Vëzhgim/Analizë

Media lokale dhe përballja me pandeminë dhe pasojat ekonomike të saj

23 prill 2020/ Julian Hoxhaj/ Porta Vendore

Në Shqipëri ka një numër të madh mediash audiovizive: si televizione dhe radio, por dhe portale online; operatorë kabllorë e transmetues digjitalë. Ashtu si çdo biznes tjetër, edhe media po kalon vështirësi ekzistenciale për shkak të koronavirusit. Televizionet kombëtare kanë reduktuar emisionet së bashku me stafet, si dhe kanë reduktuar ndjeshëm pagat. Portalet online vijojnë punën, por shumë prej tyre me staf e paga të reduktuara, ku pjesa më e madhe e gazetarëve punojnë nga shtëpia. Megjithatë, ka një grup mediash, ato jashtë Tiranës, që po hasin vështirësitë më të mëdha për shkak të koronavirusit. Porta Vendore ka pyetur disa gazetarë e 5 pronarë mediash lokale lidhur me situatën që po kalojnë, vështirësitë me të cilat po përballen dhe sfidat për t`i “mbijetuar” krizës.

Gazetarët lokalë mes frikës nga koronavirus dhe kërcënimit për pushim nga puna

Tv Sot 7 në Pogradec është i vetmi në qytetin liqenor, por një ndër të parët televizione që me të filluar kriza financiare për shkak të koronavirusit, shkurtoi nga funksioni dy operatorë. Një nga gazetarët që punon për këtë Tv rrëfen për Portën Vendore në kushtet e anonimatit se reduktim pagash për marsin nuk ka pasur, ndërkohë që punonjësit që kanë mbetur pa punë ishin pa kontrata pune.

Në Korçë, përveç Rtsh Korçës, i cili është shtetëror, ekziston gjithashtu edhe një TV tjetër lokal i vogël. Tv Lobi ka vetëm një gazetare dhe burime bëjnë me dije për Portën Vendore se asaj nuk i është cenuar as paga e as vendi i punës.

Shkodra është qyteti ku ka më shumë media lokale, ku operojnë 4 media lokale gjeneraliste Tv1 Channel , Tv Rozafa , Antena Televizion dhe Star Plus.

Porta Vendore pyeti gazetarë të TV lokale për situatën e krizës ndikuar nga Covid 19. Sipas burimeve informacioneve te mbledhura, në mediat lokale të Shkodrës ka pasur mbyllje të disa programeve, bazuar edhe në rekomandimet e AMA-s, dhe vetëm tek ato ka pasur një përgjysmim page. Për pjesën tjetër, gazetarët e informacionit, operatorët dhe teknikët, pagat për muajin mars i kanë marrë të plota. Por ajo që dihet është se drejtuesit e mediave nuk kanë dhënë garanci për muajt në vijim.

Nga ana tjetër, vështirësi po has gjatë këtyre ditëve dhe TV Berati, i vetmi i mbetur në qytet. Pranë këtij televizioni është shkurtuar numri i punonjësve, dhe ka ngelur i reduktuar vetëm në 2 punonjës. Burime konfidenciale i thanë Portës Vendore se janë 3 punonjës te hequr nga puna, te cilëve u është thënë se janë pezulluar të paktën deri në përmirësimin e situatës.

Në Durrës nga televizioni ADRIA.net deri më tani, nuk ka pasur shkurtime punonjësish dhe vonesa në paga, por po vihet re që bizneset nuk po sjellin reklama, ndërkohë që njoftime nga bashkia nuk ka.

Ndërsa Vali Qyrfyçi, kryetarja e Unionit të Gazetarëve për Durrësin tha se: “Pandemia solli në fuqi ndalimqarkullimin dhe bllokimin e jetës në vend, me përjashtim të pak sektorëve dhe profesioneve jetike, mes të cilëve është media që ofron një shërbim thelbësor për publikun dhe është një nga shtyllat e demokracisë. Në këtë kohë të jashtëzakonshme dhe të pazakontë, edhe media lokale në Durrës po përballet me sfidat e saj, në vazhdim të një situate mbijetese dhe përmbushje të detyrës për informimin dhe ndërgjegjësimin e publikut. Aktualisht, mediat e pakta lokale, një televizion lokal dhe dy portale informative, po përballen me krizë financiare për shkak të situatës së krijuar dhe në sektorët e tjerë dhe veçanërisht në botën e biznesit, por nuk raportohet për shkurtim punonjësish apo ndryshime në pagesa, të paktën për muajin mars. Prilli dhe maji konsiderohen muaj të vështirë nga gazetarët dhe punonjësit të punësuar në këto media, pasi janë paralajmëruar nga punëdhënësit që nëse izolimi do të zgjasë në kohë dhe pagesat e tyre do të cenohen”, tha Qyrfyçi për Portën Vendore.

Fati i mediave lokale dhe punonjësve që punojnë në to, duke nisur nga gazetarët, operatorët, teknikët, etj është në duart e koronavirusit. Pasiguria në tregun e punës është e madhe si dhe sfida që kanë pronarët e mediave për t’ia dalë mbi virusin.

Edhe në Elbasan serviret e njëjta situatë e vështirë në 2 televizionet dhe 2 radiot e këtij qyteti, ku kryefjala e ditës është “deri më tani”. “Në dijeninë time nuk ka pasur shkurtime e ulje pagash për stafet full-time, por vetëm për programet, të cilat nuk po funksionojnë për momentin, pasi janë pezulluar. Duhet parë çfarë do të ndodhë në të ardhmen”, tha një gazetar lokal.

Ndërkohë, ne Mat TV, i pozionuar në qytetin e Burrelit, sipas burimeve të Portës Vendore nuk ka patur ulje pagash ose reduktim stafi

Edi Ruçi, gazetar i Vlorës, i cili ishte i vetmi që pranoi të dilte haptas, tregoi për Portën Vendore se televizioni lokal ku punonte u mbyll për shkak të situatës. Ai thotë se problemet ishin të menjëhershme, ndërsa u thelluan dhe gjatë kësaj periudhe.

“Këtu në Vlorë nga 3 televizione, vetëm janë dy të hapura, një është mbyllur. Unë kam qenë në një televizion tjetër që realisht edhe para koronavirusit ka pasur probleme dhe jo më tani. Televizioni quhet Real Tv. Ne dhe më përpara kishim vështirësi, por tani kjo situata e koronavirusit thjesht e bëri të papërballueshme. Është e vështirë, pasi ne u futëm në treg në muajin shkurt dhe me mendimin se në muajin mars, prill e në vazhdim do siguronim reklama. Në momentin që erdhi koronavirusi reklamat u mbyllën dhe e vetmja gjë që do të mbante televizionin ishin pagesat e institucioneve. Por nuk mund ta mbash televizionin vetëm me njoftime, kështu që u mbyll fare deri në një përmirësim të situatës”, tha ai.

Reduktohen stafet dhe pagat: Paralajmërohet falimentimi

Të pyetur nga Porta Vendore, pronarët e disa mediave lokale në vend tregojnë se veç reduktimit të programacionit kanë nisur dhe reduktimet e stafeve e mediave të tyre. Në Vlorë, Albert Deliaj tregon se po përdor një skemë të re të punës në televizionin 6+1 Vlora. Për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi, Albert Deliaj thotë se i është dashur që të punojë me staf të reduktuar në televizion, duke nxjerrë një ditë një grup gazetarësh dhe teknikësh në punë, dhe ditën tjetër një grup tjetër. Por, kjo ka sjellë edhe reduktimin e pagave të punonjësve. Ai thotë se gjatë muajit mars i ka paguar gazetarët dhe pjesëtarët e stafit deri në 70% të pagës, por për prillin situata është konfuze.

“Unë deri tani kam rezistuar nuk kam hequr njeri, i kam dhënë nga 70-80 % të pagës njerëzve që kanë punuar një ditë po një ditë jo, psh kanë punuar 15 ditë dhe kanë marrë 70-80 % të rrogave. Nuk është se i kam lënë pa bukë në kuptimin e mirë të fjalës. U kam dhënë nga 25-30 mijë lekë të reja, sepse kështu po punojmë 15 ditë njëri, 15 ditë tjetri. Deri tani janë të kënaqur sepse pa bukë nuk kanë ngelur, sepse kanë dhe të afërm që punojnë në televizione të tjera dhe thonë që na i kanë hequr nga puna, ndërsa tek ne deri tani jo. Merrnin nga 40 mijë lekë më përpara tani marrin nga 30 mijë lekë, 25-35 mijë lekë, varet sipas ditëve që kanë punuar”, thotë Deliaj. Ai shprehet se nuk do t`i drejtohet bankave për të marrë kredi e për të paguar punonjësit, për shkak të paqartësisë që rezervon e ardhmja e biznesit. “Nuk ia vlen që ne të marrim kredi, le që neve na ka përjashtuar dhe nuk kemi me çfarë ta lajmë pastaj”, thotë Deliaj.

Me staf të reduktuar ka punuar dhe Best Channel në Elbasan, tregon pronari i këtij televizioni Ardian Asllani. “Nuk kam bërë shumë shkurtime të them të drejtën megjithatë do shohim këtë muaj. Muajin mars e mbyllëm, mirë keq e mbyllëm, disa kanë punuar me 15 ditë. Ca ishin, ca nuk ishin, të shohim tani në muajin prill”. Por ai paralajmëron se nëse situata vijon në këtë gjendje, do të ketë pamundësi në pagesat e punonjësve. “Muajin marsi ia pagova normalisht, po vazhdoi dhe maji kështu i bie që t’i lë pa të drejtë rroge, por nuk e di se nuk e kam vendosur akoma”, thotë ai.

Artur Rustemi, pronari i TV Apollon në Fier tregon se në televizionin e tij, puna po bëhet me staf të reduktuar. Madje, ai thotë se një punonjës mund të kryejë disa funksione njëkohësisht. Ndërkohë, deri më tani 7 punonjës të këtij televizioni nuk janë në punë për shkak të pamundësisë financiare të drejtuesit për t`i paguar. “Media lokale e ka ngrënë që 1-2 vjet para…, por unë i kam mbajtur se kam pasur të ardhura të tjera, kam pasur objekte me qira, kam marrë qiratë e atyre. Funksionojmë me dy punonjës, një montazhier, kam zgjedhur punonjësit më të specializuar dhe një punonjës bën tre specialitete brenda, bën montazh, bën pultin, dhe kameraman”, thotë z. Rustemi.

Pronari i Radio Klea në Elbasan thotë se aktualisht i ka bërë pagesat, por është konfuz për të ardhmen. “I kam paguar pagat e marsit se nuk është se kam shumë staf, por gjithsesi e thënë në të përgjithshmen unë mundësi kisha dhe shkova pagova sigurimet shoqërore, ndërsa për pagat të shohim tani se çfarë do bëjmë nuk e di”, thotë Taulan Pilavi për Portën Vendore.

Aleksandër Çipa, Kryetar i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, konfirmon se deri më tani janë shkurtuar deri në 30% e punonjësve. “Ne këtë javë po mbledhim raportimin në të gjitha degët e Unionit dhe ka një situatë të tillë. Një pjesë e medias lokale ka shkurtuar 20-30% të stafit dhe ata që janë, e kanë në diskutim pagën sepse atyre edhe ia vonojnë nga 1-2 muaj rrogën. Plus që janë rroga skandaloze, atje janë 150-200 mijë lekë të vjetra. Por normalisht dhe ato e kanë reduktuar 30% të stafit. Flasim gjithmonë për redaksitë e gazetarëve se pjesën tjetër po e po që e shkurtojnë”, thotë Çipa.

“Duam të mbajmë punëtorët, na paguani rrogat e tyre”

Pronarët e këtyre televizioneve shpresojnë se diçka do të ndryshojë. Tregu i reklamave duket se do të ketë pasoja edhe për disa kohë në media. Për këtë arsye, pronarët e televizioneve shpresojnë shumë që shteti të vërë dorë, jo për ta, por për pagat e punonjësve. “Unë dua të mbaj punëtorët me rrogë, por neve… Shqetësimi jonë është rroga e punëtorëve. Se ai punëtor nuk prodhon këpucë që të pasurohem unë, ai punëtor i shërben demokracisë, ai nuk punon fare për mua”, thotë Artur Rustemi.

E njëjta kërkesë është dhe nga pronarë të tjerë mediash, të cilët gjithashtu kërkojnë që punëtorët të futen në paketat financiare të qeverisë, duke e trajtuar median si gjithë bizneset e tjera.

Albert Deliaj shprehet gjithashtu se atij i duhen të paktën 8 milionë lekë të vjetra në muaj për të paguar pagat e punonjësve. Ai shprehet shkurt se nëse situata vazhdon në këtë gjendje: “muajin tjetër nuk kam”. “Shiko ideja është që ne nuk na vrasin ato, neve na vrasin pagat e punëtorëve, sepse ai do pagën dhe sigurimet shoqërore muajin tjetër dhe ku do t’i gjejmë ne lekët. Të gjitha reklamat që ne kemi pasur, kanë ikur sepse nuk po funksionon më asgjë. Janë mbyllur të gjitha burimet”, thotë pronari i 6+1 Vlora.

Bllokimi i tregut të reklamave

Në Vlorë, Fier, Gjirokastër apo Elbasan, pronarë të televizioneve lokale i thanë Portës Vendore se bizneset kanë ndërprerë transmetimin e reklamave. “Po qe se kjo do vazhdojë dhe s`do ketë më as reklama, i bie që ta mbyll fare. Jemi në ditët më të vështira që ka qenë televizioni ndonjëherë. Reklamat janë larguar. Dy reklama janë, iu luta pronarit të një furre buke, meqë e ka dhe furrë buke dhe ishte hapur dhe të tjerat janë copë-copë, nuk sjell më njëri reklama”, tha Ardian Asllani, pronari i Best Channel në Elbasan, një nga televizionet më të mëdha lokale të këtij qarku.

E njëjta situatë është dhe në Vlorë dhe Fier. Albert Deliaj, pronari i 6+1 Vlora, një nga televizionet lokale më të mëdha në jug të vendit, tregon se reklamat që kishte në mediat e vet tashmë janë zero. Deliaj dhe Rustemi tregojnë se edhe bizneset historike që kanë reklamuar në këto televizione, tashmë kanë kërkuar ndërprerjen e transmetimit. “Reklamat na kanë ikur të gjitha, sepse këtu ka. Ne kemi për shembull reklama tragetesh, por edhe tragetet s’punojnë. Kemi reklama restorantesh dhe restorantet nuk punojnë, kemi mobilieri dhe mobilieritë nuk punojnë, kemi lokale, kemi dhe taksi, por as ato nuk punojnë, kështu që të gjitha llojet e bizneseve që sjellin reklama, nuk punojnë. Na kanë ngelur vetëm nja dy poliklinika dhe ato kanë rënë dakord që për dy muaj do paguajnë vetëm një muaj. Kemi shumë probleme dhe nuk e di sesi do bëjmë sepse unë kam dhe shumë veta në punë”, thotë Albert Deliaj pronari i 6+1 Vlora.

Artur Rustemi, pronari i TV Apollon në Fier, tregon gjithashtu situatën e vështirë, me të cilën po përballet ai si pronar. Edhe pse një nga televizionet më të vjetër dhe shtrirje në disa qarqe, duket se situata nga koronavirusi ka krijuar vështirësitë e para reale për këtë media lokale. “Të flasim me atë se çfarë kemi prekur jo me imagjinata. Tre reklama që i kam një vjeçare, u bë vite që i kam, të tria që tentova t’i marr lekët, më thanë hiqe se s’kemi lekë”, tregon Artur Rustemi pronari i Tv Apollon në Fier.

E njëjta situatë është dhe në radio. Ndonëse më kosto më të ulëta se televizionet, radiot përsëri kanë hasur vështirësi në këtë situatë. Pronari i Radio Klea në Elbasan, Taulant Pilavi tregon gjithashtu se reklamat janë larguar, paçka se ai tregon se për muajin mars ka shlyer detyrimet ndaj punonjësve të radios së tij.

“Në këtë moment, ne na ka mbaruar lënda e parë, dmth neve na ka mbaruar oksigjeni, qëkur filloi kjo situata, që në datën 10. Sepse filluan reklamat më datë 1, në datë 10 u mbyllën. Iku marsi me 20 ditë të tëra, erdhi prilli dhe po e njëjta situatë. Nuk ka asnjë reklamë deri më tani. Ka dy muaj pushim, ndërkohë dhe ne po vazhdojmë me forcat tona sa të kemi mundësi”, tha ai për Portën Vendore.

Mungesë financash, TV-të lokale reduktojnë programet

Mungesa e financave dhe situata e paqartë që ka krijuar për të ardhmen, ka vënë në vështirësi pronarët e mediave lokale, ku shumica ka nisur të reduktojnë programacionin. Ardian Asllani, pronari i Best Channel në Elbasan tregon se ka pezulluar transmetimin e disa emisioneve e bashkë me to dhe stafin realizues. “Disa emisione i kam ndërprerë, i kam hequr fare këto emisionet e shoëbizit, ato nuk ishin as pjesë e stafit, ishin vetëm part-time. Kurse stafin momentalisht e kam, por dhe këto kanë shpenzime, sepse janë sigurimet, jo gjëra të tjera dhe janë gjithë ato lekë për tu paguar”, thotë Ardian Asllani.

Në Fier, Artur Rustemi, pronari i TV Apollon tregon se tashmë ka rikthyer arkivin në funksion të mbushjes së programacionit. Ai tregon se emisione të realizuara dikur, tashmë po ritransmetohen me qëllim që televizioni të vijojë të jetë pjesë e ekraneve të qytetarëve. “Tani ne kemi shumë emisione që i transmetojmë si vëzhgime historike, këngë popullore, programe për fermerët që janë aktuale edhe nuk ndihet boshllëku as tek audienca, por unë e di se ku pikon çatia”, tha Rustemi për Portën Vendore.

Të njëjtën gjë thotë dhe Njazi Sako, administrator i Channel 7 në Gjirokastër. Ai thotë se në ekran po shfaqet vetëm arkivi i televizionit. “Ne funksionojmë aq sa për ta mbajtur hapur. Çfarë kemi arkiv e vendosim. Edhe ndonjë lajm të shkurtër pa moderator, me një fjalë sa për të qenë për lajmin. As reklama s`kemi, asgjë, dmth zero është”, tregon ai.

Edhe në radio, programacioni vijon i reduktuar. Taulant Pilavi tregon se ai po i bën vetë playlistat, duke transmetuar muzikë, por që sipas tij kjo nuk ka vlerë se duke qenë se njerëzit qëndrojnë në shtëpi nuk dëgjojnë shumë radio.

“Radio ka fitime të vogla, por ka edhe shpenzime të vogla. Konkretisht unë vij vetë këtu në radio, mbyll nja dy punë, pastaj iki në shtëpi i bëj playlistat nga shtëpia, dmth e bëj me kosto zero fare, por nuk kam çfarë t’i bëj dritave, qirasë, rojës që ruan antenat, ato nuk i shmang dot se i bie që të më vjedhin, kurse të tjerat unë i kam shmangur të gjitha. Kurse televizioni është ndryshe nga radio, sepse të do në studio, do dalësh në kamera, do ndriçimin e duhur në vendin e duhur, nuk bëhet ndryshe. Por radio siç e ka fitimin ashtu e ka edhe humbjen”, shton ai.

AMA pritet të diskutojë situatën

Për situatën e krijuar, Porta Vendore kontaktoi me anëtarë të Autoritetit të Mediave Audiovizive, për të pyetur se çfarë po ndodh me situatën. Agron Gjekmarkaj, një nga anëtarët më aktivë gjatë kësaj periudhe të AMA-s, ka bërë propozime konkrete që dhe media të shihet dhe ndihmohet për shkak të krizës së shkaktuar nga koronavirusi. Gjekmarkaj tha se do të zhvillohet një mbledhje online e AMA-s në ditët në vijim, për të diskutuar rreth situatës së krijuar.

Është në parim që të ndihmohen televizionet dhe mediat gjatë kësaj periudhe, pasi shumë prej tyre janë duke u përballur me vështirësi, por nuk jam dakord që të përfshihen të gjitha mediat në paketën e ndihmës, pasi duhet bërë një filtrim. Unë mendoj se janë disa televizione që mund t`i rezistojnë situatës, pasi kanë mundësi ta përballojnë”, tha anëtari i AMA-s. Gjekmarkaj shton gjithashtu se: “Do të mbështes çdo mundësi që u vjen në ndihmë televizioneve dhe mediave për të përballuar këtë situatë”. Në Shqipëri janë të paktën 32 televizione lokale, që aktualisht transmetojnë sinjalin e tyre në rajone të ndryshme të vendit.

Si dilet nga situata, tre propozime nga Unioni i Gazetarëve

Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë foli për situatën e krijuar në mediat lokale dhe ato kombëtare. Duke konfirmuar se afro 30% e gazetarëve në mediat lokale tashmë janë pa punë, ndërsa pritet që të ketë dhe të tjerë që do ta humbasin, Çipa tregon UGSH do të paraqesë tre skenarë kryesorë për daljen nga kriza.

Skenari i parë, sipas tij ka të bëjë me ripërsëritjen e kërkesës për përfshirjen e gazetarëve në paketën e emergjencës për pandeminë. “Në nivel vendi nuk do ta përfitojnë më shumë se 1500 veta dhe nuk është ndonjë gjë e madhe për buxhetin se nuk do marrin nga 1 milion, por do marrin nga 200 mijë lekë te vjetra. Është qesharake po ta shikosh dhe bëhet fjalë për 3 muaj, nga 1-3 muaj”, tha Çipa për Portën Vendore, ndërsa tregon se skenari i dytë ka të bëjë me mbështetjen e donatorëve të ndryshëm që duhet të ketë media në këtë moment të vështirë. Çipa thotë se ngritja e një forumi nga vetë media do të shihej me interes dhe ka të bëjë pikërisht me atë që ai e quan skenari i tretë. “Dhe tek e treta është e domosdoshme që pronarët e mediave, administratorët e mediave të kenë një forum të tyre, sepse duke pasur një forum të tyre, ata krijojnë një grup të interesit të përfaqësuar dhe mund të negociojnë, duke pasur mbështetjen e organizatave të gazetarëve. Është një nga momentet ku ne mund të ngremë dialogun me partnerët tanë social dhe të bëhemi partnerë me fatin social të përbashkët, edhe ata, edhe ne”, thotë Aleksandër Çipa për Portën Vendore.

Media nuk ishte pjesë e paketës së parë të qeverisë, e megjithatë në paketën e dytë, punonjësit e larguar nga puna para datës 10 janë fitues potencial të pagesës prej 40 mijë lekësh të reja, por për këtë duhet që vetë kompania të aplikojë.