Ngjarje/Personazhe

Postier në kohën e koronavirusit

19 prill 2020/ Gjergj Figuri/ Porta Vendore/ Lezhë

Postierët janë një nga profesionet që nuk janë izoluar për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19, ku në këto ditë, veç shërbimeve të përhershme u është shtuar dhe detyra për të kryer shërbimet ndaj të moshuarve. Një prej tyre është edhe Admir Duli, i cili punon në postën e Lezhës dhe ndau një ditë nga puna e përditshme gjatë karantinimit të vendit.

“O i zoti i shpisë”. Një thirrje tradicionale që në këto ditë kur njerëzit duhet të mbyllen brenda për tu ruajtur nga Covid 19 dhe ka filluar të dëgjohet më shumë në Lezhë, është thirrja që bën postieri Admir Duli në derën e pensionistëve, ndërsa ka shkuar për tu dorëzuar atyre pensionin e muajit.

Dera hapet nga ngadalë, sepse të moshuarit lëvizin ngadalë, por Admiri nuk shqetësohet që i duhet të presë. Për pak minuta duhet të bëjë durim edhe pse deri në orën 18:00 i duhet të dorëzojë deri në 70 pensione. Maskë në fytyrë, doreza në duar dhe veshja e postierit janë siguria e tij e vetme ndërsa do t’i duhet të takojë shumë qytetarë të tij.

Ai paraqitet në Zyrën Postare rreth orës 7:00 të mëngjesit dhe pa hyrë brenda, Admiri vendos maskën dhe dorezat dhe nis përshëndetjet e kolegëve dhe administratën, por pa takuar nga afër asnjërin prej tyre. I duhet të ketë kujdes ndërsa kryen procedurat e marrjes së dokumenteve për të vijuar te sporteli i shpërndarjes së pensioneve. Nuk e di sesa qytetarë do të takojë, sepse ecuria e punës do të tregojë efektshmërinë sepse ka mungesë adresash, adresa të gabuara, pensionistë që nuk ndodhen në shtëpi e në çdo rast i duhet të rikthehet sërish.

“Ne kemi vështirësi gjatë punës që kryejmë. Ka përgjithësisht mungesë adresash dhe duhet të orientohemi vetëm nëpërmjet kontaktit me telefon me pensionistët. Duhet të afrohemi pranë pikës që na thonë nëpërmjet telefonit dhe pastaj nis kërkimi nëpërmjet dyqaneve apo pikave të shërbimit që mund të kenë afër. Pastaj ka raste kur adresa nuk është aspak e saktë, pensionisti ka emër e mbiemër me tjetër person dhe vetëm karta e identitetit bën identifikimin e plotë, por deri atëherë kemi shpenzuar kohë dhe kjo është shumë e vlefshme për ne. Ka raste kur pensionistët janë larguar nga banesa dhe ata janë vendosur të familjarët e tyre dhe ai pension duhet të kthehet pas për tu rialokuar vetëm kur të kthehet personi. Pavarësisht kësaj, ne jemi mësuar dhe më duket sikur e njoh krejt qytetin”, tha Admiri për Portën Vendore.

Admiri Duli në recepsionin e Postës Lezhë. Foto:Gj.Figuri

Kjo është puna rutinë e Admir Dulit. Ai është postier në qytetin e Lezhës dhe i vetmi që thuajse mund të ketë shkelur në çdo derë. Gjatë kësaj periudhe volumi i punës së tyre është shtuar ndjeshëm. Tani nuk janë vetëm 1 500 pensionistë që merrnin pensionin në shtëpi çdo muaj, pasi për shkak të kësaj situate ai së bashku me 15 kolegë të tjerë dërgojnë rreth 6 000 pensione çdo muaj, por edhe qindra shërbime të tjera që kërkojnë ata që nuk munden apo nuk duhet të dalin jashtë. Posta është një prej shërbimeve që nuk ka mbyllur asnjë ditë.

Drejtori i Filialit të Lezhës, Pjerin Çuku, thotë se ka reduktim të administratës, por ka shtim të volumit të punës në këtë periudhë.

Punonjësit që kryejnë shpërndarjen e postës vijojnë të qëndrojnë në punë duke asistuar të moshuarit që kanë nevojë, ndërsa gjithçka kryhet nën masa sigurie. Në administratë ka reduktim të stafit dhe diferencim social edhe mes tyre dhe për të rritur sigurinë kemi siguruar maska dhe doreza, që sigurisht u shpërndahen çdo ditë edhe postierëve”, tha Pjerin Cuku Drejtor i Filialit te Postës Lezhë.

Admiri duke marrë udhëzimet nga Drejtor i Filialit te Postës Lezhë Pjerin Cuku. Foto: Gj.Figuri

Pavarësisht se kanë maska dhe doreza, dita është e gjatë për një postier ndaj ndjehen të kërcënuar nga virusi sepse nuk e dinë se kë takojnë apo si kanë reaguar gjatë punës. Këtë e di edhe Admir Duli, por ai beson se me pak fat do ia hedhë.

“Ndjehem i rrezikuar, por do të ia lë edhe fatit’, thotë postieri. “Pensionistët kërkojnë të blejnë ushqime, të paguajnë fatura dhe ne jemi të gatshëm për të qenë në dispozicion të tyre. Ne vërtetë nuk i takojmë si më parë, por kemi letra nëpër duar dhe virusi mund të kalojë nëpërmjet tyre“, shton Admiri.

Ndërsa Admiri bisedon me ne, ishte radha e Dede Marashit që të merrte pensionin. Ora akoma nuk ka shkuar 8:00 dhe ata sapo janë zgjuar. Pavarësisht se i njeh të gjithë postierët, ai nuk mundet të përshëndetet si zakonisht me asnjërin prej tyre. Pasi numëron lekët, hedh firmën dhe i buzëqesh Admirit, të cilit i kërkon që të bëjë edhe pagesën e dritave, ujit dhe telefonit.

“Kjo është hera e parë pas 26 vitesh që unë marr pensionin në shtëpi sepse gjithmonë kam dalë vetë dhe kjo është hera e parë që dikush me vjen brenda dhe unë s’i jap dorën. Unë nuk dal jashtë portës kryesore të shtëpisë dhe nuk do ta bëj deri sa situata të kalojë dhe se shërbimet do t’i kryej nga shtëpia edhe nëpërmjet ndihmës së këtyre postierëve”, tha Dedë Marashi , pensionist.

Admiri në shtëpinë e Dedë Marashit, duke i dhënë pensionin. Foto: Gj.Figuri

Shumë pensionistë apo qytetarë që marrin shërbime postare janë një risk i madh për postierët. Admir Duli është përgatitur për këtë ndaj edhe ka marrë masa. Të afërmit kanë paksa frikë prej tij, sepse ka qenë gjithnjë në takim me qytetarë të shumtë, ndaj ai ka zgjedhur të jetojë vetëm gjatë kësaj periudhe me qëllim që të mos vërë në rrezik jetën e prindërve të tij, me të cilët jetonte para shpalljes së pandemisë.

Të afërmit tanë kanë frikë të na takojnë, ndaj jam distancuar prej tyre sepse nuk e di se kë mund të kem takuar gjatë ditës pavarësisht masave. Kemi vetëm një mënyrë për tu parë e dëgjuar dhe kjo është teknologjia. Ne jemi në punë, por të ndihmosh të moshuarit është edhe bekim ndaj do të vijoj të bëj këtë punë pavarësisht gjithçkaje”, tha Admiri për Portën Vendore.

Admiri është vetëm një nga 15 postierët e Lezhës që duhet të qëndrojnë në punë. Edhe këta punëtorë që po shërbejnë sot janë heronjtë e ditëve tona, ndaj të cilëve duhet të tregojmë kujdes dhe ti ruajmë.