17 prill 2020/ Engjëll Serjani/ Porta Vendore
Në këto ditë të vështira të pandemisë që ka përfshirë rruzullin, përkrah trupave të policisë shqiptare, shërbejnë më të njëjtën devotshmëri edhe trupat speciale të FRONTEX. Djemtë e Agjencisë së Rojës Kufitare dhe Bregdetare të BE-së, kanë për detyrë të kontrollojnë dhe inspektojnë kufirin për të parandaluar kalimet e pa autorizuara, emigracionin e paligjshëm dhe krimin ndërkufitar.
“Të shërbesh në Jug të Shqipërisë është fat i madh”
“Të shërbesh në Jug të Shqipërisë është fat i madh”, kështu shprehet oficeri çek Bohumil Charvàt që së bashku me grupin çek janë akomoduar në mënyrë të përhershme në Hotel Kodra në qendër të qytetit të gurtë të Gjirokastrës. Kur po niseshim, tregon ai, askush nuk dëshironte të vinte në rajonin jugor të kufirit, por tani pas një viti Gjirokastra dhe Jugu janë në preferencë e të gjithë grupeve nga vende të ndryshme Europiane.
Oficerët çekë vlerësojnë gjithçka këtu: njerëzit, bujarinë, kushtet e shërbimit, ushqimin, fjetjen, traditat, artin, kulturën, peizazhin, historinë. Mbi gjithçka, ata shprehen se vlerësojnë pasuritë e mëdha kulturore dhe natyrore. Trupat e FRONTEX patrullojnë një pjesë të madhe të kufirit shtetëror midis Shqipërisë dhe Greqisë, nga Kepi i Stillos në Sarandë, deri në Tri Urat e Përmetit. Kjo hapësirë me peizazhet e saj të larmishme natyrore dhe me monumentet impresionuese të kulturës dhe historisë kombëtare ka tërhequr dhe tërheq interesin e këtyre djemve të moshës 25-30 vjeçare që vinë nga vende të BE-së si: Gjermania, Çekia, Franca, etj.
Grupi i oficerëve të policisë çekë mori një ftesë nga Hysen Kodra, pronari i Hotel Kodra për të vizituar Fushën e Çajupit, një fushë në lartësinë 1500 metra nga niveli i detit. “Fusha mbi male” e Çajupit gjendet rreth 25 km larg nga Gjirokastra, mbi Malin e Lunxhërisë. Porta hyrëse për në krahinën e Zagorisë, vendi i poezisë dhe i kaçakëve. Sepse është vendi që i dha emrin artistik poetit kombëtar Andon Zako Çajupi, por edhe vendi që në këngë të grupit polifonik të Odries cilësohet “pusi e hajdutëve”. Si gjithmonë dhe kudo, edhe këtu e mira dhe e keqja janë bashkë.
“Bujaria gjirokastrite, sa larg mitit të kurnacërisë!”
Në një ditë pushimi për ta, grupi çek i shoqëruar nga miku i tyre Hysen Kodra dhe unë në rolin e udhërrëfyesit u nisëm për në Çajup. Grupit tonë iu bashkua edhe Adriatik Shino, këshilltar sigurie në Ambasadën e Republikës Çeke. Prania e Adriatikut në grupin “eksplorator” turistik me destinacion Çajupin, ishte një befasi e kënaqësi, sidomos për mua personalisht. Tiku, ishte miku im i viteve të rinisë. Ai kishte emigruar qysh pas ndryshimeve social-politike në 1990 në ish-Çekosllovaki. Kishim pasur një rini të vështirë, por më shumë dashuri për jetën. Dolëm nga qyteti dhe po e sodisnim Gjirokastrën hijerëndë të shtrirë mbi katër kodra. Njëri prej oficerëve çekë, pasi shprehu një lloj falënderimi dhe mirënjohjen për pronarin e hotelit, që ai i fliste me emrin shkurt “Ceni”, më pyeti nën zë: “Pse thonë për ju gjirokastritët jeni dorështrënguar? Po mundohem kam ditë që të gjej një dëshmi për këtë gjë dhe nuk po e gjej?!” “Legjenda rurale”, i them. “Në leksionet e marketingut thuhet ‘promocion me sens negativ’. Nuk ka problem, le të thonë, ti shijo realitetin sipas konstatimeve të tua”. Ai vazhdon të qeshë dhe më thotë: “Kemi edhe ne në Çeki një ‘Gjirokastër’. Kështu është kudo, edhe ata nuk janë dorështrënguar. Bujaria gjirokastrite, shumë larg mitit të kurnacërisë!”. “Më mirë të të dalë syri, së nam”, i them mikut tim çek. Më tregoi një emër qyteti që nuk e mbajta mend. Qeshim të dy.
Ndalimi i parë në Burimin e Serpenit mbi Erind, pika nga ku vështrimi përfshin gjithë Lunxhërinë dhe Odrien. Por, më mahnitëse për ta është pamja që shpalos Qafa e Koresës, te Shkëmbinjtë e Thepisur. Prej andej, vështrimi i vizitorit përfshin një territor nga Kakavija dhe mali i Murganës në Jug, e deri në Grykën e Tepelenës mes maleve të Kurveleshit dhe Golikut. “Pamje e pazakontë. Prej këtu unë dalloj Doganën e Kakavijës, që ndodhet përafërsisht rreth 40-50 km distancë”, thotë Pavel Chouanec. Grupi i ushtarakëve çekë nuk mund të largohet nga këtu pa bërë një fotografi.
“Odrie, e bukur Odrie
Gjithë lisa, gjithë hije..”
Rruga që është e shtruar më asfalt deri në Çajup, dredhon midis korijeve të Odries, të cilave u këndohet: “Odrie e bukur Odrie, Tërë lisa, gjithë hije”. Pak më poshtë rrugës, është Burimi i Hosit, nga ku furnizohet me ujë të pijshëm qyteti i Gjirokastrës. Ujë që buron nga “zemra” e malit të Lunxhërisë. Krahina e Odries ka si kryeqendër Labovën e Zhapës. Krahina ka në përbërje 4 fshatra autoktonë: Labovë e Madhe, Labovë e Vogël, Hundëkuq dhe Tërbuq. Historikisht ka ndërruar disa herë ndërvarësinë administrative. Herë bënte pjesë në krahinën e Rrëzës, me Hormovën, Leklin dhe Kodrën në nënprefekturën e Tepelenës, herë në krahinën e Lunxhërisë. Labova e Zhapës e ka marrë këtë “mbiemër” për dy arsye: E para, për ta dalluar nga Labova e Kryqit, fshat që ndodhet në skajin lindor të Lunxhërisë, në këmbë të malit të Buretos. E dyta për nder të Vangjel e Konstanin Zhapës, dy vëllezërve bamirës me orgjinë nga ky fshat, që njihen si iniciues të sistemit të marrëdhënieve ekonomike kapitaliste në Ballkan, kryesisht në Rumani e Greqi dhe si personat që iniciuan dhe sponsorizuan lojërat e para olimpike moderne.
Qafa e Çajupit, “belvederë” nga natyra
Ndalesa e radhës, Qafa e Çajupit, një belvederë nga ku vetëm një lëvizje e kokës, vështrimi rrok dy pamje mahnitëse. Në njërën anë nga lindja, Fusha e Çajupit. Nga perëndimi, Lugina e bekuar e Drinos me gjithë hiret e saj. Këtu ka shumë punë aparati fotografik dhe kamerat e celularëve. Shkrepje të panumërta. Ndonjëri lidhet online me të dashurit e tij. Kamera lëviz pa kufi 360 gradë. Të tjerët postojnë me padurim foto pa fund. Një entuziazëm i pazakontë mes këtyre djemve që profesioni u imponon maturi e seriozitet. Udhërrëfyesi këtu ka shumë pak punë. E ka mjaftë të lehtë. Mjafton të drejtosh gishtin nga Gjirokastra, Dropulli, Lazarati, Mashkullora, Cepo, Kardhiqi, Picari, Kurveleshi, Tepelena…

Pamja poshtë majave të këpucëve, ngjan si maket arkitekti në miniaturë. Vëmendjen e tyre e tërheq një liqenth i vogël, që barinjtë vendas i thonë “lerë” dhe e kanë ndërtuar për të mbledhur ujin e borës së shkrirë. Ky ujë rezervohet për të pirë bagëtia në verë. Më tej në shpatin e djathtë, një objekt rrënojë. Objekti dikur, nga viti 1972 ishte vendi ku ishte vendosur një antenë përsëritëse nga ku merrej sinjal i Televizionit Italian RAI.
“Çekët i duan fort malet”, thotë ambasadori çek
Duke parë entuziazmin e oficerëve të policisë çekë gjatë këtij udhëtimi, më erdhën ndërmend bisedat me Ambasadorin e Çekisë në Tiranë, shkëlqesinë e tij Jarosllav Ludva, gjatë vizitës së tij në Gjirokastër pak kohë më parë. “Çekët janë një popull që i duan shumë malet. Jugu i Shqipërisë ka male të larta, por lehtësisht të vizitueshme, mjaft të përshtatshme për turizëm. Prandaj bashkëpunimi që kemi nisur me Bashkinë e Gjirokastrës, do ta thellojmë edhe më tej, sidomos në fushën e zhvillimit të turizmit natyror dhe kulturor”. Kjo vizitë në Çajup e këtyre djemve, dëshmonte pikërisht këtë ide, shumë turistë çekë mund të vizitojnë këtë rajon në të ardhmen. Dhe këta bashkudhëtarë mund të jenë promovuesit e parë. Ashtu qoftë. Karantina e ka patjetër një fund. Jeta dhe turizmi do të gëlojnë sërish në këto anë. “Se pas vdekjes, çeli jeta”, thotë Noli. Jemi ende në Qafë, në lartësinë rreth 1600 metra. Na duhet të zbresim 80-100 metra më poshtë për të prekur fushën e bekuar.
Karakolli i taborit të hajdutëve osmanë
Udhëtimi vazhdon. Zbresim nga Qafa drejt fushës së Çajupit. Rruga gjarpëron me disa kthesa. Por na duhet sërish të qëndrojmë. Në të djathtë të rrugës dallohet një objekt më shumë se 150-vjeçar. Karakolli i Taborit të Qafës së Çajupit. Objekt i ndërtuar gjatë periudhës së Reformave të Tanzimatit në epokën e errët të pushtimit turk të Shqipërisë. Fusha e Çajupit, sikurse thamë më lartë, konsiderohej si “pusi e hajdutëve”. Grupe hajdutësh zinin prita karvanëve të tregtarëve që lëviznin nga Lugina e Drinos, Gjirokastra e Janina drejt Zagorisë, dhe më tej përmes Qafës së Dhëmbëlit në zonën e Përmetit dhe Frashërit dhe anasjelltas. Autoritetet osmane vendosën këtu një pikë kontrolli ku qëndronin patrullat e perandorisë.
Grabitësit përgjithësisht “gjuanin” kurbetlinjtë që ktheheshin nga emigracioni i largët, Amerika, Australia, Franca, Britania e vende të tjera. Ata kishin “verdhushka”. Gojëdhënat thonë se emigrantët për të mos u grabitur, i qepnin monedhat në veshjet e tyre. Mërgimtarët, tregtarët dhe karvanarët, shpesh monedhat e florinjta i fshihnin në rripin e qenit, samarët, këmborët dhe patkonjtë e kalit.
Karakolli, vërtet i shpëtoi, karvanët e mallrave e të njerëzve nga “hajdutët me kaçule”, por ata ranë pre e grabitjes nga koshallet me uniforma të turkut. Pengjet këtu grabiteshin dyfish nga këta të fundit, drejtpërdrejt nga kuleta dhe nga taksat e rënda. Sidoqoftë, karakolli mbetet një objekt shumë tërheqës historik. Por, ende jo në listën e monumenteve të kulturës. Dhe ky fakt dhe gjendja e tij në rrënim e sipër, e bën Cenin, bashkudhëtarin tonë tepër nervoz. “Si mund të lihen këto vlera në mëshirë të fatit?!” thotë Hyseni. Ai më lutet që të shkruaj një tekst me informacion për të vendosur bashkarish një tabelë me historinë e karakollit, për të orientuar udhëtarët, për ta parë dhe për të mësuar historinë e këtij monumenti historik. Idesë për vendosjen e një tabele orientuese dygjuhëshe, shqip-anglisht, për vizitorët i bashkohet edhe miku im i rinisë. Ai shpreh gatishmërinë edhe për të sponsorizuar. “Me një investim fare të vogël, këtë objekt historik kaq interesant, e transformon në një atraksion turistik”, nënvizon Adriatiku.
Ky objekt historik është ndërtuar 100 % me gurë të latuar, marrë nga shpati i malit përreth tij. Muri është një metër i trashë. Më e pabesueshmja për vizitorët çekë është mjeshtëria e ustallarëve vendas që e kanë mbuluar një objekt rreth 40 m² me një çati pa trarë mbështetës, gurë mbi kurë. Në gjuhën e ustallarëve lunxhiotë të urave, krojeve dhe kalave, ky stil ndërtimi quhet “çati me qemerë”, pa llaç e pa trarë. “E habitshme, si janë vendosur ata gurë pa u mbështet askund, përveçse te vetvetja”, shprehet Pavel. Ai gjen dhe u tregon kolegëve objekte funksionale nga mjedisi i brendshëm i këtij karakolli, vatrën e zjarrit, kamaret e municioneve, frëngjitë, vendet e fjetjes dhe vendin e kandilave ndriçues.
U shpjegoj vizitorëve nga Çekia se këtu në këtë “fushëmal”, arkeologët kanë gjetur objekte arkeologjike të periudhës prehistorike. Vegla pune të përgatitura me anë të metodës së quajtur prej tyre “Levalua” (Levallois), tipike të paleolitit të mesëm. “Bërthama e stralleve të gjetur ka patinë të trashë, çka mund të përbëjë një tregues relativ për vjetërsinë e saj në krahasim me strallet e komponentëve të mëvonshëm. Kurse ashklat dhe vegla janë hequr me anë të goditjes së drejtpërdrejt me çekiç të fortë”, kaq mjafton të dëgjojnë dhe më pas të vazhdojë një mori pyetjesh. Sigurisht, pyetje që për kompetencë shkencore kërkonin patjetër argumente dhe prezencë të arkeologut Prof. Dhimitër Çondi, i cili fatkeqësisht nuk mundi të bashkohet me grupit tonë për shkak të karantinës.

Krojet e Çajupit, “O të shërojnë, o të qërojnë”
Më në fund zbresim drejt ultësirës së Çajupit. Nga këtu “fusha rrethuar me male”, ngjan më një arenë gjigande gladiatorësh. Kjo pllajë ndodhet në lartësinë 1536 metër mbi nivelin e detit, është 900 metra e gjatë dhe 500 metra e gjerë. Në të gjitha anët e fushës, bie në sy kurora me dru të egër frutor qershi, kumbulla, thanë e gorrica. Aty-këtu dallohen ngrehina të ndryshme, kasolle barinjsh, vatha bagëtish, shtrungat e mjeljes të qumështit të dhenve dhe dhive, baxho të përpunimit të qumështit. Në veri të fushës dallohen rrënojat e ish-repartit ushtarak të zbulimit të ish-divizionit “Labëria”. Dikur vinin këtu grupe të rinjsh gjimnazistë që bënin ski me ushtarët dhe oficerët e repartit të zbulimit. “Në inventarin e repartit në atë kohë, kishim rreth 150 palë ski. Një numër i mjaftueshëm, jo vetëm për programin stërvitor të ushtarëve dhe oficerëve në repartin tonë të zbulimit, por edhe për grupeve të të rinjve që vinin këtu për tu argëtuar me ski. Shpatet përreth fushës janë pista të shkëlqyera natyrore, mjaftë të përshtatshme për këtë lloj sporti”, më thotë vazhdimisht ish-oficeri i repartit të zbulimit, ish shoku im i klasës Jorgo Qirko. Fusha ka tre burime uji: Më i famshmi Kroi i Bratit në jugperëndim, Kroi i Jankos në pjesën veriore dhe Kroi i Shënepremtes. Miqtë çekë duan të dinë gjithçka për këtë vend përrallor.
Vitet e fundit këtu janë ngritur dy njësi shërbimi turistik. Fillimisht është ngritur Bujtina e vëllezërve Miho nga Gjirokastra. Bujtina e tyre është ngritur mbi themelet e nisura për hotel qysh para vitit 1990 nga shteti socialist. Hoteli, që nuk arriti të ngrihej dot asnjëherë mbi nivelin e themeleve, ishte një rekomandim personal i ish-udhëheqësit Enver Hoxha. Ish-liderin e lidhte me këtë vend një histori familjare. Aty kishte çuar dikur për t’u kuruar nga turbekulozi Beqirin, vëllain e tij. Klima, uji, bimësia, ushqimi nga stanet e kuçiotëve bënë që vëllai i Enverit të përmirësohet nga shëndeti. Familja e tij veroi dy muaj në një çadër në të majtë të burimit. Ndoshta kjo është arsyeja pse aty u hapën themelet e hotelit fantazmë në vitet e komunizmit. Kishte një slogan përkushtimi për udhëheqësin komunist: “Aty ku të vësh ti këmbën, ne do vëmë kokën”. Por siç shkruan vetë Enveri, disa vjet më vonë, vëllai e humbi jetën.
Sipas legjendave dhe gojëdhënave, uji i Bratit, i ftohtë aq sa dora, nuk e përballon dot rrjedhën e tij për 10 sekonda në pik të gushtit, ky ujë është kurues dhe konsiderohet “ilaç” për shumë sëmundje. Prandaj edhe plani i qeverisë komuniste ishte që hoteli të shërbente si qendër kurimi. Për këtë arsye themelet u hapën shumë pranë Burimit të Bratit. Por vetëm kaq, prej më shumë se 30 vjet, ideja e Enverit mbeti vetëm ide.
Vendasit kanë shumë legjenda dhe histori të vërteta për këto burime. Jo më kot gjirokastritët për burimet e Çajupit thonë: “Oftika-qarët (domethënë tuberkulozët) ai o i shëron, o i qëron”. Mërgimtari Kiço Andoni nga Vithuqi i Zagorisë, thonë zagoritët, u sëmur në Amerikë nga tuberkulozi. Mjekët ia hoqën shpresën e jetës. U kthye nga Kanadaja të vdiste në atdhe. Bashkëfshatarët i sugjeruan që të jetonte ca kohë në Çajup. Ngriti një kasolle pranë Burimit të Jankos. Jetoi aty bashkë me gruan. Pas disa kohësh Kiço u shërua. Kur u kthye përsëri në Amerikë, doktorët nuk u besonin syve. Emrin e burimit, Janko ia vuri djalit që i lindi pas sëmundjes.
Bujtës te Pëllumbi në “Kamping Çajupi”
“Kamping Çajupi” është bujtina tjetër. Një fermë blegtorale e familjes Koka nga Picari. Kalojmë para Burimit të Bratit. Rruga e shtruar me asfalt mbaron këtu. Rruga më tej, të çon në Zagorie përmes pyllit të Hijes së Mallkuar dhe Pyllit Shkëmbor të Topovës, dy monumente të natyrës shumë afër nga fusha e Çajupit. Por destinacioni ynë ndalet këtu. Me ftesë të Cenit, sot grupi do të drekojë në bujtinën “Kamping Çajupi”. Fantazi, ide dhe projekt në realizim e sipër i 30-vjeçarit Pëllumb Koka. Rruga prej burimit, deri te bujtina, na shijon shumë ta bëjmë më këmbë e dalëngadalë. Nën shijen e fijeve të barit dhe luleve të para të marsit hyjmë në kamping. Qëndrojmë para kabinave të shtruara me pllaka. Kënaqësi të shohësh pamjen përpara që të zgjeron mushkëritë. Vështrimi bredh sa andej këndej. Simfonia e natyrës këtu ka tinguj sa lirikë dhe epikë. Vend ku ajri, gurët, bimët, tingujt e këmborëve dhe zileve, cicërimat, të japin ndjesinë e gojëdhënave dhe të hapësirës pa kufi. Edhe pse gjendesh brenda një relievi të lugët, rrethuar nga male, përsëri shpirti mbushet me jetë. Këtu merr kuptimin e plotë fjala paqe.
Bujtina e Pëllumbit, ka pamjen, aromën, infrastrukturën, enët, veshjet, orenditë dhe të gjitha elementët e stanit dhe motivet baritore. Këtu ndihesh edhe çoban edhe “pasha”. Miqtë nga Çekia nisin të argëtohen me sharkun e çobanit. Bërruci dhe qylafi qarkulluan tek të gjithë. Një foto me pamjen e çobanit shqiptar, me shark e qylaf, ia vlen ta postosh tek të dashurit në Çeki. Kërraba, këmborët, zilet, helli, pirostia, zjarri, qentë e stanit, bagëtitë, shtrunga, vedrat e qumështit, sahanët, lugët e drunjta, delet, dhitë e kecat, dash përçorë dhe kasollja e çobanit, të gjitha këto i soditën dhe i prekën më kërshërinë më të madhe miqtë çekë.

Tryeza e ushqimit ishte një histori tjetër kënaqësie për ta. Një meny tërësisht tradicionale. Mish i pjekur në hell, kukurec, mish prushi, shëllirë kaçupi, gjizë, djathë nape, djathë të njomë pa kripë, ngastër me lakra të egra dhe miell misri, kulaç gruri, byrek me lakra. Pak verë dhe pak raki, e shijojnë edhe ushtarakët.
“O Çajup, o vend i bukur,
O baçeje luleve…”
“Pamje mahnitëse, argëtim, zbulim, shije, paqe e harmoni”, kështu e përkufizoi atmosferën e përjetuar në Çajup komandanti i trupës së oficerëve të policisë çekë Simon Gocdmann. Pronari i bujtinës Pëllumbi, gjithmonë i gatshëm për të shërbyer dhe shpjeguar sekretet e Çajupit. Ai na tregon Shkëmbin e Zhejit, një masiv shkëmbor gjigand. Vend i papërshkueshëm nga këmba e njeriut. Aty është vendi i dhive të egra. Vetëm dylbitë mund të të ndihmojmë të shikosh dhitë e egra të malit, që kurrë nuk i kanë kapur saçmat e gjuetarëve. Ato janë qeniet sovrane të Shkëmbit të Zhejit.
Tani është rasti më i mirë për të kënduar polifoni dhe për të kujtuar atë këngën e bukur të Grupit të Odries: “O Çajup, o vend i bukur / O baçeje e luleve / Ujët e ftohtë si bora / Të bukur klimë që ke / Më përpara ti ke qenë / Pusi e hajdutëve / Po më pas ti u ktheve / fusha e prodhimeve”. Vargu i fundit, në fakt na kujton një katastrofë të viteve të komunizmit në këtë vend. NBU, ish-ndërmarrja bujqësore ushtarake, rreth viteve 1968-70 e mbolli fushën e Çajupit me patate. Për shkak të humusit shumëshekullor që ishte grumbulluar në fusha nga shpatet e maleve, prodhimi ishte i paimagjinueshëm. Një kokërr patate arriti mesatarisht 2 kg. Por në grumbullin e patateve mund të gjeje dhe patate deri në 4-5 kg. Për “udhëheqjen e partisë” ky ishte një sukses i madh. Kur në fakt nuk ishte veçse një trajtim mizor i kësaj hapësire unikale. Ndërhyrja shkatërroi diversitetin biologjik. Dhjetëra lloje bimësh dhe lulesh të rralla, u përmbysën nga plugu i thellë i Stalinecit. Një pasuri e rrallë bimore u shfaros e nuk pa më dritën e diellit. Edhe fjala “shfaros” këtu është në vendin e duhur. Farërat e bimëve u varrosën poshtë farës së patates që atëherë konsiderohej “edhe bukë edhe gjellë”. Kush e ka parë atë bukuri, “heq me shpirt’. Personalisht kam njohur një agronom me orgjinë nga Zheji, Jani Çarka quhej. Kur ia kujtoja dhe e pyesja Janin për lëndinat e Çajupit, atij i zbrisnin lot nga sytë.
Por, Çajupi vazhdon të jetë i bukur. Aq sa Andon Zakoja, poeti ynë kombëtar nga Sheperi i Zagorisë, e mori emrin e fushëmalit dhe ia bashkoi emrit të tij, Andon Zako Çajupi. Me siguri që këto vise të bekuara si këto rreth fushës së Çajupit, Brati, Liqëthi, Gropat e Idrizit, Hija e Mallkuar, ka pasur Poeti tjetër i Rilindjes “Naim Beu”, kur këndonte: “… Ku i bie bariu xhurasë / Ku kullosin bagëtia / Ku mërxen cjapi me zile / Atje i kam ment e mia”.
Miqtë çekë i kisha paralajmëruar qysh herët se “mbreti” i tavolinës këtu do të jetë delja me nënproduktet e saj. Filluan të falënderonin të zotin e bujtinës. Kjo tregonte se erdhi koha që vetë pronari i bujtinës Pëllumbi të zbulonte një “sekret” tjetër. “Ka një sekret ushqimi në Çajup, mund të konsumosh sa të duash mish qengji a keci, helli a prushi. Nëse pas ushqimit pi një gotë ujë Brati, me siguri do kërkosh mish përsëri”, thotë Pëllumbi. Komandat Simoni qesh dhe vazhdon duke qeshur të shprehë kënaqësinë e tij dhe të kolegëve, “Kjo është magjia dhe sfida e vërtetë që mund ta gjesh vetëm këtu në Çajup”.
Ushqim super BIO dhe ekuilibër mendor. Çajupi është vërtet magji. Vështirë të vish njëherë në Çajup dhe të mos kërkosh të rikthehesh. “Më ka ndodhur me shumë turistë, gjermanë, çekë dhe francezë. Kanë ardhur këtu për turizëm me kuaj të organizuar nga kompania turistike ‘Caravan Horse Riding Albania’ dhe disa prej tyre një vit më pas janë rikthyer me grupe familjarësh dhe miqsh për të pushuar këtu në kamping”, thotë Pëllumbi.
Fusha e Çajupit i ka mbijetuar jo vetëm hajdutëve, koshareve turke, çmendurisë së diktaturës por edhe lakmitarëve të pronësisë mbi të. Lakmia më e fundit është pronësia mbi këtë copë parajsë. Por kjo lakmi nuk erdhi as nga Ali Pashë Tepelena, as nga hajdutët “me kaçulle”, as nga “halldupët shallvaregjerët osmanë”, as nga bejlerët e pangopur dhe as nga komunistët armiq të pronës dhe natyrës.
Një histori të vërtetë pronësie të fushës së Çajupit vështirë të ketë. Vendasit, zhejotët, thonë se historikisht brez pas brezi ka qenë në pronësi të familjeve të fshatit Zhej dhe Lliar të Zagorisë. Pretendime ka nga disa familje të mëdha gjirokastrite. Lakmia e fundit u përket “jakave të bardha”, nëpërmjet Komisionit të Kthimit e Kompensimit të Pronave. Një mori gjyqesh kanë nisur qysh në vitin 1993 për pronësinë e tokës dhe ende nuk janë mbyllur. Pjesa më e madhe e pronësisë së fushës së Çajupit me ligjin e ri i është dhënë disa familje të ngelura në fshat Zhej, të tjerët e ikur gjatë viteve nuk përfituan. Por përsëri fusha nuk ka gjetur qetësi, përsëri vazhdon të lakmohet nga të gjithë.
Kushedi, ndoshta lakmia ka nisur që në kohët prehistorike. Po këto lakmi tona, nuk kanë rëndësi për grupin e policëve çekë. Ata kërkuan të rikthehen këtu. Natyrisht, për një “unazë” më të gjerë turistike: Gjirokastër, Lunxhëri, Çajup, Zagorie, Pogon, Libohovë, Dropul dhe përsëri në Gjirokastër.
Kush nuk e do të bukurën? Çajupi vazhdon të jetë i bukur…