19 prill 2020/ Vali Qyrfyçi/ Porta Vendore/ Tiranë
Hotelet e Golemit hapin dyert për herë të dytë në këto 6 muaj për t’i ardhur në ndihmë bashkëkombësve tanë. Pas tërmetit, disa prej strukturave turistike në bregdet kanë hapur prenotimet për të riatdhesuarit. Në një prej hoteleve të Golemit vetëm ditën e djeshme mbërritën 49 të riatdhesuar nga aeroporti i Stambollit e 130 të tjerë nga ai Romës.
Agroni dhe Tefta ndjehen të çliruar pas kthimit në atdhe, edhe pse nuk mundën të shkojnë drejt e në shtëpi, në Lushnje. Prej javësh ishin bllokuar në Turqi. Pandemia e ndryshoi krejt rrjedhën e lëvizjes dhe jetës së tyre. Nga Rinasi i sollën drejt e në Golem, në hotelin “Albanian Star” ku çifti kishin prenotuar të kalonin karantinën. Mbërritën më 18 prill me avionin e parë nga Stambolli, që u vendos në dispozicion të tyre. Ndjehen më të sigurt në vendin e tyre.
“Nga lajmet kuptuam se Shqipëria është një nga vendet më pak të prekura dhe një nga arsyet që vendosëm të kthehemi, sapo mësuam për riatdhesimin, ishte fakti se mund të bëhet më keq andej. Avioni u vonua rreth një orë e gjysmë, por në tërësi na pëlqeu mënyra e organizimit. Ne kemi fëmijët me familjet e tyre atje, po na kapi bllokimi i kufijve. Për një ditë e humbëm avionin e kthimit. Patëm shpresë se nuk do të mbylleshin fluturimet aq shpejt, po ndodhi dhe mbetëm. Atje masat ishin më tolerante në fillim, po me përkeqësimin e situatës ditët e fundit u ashpërsuan dhe në fundjavë u bë izolim total”, tregon mbi këtë përvojë Agroni.
Mes 49 të karantinuarve të parë të kësaj faze të re të riatdhesimit janë dhe 25 studentë. Ester nga Tirana është një prej tyre. Sapo është futur në dhomën e saj, ka nxituar të dalë në ballkonin e dhomës e të shijojë pamjen magjike dhe ajrin e freskët e të jodizuar të Adriatikut, që shtrihet përballë hotelit.
Nën ballkonet e dhomave të tyre ndodhet holli dhe recepsioni i hotelit të parë që hapi dyert për karantinimin e të riatdhesuarve, në një periudhë të vështirë, ashtu si muaj më parë hapi dyert për të dëmtuarit nga tërmeti. Lëvizjet e ekipit mjekësor në hyrjen e hotelit janë të shumta.
Marjeta Abdurrahmani, shefe e shërbimit epidemiologjik në Kavajë, që është pjesë e këtij ekipi, tregon për Portën Vendore se pas tërmetit të nëntorit, ekipi mjekësor kthehet sërish në hotelet e bregdetit. Këtë herë për të ndjekur ecurinë shëndetësore të të riatdhesuarve nga vende të ndryshme të Evropës.
“Gjendja e grupit të parë të të riatdhesuarve paraqitet e mirë. Asnjë prej tyre nuk paraqet simptoma të Covid 19. Të gjithë personat do të qëndrojnë të izoluar në dhomat personale ose familjare ashtu si kanë ardhur dhe nuk do të qëndrojnë për asnjë çast në ambientet e përbashkëta të hotelit. Ushqimi dhe gjithçka tjetër do t’u ofrohet në dhomë nga personeli i shërbimit në hotelet ku dhe janë vendosur”, sqaroi për Portë n Vendore zonja Abdurrahmani.
Marjeta Abdurrahmani, shefe e shërbimit epidemiologjik Kavajë. Foto: V. QyrfyçiPrej një muaji, grupet e epidemiologëve në terren kanë punuar për gjurmimin e kontakteve të personave që kanë rezultuar pozitivë. Gjithnjë në krye të detyrës. Brenda banesave të personave të dyshuar, duke bërë testet e tamponit dhe pritur përgjigjet e tyre. Tani, pranë dhomave të hoteleve ku janë karantinuar të riatdhesuarit, ku volumit të punës iu shtua dhe monitorimi i situatës në hotelet karantinë. Anëtarët e ekipit mjekësor do të punojnë me turne 12-orëshe, ndërsa të karantinuarve në këto hotele do t’u bëhet dhe analiza e tamponëve, në rast nevoje.

Gjithçka u vendos shpejt ku edhe pse të mbyllura strukturat hoteliere të “Harmonia group” kthyen stafet në punë për të bërë gati gjithçka në kohë rekord, për të pritur ata që u bllokuan jashtë atdheut.
“Kur më njoftuan për t’u kthyer në punë u gëzova, po dhe pata frikë. Punë do të thotë një rrogë për të çuar në shtëpi. Këto javë pa punë kanë qenë të vështira, aq më tepër kur nuk e di sa do të zgjasë. Kam 3 fëmijë për të rritur. Veçanërisht në këtë periudhe është shumë e vështirë” thotë Resmija, ndërsa rregullon shtretërit e pastron dhomat që do të presin të riatdhesuarit nga Roma në këtë hotel.
Resmija në punë e sipër. Gjithçka gati për të pritur të riatdhesuarit që po karantinohen në dhomat e hotelit.Foto: V. QyrfyçiAjo punon si sanitare në hotel dhe është nënë e dy vajzave dhe një djali. Është e ve dhe me vështirësi të mëdha përpiqet që t’ia dalë mbanë.
Edhe Floria që punon në kuzhinën e hotel “Albanian Star” tregon se bllokimi i sektorit të turizmit ku ajo punon solli një krizë të plotë për të dhe të gjitha shoqet e punësuara në këtë sektor.
“Gjithçka duket se përmbyset kur ngel e papunë dhe s’di çfarë do të bëhet më tej. Edhe burri, pa punë. Në këto kushte, ditët e para pata dhe frikë nga e gjithë kjo. Gëzohem që u kthyem në punë, po dhe frikësohem, pasi do t’u shërbejmë personave që janë kthyer nga vende ku koronavirusi është përhapur shumë. Të shpresojmë që do të bëhet më e mira. Këtu janë marrë të gjitha masat, po frika ekziston”, tha Floria për Portën Vendore.

Me shtimin e fluturimeve, për ata që kërkojnë të kthehen në atdhe, do të rritet edhe numri i strukturave hoteliere karantinuese në bregdet. Pas hezitimit të parë, për shkak të frikës nga virusi, dhe hotele të tjera kanë hapur prenotimet për të riatdhesuarit.

Jashtë hotelit, plazhi i qetë, deti i kristaltë dhe rëra e pashkelur të tundojnë drejt kënaqësisë dhe sezonit që këtë herë duket i largët dhe pse më afër se kurrë. Distancimi nga të gjithë e gjithçka, mbetet në fuqi, kryefjalë e kësaj pandemie që do të shënjojë shek. XXI , ekonominë dhe jetën e të gjithë vendit.