatë panikut për tu larguar nga banesa.
“Ne e marrim qenin nga rruga, e sjellim në klinikë, sterilizohet, presim sa t’i dalë narkoza, vaksinohet dhe dërgohet tek qendra për rehabilitimin e qenve. Më pas e kthejmë në rrugë, atje ku e morëm”, shpjegon veterineri Eror Zylyftari.

Kërkesa për një qendër rehabilitimi me standarde
Bashkia Durrës që prej tetorit të vitit 2018 i ka vendosur në dispozicion kafshëdashësve një ambient në pronësi të saj. Godina e ndarë në disa dhoma është tejet e amortizuar dhe shpesh herë ka krijuar probleme për vullnetarët.
“Ju mund të shihni se streha ka nevojë për shumë punë, pasi është në formë koshi mbeturinash. Sa herë ne gërmojmë në tokë, gjejmë mbeturina”, tregon Sam Lopez, vullnetar që kujdeset për qentë e strehuar përkohësisht tek ambienti i ofruar nga bashkia.
“Në fillim kur ne erdhëm këtu, zona ka qenë e përmbytur me ujë dhe në të gjitha dhomat kishte shumë ujë në to”, kujton 65-vjeçari. Ai është nga Amerika dhe ka zgjedhur që përfundimisht të jetojë në Durrës.
Mungesa e një niveli të njëtrajtshëm të dyshemesë shpesh herë ka rrezikuar qentë që strehohen këtu. Procesi i sterilizimit duhej të realizohej në ambientin në pronësi të bashkisë, por për shkak të mungesës së kushteve bazë, ai nuk është plotësisht i përshtatshëm as për qëndrimin e qenve pas trajtimit mjekësor.

Porta Vendore ndoqi një takim të aktivistëve për të drejtat e kafshëve me Rovena Rozhanin, drejtuese e kabinetit të kryetarit të Bashkisë Durrës. Ajo premtoi adresimin e kërkesave dhe kërkoi të merret parasysh se bashkia gjendet në gjendje emergjence pas tërmetit të nëntorit.
“Ambienti këtu nuk është në nivelin e pranueshëm megjithëse bashkia na ka premtuar se do ta përshtaste sipas dëshirës sonë, por nuk ka arritur deri më tani ta realizojë këtë gjë dhe për ne është shumë emergjente sepse qentë disa herë dalin të pakontrolluar nga rrethimi”, shpjegon Gjenovefa Hasanaj-Müller.
Investimi i shoqatës tek ambienti ul buxhetin e dedikuar për sterilizimin dhe kastrimin e kafshëve të rrugës, që është në fokus. Bashkia së fundmi ndihmoi me një fadromë për sheshimin e zhavorrit të sjellë nga aktivistët.
Tek qendra e rehabilitimit sot qëndrojnë 15 qen që presin të rikthehen në rrugë pasi të stabilizohet gjendja e tyre shëndetësore, pas ndërhyrjeve mjekësore. Ujin, ashtu siç edhe ushqimin, vullnetarët e sjellin me bidonë sepse ai mungon në ambientet e ofruara nga bashkia.

Rikthimi i helmimeve mobilizon aktivistët
Prillin e vitit të kaluar në qytetin e Durrësit banorët dhe aktivistët protestuan për mbrojtjen e kafshëve, pas një serie helmimesh të qenve endacak që u konstatuan në zonën e Plazhit. Dyshimet ranë mbi pronarët e bizneseve dhe lokaleve në këtë zonë.
“Pronarët e hoteleve ose individët mendojnë se duke i helmuar qentë është zgjidhja më e mirë, por kjo është totalisht gabim sepse krijon një kaos në popullatë, turistët shohin këto lloj lajmesh dhe nuk vijë në Durrës”, shpjegon veterineri Eror Zylyftari.
Helmimet janë rikthyer në ditët e para të 2020-ës dhe aktivistët që kujdesen për ushqimin e qenve që qëndrojnë pranë lagjeve të tyre kanë raportuar raste të reja helmimi. Në lagjen numër 4 të qytetit u konstatuan raste të përsëritura. Ata dyshojnë se kjo kryhet nga qytetarët e tjerë apo pronarët e bizneseve dhe jo nga pushteti vendor.
Në gati dy muaj sipas Gjenovefa Hasanaj-Müller janë regjistruar 9 helmime, ndër to në 7 raste me ngordhje dhe 2 mundën të shpëtonin falë ndërhyrjes mjekësore. Vitin e kaluar pati mbi 40 raste helmimesh, por qytetarët që kujdesen për qentë nuk i identifikuan një pjesë të qenve që u zhdukën sepse helmoheshin përgjatë natës dhe në mëngjes shërbimi komunal detyrohej të mblidhte trupat.
Përmes Klinikës së Ligjit Durrës, mbështetur nga Lëviz Albania, aktivistët kanë hartuar një kërkesë që do t’i drejtohet bashkisë dhe qeverisë për marrjen e masave ndaj fenomenit të vrasjes dhe helmimit të qenve, që është konstatuar rishtazi.
“Janë shkelur të drejtat e qenve endacak pa pronar, të cilët duhet të vaksinohen, të sterilizohen dhe më pas të sistemohen në qendra të specializuara posaçërisht dhe të krijuara nga ana e njësive të qeverisjes vendore”, shpjegon Dorina Ndreka, avokate pranë Klinikës së Ligjit në Durrës.
Helmimi i qenve endacak të cilët janë sterilizuar më parë shqetëson aktivistët edhe sepse çon dëm investimin për vaksinimin, sterilizimin dhe rehabilitimin e tyre. Situata me trajtimin e qenve endacak mbetet problematike në shumicën e bashkive në vend. Bashkia e kryeqytetit përmes Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit realizon procesin e kapjes, vaksinimit, sterilizimit, trajtimit në qendrën veterinare në Kombinat dhe më pas kthimin e tyre në habitat, një proces që ndryshe nga Durrësi, e menaxhon të gjithin bashkia.