18 prill 2020/ E.Gjerani/ Porta Vendore/ Tiranë
Sot rrugët e kryeqytetit u gjallëruan nga mosha e tretë që në orët e para të mëngjesit. Të vetëm, të shoqëruar ose në grup të moshuarit përfituan sadopak për të bërë një shëtitje e për të marrë pak ajër pas javësh të gjata në karantinë.
Njoftimi i kryeministrit Rama për të lejuar këtë kategori për të dalë deri në orën 11.00 ditën e shtunë, solli entuziazëm te shumica prej tyre, duke lënë pas 5 javësh izolimin e duke parë për herë të parë ngjyrat e pranverës që kanë mbërritur në qytet dhe shijuar rrezet ftuese të diellit.

“Mu duk vendim me mend ai i kryeministrit sepse vdiqëm brenda, nuk shtyhej më. Mua më tha dje vajza, e kishte lexuar në internet. Jetoj i vetëm dhe mezi e shtyj kohën në shtëpi, por për të dalë nuk kam dalë fare, i kam respektuar rregullat deri në një. Ushqimet më kanë ndihmuar komshinjtë ose fëmijët”, tha Sotiri, i cili qëndron i ulur në stolat e sheshit Skënderbej.

Porta Vendore vëzhgoi disa zona të Tiranës duke nisur nga Pazari i Ri, Sheshi Skënderbej, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, zona e Bllokut, Sheshi Wilson, Myslym Shyri, Pedonale etj.
Shumë prej të moshuarve ishin përpjekur që lirinë e tyre disaorëshe ta shijonin duke u pajisur me maska mbrojtëse e doreza, ndërsa kishte edhe të tjerë që nuk mbanin fare maska, ose i kishin sajuar vetë me copa të qepura.

“Nuk kemi frikë që kemi dalë sot, sepse mendojmë që po i respektojmë të gjithë rregullat e përcaktuara, masa mbrojtëse dhe distancim social, megjithëse na ka marrë malli të takojmë njerëzit, të takojmë fëmijët, nipër e mbesa. Këtë liri-dalje sot e kishim më se të nevojshme, uroj të ndodhi kështu edhe fundjavën tjetër”, tha një tjetër i moshuar, i cili po kthehej në shtëpi pas shëtitjes me zonjën e tij.

Por jo të gjithë e respektuan sot distancimin social, sidomos nëpër parqe e sheshe të vogla pranë pallateve, njerëzit qëndronin në stola ngjitur njëri-tjetrit.

Një pjesë e vogël të moshuarish u ulën në karrigen e lokaleve të mbyllura, duke diskutuar mes tyre. Ndërsa të tjerë preferuar që këtë liri të dhënë nga kryeministri Rama ta shfrytëzonin për të nxjerrë mbesat ose nipërit për shëtitje.

“Mirë neve, po janë mërzitur edhe fëmijët në shtëpi ndaj vendosëm që ta nxirrnim sot”, tha një zonjë për Portën Vendore.
Në rrugë u panë edhe të moshuar të vetmuar me qese në duar, megjithëse dyqanet ishin të mbyllur.
“Shkova takova të afërmit e mi dhe më kishin përgatitur drekën me vete sot, ja e kam këtu në qese”, tha një i moshuar, ndërsa një tjetër e moshuar që e takojmë pranë ish bllokut na tregon se ka ardhur për të parë vajzën dhe nipin nga ballkoni.

Shumica e të moshuarve kishin përfituar nga orët e daljes duke bërë një xhiro me biçikletë e mbase duke iu kthyer sadopak rutinës së përditshme, që kishin para shpalljes së pandemisë së koronavirusit.

Në afërsi të liqenit artificial kishte shumë të moshuar që mbanin në duar mimoza të mbledhura, si lajmëruese tashmë të pranverës.

Sot, Tirana ishte e pushtuar nga të moshuarit, ku sytë e tyre ndritnin për këtë “liri” të kufizuar që po shijonin.