Ngjarje/Personazhe

Harrohen të prekurit nga tërmeti, rrezikojnë “zinë” e bukës

20 prill 2020/ Esmeralda Keta/ Porta Vendore

Qindra familje të mbetura pa shtëpi nga tërmeti i 26 nëntorit, po përballen me “zinë” e bukës, për shkak të shtetrrethimit nga Covid-19. Banorët e fshatrave ndihen të braktisur nga shteti dhe në situatën e re të krijuar, po “braktisen” edhe nga ato pak shoqata që i ndihmonin. Në këtë betejë të dyfishtë atyre u duhet të përballen jo vetëm me pasojat e tërmetit, por edhe me izolimin nga koronavirus.

Është buzëmbrëmje dhe Irena ka ndezur një zjarr para kontejnerit për të ngrohur dy vogëlushet e saj, 3 dhe 5 vjeçare: Orkidea dhe Iliada.

“Kjo është e vetmja mënyrë për t’u ngrohur, – na thotë Irena. – Po bën shumë ftohtë dhe në kontejner nuk kemi me çfarë të ngrohemi. Megjithatë jam shumë e lumtur që na e sollën kontejnerin, pasi nëse do të kishim qëndruar në çadër vajzat nuk do ta kishin nxjerrë dimrin”, – thotë mirënjohëse Irena.

Orkidea dhe Iliada duke u ngrohur para kontenierit. Fotoja është realizuar nga Irena, mamaja e tyre.

Të mbetur pa shtëpi pas tërmetit të 26 nëntorit, familja prej katër anëtarësh, që jeton në fshatin Bizë të komunës Ishëm, në Durrës, tashmë po përballen me një sfidë edhe më të rëndë.

“Nëse nga tërmeti kishte familje që nuk ishin prekur, familjarë që mund të na ndihmonin apo edhe shoqata të ndryshme e individë që vinin dhe interesoheshin e na jepnin edhe ndihma, siç ndodhi me mua që më sollën kontejnerin, tani gjërat po bëhen gjithnjë e më keq. Pasi askush nuk mund të lëvizë. Sa për shtetin ai na harroi edhe gjatë tërmetit, e jo më tani”, thotë ajo.

Irena rrëfen se bashkëshorti, i cili e siguron jetesën me peshkim, prej ditësh nuk sjell më asnjë lek në shtëpi. “Është bllokuar çdo gjë, tani peshkon vetëm ndonjë gjë të vogël sa për nevojat e familjes, pasi nuk ka blerës”, thotë ajo për Portën Vendore.

Ajo tregon se në këto kohë shtetrrethimi ata i kanë varur shpresat tek ajo pak tokë që kanë. “Tani është koha fiks kur fillojnë e mbillen perimet dhe prodhimet e tjera bujqësore, por problem është fakti se edhe gjatë kësaj kohe ne kemi nevojë për farëra, për pleh apo pesticide të ndryshme që përdorim për prodhimet, por nuk kemi se ku i blejmë. Gjërat po bëhen gjithnjë e më të vështira”, përfundon ajo.

Por ndryshe nga Irena, Altini baba i dy fëmijëve, thotë se ata kanë nevojë tani për bukë e ushqime.

“Toka duhet ta punosh sot e të marrësh prodhim pas 6 muajsh, por fëmijët e mi duan sot bukë. Sot çfarë t’u them unë kalamjve të mi”, na thotë Altini, shtëpia e të cilit në zonën e Bubqit po ashtu u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Po a jetohet në çadër? Ftohtë kemi, vetëm kemi mbetur, lekët që kemi përfituar nga bonusi i strehimit nuk mjaftojnë për asgjë, pasi tani nuk punoj më”, thotë Altini, i cili pavarësisht skepticizmit, në këto ditë karantine, po i shfrytëzon për të mbjellë tokën që kanë përreth shtëpisë.

“Pak tokë kemi, po sigurisht që po e mbjellim me perimet e zonës, por kështu si po shkojnë gjërat nuk e di nëse do të kemi ku t’i shesim”, na thotë ai.

Shtëpia e Bardhok Jakut, nga fshati Tarinë e Bubqit, u dëmtua thuajse krejtësisht nga tërmeti i 26 nëntorit dhe që prej asaj kohë ai jeton në çadër së bashku me bashkëshorten e tij. Ai tregon se fshati i tij, po të mos ishte për ndihmat e disa shoqatave, do të kishte “vdekur” për bukën e gojës. Ndërkohë, harresës pas tërmetit i është shtuar edhe situata e krijuar nga koronavirusi.

“Kemi nevojë për gjithçka: bukë, ushqime, rroba…Ne flemë në çadër dhe shumë ftohtë kemi”, na thotë ai.

“Po të mos kishin qenë shoqatat e shumta që na kanë ndihmuar me ushqime e batanije pas tërmetit, banorët e zonës tonë do të kishin vdekur për bukë, sepse nga shteti nuk kemi parë asnjë mbështetje. Tani që janë bllokuar gjërat për shkak të virusit as këto të shoqatave nuk mund të vijnë e gjërat për ne po bëhen edhe më të vështira: thuajse të gjithë kanë nevojë për ushqime”, rrëfen Bardhoku, i cili kujdeset edhe për 5 fëmijët e djalit që ka probleme të shëndetit mendor. Sipas tij, situatë e rënduar është në të gjithë fshatin.

Indriti e konsideron veten “fatlum”. Ndonëse ka mbetur pa shtëpi nga tërmeti i 26 nëntorit, ai ka përfituar nga bonusi i strehimit, ka gjetur një shtëpi me qira dhe ç’është më e rëndësishmja edhe në këto ditë të vështira vazhdon të punojë.

“Unë kam marrë një shtëpi me qira këtu në fshat, por ndërkohë as punën nuk e kam humbur dhe kjo më ndihmon të plotësoj nevojat e familjes sime”, na thotë ai.

Arbeni, babai i tre djemve, ka përshtatur një magazinë si banesë provizore. Ai jeton në afërsi të Rinasit, pasi shtëpia e tij pësoi dëmtime serioze nga tërmeti. “Dy javët e para jetuam në një serë që kishim në tokën pas shtëpisë, por fëmijët kishin shumë frikë gjatë natës nga vetëtimat. Si pasojë përshtata një magazinë dhe aty po jetojmë që prej mesit të dhjetorit”, shpjegon kryefamiljari, i cili banon në fshatin Nikël të Krujës.

Fëmijët e Arbenit, të cilët flenë në ish magazinë, që prej dhjetori 2019. Fotoja është shkrepur nga vetë Arbeni.

Ai nuk ka marrë ende asnjë lloj ndihme nga tërmeti, për arsye se nuk ka qenë dakord me vlerësimin që u është bërë dëmeve të shtëpisë së tij. “Kërkova që shtëpia të vlerësohej nga një komision, por ra kjo flama e askush nuk e ka mendjen më tek tërmeti. Tani të gjithë e kanë mendjen si t’ia dalin nga kjo situatë”, tregon i indinjuar ai.

“Unë nuk kërkoj lëmoshë. Unë kërkoj vetëm drejtësi, dhe shteti e ka për detyrë të na trajtojë si të barabartë të gjithëve. E harruam tërmetin, por kësaj nuk kemi se çfarë ti bëjmë të vetëm”, përfundon ai për Portën Vendore.

Por pavarësisht shtetrrethimit ku ndodhet vendi ynë për shkak të situatës së krijuar nga Covid -19, italiani Lorenzo Gentile, i cili ka sjellë nga Italia dy kamionë me ndihma ushqimore e veshmbathje për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit, po përballet me një situatë krejt absurde.

Familjet në nevojë në Fushë-Mamurras duke marrë ndihma ushqimore

Ai akuzon pushtetin lokal dhe atë qendror për burokraci të theksuar në këtë situatë, kur në të vërtetë, duhet të ketë më shumë bashkëpunim.

“Sapo erdha u futa në karantinim për 14 ditë, ndërkohë që tani kemi filluar dhe shpërndajmë ndihmat. Kemi sjellë dy kamionë me ndihma, një total prej 1014 pako që përmbajnë ushqime, veshmbathje, batanije, lodra fëmijësh, por në vend që të na ndihmojnë për t’i shpërndarë po hasim shumë pengesa, – na thotë Gentile. – Aktualisht kemi shpërndarë pak më shumë se 200 pako, dhe të gjitha këto në mënyrë vullnetare, pasi për shkak të kufizimit të lëvizjes nuk na lejojnë as të përdorim makinë e as të veprojmë pas orës 13:00”, tha ai për Portën Vendore.

Lorenzo Gentile duke shpërndarë ndihmat në Fushë Mamurras.

Sipas tij, kjo është një situatë absurde, pasi edhe në Itali ku kufizimet janë më strikte, për personat që merren me bamirësi, lejohen të lëvizin edhe përtej orareve të kufizimit të popullatës. “Sikur të na jepte dy furgona bashkia, do të kishim mbaruar shpërndarjen për pak ditë. Aktualisht ne po përzgjedhim të ndihmojmë familjet që janë më nevojtarë: të moshuar, kanë pjesëtarë të sëmurë, me fëmijë të vegjël. Është absurde kjo lloj sjelljeje”, pohon Gentile, që po ndjek në Shqipëri operacion e shpërndarjes së 7.3 tonë ndihmave nga shoqata ”Zampa” në bashkëpunim me UHRTA (United Human Right Free Teritory of Trieste).

“Njerëzit që takoj më thonë: kemi uri, nuk kemi çfarë hamë. Asgjë nuk do të më pengojë t’ua çoj pakot që presin në magazinë”, përfundon ai, i zhgënjyer nga zvarritjet dhe pengesat e pakuptimta që po has gjatë këtij misioni bamirësie.

Lorenzo po asistohen në nismën e tij humanitare edhe nga shqiptari Kostandin Pulaj, dhe vijon shpërndarjen e ndihmave në zonën e Mamurrasit.