20 prill 2020/ Elisa Gjerani/ Porta Vendore/ Tiranë
Pas 40 ditëve, sot mijëra tregtarë në Tiranë rihapën bizneset e tyre. Të kënaqur që do të mund të dilnin nga shtëpia e të mbushur me skepticizëm për të ardhmen e biznesit, shumë prej tyre ndanë këtë ditë të parë të rikthimit në punë me Portën Vendore, ku kjo e fundit u ndal në disa zona e kategori biznesesh në kryeqytetit.
Të premten e datës 17 prill Kryeministri Rama njoftoi hapjen graduale të bizneseve nëpërmjet një komunikimi në faqen e tij të Facebookut.
Ai deklaroi hapjen e bizneseve duke u fokusuar ne tri fasha, ku theksin e vuri në respektimin e një sërë masave të detyrueshme, me qëllim frenimin e përhapjes së COVID-19. Sipas tij, zbatimi i këtij udhëzimi siguron reduktimin e transmetimit të infeksionit midis punonjësve, sigurimin e një ambienti të shëndetshëm në punë, vijimësinë normale të aktivitetit të biznesit.
Bizneset që u lejuan të hapeshin këtë të hënë të datës 20 prill ishin: bizneset që tregtojnë me pakicë artikuj kozmetikë, pastrimet kimike, riparuesit e elektroshtëpiakeve, pajisjeve të komunikimit dhe orëve, këpucarët, subjektet që tregtojnë ushqim të shpejtë si fast-food e byrektoret, dyqanet e luleve, dyqanet për lodra e fëmijëve, dyqanet e bizhuterive, etj. Të gjitha këto bizneseu kategorizuan si aktivitete me risk të ulët.
Me të lexuar listat e bizneseve që lejoheshin të hapen sipas qeverisë në portalin E-Albania, Shpëtimi u entuziazmua. Ndaj sot në mëngjes tregon se ka ardhur që pa gdhirë në dyqanin e tij, ku shet artikuj ndriçimi dhe piktura të ndryshme, në zonën që njihet si ish Restorant Durrësi.
“Sot erdha me qejf në dyqan, e pastrova rregullova dhe fillova nga puna, me shpresën që diçka do shes, por më shumë edhe për të dalë nga shtëpia, se u mërzitëm me thënë të drejtën mbyllur”, tregon Shpëtim Ahmetaj për Portën Vendore.

Ndërsa sheh orën, e cila po lajmëron mesditën, ai na rrëfen që deri më tani ka shitur vetëm ca vogëlsira për konsum të përditshëm që i mban në një stendë të vogël jashtë derës së dyqanit.
“Sot njerëzit kanë blerë vetëm gjëra të nevojshme, që mund t’i jenë prishur gjatë kësaj kohe në karantinë. Psh. kam shitur nja dy koka dushi”, thotë ai duke qeshur, ndërsa thekson se nuk ka pasur klientë që të jenë interesuar për piktura e abazhurë.
“Edhe unë vetë në këtë periudhë nuk do blija të tilla produkte, kjo pasi është një situatë e turbullt kur askush nuk di se si do të shkojë e gjitha kjo. Dhe kriza financiare do të bëjë që njerëzit të mos blenë më abazhurë e piktura për të arreduar më bukur shtëpitë e tyre. Imagjinoje kur para pandemisë vinin njerëzit dhe pasi kishin mbaruar gjithë blerjet e nevojshme për kompletimin total të një shtëpie, vinin këtu tek mua dhe më thoshin ça abazhuri të bukur mund të marr me 30 mijë lekë të vjetra”, tha ai, ndërsa shpreson pak që situata në planin afatshkurtër të ndryshojë.
“Ne do vijojmë të mbijetojmë si biznes ja ashtu herë me të keq e herë me të mirë. Shyqyr Rama që na dha pagën e luftës të paguajmë një pjesë të qirasë”, tha Ahmetaj për Portën Vendore, teksa i drejtohet derës së dyqanit ku e pret një kliente.
“Sa kushton kjo kutia e kursimeve, e vogla? pyet zonja, pronarin e dyqanit.
– “1 mijë lekë të vjetra” – përgjigjet ai, ndërsa kthehet e na thotë: “Ça thashë më përpara, ka rënë ekonomia përtokë fare!”.
Biseda e zonjës vijon edhe më tej, ku ajo kërkon një kokë dushi të lirë dhe jo më shumë se 200-300 lekë të reja. E zgjedh një të tillë midis grumbullimit të madh të modeleve që Shpëtimi ka vendosur që në orët e para të mëngjesit të sotëm tek stenda prej kartoni, e improvizuar në hyrje të dyqanit të tij. Edhe pse ai i sugjeron se nuk është shumë cilësore, zonja përsëri zgjedh atë më të lirën, brenda buxhetit të sipërpërmendur.
Shpëtimi kthehet sërish nga ne duke na thënë: “Më pyete në fillim se si është dita ime deri tani. Ja e patë vetë ç’të të them”, përfundon ai.
Orari i bizneseve të lejuara ditën e sotme, është njësoj si orari i bizneseve që ishin ndërkohë të hapura. Bizneset mund të hapen në orën 5:00 dhe të mbyllen në orën 17:30.
Vetëm 100 metra më tutje, në anën tjetër të rrugës, një tjetër biznes ka ngritur qepenin sot, është një dyqan për veshje. Gruaja që administron këtë dyqan të vogël veshjesh, kërkoi të mbetej në kushtet e anonimatit, ndërsa na rrëfeu se sot ka ardhur vetëm që dyqani të marrë pak ajër.
“Ky është dyqan i vogël, ku tregtoj rroba të ndryshme, nga çorapet e grave e deri te veshjet si xhins, pantallona e bluze për femrat. Por sot thashë të vija nja dy-tre orë për ta ajrosur e tani do të filloj ta fshij e sistemoj paksa, që të nis punën në ditët në vijim, megjithëse nuk ka fare lëvizje. Deri tani askush nuk i ka hedhur sytë nga dyqani, jo më të futet, ndaj jam shumë pesimiste për të ardhmen, se s’besoj se do të kenë lekë njerëzit që të blejnë artikuj të rinj për të veshur”, tregon gruaja.
Në rrugën nga Dispanceria e deri tek Ish stacioni i trenit ka një sërë dyqanesh të boshatisura, ku në pankartën e vendosur në derë shkruhet: Jepet me qira. I njëjti fenomen dallohet edhe nëpër rrugë të tjera të Tiranës, si te Myslym Shyri, Rruga e Kavajës, Pazari i ri, Medrese etj.

Pranë ish stacionit të trenit ndalemi në një tjetër biznes, i cili është rihapur pas një pauze prej 40 ditësh. Ky dyqan i luleve administrohet nga një çift i ri dhe është hapur në muajin shkurt, ndaj ata tregojnë se nuk janë përfitues të skemës së para financiare të qeverisë Rama, pasi nuk kanë pasur bilance të këtij biznesi për muajit e mëparshëm.
“E hapëm sot, thamë ja po shkojmë të shohim ça bëhet megjithëse na ka mbytur mërzia, kjo pasi nuk mendoj se njerëzit në këto kohë do të blejnë lule, sepse në këtë situatë konsiderohet si diçka ‘luksi’ për shumicën prej nesh. Por në fillim kur e hapëm meqë gjithçka përkoi me 14 shkurtin, më pas kishim 7-8 marsin, na eci goxha mirë me thënë të drejtën dhe ishin optimistë për të ardhmen, por tani gjërat duken shumë keq. Kemi gjithë këto orë këtu duke u marrë me rregullimet e luleve dhe ende s’është futur asnjë njeri, dhe as nuk kemi shpresë që do të shohim njeri këto ditë të paktën”, tha Endri i cili vijon të rregullojë një buqetë lulesh për ta vendosur për reklamim.

Pak metra më tutje takojmë Dashamirin, i cili shet prej një jete gazetat në bulevardin “Zogu i Parë”. I stacionuar prej 27 vitesh në këtë vend, ai na tregon se ka qenë ndër të parët që ka filluar me shitjen e gazetareve në Tiranë. Ndryshe nga ditët e tjera, sot për shkak edhe të numrit më të vogël të gazetave që kanë në botim, nuk ka marrë karrocën e zakonshme që e përdor prej thuajse 3 dekadash e që e mbush plot, por ka dalë me një tavolinë të vogël, e ku në to shquhen vetëm disa nga gazetat kryesore në treg.
“ Unë sot kur dola për punë, dola me qejf e gëzim të madh. Edhe sikur të mos kem shitje mendova që të paktën do të shoh njerëz, do të më përshëndesin klientët e mi, të cilët i kam prej një jete dhe do t’u shërbej atyre. Ndaj hapja e gazetave për mua ishte një lajm i mirë. Kuptohet se xhiroja dhe lëvizja sot nuk ka qenë si ditët e tjera para fillimit të pandemisë, por megjithatë është më mirë seç e prisja. Ka pasur nga ata që kanë blerë gazeta, ndaj them sa pa gjë, sot si ditë e parë jam mirë”, thotë Dashamiri duke qeshur, ndërsa i shërben një klienti të vjetër, me gazetën Panorama, të preferuarën e tij.
“Shtypi është ushqim për shumëkënd dhe atë do ta blejnë, se aq janë çmimet e tyre nuk të vrasin, nuk janë revista që kërkojnë më shumë para, ndaj nisur nga kjo logjikë unë nuk shqetësohem shumë për të ardhmen. Do të shes sa për të jetuar”, tregon Dashamir Thelluza, gazetashitës.

Megjithëse shumë biznese janë hapur sot, tregtarët pohojnë se situata duket gri për rinisjen e xhiros dhe të kthimit në normalitet, kjo pasi qytetarët janë ende në izolim dhe kriza ka përfshirë financat e tyre.
Një tjetër biznes që vizitojmë gjatë rrugëtimit tonë nëpër zona të ndryshme të kryeqytetit, është ai i Blerim Dervishit, i cili tregton tenda dhe grila të brendshme. Ai ka dy vite e gjysmë që e ka hapur këtë biznes dhe është i kënaqur me punën që ka pasur përpara se vendin tonë ta kaplonte pandemia globale e koronavirusit. Megjithatë tani situata për të duket gri dhe po i përjeton me frikë këto ndryshime të biznesit sot.
“Nuk pres që njerëzit tanimë të blejnë grila ose tenda, sepse një lekë që mund ta kenë mënjanë e duan për një ditë të vështirë, siç ishte kjo e periudhë e pandemisë së Covid 19 dhe që flitet se do të vijë sërish edhe në vjeshtë. Plus që biznesi im ka edhe një të keqe të madhe që ka marrëdhënie të drejtpërdrejtë me klientin, pasi mua me duket të shkojë t’i montoj produktet që porosisin. Ndaj edhe sikur lekë të kenë njerëzit e të mos ketë krizë financiare fare, kanë frikë të fusin një person tjetër në shtëpi këto kohë”, tha Blerimi për Portën Vendore.

Ai e menaxhon vetë këtë biznes të vogël pranë pazarit të ri dhe nuk ka punëtorë të tjerë, por të gjitha i bën vetë.
Sot gjithashtu janë hapur edhe kioskat e vogla që gjenden përbri rrugëve kryesore, ku në to tregtohen artikuj të ndryshëm duke nis nga uji, pijet freskuese e energjike, deri tek çokollatat, moltot e cigaret.
“Sot ka pasur lëvizje si ditë e parë, duhet thënë gjithmonë faleminderit zotit që kemi dalë në punë sepse e gjitha kjo mund të kishte zgjatur edhe më shumë, sikurse po zgjat ende në vendet e tjera. Megjithatë vlen për tu parë ditën e nesërme kur të jenë edhe bankat hapur, se sot ishte pushim. Besoj se do kem më shumë punë”, tha shitësi i një prej kioskave të vogla të ndodhura në hyrje të rrugës së Kavajës.
Në zonën e Myslym Shyrit një numër i madh biznesesh qëndron ende i mbyllur, megjithëse disa prej tyre janë të lejueshme për të dalë në punë që sot.
Të tjerë kanë zgjedhur të bëjnë pastrimet, merementimet, lyerjet e rregullimet e fundit, përpara hapjes, ose në pritje të vendimit të qeverisë për hapjen e tyre, bizneset për të cilat është thënë që do të hapen të fundit, si lokalet e restorantet.

“Unë jam shitëse këtu. Por shoh që gjatë kësaj kohe, kjo edhe nga eksperienca online e jona, njerëzit janë fokusuar tek produktet bazike, si shampo dhe kremra të thjeshtë duarsh kryesisht, kurse produktet e make-up duket sikur janë lënë në harresë”, tha shitësja e një dyqani të madh të artikujve kozmetik në rrugën MyslymShyri, ndërsa thekson se protokolli i përcaktuar i masave kundër Covid 19 po respektohet me rigorozitet.
Sokol Sulo është pronar i një dyqani rrobash pranë shkollës së Baletit, i cili shprehet skeptik ndaj vendimit të qeverisë për hapjen e kësaj kategorie biznesesh ku përfshihen edhe rrobat.
“Nuk ka ardhur asnjë njeri sot. Jam duke ngrohur karrigen gjithë ditën. Ja tani do rri edhe pak, edhe do shkoj në shtëpi. Hapjen e biznesit të rrobave por edhe të shumë të tjerëve e shikoj si një anashkalim nga ana e qeverisë për të mos na paguar më pagën e luftës, meqë u hapëm tani. Por ne nuk do të kemi xhiro me ça do mbahemi, me ça do ta paguajmë qiranë”, pyet Sokoli i mërzitur, ndërsa thekson me pagën e luftës pagoi sigurimet e tre muajve. “Nga 260 mijë lekë që mora, 240 më bënë sigurimet e tre muajve, 20 mijë lekë të vjetra më mbeten mua. Me ato do të kaloj gjithë muajin”, tha ai për Portën Vendore.
Një tjetër kategori biznesesh që ngritën qepenat sot ishin edhe riparuesit, ku futet edhe zanati i këpucarit. Lorenci është 54-vjeçari, i cili prej 40 vitesh është pjesë e këtij zanati të trashëguar nga i ati i tij, me origjinë turke. Ai na tregon se është i padeklaruar në shtet, kjo pasi fitimet e tij janë shumë të pakta. “Në një muaj, unë me riparimet që sjellin njerëzit këtu, nxjerr cigaret, kafen time dhe çoj ndonjë 60 mijë lekësh a 100 mijë lekësh në shtëpi. Ndërsa sot dola kot, do rri edhe një orë e do iki në shtëpi, pasi nuk ka njerëz në këtë periudhë, as sot e as nesër që të sjellin këpucët për riparim. Ka shkuar puna aty ku s’mban më”, tha Lorenc Remo për portën Vendore.
Dyqani i tij është tejet modest. I gjithë ambienti është jo më shumë se 2 metra katror.
“Këtu në Shqipëri, pa pasur epidemi, edhe ka qenë punë përtokë, jo më tani”, shprehet i zhgënjyer pronari i dyqanit pranë Pazarit të ri.
Gjatë një komunikimi me qytetarët të mbajtur sot gjatë drekës nga Kryeministri Rama, ai tha se paga e luftës do të vijojë për dy muajt në vazhdim për të gjithë bizneset përfituese pavarësisht se ato janë hapur. Kryeministri Rama tha gjithashtu se ekonomia e vendit është goditur me gjysmë miliardi euro deri më tani, teksa shtoi se fasha e dytë e bizneseve që konsiderohen me risk mesatar do të hapen në datën 27 prill, ku këtu futen kryesisht: Transporti Urban dhe ndërurban, tregtia me pakicë e mallrave të përdorura, artikuj në tregje, autoshkolla, shërbime shkollore mbështetëse, etj.