Ngjarje/Personazhe

Kambanat e alarmit, fasonët në karantinë

21 prill 2020/ Vali Qyrfyçi/ Porta Vendore/ Durrës

Biznesi fason është një nga sipërmarrjet, që mendohet se është ndër më të rrezikuarat ekonomikisht për shkak të Covid-19. Porta Vendore vizitoi dy biznese fasone në qytetin e Durrësit, për të parë kushtet në të cilat gratë e vajzat punojnë, respektimin e orareve dhe masave të vendosura nga qeveria, si dhe nevojën reale që ka ky lloj biznesi për ndihmë nga shteti.

Lemja është vetë e shtatë në shtëpi, 4 fëmijë i ka në moshë shkollore. Burrin të papunë dhe paga që ajo merr në rrobaqepësi është e vetmja e ardhur në familjen e saj.

“Vij me frikë, por njëkohësisht jam mirënjohëse që jemi ende në punë dhe rrogën e marsit do e marrim të plotë. Nuk e di si do të shkojë kjo punë, po lutem që të zgjidhet shpejt, pasi kam nevojë për rrogën e plotë dhe jo të reduktuar. Larg qoftë të mbyllet fare siç ka zëra. Asnjë të ardhur tjetër nuk kemi, veç kësaj rroge. Frika për punën është më e madhe se ajo nga koronavirusi”, tha ajo për Portën Vendore.

Lemja duke folur për Portën Vendore. Foto: V.Qyrfyçi

Në rrobaqepësinë ku ajo punon, në zonën e ish-kënetës në Durrës, janë të punësuar rreth 300 veta, 90 % e të cilëve gra e vajza. Frika nga virusi pandemik, po dhe detyrimet familjare ndaj fëmijëve të vegjël dhe të sëmurë, kanë mbajtur larg punës 10-15 % të punonjëseve të kësaj rrobaqepësie. Edhe biznese të tjera fasone kanë fuqi pune të reduktuar, siç ka dhe të tjera në Durrës që nuk kanë mundur të mbijetojnë dhe janë mbyllur. Në periferi të qytetit, një fabrikë këpucësh është mbyllur. Në Sukth, një tjetër biznes fason është detyruar të mbyllë aktivitetin pasi punonjësit e vet nuk janë paraqitur në punë. Dolën të papunë, të detyruar nga situata e krijuar nga pandemia. Mbyllja e kopshteve dhe shkollave e ktheu në domosdoshmëri qëndrimin në shtëpi për shumë nëna me fëmijë të vegjël të punësuara në biznesin fason. Të tjera, të detyruara nga frika e infektimit në vendet e punës dhe rreziku që u kanosej familjarëve të tyre të moshuar dhe fëmijëve nga dalja e tyre i mbajti larg vendit të punës.

“Kam vjehrrën të sëmurë me diabet dhe tension të lartë. Nuk mund të shkoja në punë. Dy djemtë dhe vajza ngelën pa shkollë dhe askush nuk kujdesej dot për ta. Duke punuar në repart me shumë gra të tjera kisha frikë dhe se mund të merrja koronavirusin dhe të rrezikoja edhe shëndetin e saj. U detyrova të qëndroj në shtëpi. Pyeta punëdhënësin për pagën e luftës. E dëgjova në televizor, po më tha që nuk e përfitoj. Lutem që kjo të mbarojë shpejt e të mund të kthehem në punë prapë. Kam frikë dhe për këtë”, thotë Nexhmija, banore e ish-kënetës. Me mbylljen e kufijve, i shoqi u bllokua në Mal të Zi ku kishte shkuar për të punuar për disa muaj.

Marius është 30 vjeç dhe përgjegjës prodhimi në një biznes fason që prodhon e instalon produkte elektronike për tregun italian e më gjerë, i pozicionuar në Shkozet të Durrësit. Biznesi ku ai punon po zhvillohej me shpejtësi, por pandemia ngadalësoi gjithçka. Situata që po kalon biznesi në këtë periudhë në Shqipëri dhe matanë Adriatikut ka shtuar pasigurinë te ai, ndërsa si të gjithë përballet dhe me frikën e prekjes nga koronavirusi.

“Frika ekziston te të gjithë, por po mundohemi të ruajmë distancën, përdorim dorezat, xhelin dezinfektues. Përpiqemi dhe bisedat e panevojshme me njëri-tjetrin në repart t’i shmangim dhe çdokush të qëndrojë te tavolina e vet e punës për të shmangur rrezikun. Po të paktën punojmë dhe shpresoj të vazhdojë pa ndërprerje. Ku do t’i gjejmë ndryshe të ardhurat? Unë jam i fejuar dhe paratë më duhen më shumë se kurrë, për të ndërtuar familjen time të re”, tha Mariusi.

Marius P duke folur për Portën Vendore. Foto:V. Qyrfyçi

Administratori i këtij biznesi me kapital të huaj, Shtiljan Peza tregon se një nga repartet është bosh. Makineritë nuk punojnë, pasi duhen teknikët italianë.

Reparti jashtë pune për shkak të mungesës së teknikëve italian të makinerive. Foto:V.Qyrfyçi

Reparti tjetër punon me orare të reduktuara. Punonjësit janë ndarë në turne 06.00-12.00 dhe 12.00-18.00, në kuadër të masave mbrojtëse që dhe ky biznes ka marrë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit dhe vazhdimit të punës.

Ora 12.00. Në pritje të marrjes së turnit. Foto: V.Qyrfyçi

“Tani nuk ka punonjës, sepse na duhen teknikët nga jashtë. Edhe materiali që kërkohet për këtë

repart duhet të vijë nga Italia. Reparti tjetër punon akoma, me orare dhe turne të reduktuara fatkeqësisht për të mos shkëputur komplet punën”, tregon ai për Portën Vendore.

Në kushtet e emergjencës shëndetësore në të cilat këto kompani që punojnë, i janë përshtatur me shpejtësi tregut duke nisur kryesisht prodhimin e maskave për tregun italian e gjerman, po nivelet e likuiditetit mbeten të ulëta.

Mbajtja e distancës dhe dezinfektimi, përparësi për të shmangur përhapjen e virusit në ambientet me shumë punëtorë. Foto:V. Qyrfyçi

Rënia e numrit të infektuarve nga koronavirusi në Itali rrit shpresat te bizneset fasone që punojnë kryesisht me porosi për të përmbushur nevojat e tregut italian e më gjerë.

Nëse nuk rihapet shpejt, do të jemi dhe ne të detyruar të mbyllemi. Nuk mund të vazhdojmë. Pa materiale dhe pa porosi nuk punohet, po kemi shpresa dhe duhet të jemi optimistë” përfundon Administratori Peza.

Sipas drejtorisë së tatimeve, vetëm në Durrës janë të regjistruar 120 biznese fason. Ndërsa në të gjithë vendin numërohen mbi 100 mijë persona të punësuar në kompanitë e prodhimit të veshjeve, këpucëve, çantave, produkteve elektronike etj, që e ushtrojnë aktivitetin me material porositësi, dhe këto biznese janë kthyer në punëdhënësit kryesor të ekonomisë shqiptare, veçanërisht për kategoritë në nevojë të shoqërisë. Punëtorët jetojnë jo vetëm me panikun e prekjes nga virusi, po dhe me peshën e rrezikut të lartë për përgjysmimin apo mosmarrjen e pagës për muajt në vazhdim, pasi tregu nuk mundëson tërheqjen dhe shitjen e produkteve që dalin nga duart e tyre.