22 prill 2020/ E. Gj/ Porta Vendore/ Tiranë
Komuniteti egjiptian në Shqipëri është në kufijtë e mbijetesës në këto ditë kur karantina e detyruar vazhdon. Situata e tyre social-ekonomike ka lënë gjithnjë për të dëshiruar, pasi shumica e familjeve egjiptiane jeton duke mbledhur kanaçe, duke ushtruar lypjen, me tregti ose duke punuar në ndonjë punë informale. Por teksa janë në kushtet e karantinës për më shumë se një muaj, ata tregojnë se ndodhen në një situatë ekonomike shumë herë më të vështirë se para virusit. Porta Vendore kontaktoi me disa prej këtyre familjeve në qytetin e Tiranës, të cilët jetojnë në kushte ekstreme varfërie.

Miranda Kaçuli ka 5 fëmijë, ku 2 prej tyre tregon se i ka çuar në jetimore për shkak se nuk ka me çfarë t’i mbajë. “Kam 3 fëmijë këtu me mua në shtëpi, burrin e kam sëmurë, invalid. Nuk kam veshje për fëmijët, nuk kam çfarë të ha. Jemi shumë keq nga ana e ushqimeve. Nuk kam pas 2 javë për të ngrënë. S’e di si po jetojmë, ndaj kam kërkuar nga bashkia ushqime, por s’është bërë njeri i gjallë deri më tani për të ardhur për të na parë, a jemi gjallë a vdek”, tregon Miranda për Portën Vendore.
Emiljan Gonxhi që i përket gjithashtu komunitetit egjiptian në Shqipëri, jeton në një barakë gjysmë të rrënuar. Ashtu si edhe Miranda, ai kërkon që shteti t’i kthejë sytë edhe nga ata.
“Kam 5 kalamaj, jetoj në një barakë. Shteti s’po na lenë tani me punu, as nuk mund të dal dot për kanaçe. I kemi shpresat te shoqatat, ishalla na sjellin ndonjë gjë, sepse na kanë premtuar që do të na ndihmonin nëpërmjet bashkisë, por deri tani s’ka ardhur njeri. Po dolët do t’ju vëmë gjobë ka thënë shteti, ndaj as unë e as kalamajt nuk dalim dot, jemi në izolim total prej një muaj e ca u bë tani”, tregon Emiljani për Portën Vendore.
Sipas censusit të kryer në vitin 2011 në vendin tonë janë konstatuar 3368 të vetëdeklaruar si egjiptianë, ndërsa dihet se shifrat janë 2-3 fish më të mëdha, kjo pasi me qindra prej tyre nuk janë të regjistruar në gjendjen civile.
Situata që po përjeton vendi dhe masat e marra nga qeveria për parandalimin e përhapjes së koronavirusit ia ka vështirësuar edhe më shumë jetën këtij komuniteti, ndërsa ndjehen të diskriminuar që shteti nuk i është përgjigjur familjeve të tyre në një situatë emergjence si kjo.
“Aplikova te bashkia për një ndihmë ato nuk më kanë ardhur. Më morën në celular, i shpjegova që jemi 5 pjesëtarë në familje, më thanë do të marrim prapë por s’më morën më. As bukë thatë nuk kam sot që ne flasim, imagjinoje gjë tjetër”, tha Jona, ndërsa tregon se nuk e di as vetë se si po jetojnë në këto ditë karantine.
Por duket se shprehja popullore “Peri këputet ku është më i hollë” vlen për gjendjen ekonomike tejet të vështirë të këtyre familjeve, të lëna në mëshirë të fatit dhe jashtë fokusit të institucioneve.
“Kam burrin invalid, dhe jemi për bukën e gojës, në pikën e hallit. Kam marrë bashkinë në celular, por ja me shpresën sot, nesër, nuk na ka ardhur gjë”, tha shkurtimisht Mimoza, e cila jeton bashkë me familjen e saj në një banesë gjysmë të rrënuar në njësinë nr.11 në Tiranë.
Artan Xhija, kryetari i shoqatës për Komunitetin Egjiptian të Shqipërisë, i cili prej vitesh është aktiv për problematikat që shqetësojnë komunitetin e tij, tregon se me të filluar kjo situatë, ka kontaktuar me një sërë institucione për t’i ardhur në ndihmë këtyre familjeve që gjenden në vështirësi të mëdha ekonomike.
“Jam ankuar dy ditë pasi filloi gjendja e Covid 19 në Bashkinë e Tiranës, ku kam raportuar rastet dhe kam kërkuar bashkëpunim me bashkinë dhe minibashkitë. Unë dhe stafi im ishim të gatshëm të punonim vullnetarisht për tu ardhur në ndihmë këtyre familjeve. I kam çuar SMS kryeministrit, kam kërkuar nëpër biznese ndihmë, por përsëri asgjë. Kam kontaktuar gjithashtu me shoqatat që merren me shpërndarjen e ushqimeve ndaj familjeve ne nevojë, por mesa duket kërkesat janë të larta. Kam folur gjatë të gjithë kësaj kohe edhe me deputeten e zonës, zonjën Gjylameti, por përsëri nuk pres ndonjë zgjidhje për këto familje, pasi e di që ka edhe shumë të tjera që ndodhen në të njëjtën situatë. Unë dua vërtetë që të ndihmohen këto familje, dhe do vijoj të kërkoj nëpër institucione pak vëmendje për ta”, tha Artani, ndërsa shton se këto familje e kontaktojnë çdo ditë për të marrë ndonjë lajm pozitiv prej tij.
Familjet i përkasin njësive të ndryshme administrative dhe janë të shpërndara nëpër të gjithë Tiranën, si në Rrugën e Burgut 313, Zogu i Zi, Astir, Kombinat, Paskuqan, etj. Qindra familje po i jetojnë këto ditë me ‘zinë e bukës’ dhe pa mundur dot të ndihmohen nga askush.