Ngjarje/Personazhe

Në “karantinën” e të moshuarve në Gjirokastër, punonjësit qëndrojnë larg familjeve dhe në shërbim të të moshuarve

23 prill 2020/ Brikena Metaj/ Porta Vendore/ Gjirokastër

Prej fillimit të muajit Mars 58 azilantë të moshuar, të moshës 70 deri në 95 vjeç, janë izoluar brenda ambienteve të kësaj qendre banimi pa pasur asnjë kontakt me botën jashtë. Bashkë më ta janë karantinuar edhe punonjësit, të cilët i shërbejnë të moshuarve 24 orë sipas nevojave të tyre.

Matilda Hysi, nënë e dy fëmijëve të vegjël, ishte ndër të parat që doli vullnetare për të shërbyer në Shtëpinë e të moshuarve në Gjirokastër.

Izolimi i kësaj shtëpie të moshuarish erdhi pas urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë në datën 10 Mars sipas të cilit: “Për qendrat sociale që ofrojnë shërbime si të moshuarit, PAK, fëmijët jetimë, do të shmanget, do të kufizohet kontakti me persona jashtë strukturës ku ata banojnë. Kjo është një masë që do të merret nga Shërbimi Social Shtetëror për institucionet rezidenciale publike dhe jopublike”.

Prej këtij momenti personeli i përhershëm i këtij institucioni u zëvendësua nga një staf i profesionalizuar që kujdeset 24 orë për këta të moshuar që jeta i mblodhi së bashku në këtë strehë.

Tre infermiere, dy sanitare dhe një kuzhinier kujdesen prej tre javësh për gratë dhe burrat e Shtëpisë së të Moshuarve në Gjirokastër.

Matilda punon si punonjëse lavanderie prej 8 vitesh në këtë shtëpi. Do të ishte e vështirë për dikë tjetër që të kryente punën e saj, ashtu si ajo e kërkon, ndaj 35–vjeçarja nuk hezitoi që t’i thoshte “Po” qëndrimit të saj brenda këtyre katër mureve, larg familjes dhe fëmijëve.

“Këta të moshuar janë bërë si njerëzit e shtëpisë tashmë. Kam kaq vite që kujdesem për ta. Edhe ata janë mësuar me mua dhe më duan, nuk gjejnë rehat me askënd tjetër. Ndaj vendosa të qëndroj”, shprehet Matilda.

Mbrëmja ka momentin e vet të veçantë, kur Matilda flet me fëmijët nëpërmjet skype. Përgjatë gjithë këtyre ditëve ajo ka mundur t’i puthë e t’i përqafojë vetëm nga telefoni, e vetmja mundësi për të shuar mallin e nënës.

Stafi i azilit, i “ngujuar” që prej fillimit të marsit pranë të moshuarve. Foto:B.Metaj

“Gjatë ditës kemi ngarkesën e punës dhe nuk e ndiejmë kohën, por darka është më e vështirë. Atëherë e ndiej mallin e shtëpisë, të fëmijëve, të prindërve. Ditët e para ishte akoma edhe më e vështirë për t’u përballuar, tashmë kemi krijuar rutinën tonë”, tregon ajo.

Jeta në një shtëpi të moshuarish ka ritmet e veta, të ndryshme nga ato të një shtëpie të zakonshme. Të moshuarit kërkojnë kujdes të vazhdueshëm dhe shëndeti i tyre mund të ketë të papritura në çdo moment.

“Në një situatë të tillë të vështirë, ne kemi fokusuar të gjithë vëmendjen tonë në kujdesin ndaj këtyre të moshuarve. Kryejmë shërbim 24 orë, kujdesemi të ushqehen shëndetshëm, të marrin ilaçet rregullisht dhe të mos e ndiejnë veten të izoluar e të mbyllur”, tregon kryeinfermierja Dhurata Zholi.

Kryeinfermierja Dhurata Zholi. Foto: B.Metaj

Ajo thotë se brenda këtyre mureve përpiqen t’i mbajnë të moshuarit të angazhuar me aktivitete të ndryshme të vogla, që u plotësojnë ditën.

“Punonjësit kanë lënë fëmijët dhe familjet e tyre dhe i janë përkushtuar punës. Krahas kujdesit shëndetësor, me matje të rregullta të temperaturës dhe oraret e ilaçeve të tyre, ne përpiqemi të organizojmë aktivitete të ndryshme, biseda apo lojëra. Gjithçka që mund t’i mbajë të moshuarit të angazhuar”, rrëfen Dhurata.

Por më e vështirë duket se është për burrat e kësaj shtëpie që dilnin rregullisht më parë në qytet.

Një prej tyre është edhe Qamili, 85–vjeçari rebel. E ka pasur gjithnjë të vështirë t’u nënshtrohej rregullave. Ai është aktiv në shumë veprimtari letrare, i pëlqen të shkruajë, të flasë, të takojë njerëz dhe e sheh gjithmonë nëpër qytet. Izolimi dhe detyrimi për vetëkarantinim ishte i vështirë të pranohej prej tij dhe kundërshtimi në ditët e para qe jo i vogël. Tashmë ai është bërë pjesë e këtij grupi të madh të moshuarish që janë ngujuar brenda shtëpisë më të madhe të qytetit, shpeshherë duke marrë edhe rolin e liderit të grupit.

Qamil Muho duke folur për Portën Vendore. Foto:B.Metaj

50 vite pas arratisjes së tij nga Shqipëria, 73-vje­çari Gazmend Çibuku nga Devolli i Korçës u gjend krejt i vetëm, pa asnjë profesion dhe asnjë të afërm që të kujdeset për të pas kthimit në vendlindje. Historia e tij është vetëm një prej rreth 60 historive të ngjashme që gjen në shtëpinë e të moshuarve në Gjirokastër. Kjo periudhë izolimi i sjell ndërmend Gazit vitet e vështira të rinisë së tij.

Gazmend Çibuku duke lexuar në dhomën e tij. Foto:B.Metaj

Një jetë e tërë brenda mureve. I heshtur, ai është ndër të paktët që kalon pjesën më të madhe të orëve të ditës në ballkonin e dhomës. Ndonëse kujtimet shpesh e mposhtin, ky lloj realiteti nuk është i panjohur për të dhe as i vështirë për t’u pranuar.

“Thjesht më vjen keq për ditët që duhet t’i kaloj ende mbyllur. Në ditë të zakonshme përpiqem të lëviz për të parë sa më shumë gjëra e për të ndenjur sa më shumë të jetë e lejueshme jashtë shtëpisë”, tregon ai.

Kur thua Shtëpia e të moshuarve Gjirokastër, e ke të vështirë të mendosh emër tjetër drejtuesi veç drejtorit aktual Arianit Muho. Ai ia ka përkushtuar jetën e tij drejtimit të këtij institucioni, i vetmi i këtij lloji në jug të vendit.

Përgjatë këtyre tre javëve, drejtori Muho nuk ka hyrë brenda shtëpisë, por ka komunikuar rregullisht me punonjësit me të cilët bisedon në çdo moment. Ai vazhdon menaxhimin e institucionit nga jashtë dyerve të tij, duke u kujdesur që brenda shtëpisë të mos ketë asnjë mungesë.

“Unë zhvilloj takime ditore me punonjësit nga jashtë dyerve. Merrem me furnizimin e rregullt me ushqime dhe gjithçka tjetër që është e nevojshme. Ne i lëmë ato jashtë derës dhe janë punonjësit e shtëpisë ata që i tërheqin. Jemi treguar të kujdesshëm të mos kemi asnjë kontakt me ta”, shprehet Muho.

Drejtori i shtëpisë së të moshuarve Gjirokastër, Arian Muho. Foto:B.Metaj

“Jemi të ndërgjegjshëm se koronavirusi paraqet më shumë rrezik për të moshuarit, ndaj përpiqemi të tregojmë kujdes maksimal dhe deri tani ia kemi dalë mbanë me sukses”, shton ai.

E ndërtuar në vitet e monizmit Shtëpia e të moshuarve në Gjirokastër mirëpret të moshuar nga i gjithë rajoni jugor. E destinuar për të mbuluar vetëm Qarkun e Gjirokastrës, kjo shtëpi të moshuarish ka një numër në rritje kërkesash për akomodim në ambientet e saj, nga të moshuar të vetmuar apo të braktisur nga i gjithë vendi. Vetëm vitet e fundit numri i banorëve ka shënuar rritje prej 30%. Aktualisht ajo punon me kapacitet të plotë duke strehuar 37 burra dhe 21 gra nga e gjithë Shqipëria, ndërsa ka mbi 20 kërkesa të cilat janë ende në pritje të aprovimit të kërkesës së pranimit për azil.