19 prill 2020/ E.Gjerani/ Porta Vendore/ Tiranë
Sot, Tirana u gjallërua nga prania e fëmijëve në rrugë e parqe. Me nënat dorë për dore, në biçikleta, ose karroca të vegjlit shëtitën duke shijuar ditën e “lirisë” së tyre, pas më shumë se 5 javësh të izoluar. Shumë respektuan rregullat, duke ruajtur distancimit social dhe duke përdorur maska mbrojtëse.
Njoftimi i beftë i kryeministrit Rama ditën e djeshme për të lejuar këtë kategori për të dalë deri në orën 11.00 ditën e diel, gëzoi jo vetëm fëmijët, por edhe prindërit e tyre, që më në fund do të linin izolimin, qoftë edhe për disa orë.
“Kemi dalë që në orët e para të mëngjesit, megjithëse isha pak skeptike për kohën se mu duk vrenjtur por fëmijët po kënaqen shumë. Tani dy çunat e mi po luajnë top me disa shokë të tjerë që takuan këtu në shesh. Erdhëm këtu te ‘Skënderbeu’, sepse jetojmë këtu afër”, tha Miranda, mami i dy djemve të moshës 7 dhe 10 vjeç.
Miranda tregon se nuk e priste që të dilte një vendim që lejonte nënat me fëmijë deri në 10 vjeç të dilnin, e të shijonin për ca orë lirinë dhe ngrohtësinë e diellit.
“Mendova që do të lejoheshin sërish pensionistët, ja pse them që ishte një vendim i bëftë për ne. Ishim mërzitur shumë në shtëpi me thënë të drejtën, jo vetëm fëmijët, por edhe unë. Sado që e kuptojnë që bëhet fjalë për të mirën e tyre qëndrimi në shtëpi, sërish hera-herës më luteshin që të dilnin sikur edhe për pak minuta për të lozur tek oborri i pallatit, dhe ndaj kjo e sotmja ishte një ditë e mirë për ta”, shton Miranda për Portën Vendore.
Ajo na rrëfen gjithashtu se punon në administratë dhe ka rreth një muaj që qëndron në shtëpi, si prind kujdestar, kjo pasi nuk ka me kë t’i lërë fëmijët.
“Karantina na ka lodhur ne grave sepse të gjitha bien në kurrizin tonë, gjithsesi unë e kam parë lodhjen si një element dytësor duke e vendosur theksin më së shumti te koha që po shpenzojmë tanimë në familje, kjo pasi fluksi i punëve dhe i angazhimeve ka qenë aq i madh sa që ndonjëherë i kemi lënë dhe gjetur fëmijët në gjumë”, përfundon Miranda.
Albana është një tjetër mami që takojmë në sheshin Skënderbej, i cili sot është transformuar në fushën e fëmijëve, ku po argëtohen pa fund.
“Unë kam një vajzë 6 vjeçe dhe sot po dalim për herë të parë pas 40 ditësh brenda në shtëpi. Besoj se nuk u kënaq vetëm vajza sot por edhe unë, pasi bëra muhabet me gra të tjera dhe mu duk sikur dola nga burgu. Uroj shumë që kjo situatë të mos zgjasë përtej prillit, dhe të kemi sa më pak humbje”, tha ajo për Portën Vendore, ndërsa tregon që nesër do ti rikthehet punës pasi biznesi i saj është në grupin e bizneseve të vogla të cilat do të lejohen të tregtojnë.
“Unë kam një dyqan të vogël për shitje rrobash dhe do të dal nesër në punë më në fund. Më duket si rilindje, jo se shpresoj që do të kem benefite financiare sepse nuk mendoj se njerëzit kanë para për të shpenzuar këto kohë, por ama e rëndësishme në këtë situatë është që të dal nga shtëpia. Të shijoj pranverën dhe rrugët e boshatisura. Për vajzën e kam pak problem, pasi nuk mund ta lë si më parë me babysitter-in në këto kohë, por do të rregulloj oraret me burrin, që edhe ajo të ketë vëmendjen që meriton, se tani fëmijët me ne në shtëpi janë mësuar edhe keq”, tha Albana për Portën Vendore.

Shumë prej fëmijëve ishin pajisur me maska mbrojtëse, për të parandaluar çdolloj rreziku gjatë shëtitjes ose orës së lojës, ndërkohë që shumë nga prindërit gjatë monitorimit tonë në disa rrugë të Tiranës respektuan edhe distancimin social.

“Pashë shumë njerëz që qëndronin grumbull dhe mu duk sikur me të dalë nga shtëpia i kishin harruar rregullat me të cilat duhet të jetojmë tanimë. Por ka edhe nga ata prindër të përgjegjshëm që i respektojnë të gjitha rregullat për mirëqenien e tyre dhe të njerëzve të tjerë që na rrethojnë. Unë jetoj tek Fresku dhe më është dashur ta bëj në këmbë rrugën për të ardhur deri tek Pazari. Nuk mund ta kumbisnim këtë leje dedikuar fëmijëve dhe nënave sot”, tha Ida, e cila punon kuzhiniere.
Në zonën e Pazarit të ri, megjithëse akrepat e kaluan orën 11:00 shumica e fëmijëve dhe prindërve qëndruan ende duke lozur, duke dashur të shijojnë lirinë edhe për disa minuta të tjera.

Shumë prej nënave me fëmijë ishin të shoqëruar edhe nga baballarët, duke shkelur rregullin e përcaktuar nga Kryeministri Rama në këtë liri-dalje të ditës së diel, ku kryeqyteti ishte i gjithi i fëmijëve.