22 prill 2020/ Artan Rama/ Porta Vendore/ Tiranë
Këto fotografi janë marrë javën e shkuar nëpër rrugët e kryeqytetit, kur përditshmëria e qytetarëve u ndikua nga dy rrethana: rreziku i koronavirusit dhe, për besimtarët ortodoksë, Java e Madhe e Pashkëve. Ndodh që muaj të tërë të kalojnë në heshtje. Por një javë si kjo që shkoi, qytetarët nuk do ta harrojnë lehtë… Nëpër rrugë, sheshe dhe parqe, portretet reflektonin një emocion disi të fshehur, diçka ndërmjet tensionit, trishtimit, frikës dhe shpresës, ose të gjitha bashkë, njëherësh. Ndaj dhe ky set fotografish synon t’ju përcjellë të njëjtin përjetim, kaq të pazakontë.
“Happy pictures!”
Ajo që tërhoqi interesin për këtë shkrepje nuk ishte mbishkrimi në mur, sado që kontrasti me djaloshin e shtrirë mbi bordurë është i dukshëm. Kjo foto u bë pasditen e së hënës së shkuar, gjatë ndalimit të lëvizjes. Çfarë masash mund të ketë marrë bashkia për t’u kujdesur për largimin e të pastrehëve nga rrugët e kryeqytetit?
Lypësja
Rreziku i pandemisë nuk i ka larguar as lypësit nga rruga, madje ata janë pajisur më maska dhe me dorëza. Siç shihet kjo lypëse, e pozicionuar pranë një semafori në Rrugën “Ibrahim Rrugova”, e ka nisur punën qysh herët dhe po shfrytëzon orarin e daljeve që zgjat deri në 13:00.
Unë rrëshkas…
Ka një qetësi sfiduese te kjo vajzë me maskë të bardhë që lëviz me skuterin e saj në “Sheshin Skënderbej”. Ndërkohë që të tjerët ecin, ajo rrëshket…
Në stol
Një i moshuar me maskë po qëndron në stol, në një prej lulishteve të Tiranës. Të shtunën (18 prill) autoritetet i lejuan të moshuarit të shëtitnin deri në 11:00.
Ndal! Policia!
Një vajzë ka shtangur në mes të “Sheshit Skënderbej”, ndërsa policia i kërkon të mos lëvizë, përmes thirrjes nga altoparlanti i dronit, i cili qëndron pas kokës së saj. Ajo bindet dhe, ndërkohë që pret ardhjen e patrullës, vazhdon të flasë në telefon.
Ku e keni autorizimin?
Vajza po përpiqet të nxjerrë autorizimin, ndërsa patrulla e policisë po afrohet. Në fytyrën e saj shihet shqetësimi dhe frika, pasi përpara ka dy policë dhe pas kokës, zukatjen e dronit, të cilin ende nuk e parë akoma për shkak të hutimit.
Mos e prek!
Ka patur gjithmonë një tension në komunikimin mes patrullave të policisë dhe qytetarëve, gjatë kontrollit të leje-daljeve edhe në rastet kur qytetarët e kanë patur atë. Qytetari sapo ka dalë nga një dyqan në Bulevardin Bajram Curri dhe po i tregon patrullës së policisë autorizimin për të lëvizur. Meqenëse polici nuk po mban doreza qytetari ia afron përpara syve që ta lexojë.
Autorizimin, zonjushë!
Autorizimin, ju lutem!
Ndal! Ushtria!
Një efektiv i Forcave të Armatosura në Bulevardin e Ri të Kryeqytetit, duke kontrolluar lëvizjen e qytetarëve. Krahas policisë, kryeministri urdhëroi edhe organizimin e post-blloqeve prej Forcave të Armatosura.
Alo! Porosia juaj është gati!
Dy nga gjërat për të cilat do të mbahen mend rrugët e zbrazura të kryeqytetit gjatë pandemisë së corovavirusit do të jenë, së pari, makinat e policisë dhe së dyti, ‘papaqet’ e shërbimit-taxi që shpërndanin ushqimin e porositur nëpër familje.
Semafori
Gruaja më të djathtë po vrapon mbi vijat e bardha pranë Urës në “Bulevardin Dëshmorët e Kombit”. Ndonëse aktivitetet sportive dhe shëtitjet në natyrë janë të ndaluara, disa njerëz kanë gjetur mënyrën për t’i ushtruar ato.
Tuneli i Dezinfektimit
Kjo vajzë po qëndron përpara Drejtorisë së Policisë së Tiranës, në pritje për të kaluar Tunelin e Dezinfektimit. Qytetarët duhet të jetë të pajisur me maska dhe me doreza. Procesi i dezinfektimit fillon, automatikisht, sapo qytetari futet në tunel.
Ruani distancën!
Autoritetet vendosën piketa me bojë të verdhë përpara njësive kryesore të shërbimeve, në mënyrë qe njerëzit të ruanin distancën e këshilluar (1.5 m larg). Fluksi më i madh u pa në tregjet ushqimore dhe në banka.
100-vjetori!
Kjo fotografi, në dukje e thjeshtë, që tregon një vajzë me maskë të zezë, duke kaluar përpara monumentin promovues të 100-vjetorit të Tiranës në “Sheshin Skënderbej”, duket se ka kapur kohën, pasi vendos në të njëjtin plan jubileun e përvjetorit me koronavirusin.
Dyqani i Pashkës
Qytetarët po mbajnë radhë në oborrin e Katedrales Ortodokse në Tiranë për të marrë bojëra për të ngjyer vezët, si dhe të tjera gjëra që nevojiten për të kremtuar Pashkët Tradicionale Ortodokse në shtëpi, pasi autoritetet kanë ndaluar grumbullimet masive për shkak të përhapjes së koronavirusit.
Një lutje personale
Një besimtare katolike, me maskë dhe me doreza, duke u lutur përpara ikonës së Krishtit në Katedralen Katolike “Shën Pali” në Tiranë, gjatë javës së Pashkës. Autoritetet kishtare vendosën nxjerrjen e kryqit të drunjtë jashtë, përpara portës kryesore, për të shmangur grumbullimin e besimtarëve brenda në kishë në kushtet rrezikut të përhapjes së koronavirusit.
Besimtarë në mesnatë
Këta besimtarë ndodhen përpara oborrit të Katedrales Ortodokse në Tiranë, pak minuta përpara mesnatës të së shtunës, në pritje të flakës paskale. Ata qëndrojnë në heshtje dhe të distancuar nga njëri-tjetri. Këtë radhë, atmosfera është e pazakontë, pasi grumbullimi i besimtarëve është ndaluar për shkak të pandemisë së koronavirusit. Sidoqoftë, këta pak kanë preferuar të kremtojnë njësoj, si herët e tjera, duke e pritur Ngjalljen e Zotit Jisu Krisht në kishë.
Krishti u ngjall!
Mesnatën e së shtunës, të Kremten e Pashkës, kjo besimtare ortodokse vendosi, së bashku me priftërinjtë, të qëndrojë në sallë e jo në shtëpi. Këtë vit Ceremonia e Ngjalljes së Krishtit u zhvillua me dyer të mbylluara për shkak të përhapjes së koronavirusit.