18 prill/ Ola Mitre/ Porta Vendore
Pas bllokimit të një sërë biznesesh, si një prej masave të ndërmara nga qeveria për frenimin e përhapjes së COVID-19, bashkitë po ndërmarrin disa hapa për të lehtësuar pagesën e taksave dhe tarifave. Deri më tani është bërë e ditur që Bashkia e Tiranës ka vendosur përjashtim nga pagesa e shfrytëzimit të tarifës së zënies së hapësirës publike për muajin mars dhe prill si dhe shtyrjen e afatit të pagesës së taksave dhe tarifave vendore nga prilli në fund të muajit qershor. Po ashtu, për detyrimet e qershorit është vendosur shtyrja e këtyre pagesave për në muajin gusht. Ndërkaq, përmes këtij forumi të “Porta Vendore”, 20 kryebashkiakët tregojnë masat që planifikohen të ndërmerren me qëllim lehtësimin e biznesit, masa të cilat ndryshojnë sipas bashkive. Specifik mbetet rasti i Bashkisë Shkodër, ku Këshilli Bashkiak ka rrëzuar propozimet për lehtësimin e pagesave, ndërkohë që kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli nuk iu përgjigj interesit të ‘Porta Vendore”, mbi masa të mundshme lehtësuese ndaj biznesit për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19.

Ervin Demo-Bashkia Berat
Afatet normale janë që në datën 20 prill duhen bërë pagesat e taksave dhe tarifave vendore. Për bizneset që kanë qenë hapur do të kërkojmë që të respektojnë afatet e pagesave deri në datën 20 prill. Nëse ne nuk e bëjmë këtë do të jemi pranë kolapsit. Për gjithë bizneset e tjerë që kanë qenë mbyllur, ne do të bëjmë spostim të pagesave të taksave dhe tarifave lokale deri në muajin qershor. Në të njëjtën kohë i kemi ndarë në 2 këste. Kjo është bërë edhe përpara situatës së krijuar nga COVID-19: një këst ishte në prill dhe kësti tjetër në qershor. Në mometin që do të bëhen spostimet, kësti i parë do të kalojë në qershor, ndërsa kësti i dytë në shtator. Lehtësi të tjera parashikohen për tregun industrial në Berat, që ka rreth 150 individë të vetëpunësuar që shesin në treg e që paguajnë një qira minimale në bashki (8-9 mijë lekë në muaj). Për këto biznese që operojnë në këtë treg për muajt mars, prill dhe maj do të zerohet pagesa e qerasë. Po ashtu, është zeruar edhe taksa për shfrytëzimin e hapësirës publike. Tashmë kjo masë ka hyrë në fuqi, pasi është miratuar në Këshill Bashkiak para 2 javësh. Berati është një nga qytetet më të goditur nga COVID-19. 2 nga sektorët kryesorë që janë turizmi dhe fasonët që ne kemi një densitet shumë të madh në këta 2 sektorë janë prekur nga kriza.
Adriatik Mema-Bashkia Skrapar
Pagesën e taksave ne e kemi lënë në maj, ky ka qenë afati. Tani jemi duke u konsultuar me grupet e interesit për të parë nëse do e shtyjmë apo jo pagesën e tyre. Tjetra që po mendojmë është që në fakt në paketën fiskale unë nuk kam lëvizur asgjë si bashki, dhe nuk është se ka qenë një paketë e rënduar fiskale për bizneset, por kam zhvilluar një mbledhje me stafin dhe i kam kërkuar që të llogarisin se cilat janë efektet financiare për këtë gjë dhe ndoshta javën që vjen do të dal me një vendim, sikurse kanë bërë edhe bashki të tjera. Ne po mendojmë, që për të gjithë periudhën që shumë biznese nuk kanë ushtruar aktivitetin e tyre, se çfarë do t’i lehtësojmë, por ajo që theksoj është që lehtësimi është bërë që në fillim. Nëse bashkitë e tjera aplikuan taksa më të rënda ndaj bizneseve, unë ruajta të njëjtin nivel, madje edhe kam ulur disa taksa për t’i stimuluar në aktivitetin e tyre.
Dionis Imeraj- Bashkia Dibër
Mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak do të jetë pikërisht për lehtësimin e taksave ndaj biznesit. Ne kemi planifikuar që të mos aplikohen kamatvonesa për pagesën e taksave dhe pagesa për biznesin e vogël për 3-mujorin e parë do të shtyhet për më vonë, ndoshta në qershor ose korrik. Pra, të gjithë detyrimet vendore që duhet të paguheshin në muajin prill do shtyhen. Po ashtu, ne po bëjmë planifikimin, sepse në bazë të llogarive që po bëjmë dhe analizës së subjekteve që lejohen të kryejnë aktivitet ekonomik, ndoshta mund t’i hiqet detyrimi për muajin që nuk ka funksionuar. Pra, nëse në vit paguajnë 12 mijë lekë, tani do të paguajë 11 mijë lekë pra do zbritet periudha që ka qenë mbyllur. Aktualisht po përgatisim projekt-vendimin për ta kaluar në Këshillin Bashkiak.
Sotiraq Filo- Bashkia Korçë
Ne kemi hartuar draftin dhe besoj do ta kalojmë në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak. Ne i kemi ndarë bizneset në 2 kategori: në ato që lejohen të ushtrojnë aktivitet dhe në ato që janë pezulluar. Për bizneset që lejohet të punojnë, kemi menduar që pagesa e tarifave vendore të ndahet në 2 këste. Kjo kategori e ka patur afatin deri në datën 20 prill dhe kemi vendosur që këstin e parë ta paguajnë deri në 20 maj, ndërsa të dytin deri në 30 qershor. Ndërkohë, për bizneset që nuk lejohet të punojnë përsëri pagesat do të bëhen në 2 këste: kësti i parë në 30 qershor dhe kësti i dytë në 30 gusht. E dyta, kemi vendosur të pezullojnë pagesën e tarifës për shfrytëzimin e hapësirave publike pë periudhën e emergjencës për bizneset që janë të bllokuar. Kjo edhe për disa tregje, që edhe ata paguanin një tarifë të hapësirës publike. E treta kemi vendosur të shtyjmë me kohëzjatjen e emergjencës dhe pagesat e bizneseve që ishin debitorë ndaj bashkisë dhe kishin një marrëveshje të pagesës me këste. Pra, kemi disa biznese që janë debitorë për detyrimet e tyre të taksave dhe tarifave vendore dhe që kanë patur një marrëveshje për shlyerjen me këste. Për muajt që do të zgjasë emergjenca do iu shtyhet pa penalitet kësti i aktmarrëveshjes. Nga një informacion që kemi përgatitur me Tatimet, subjekte që nuk lejohet të ushtrojnë aktivitetin janë nga biznesi i vogël 1434 dhe nga biznesi i madh 115. Ndërkohë që, subjekte që lejohen nga biznesi i vogël janë 1366 dhe nga biznesi i madh 547.
Erion Isai- Bashkia Kolonjë
Ne kemi miratuar tashmë në Këshill pezullimin e pagesave deri në tejkalimin e situatës dhe më pas do të shikojmë në bazë të projekt-buxhetit se çfarë lehtësira fiskale do të ndërmarrim. Sa i takon zerimit të taksave apo tarifave, kjo do të bëhet në varësi të situatës së emergjencës dhe më pas të shtrira në planin buxhetor do të shikojmë për realizimin dhe faktikun se cilat taksa do të lehtësojmë apo edhe zerojmë. Por duke qenë se askush nuk e di se kur mbyllet situata e emergjencës lehtësitë do të varen nga kohëzgjataja. Nëse mbyllet në fund të muajit prill apo maj do të ketw lehtësi fiskale të mëdha, nëse zgjat do të ketë më pak, me qëllim që të mos rrezikohet funksionimi i bashkisë.
Pjerin Ndreu-Bashkia Lezhë
Ne tashmë e kemi miratuar në Këshill Bashkiak një paketë lehtësuese. Ne kemi fshirë të gjithë detyrimet e biznesit që nuk ushtrojnë aktivitet për një periudhë 2-mujore (mars-prill). Po ashtu, kemi shtyrë afatin e pagesave për bizneset që vazhdojnë të operojnë përmes 2 kësteve, për në qershor dhe në tetor sepse kuptohet jo të gjithë operojnë me kapacitet të plotë. Ndërkohë që, në varësi të ecurisë së fatkeqësisë natyrore do të shikojmë sesi do të veprohet edhe për muajin maj. Janë rreth 3300 biznese që operojnë në Bashkinë e Lezhës, ndërkohë që në bazë të vendimeve që merr qeveria për hapjen apo mbylljen e bizneseve, veprojmë edhe ne me taksat dhe tarifat vendore.
Adriatik Zotkaj- Bashkia Poliçan
Jemi duke hartuar një paketë lehtësuese, kjo duke parë edhe situatën sesi do të shkojë, pasi nuk mund të përcaktojmë sot për sot. Për biznesin, ne duam të hartojmë një strategji brenda vitit, duke parë edhe vendimet e qeverisë sesi do të ecë hapja e bizneseve sepse për momentin në Bashkinë Poliçan nuk ka përfituar askush. Në momentin që do të përfitojë një kategori biznesi dhe strategjisë që do të ndjekë qeveria, ne pastaj do të hedhin hapat tanë. Ne i kemi përjashtuar nga taksa e shfrytëzimit të hapësirës publike biznesin e vogël dhe të gjitha detyrimet që kanë ata ndaj bashkisë, deri në momentin që do të rifillojë puna normalisht. Pra, ne i kemi falur me një vendim të Këshillit Bashkiak. Ne si bashki kemi edhe një specifikë, që ne i kemi mbyllur me vendim këshilli të gjithë bizneset dhe shërbimet ofrohen në shtëpi, nëpërmjet punonjësve të shërbimit social. Ndërkohë, për detyrimet e mëparshme do të heqim kamatvonesat, por nuk mund t’i falim sepse pastaj “do të na bjerë çatia mbi kokë”, pasi 2 burime të ardhurash kemi: buxhetin e shtetit dhe taksat e biznesit. Ndërkohë po shikojmë sesi do të veprojmë edhe për biznesin e madh.
Fatos Tushe- Bashkia Lushnje
Deri tani ne nuk kemi kërkuar pagesën e taksave, pra e kemi lënë për një moment të dytë, ndërkohë po vazhdojmë punën me situatën e emergjencës. Kemi hartuar një material dhe presim të mbledhim Këshillin Bashkiak online dhe do të marrim masat e nevojshme ku përfshihet shtyrja e pagesës së taksave në një moment të dytë. Ne e kemi lënë për javën që vjen mbledhjen e KB-së që të diskutojmë rreth gjithë problemeve që ka biznesi i vogël apo biznesi i madh apo edhe problematika të tjera, sikurse më ndodhi sot me disa tregtarë ambulantë, që presin të nisin aktivitetin së shpejti.
Zhyljen Varfi- Bashkia Durrës
Për bizneset, ne kemi përgatitur projektvendimin, që parashikon shtyrjen e afatit të pagesës së tarifave vendore nga data 20 Prill 2020, për në datën 30 Qershor 2020 për të gjitha aktivitetet e mbyllura, në zbatim të Urdhërit nr.193, datë 20.03.2020 të Ministrisw së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale “Për kufizimin apo mbylljen e lëvizjeve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Projektvendimi pritet të kalojë në Këshillin Bashkiak.
Jorgo Goro-Bashkia Himarë
Ne kemi spostuar pagesën e taksave në kohë. Bizneset duhet të paguanin deri në datën 20 prill taksat vendore, ndërkohë që ne i kemi shtyrë për në 20 tetor. Ndërsa sa i takon shfrytëzimit të hapësirave publike do të shikojmë në varësi të ecurisë së fatkeqësisë natyrore dhe muaj pas muaji. Ne kontratat për hapësirat publike i kemi për periudhën maj-shtator, për shkak se janë biznese sezonale. Ndaj nëse bizneset nuk do të hapen në muajin maj, nuk do të paguajnë taksën e hapësirës publike për muajin maj.

Armando Subashi-Bashkia Fier
Jemi duke përgatitur vendimin dhe mendoj brenda datës 17 prill do e shpërndajmë paraparakisht për këshilltarët në mënyrë virtuale dhe më pas mund të kemi një variant që do ta kalojmë për miratim. Për momentin nuk mund të them dot detaje sepse janë ekspertët e taksave dhe tatimeve që po merren me përllogaritjet. Po ashtu, jemi në kontakt edhe me shoqata të biznesit. Ne përgjithësisht i kemi pezulluar, pra nuk po kërkojmë të bëhen pagesat kështu që s’kemi arsye përse të nxitohemi. Duam që të merren masat e duhura.
Kastriot Gurra-Bashkia Librazhd
Deri më tani nuk jemi marrë me hartimin e një pakete lehtësusese për bizneset sepse ne nuk e dimë sesa do të zgjasë kjo situatë. Duke mos ditur afatin e kemi të vështirë, por ajo që do të bëjmë ne është të heqim taksën e hapësirës publike, duke qenë se ato biznese nuk e kanë shfrytëzuar. Mbase mund të ketë edhe një rishikim të taksave apo tarifave, por nuk di ta them sot sepse duhet të dimë më parë sesa do të jetë afati i zgjatjes së kësaj situate. Vetëm kur të dimë këtë afat do të mund të nisim të bëjmë llogaritë.
Safet Gjici-Bashkia Kukës
Ne kemi bërë 2 projektvendime gati. Projektvendimi i parë ka të bëjë me shtyrjen e afatit të pagesave të taksave të bashkisë nga 20 prilli në 20 qershor, pa penalitete. Projektvendimi i dytë është për të gjitha bizneset që zënë hapësira publike, nuk do të paguajnë për 12 muaj, por do u vlerësohet taksa për 7 muaj. Janë 2 projektvendime që janë në ndihmë kryesisht të bizneseve të vogla, që janë edhe fasha më e prekur. Projektvendimet do të miratohen në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak. Janë mbi 600 biznese që përfitojnë nga kjo paketë.
Gjolek Guci-Bashkia Memaliaj
Përgjithësisht ne jemi në të njëjtën linjë me bashkitë e tjera. Në Bashkinë Memaliaj bizneset janë të pakta, por gjithsesi ne do marrim në konsideratë shtyrjen e taksave apo problematika të tjera që mund të ketë biznesi. Gjithsesi taksat që paguan biznesi janë të pakta, ndërkohë që masat që do të merren në bashkëpunim me Këshillin Bashkiak dhe në mometnin që do të miratohen do të publikohen edhe në faqen e Bashkisë Memaliaj.
Gledian Llatja-Bashkia Elbasan
Ne i kemi kërkuar ndihmë organizatave që kemi patur bashkëpunim, sikurse është USAID apo Shoqatës së Bashkive në lidhje me buxhetin. Do të ketë një paketë për lehtësim taksash, në momentin që do të qetësohet situata sepse ne tani nuk e dimë si do të shkojë. Në momentin më të parë do ia propozojmë Këshillit Bashkiak, do të rishikojmë edhe njëherë buxhetin, tarifat dhe sidomos tarifën ë shfrytëzimit të sipërfaqes publike, e cila gjatë gjithë kësaj periudhe nuk është përdorur nga biznesi dhe automatikisht do falet. Po ashtu, është pjesa e taksave të tjera që do shihen mundësi lehtësimi. Absolutisht edhe kontratat e tregjeve publike që i ka bashkia kontratat e veta, absolutisht gjatë gjithë kohës së fatkeqësisë do rishikohen. Do jetë një paketë fiskale që do e përgatisim me ekspertë. Është hera e parë që ndodh një gjë e tillë, ndaj ne kërkojmë një ekspertizë që dhe ne të kemi një ide të qartë dhe nga ana tjetër ne të bëjmë një plan të ardhshëm për pjesën e mbetur të vitit. Ajo që do bëjmë është që do ndajmë në dy fasha pjesën e tarifimit të taksave vendore dhe pastaj në bazë të saj do të bëhen të gjitha riskedulimet. Sa i takon kohës së miratimit, ne nuk dalim dot në këtë moment me një paketë, pasi përshembull nga java që vjen mund të ketë një kategori biznesesh që do lejohen të punojnë.
Ndrec Dedaj-Bashkia Mirditë
Gjatë gjithë kohëzgjatjes së karantinës nuk do të paguhet taksa e hapësirës publike. Ende nuk është miratuar në Këshill Bashkiak, por besoj do të miratohet në mbledhjen e ardhshme, sapo të qetësohet pak situata. Ndërsa për taksat e tjera nuk do të ketë asnjë ndryshim. Gjithsesi biznesi në Mirditë ka taksat më të ulta në të gjithë vendin dhe të ardhurat më të pakta për numër banorësh.
Adrian Gurma- Bashkia Sarandë
Jemi në diskutim për heqjen e taksës së hapësirave publike për momentin. Besoj nuk do ta aplikojmë për muajt mars dhe prill. Duke qenë se në Bashkinë Sarandë janë aktivitete që lidhen kryesisht me turizmin, pjesa më e madhe e bizneseve nuk kanë filluar punën, pra janë me NIPT-e të mbyllura, por ne do shikojmë edhe mundësinë e lehtësimit të taksave. Të gjitha këto janë vendimmarrje që kryetari i bashkisë dhe stafi ia propozojnë Këshillit Bashkiak dhe është ai që vendos.
Alma Hoxha- Bashkia Përmet
Jemi duke hartuar projektvendimet për t’i kaluar në një mbledhje të Këshillit Bashkiak. Do të heqim taksën për zënien e hapësirave publike për këto muaj që nuk u punua nga biznesi dhe do të shtyjmë patjetër edhe afatet për pagesën e taksave vendore. Besoj se brenda javës tjetër do t’i kalojmë në Këshill Bashkiak, pasi grupi i punës është duke hartuar projektvendimet. Numri i bizneseve që përfitojnë është i konsiderueshëm, pasi të gjithëve do iu shtyhen afatet e pagesave të taksave dhe të gjithë ata që kanë marrë hapësira publike do të përjashtohen nga taksa për muajin mars dhe prill.
Flamur Golemi- Bashkia Gjirokastër
Masat që do i paraqesim Këshillit Bashkiak janë këto: Së pari nuk do të ketë asnjë penalitet ndaj bizneseve që duhet të paguanin deri në fund të marsit detyrimet bashkiake. Së dyti, për ato biznese që nuk kanë funksionuar, taksat vendore do t’u zbriten për muajt që kanë qenë të mbyllur. Ndërsa masa e tretë, për këtë vit të gjithë bizneset për hapësirat publike do të paguajnë vetëm për 6 muaj shfrytëzim dhe jo për 12 muaj. Sa i takon kohës kur do të miratohet në Këshill Bashkiak, ne së pari nuk e dimë sa do të zgjasë emergjenca, por besoj brenda muajit do të bëjmë mbledhjen.
Tërmet Peçi-Bashkia Tepelenë
Do miratojmë në Këshill Bashkiak të gjitha lehtësimet për biznesin e vogël. Besoj që do të ketë shtyrje të pagesës së taksave vendore. Sa i takon taksës për zënien e hapësirave publike jemi duke e diskutuar, por kur të merret Vendimi i Këshillit Bashkiak do të japim detaje
