Vëzhgim/Analizë

DEBATI/ Karantina dhe dhuna në familje : ulje e rasteve apo mos raportim i saj?

24 prill 2020/ Eljona Ballhysa / Porta Vendore/ Tiranë

Të dhënat e Policisë së Shtetit tregojnë se gjatë muajit mars, i cili ishte një muaj pothuajse i gjithi në karantinë, shënoi rënie të numrit të denoncimeve në polici për raste të dhunë brenda familjes, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë organizatat e shoqërisë civile dëshmojnë për shtim të telefonatave që denoncojnë fenomenin. Gjithashtu  më 20 mars, OBSH deklaroi se “dhuna kundrejt grave ka tendencë të rritet gjatë çdo lloj emergjence, duke përfshirë edhe pandeminë”. Por ky kontrast në shifra e dëshmi, ngre pyetjen nëse karantina ka stepur dhe penguar denoncimet për dhunën në familje. Ekspertë të fushës  ndajnë mendimet e tyre me Portën Vendore mbi situatën e dhunës në Shqipëri dhe funksionimin e zyrave për mbrojtjen sociale, që merren pikërisht me koordinimin e institucioneve që trajtojnë dhunën në familje dhe marrjen në mbrojtje të viktimave të këtij fenomeni.

Shifrat e dhunës në familje

Policia e Shtetit deklaroi për Portën Vendore se gjatë muajit mars 2020 ka pasur rënie të rasteve të dhunës në familje në të gjithë vendin, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019. “Gjatë muajit mars 2020 janë evidentuar gjithsej nga ana e policisë 249 raste të dhunës dhe krimeve të tjera të ndodhura në marrëdhëniet familjare. Nga këto: Janë trajtuar me kërkesë–padi ‘Për lëshimin e Urdhrit të Mbrojtjes 141 raste, ndërsa 90 raste janë proceduar penalisht dhe janë arrestuar 33 autorë. Kurse gjatë muajit mars 2019 janë evidentuar gjithsej nga ana e policisë 390 raste të dhunës dhe krimeve të tjera të ndodhura në marrëdhëniet familjare. Nga këto: Janë trajtuar me kërkesë–padi ‘Për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes 247 raste, ndërsa 104 raste janë proceduar penalisht dhe janë arrestuar 41 autorë”, deklaroi Policia e Shtetit. Nga shifrat e policisë vihet re se në marsin e sivjetshëm janë evidentuar 141 raste më pak, ndërkohë që respektivisht dhe urdhrat e mbrojtjes kanë qenë në nivel më të ulët.

Tirana raporton shifra në ulje

Porta Vendore mori shifrat zyrtare dhe për rastet e dhunës në familje në Tiranë. “Nga statistikat rezulton se në 8 komisariatet që mbulon DVP Tiranë, gjatë muajit Mars 2020 kanë kërkuar urdhër mbrojtje 51 raste, një numër i ulët në krahasim me muajt përpara karantinës”, deklaroi policia pa dhënë detaje për vitin paraardhës.

Ndërkohë, një tjetër organizëm që trajton dhunën në familje në Tiranë janë dhe zyrat e mbrojtjes sociale, që janë ngritur në të gjitha njësitë administrative të Tiranës. Në zyrat e qytetit janë të punësuar të paktën 4 punonjës, ndërsa në njësitë jashtë vijës së verdhë janë të punësuar 2 punonjës, kryesisht punonjësi social për mbrojtjen e fëmijëve dhe administratori social që merret me anën financiare. Roli kryesor i këtyre zyrave është ai i ndërlidhjes mes policisë, gjykatave dhe asistimit të personave të dhunuar me ndihmë sociale, bonus qiraje apo kurse të ndryshme profesionale.

Për këtë arsye, veç policisë, Porta Vendore pyeti dhe pranë këtyre zyrave sesi paraqiten shifrat e dhunës në familje gjatë këtij viti, por dhe gjatë muajit mars të karantinës.

Trendelina Jaku, kryetare e njësisë administrative numër 1 në Tiranë thotë për Portën Vendore se gjatë vitit 2019 në zyrën për mbrojtjen sociale pranë kësaj njësie janë raportuar gjithsej 35 raste të dhunës në familje, ndërsa gjatë vitit 2020 janë raportuar 5 raste. Por asnjë rast gjatë periudhës së Covid-19. Eva Dako, punonjëse sociale në njësinë administrative numër 2 në Tiranë thotë se gjatë vitit 2019 janë raportuar 35 raste për dhunë në familje; gjatë vitit 2020 vetëm 3 raste dhe gjatë periudhës së karantinës nuk kanë pasur asnjë rast. Ergesta Nika, kryetare e njësisë administrative të njësisë numër 3 në Tiranë thotë se në këtë njësi ka pasur vetëm 1 rast dhune në familje përgjatë vitit 2019, dhe asnjë rast përgjatë 2020, ku përfshihet dhe periudha e karantinës. Redona Rustemaj punonjëse për mbrojtjen e fëmijëve në njësinë administrative numër 4 në Tiranë thotë se gjatë vitit 2019 kanë pasur 49 raste të dhunës në familje, ndërsa për vitin 2020 në janar kanë pasur 14 raste, shkurti 10 raste, marsi 10.

Vetë punonjëset e njësive administrative të qytetit në Tiranë deklarojnë se muaji i vendosjes së vendit në karantinë ka ardhur në ulje. Por sipas punonjëses sociale të njësisë nr. 4 Tiranë, Redona Rustemaj ka raste të dhunës në familje, por ende nuk janë raportuar. “Unë mendoj që ka dhunë në familje aktualisht gjatë kohës së karantinës, por ende nuk është raportuar. Do vijë një kohë që do raportohet. Nuk ka raportime për momentin”, shprehet Rustemaj.

Ana Kokaj, përgjegjëse e sektorit social në njësinë administrative nr. 5 thotë se çdo muaj vijnë mesatarisht 7-8 raste të dhunës në familje, ndërsa për muajin mars ka pasur vetëm 2 raste me urdhër mbrojte. “Për rastet e dhunës në familjes ne marrim mesatarisht 7-8 pasi na vijnë me urdhër të gjykatës në mënyrë zyrtare. E njëjta gjë edhe për periudhën janar-shkurt. Ndërsa për marsin kemi vetëm 2 urdhra mbrojtje. Ndoshta për shkak të mbylljes së gjykatës ose vonesës së postës. Ose nuk ka fare, s’kanë raportuar”, shprehet Ana Kokaj nga Njësia nr. 5.

Blerina, punonjësja sociale e njësisë administrative nr. 6 në Tiranë thotë se për shkak të shtrirjes së gjerë që ka kjo njësi, edhe shifrat për dhunë në familje janë të larta. “Për vitin 2019 në njësinë 6 që është një njësi administrative me shtrirje të madhe, këtu përfshihen edhe rastet e dhunës në ish komunat si Ndroqi, Peza, Kashari etj., ka pasur 141 raste kërkesë padi për urdhër mbrojtje. Ndërsa në periudhën janar –mars të këtij viti, pra 2020 kemi vetëm 23 kërkesa, pra raste të dhunës në familje që kërkojnë mbrojtje nga shteti. Ndërsa gjatë periudhës së karantinës janë vetëm 8 raste. Pra nuk ka pasur rritje të dhunës në familje”, shprehet Blerina.

Karolina Kostallari, kryetare e njësisë nr. 10 në Tiranë thotë për Portën Vendore se për vitin 2019 kanë pasur 12 raste të dhunës në familje, ndërsa për vitin 2020 kanë pasur vetëm një denoncim në janar dhe të gjitha rastet janë denoncime me urdhër mbrojtje nga gjykata. “Për vitin 2019 kemi pasur 12 raste të raportimit të dhunës në familje. Ndërsa për vitin 2020 vetëm 1 rast në muajin janar, pra para nisjes së karantinës”, tregon zonja Kostallari, e cila thotë se me rastin e 8 marsit ditës së gruas këtë vit organizoi dhe një drekë miqësore me disa prej grave të dhunuara të cilat do të vijojë t’i ndihmojë në vijimësi. “Tre gra, raste të dhunës në familje madje më kanë ardhur në zyrë më 8 mars. Me pas shkuam në drekë miqësore ku diskutuam për nevojat dhe me çfarë mund t’i ndihmonin. Njërës prej tyre do i sigurojmë avokat pa pagesë sepse është në proces gjyqi me të shoqin. Gjithashtu po shohim mundësinë e punësimit për 2 gratë e tjera”, tha zonja Kostallari.

Dhuna jashtë vijës së verdhë të kryeqytetit

Porta Vendore pyeti edhe pranë njësive administrative në periferi të Tiranës mbi situatën e raportimit të dhunës në familje. Situata në 5 njësitë administrative në Paskuqan, Ndroq, Baldushk, Bërzhitë, dhe Krrabë duket më pak alarmante sa i përket shifrave të raportuara për dhunën në familje.

Gjergj Prabibaj, kryetari i njësisë administrative numër 11 në Tiranë, që përfshin Paskuqanin thotë se për vitin 2019 kanë pasur vetëm 1 rast të dhunës në familje që është trajtuar edhe me pagesën mujore prej 3 mijë lekësh, ndërsa përgjatë vitit 2020 nuk ka pasur asnjë rast.

Elmira Shehi punonjësja sociale e zyrës për mbrojtjen e fëmijëve në njësinë administrative të Ndroqit në Tiranë gjithashtu thotë se nuk ka pasur rritje të dhunës në familje gjatë kohës së karantinës, ndërkohë që gjatë vitit 2019 ka pasur vetëm 3 raste gjithsej.

Ilir Bermeta kryetar i njësisë administrative të Baldushkut thotë se gjatë 2019 kanë pasur 4 raste të dhunimit të grave, ndërsa për 2020 kanë pasur vetëm 2 raste. Ndërsa gjatë kohës së karantinës nuk kanë pasur asnjë rast.

Alban Shaba Kryetar i njësisë administrative Bërzhitë thotë se s’kanë pasur asnjë rast gjatë vitit 2020. Të njëjtën gjë pohon edhe Alfred Brahja, kryetar i njësisë administrative Krrabë.

Pra, siç shihet rastet e dhunës, jo vetëm gjatë periudhës së karantinës, por dhe gjatë periudhave të tjera të vitit, rastet e dhunës në familje janë më të shumta në qytet sesa në fshat. Por, sipas një studimi të qendrës “Për të drejtat e njeriut në demokraci” (QDNJD- së) të kryer për periudhën 2016-2017 ( Respektimi i të drejtave të viktimave/ të mbijetuarave të dhunës në familje në procesin gjyqësor) rezulton se në 54 % të rasteve e mbijetuara e dhunës në familje është me banim në qytet dhe në 46 % të rasteve është me banim në periferi ose zona rurale. Fakti që pjesa më e madhe e rasteve që kanë denoncuar dhunën në familje jetojnë në zonat urbane tregon për nivelin e ndërgjegjësimit të tyre lidhur me këtë çështje. Ky fakt nuk është tregues se dhuna në zonat rurale ka nivele më te ulëta, por se ajo nuk denoncohet për arsye të ndryshme, si mungesa e informacionit për legjislacionin që merr në mbrojtje viktimat e dhunës në familje, mentaliteti, largësia me vendndodhjen e shërbimeve mbështetëse etj.

Dhuna në karantinë

Sevim Arbana, kryetare e shoqatës në Dobi të Gruas Shqiptare për Portën Vendore pohon se gjatë javëve të karantinës janë shtuar ndjeshëm telefonatat që denoncojnë dhunën në familje.

Në ditët e para të karantinës, ndryshe nga sot që ka kaluar 3 javë të jetosh me një dhunues është një realitet krejt tjetër. Kam parasysh faktin se dhjetëra gra me urdhër mbrojtje janë të detyruara që në këto kushte të jetojnë me dhunuesin. Përpos kësaj , sipas telefonatave që ne marrim si shoqatë, kemi një rritje të dhunës në familje, por edhe mungesa e parave, humbja e punës, stresi ka ndikuar tek çiftet që të kenë probleme dhe janë agravuar problemet aq sa ka kaluar në dhunë”, shprehet zonja Sevim, e cila shton se kjo është situatë shumë e vështirë për t’u parandaluar aq sa edhe shteti nuk ka mundësi të ndikojë.

Unë e kuptoj se edhe shteti nuk mund të bëjë gjë për këtë. Kemi dy panorama. Se pari kemi mungesë strehëzash për gratë e dhunuara sepse ka mungesë financash, kushton për të mbajtur një strehëz. Por nga ana tjetër shteti nuk mund t’i identifikojë mëto. Ne kemi në thonjëza luksin që ta bëjmë këtë me grupet tona vullnetare. Por edhe këtu ka një hendek shumë të madh. Flasim këtu për zona ku ka mungesë vullnetarësh siç janë fshatrat. Ne atje nuk kemi vullnetarë në këto momente”, thotë zonja Sevim. Ajo shton se në kushtet e karantinës po punohet në rritjen e aftësisë së grave të dhunuara ose që janë target të dhunës që të përdorin teknologjinë dhe të raportojnë sa më parë dhunën fizike. “Ne synojmë që nëpërmjet njohurive që ne do u japim përmes internetin të deklarojnë problematiket që ata kanë. Këto janë hapat e parë që ne po bëjmë tani”, thotë zonja Sevim.

E pyetur nga Porta Vendore nëse periudha e karantinës e ka vështirësuar situatën e dhunës në familje për mijëra gra, të cilat qëndrojnë nën presionin e dhunës së përhershme, Afërdita Prroni përfaqësuese e qendrës “Për të drejtat e njeriut në demokraci” thotë se karantina ka ndikuar edhe më shumë në ekspozimin e kësaj kategorie ndaj episodeve të dhunës.

Mendojmë që periudha e karantinës e ka vështirësuar shumë situatën e grave/vajzave të dhunuara pasi në pjesën më të madhe të rasteve ato janë të detyruara të qëndrojnë të izoluara bashkë me dhunuesit e tyre. Ndër këta faktorë mund të përmendim: situata e krijuar, frika, mungesa e infrastrukturës së nevojshme, vështirësitë në lëvizje, mungesa e transportit publik, mungesa e besimit te institucionet bazuar ne prioritetet qe ato kane gjatë kësaj periudhe etj.

Për shkak të situatës së pandemisë institucionet shtetërore janë fokusuar tërësisht në zbatimin e rregullave të izolimit nga popullsia dhe mbështetjen me ndihma të kategorive në nevojë duke mos i kushtuar rëndësinë e duhur çështjeve të dhunës”, tha zonja Prroni për Portën Vendore.

Ndërsa avokati Adriatik Lapaj, aktivist i njohur i shoqërisë civile shpjegon se situata e karantinës nuk ka shkaktuar asnjë pengesë në gjykata, ku qytetarët mund të drejtohen për të denoncuar dhunën në çdo kohë. “Referuar aktit normativ nr. 9 datë 25.03.2020 “Për marrjen e masave të veçanta në fushën e veprimtarisë gjyqësore, gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë shkaktuar nga covid-19” vazhdojnë të jenë funksionale gjykatat në çështjet familjare, me objekt gjykimi kujdesin, detyrimet dhe respektimin e të drejtave të të miturve, kujdestarinë dhe birësimin, masat mbrojtëse ndaj dhunës në familje, ushtrimin e përgjegjësisë prindërore, përkujdesjen dhe detyrimet për ushqim, si dhe në ato çështje civile në të cilat, përjashtimisht, gjykata vlerëson se shqyrtimi i vonuar i tyre mund të shkaktojë dëm të rëndë e të pariparueshëm për palët. Sa më sipër, situata me karantinën në aspektin juridik nuk sjell pengesë apo pamundësi të qytetarëve që dhunohen për t’ju drejtuar gjykatës”, tha për Portën Vendore, avokati Lapaj.

Megjithatë, kjo kundërshtohet nga Afërdita Prroni, duke marrë parasysh numrin e ulët të rasteve të raportuara gjatë muajit mars. “Jemi të mendimit se numri i rasteve që kanë pasur nevojë për mbështetje ka qenë shumë më i lartë por një sërë faktorësh kanë çuar në stepjen e viktimave për të raportuar”, tha Afërdita Prroni.

A funksionojnë Zyrat për Mbrojtjen Sociale?

Të gjithë përfaqësuesit e Zyrave për mbrojtjen sociale, të kontaktuar nga Porta Vendore deklaruan se qytetarët nuk shkojnë asnjëherë të denoncojnë dhunën në familje në këto zyra. Rastet e dhunës në familje i shkojnë zyrave të mbrojtjes sociale në njësitë administrative vetëm përmes urdhrave të mbrojtjes të lëshuar nga gjykata dhe më pas punonjësit socialë i referojnë rastet në Bashkinë e Tiranës, ku hapet një dosje dhe rastet shqyrtohen një për një, për të gjetur një zgjidhje konkrete në të mirë të personit të dhunuar. “Në përgjithësi, denoncimi bëhet në polici, që më pas e delegon tek ne. Pas marrjes së urdhrit të mbrojtjes nga gjykata, personi i dhunuar përfiton 3000 lekë ndihmë ekonomike çdo muaj. Në bashkëpunim dhe në koordinim me zyrat e punës, formimit profesional dhe shoqatat e ndryshme bëhet orientimi i të dhunuarave. Nëse në familje ka dhe fëmijë dhe në disa raste me urdhër mbrojtje, punonjësi i mbrojtjes së fëmijës bën vlerësimin e rrezikshmërisë që mund të ketë situatë në gjendjen emocionale të fëmijës duke u koordinuar me psikologen, mësuesen dhe edukatoren”, sqaron Ludmira, punonjësja sociale pranë njësisë administrative nr. 1 në Tiranë. Të njëjtën gjë pohon edhe Eva Dako nga njësia nr. 2. “Vjen urdhri i mbrojtjes nga gjykata. Ne gjejmë banesën e zonjës ose të zotërisë sepse ka dhe raste dhune tek meshkujt. Kontaktojmë me familjen dhe i trajtojmë me 3 mijë lekë. Nëse ka fëmijë shohim çfarë nevojash ka. Ne kryejmë ndërlidhjen mes gjykatave dhe personave të dhunuar”, sqaron ajo.

Adiola Myftari, punonjësja për mbrojtjen e fëmijëve në lagjen numër 13 na sqaron të gjithë procedurën si veprohet në rastet e dhunës në familje. “Nuk ka asnjë rast të raportuar direkt tek ne. Ne na vijnë urdhër mbrojtje nga gjykata. Është e vështirë që nëna të vijë të kërkojë ndihmë direkt në bashki, referimi na vjen nga policia. Nëna ka bërë denoncimin në polici dhe më pas nëse është në territorin tonë, policia më thërret mua në komisariat që marr pjesë tek intervista e fëmijës. Ata shkojnë kryesisht në polici sepse kërkojnë mbrojtje, ndaj nuk vijnë tek ne. Pasi na vjen urdhri i mbrojtjes ne bëjmë ndërlidhjen. Ne vendosim kontaktet dhe ia referojmë bashkisë që ka një strukturë të posaçme vetëm për dhunën në familje. Pastaj mblidhemi dhe diskutojmë se si do të veprojmë me këtë grua të dhunuar. Vendosim kontaktet me policinë, me OJF-të, shoqatat e ndryshme. I ofrojmë kurse profesionale si rrobaqepësi, parukeri, kompjuter etj. Mundohemi të gjejmë strehim, ta largojmë nga shtëpia ku jeton me burrin që e dhunon. I ofrojmë disa mundësi gruas dhe më pas është ajo që vendos”, tregon Myftari.

Megjithatë ka dhe raste sporadike, që vetë punonjësit e këtyre zyrave identifikojnë viktimat e dhunës në familje, por sërish i referojnë fillimisht në polici. Redona Rustemaj, punonjëse për mbrojtjen e fëmijëve në njësinë 4 thotë se ka pasur raste që ajo vetë ka identifikuar raste dhune në familje te fëmijët. “Unë jam punonjëse që dal në terren. Kam kontaktet e mia dhe me të gjitha organizatat. Ka raste që identifikohen nga unë ose nga policia dhe bëj raportimin e rastit. Një nga rastet që kemi është se babai dhunonte gruan dhe fëmijën. Mësuesja kontaktoi me mua sepse fëmijët babai i mbante të mbyllur në shtëpi. U kuptua se kjo ishte dhunë në familje. Shkova në shtëpi, i mora fëmijët, i shoqërova në komisariat. U bë urdhri i mbrojtjes për babanë, ndërsa nëna dhe dy vajzat u çuan menjëherë në strehëz te qendra për viktimat e dhunës në familje që është në Kamëz”, tregon Redona Rustemaj, e cila thotë se të gjitha këto familjet gjatë periudhës së karantinës janë ndihmuar me paketa ushqimore.

Shoqëria civile: Zyrat funksionojnë, por duhet përmirësim

E pyetur nëse funksionojnë hallkat e shtetit, pra nga zyrat e mbrojtjes sociale të njësive administrative tek policia e gjykatat për të referuar dhe për të ndihmuar personat e dhunuar, zonja Sevim Arbana thotë se nuk funksionojnë aspak. “Jo nuk funksionojnë. Vetëm kur i drejtohemi ne policisë kjo funksionon. Ndërsa të tjerat jo. Ne kemi shumë probleme me gra që kanë urdhër mbrojtje që s’kanë banesë sociale, që s’kanë rrogë, që s’kanë ushqim, që i janë drejtuar të gjitha institucioneve dhe organizatave jo qeveritare dhe s’kanë asnjë përgjigje. Kemi një nënë me 4 fëmijë, më të madhin 10 vjeç e më të voglin 20 muajsh dhe nuk ka asnjë që ta ndihmojë. Ne jemi munduar t’i gjejmë qiranë për 3 muaj por s’kemi asnjë mundësi me shumë. Nga njësia administrative i kanë çuar vetëm dy kg. miell një kg. sheqer dhe asgjë tjetër. Kemi rreth 10 gra të tjera për t’i ndihmuar”, thotë zonja Sevim.

Ndërsa Afërdita Prroni, nga Qendra “Për të Drejtat e Njeriut në Demokraci” mendon se pavarësisht bashkëpunimeve që OJF-të e ndryshme me fokus dhunën në familje kanë me njësitë administrative në kryeqytet, sërish ka ende vend për përmirësim në zyrat e mbrojtjes të vendosura në njësitë administrative të pushtetit vendor. “QDNJD bashkëpunon në mënyrë të veçantë me njësitë administrative 3, 4 dhe 8 Tiranë dhe në kuadër të këtij bashkëpunimi është bërë e mundur ngritja e mekanizmave të referimit pranë tyre, me qëllim trajtimin dhe adresimin e nevojave të rasteve të dhunës në familje. Një problematikë që mbartin njësitë administrative sa i përket trajtimit të rasteve të dhunës në familje lidhet me faktin se këto njësi nuk kanë një punonjës të dedikuar për këto çështje. Nisur nga numri i lartë i rasteve të dhunës në familje dhe trajtimi i rasteve sipas procedurës që kërkon legjislacioni në fuqi (Polici – Organet vendore) është i domosdoshëm shtimi i numrit të koordinatorëve vendorë ose punonjësve përgjegjës për trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore në nivel njësie administrative. QDNJD ka bashkëpunim të ndërsjelltë me këto njësi, njësitë referojnë raste pranë QDNJD-së për ofrimin e shërbimeve dhe Qendra referon raste pranë këtyre njësive për përfitimin e shërbimeve mbështetëse”, tha Afërdita Prroni përfaqësuese e qendrës “Për të drejtat e njeriut në demokraci”.

Kurse avokati Adriatik Lapaj shpjegon për Portën Vendore se zyrat funksionojnë, duke shpjeguar rolin e tyre, megjithëse dhe sipas tij ka dhe raste që shërbimi nuk ofrohet në nivelin e duhur.

Referuar ligjit nëse dikush ka nevojë për ndihmë, pasi është dhunuar në familje apo kërcënohet me dhunë duhet t’i drejtohet komisariatit më të afërt të policisë të vendit ku banon apo kudo që të ndodhet në çastin që ndodh dhuna, njësisë së pushtetit vendor (bashki, komunë), ose qendrës më të afërt shëndetësore të vendit ku banon apo ndodhet dhe të raportojë dhunën e të kërkojë ndihmë për inicimin e procesit për urdhër mbrojtje ose urdhër të menjëhershëm mbrojtje. Pranë çdo bashkie, përfaqësuesi i zyrës së shërbimeve sociale shërben si koordinator vendor për dhunën në familje. Ndërmjet të tjerave, koordinatori vendor ka për detyrë të koordinojë një ekip profesionistësh që mblidhen për të ndjekur nga afër rastet e dhunës dhe për të plotësuar nevojat e shtetasve që referojnë se janë dhunuar. Koordinatori ka detyrimin ligjor të ndihmojë qytetarin që referon dhunë të përgatisë dhe paraqesë kërkesën për urdhër mbrojtje si dhe ka detyrimin ta shoqërojë qytetarin në polici dhe gjykatë”, tha Lapaj , duke shtuar se: “Këto zyra pranë bashkive funksionojnë. Sigurisht që ka raste që ndoshta nuk ofrojnë shërbimin në nivelin e duhur apo me shpejtësinë e duhur, por në tërësi këto zyra ekzistojnë”.

Sa mbron urdhri i mbrojtjes në Shqipëri

Avokati Adriatik Lapaj i tha Portës Vendore se në Shqipëri ekzistojnë dy urdhra mbrojtje që lëshohen nga gjykata, me specifikat e veta, por që të dy hyjnë në fuqi menjëherë pas lëshimit nga gjykata. “Urdhri i menjëhershëm i mbrojtjes, i cili është një urdhër i përkohshëm gjykate, i vlefshëm deri në lëshimin e një urdhri mbrojtjeje. Gjykata me dhënien e këtij urdhri do të caktojë gjithashtu një datë për vazhdimin ose ndërprerjen e urdhrit brenda 20 ditëve nga lëshimi i tij. Urdhri i mbrojtjes (i zakonshmi), i cili është një vendim gjykate dhe përcakton një sërë masash mbrojtëse për viktimën/viktimat e dhunës në familje. Gjykata lëshon urdhrin e mbrojtjes nëse i paraqiten prova të mjaftueshme për të besuar se dhunuesi mund të kryejë një veprim dhune në familje ose kur lëshimi i urdhrit të mbrojtjes është i nevojshëm për të mbrojtur shëndetin dhe mirëqenien e kërkuesit ose anëtarëve të familjes. Të dy urdhrat hyjnë në fuqi menjëherë pas lëshimit nga gjykata dhe janë të vlefshëm pavarësisht faktit nëse abuzuesi është njoftuar ose jo”, tha ai.

Në Republikën e Shqipërisë ligji “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare” e përcakton dhunën në familje si çdo formë abuzimi e ushtruar nga një person ndaj një personi tjetër, e cila rezulton në dhunim të integritetit të tij fizik, moral, psikologjik, seksual, social ose ekonomik. Ky ligj ka parashikuar mekanizma dhe procedura shumë të qarta të cilat e detyrojnë të gjithë strukturën e institucioneve shtetërore të veprojnë për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve.

Mesatarisht në vendin tonë jepen rreth 4000 urdhra mbrojtje në vit të cilat përbëjnë rreth 85% të rasteve në të cilat ai kërkohet, pra duket qartë se Gjykatat janë të kujdesshme dhe të prirura ta vendosin këtë mjet mbrojtjes në funksion të qytetarëve të cilët ndodhen nën dhunë apo kërcënim për dhunë në familje. Duhet të theksojmë se urdhri i mbrojtjes në vetvete është një masë civile. Në rast se ai thyhet nga personi të cilit i drejtohet atëherë lind përgjegjësia penale për moszbatim të vendimit të gjykatës. Në këtë kuptim duhet të theksoj se qytetarët që kanë marrë një urdhër mbrojtje të cilët konstatojnë se ai urdhër nuk zbatohet nga dhunuesi duhet ti drejtohen policisë së shtetit dhe të bëjnë kallëzim për shkeljen e urdhrit”, tha avokati Lapaj për Portën vendore. Duke marrë shkas nga eksperienca personale, ai shtoi se ka konstatuar se ky mekanizëm funksionon dhe janë me mijëra qytetarë që e marrin si mjet mbrojtje gjatë një viti.Sigurisht që ka dhe raste kur ai nuk zbatohet, por kjo lidhet më shumë me faktin që ose nuk denoncohet se ndërhyjnë të afërmit ose personat që e shkelin kalojnë në veprime ekstreme pa marrë parasysh pasojat”, përfundon avokati Adriatik Lapaj.

Ndërsa Afërdita Prroni, përfaqësuese e qendrës “Për të drejtat e njeriut në demokraci” tha se gjatë periudhës Janar 2018 – Mars 2020, QDNJD ka ofruar këshillim ligjor në lidhje me çështje civile, administrative dhe penale për 967 raste, ku janë përfaqësuar falas në gjykatë 249 raste nga të cilat 171 raste janë pajisur me UMM/UM.

Aktualisht gjykata shqyrton vetëm Urdhrat e menjëhershëm të Mbrojtjes. Kemi 7 raste në proces pranë Gjykatës së Shkallës së parë dhe Gjykatës së Apelit Tiranë. Një problematikë tjetër që lidhet me zbatimin në praktikë të urdhrave të mbrojtjes lidhet edhe me zgjatjen në kohë të shqyrtimit të vendimeve të ankimuara. Problematikat e zbatimit të urdhrave të mbrojtjes janë të lidhura shpesh herë edhe me zgjidhjen që iu bën gjykata çështjeve duke lejuar qëndrimin në të njëjtën banesë të palëve. Ne mendojmë se legjislacioni në fuqi e ka mirëpërcaktuar rolin që duhet të luajë secili institucion sa i përket zbatimit dhe monitorimit të respektimit të urdhrave të mbrojtjes por duhet që secili institucion të zbatoj detyrimet e tij dhe të rritet niveli i bashkëpunimit midis organeve përgjegjëse në këtë drejtim”, tha Afërdita Prroni përfaqësuese e qendrës “Për të drejtat e njeriut në demokraci”, duke theksuar se probleme ka edhe me ekzekutimin e tij për shkak të burokracive që ekzistojnë.

Një nga problematikat që mbart trajtimi i rasteve të dhunës në familje nga institucionet përgjegjëse lidhet me zbatimin në praktikë të urdhrave të mbrojtjes. Me ndryshimet e fundit në legjislacionin kundër dhunës në familje ekzekutimi i urdhrave të mbrojtjes duhet të kryhet nga komisariatet e policisë në bashkëpunim me zyrën e përmbarimit dhe organet e pushtetit vendor. Ndërsa monitorimi i respektimit të urdhrave të mbrojtjes i është ngarkuar organeve të pushtetit vendor të cilat duhet të raportojnë pranë komisariatit përkatës çdo 60 ditë në lidhje me ecurinë e zbatimit të tij. Në praktikë ka akoma shumë probleme sa i përket ekzekutimit (aplikimi i procedurave që zgjasin në kohë, mungesë e kooperimit të punës midis policisë, zyrës së përmbarimit dhe njësive vendore, kapacitetet e limituara etj.).Ndërsa sa i përket monitorimit të vendimeve megjithëse ndryshimet në legjislacion janë të korrikut të vitit 2018 (që i atribuojnë organeve të pushtetit vendor monitorimin e zbatimit të UMM/UM), roli i organeve të pushtetit vendor në këtë drejtim është minimal”, përfundoi zonja Prroni për Portën Vendore.