16 prill 2020/ Esmeralda Keta/ Porta Vendore/ Tiranë
Të futur në shtetrrethim për shkak të pandemisë Covid -19, Tirana këto ditë po përmbytet nga mbeturinat. Ndonëse kryebashkiaku Veliaj deklaroi se koshat e mbeturinave pastrohen 5 herë në ditë, një vëzhgim i “Porta Vendore” nxjerr në dritë se bashkia kujdeset të pastrojë qendrën e Tiranës, pasi periferia dhe rrugët e lagjeve notojnë në mbeturina.
Ndërsa afrohet ora e ndalim-qarkullimit, Iliri, një nga qindra punonjësit e pastrimit të Tiranës, qëndron përpara një koshi ding me mbeturina afër zonës së njohur si qendra “Kristal”.
Ka pastruar përgjatë gjithë rrugës dhe tashmë është në pritje të mbërritjes së makinës që do të heqë mbeturinat. “Është çmenduri, – na thotë Iliri. – U bënë gjithë këto vite që merrem me këtë punë dhe vetëm për Vitin e Ri koshat e mbeturinave mbushen kështu. Por u bë një muaj që nuk marrim dot frymë. Paraditja është një tmerr i vërtetë. Që kur ka filluar izolimi çdo ditë është vit i ri më vete. Ne që dalim për të pastruar qytetin, e vëmë re se sa shumë janë shtuar mbeturinat. Ankohen që nuk kanë, por koshat e mbeturinave tregojnë se nuk janë edhe aq keq”, na thotë ai, ndërsa shton se ka raste që në të njëjtën zonë ndodh që makina e pastrimit të vijë edhe dy herë.
“Ka raste që makina e pastrimit vjen dhe i zbraz kazanët e mbeturinave në mëngjes nga ora 8 dhe kur vjen ora 1, ata janë sërish të tejmbushur”, na thotë ai.

Pandemia e shkaktuar nga covid-19 me të cilën po përballet e mbarë bota, ka diktuar një stil të ri jete edhe në Tiranë. Orari i lëvizjes fillon në orën 05-00 dhe zgjat deri në orën 17:30, kohë gjatë së cilës të gjithë nxitojnë të kryejnë punët e përditshme.
Si pasojë e këtij vrulli të ri jete, Tirana noton në mbeturina. Vëzhgimi i bërë nga “Porta Vendore” është fokusuar në zonën e Liqenit, Kompleksi Dinamo, Komuna e Parisit, Fresku, Vasil Shanto, Kopshti Botanik, Unaza e Re, Yzberisht, Ish – fusha e Aviacionit, Zogu i Zi, Don Bosko, ish stacioni i Trenit, Rruga e Barrikadave, 21 dhjetori, zona midis shkollës “Sami Frashëri”, rrugës “Hoxha Tahsim” , ish – Blloku, si dhe tregu elektrik.

Dhe pamja që ofrohet është thuajse e njëjtë: kosha mbeturinash të mbushura dingas gjatë të gjithë kohës. Pamje kjo krejt ndryshe nga premtimet e kreut të Bashkisë, Erion Veliaj, i cili gjatë një dalje televizive në muajin mars, sfidoi edhe kryeqytetet evropiane kur deklaroi se “ndryshe nga shumë kryeqytete të Europës, që mbetjet i mbledhin edhe njëherë në javë, Bashkia e Tiranës ka vendosur që të rrisë nga 3 herë në 5 herë në ditë mbledhjen e plehrave në çdo lagje të kryeqytetit”.
“Duke qenë se në këtë periudhë ku të gjithë janë në shtëpi dhe është rritur dhe konsumi, Bashkia ka vendosur që të përshpejtojë pastrimin e kazanëve të mbeturinave”, ndërsa shtoi se ka nisur edhe dezinfektimi i kazanëve të mbeturinave.
Por krejt ndryshe paraqitet situata nga vëzhgimi i realizuar në terren. Orët e lejimit të lëvizjes, janë orët më problematike sa i përket gjendjes së koshave të mbeturinave në kryeqytet. Thuajse në çdo cep të rrugës apo lagjes të zë syri kosha mbeturinash të mbushur plot e përplot, jo vetëm nga mbetjet që krijojnë familjet, por edhe sepse gjatë kësaj ore shtohet edhe mbetjet që kanë krijuar marketet dhe të gjitha pikat e shitjes.
Madje në disa zona mbetjet e krijuara gjatë këtyre orëve të lëvizjes nuk i mbajnë dot koshat, dhe kanë pushtuar edhe trotuaret.
Përgjithësisht janë mbetje ambalazhesh, përfshirë kuti kartoni apo edhe plastikë. Dhe vetëm kur përfundon orari i turra-vrapit të lëvizjes, skuadrat e pastrimit të kryeqytetit fillojnë e japin rezultatet e para në zonat kryesore.
Përballë kësaj situate duket se është dorëzuar edhe Bashkia e Tiranës, e cila me sa duket kujdeset të pastrojë vetëm koshat që janë në rrugët kryesore. Në lagjet periferike koshat e mbeturinave vazhdojnë të jenë plot gjatë gjithë kohës. “Porta Vendore” bëri një skanim të situatës së pastrimit të mbeturinave në orën e pikut, pra 12:00 deri në orën 14:00, dhe më pas u rikthyem sërish në të njëjtat rrugë në orën 18:00 deri në orën 19:30 për të parë nëse mbeturinat ishin pastruar. Ajo që konstatuam në fakt ishte se përgjatë këtij orari, një pjesë e kazanëve të mbeturinave nuk ishin pastruar, por ata ishin tejmbushur edhe më.

Më problematike situata ishte në mes bllokut të pallateve të fusha e aviacionit, ku rreshti i kazanëve të mbeturinave që në mesdite ishte dingas, vazhdonte të ishin të tejmbushur edhe gjatë pasdites vonë. “Vijnë i pastrojnë një herë në ditë, por jo 5 herë. Se ndryshe këta koshat këtu, do të ishin më të pastër se koshi im i mbeturinave në shtëpi. Shumicën e kohës janë plot”, na thotë një zonjë që sapo zbret nga shtëpia për të hedhur mbeturinat.
Koshat e mbeturinave gjatë orarit të pasdites vazhdonin të ishin plot edhe në Mëzez, Yzberisht, Unazën e re, zonës pas shkollës “1 Maji”, apo edhe tek tregu elektrik, në kontrast të qartë me rrugët kryesore të qendrës së qytetit, përfshi Unazën e Vogël, 21 dhjetori, Zona e Bllokut, rruga e Barrikadave, rruga Bardhyl apo Rruga e Dibrës, të gjitha rrugë që kanë një fluks më të lartë qarkullimi dhe si pasojë edhe më shumë vizibilitet.
Gjatë vëzhgimit të realizuar nga Porta Vendore, vumë re se koshat e mbeturinave përgjatë rrugëve kryesore të Tiranës që janë edhe më të populluarat dhe si pasojë kanë edhe më shumë vizibilitet, përfshi zonën e Unazës së Vogël, rruga e Barrikadave, 21 dhjetori, zona e Ish- bllokut, Rruga e Dibrës apo edhe Rruga Bardhyl, gjatë orëve të pasdites ishin kthyer në normalitet. Ata nuk kishin asgjë të përbashkët me fotot e shkrepura gjatë mesditës, ku dalloheshin koshat e mbushur me mbeturina, përkundër kësaj, gjatë pasdites koshat në këtë zonë ishin të gjithë të zbrazur dhe të pastruar.

Lavdoshi një tjetër punonjës që kujdeset për pastrimin e kryeqytetit na thotë se këto ditë izolimi kanë ndryshuar edhe zonat që gjenerojnë më shumë mbetje.
“Nëse më parë ishin problematikë koshat e zonës së Ish-Bllokut, ku është e përqendruar edhe një pjesë e madhe e lokaleve, tani koshat e lagjeve janë kthyer në një tmerr. Po sa shumë që hanë!”, thotë me të qeshur ai.
Sipas tij, orët e paradites janë orët e “ferrit” për punonjësit e pastrimit të kryeqytetit.
“Që kur hapet orari i qarkullimit, dhe deri në orën 1 kur mbyllj, hidhen tonelata mbetje. Vetëm pasi ndalohet qarkullimi, fillon e duket pak puna jonë, megjithëse ne përpiqemi të pastrojmë çdo rrugë e kosh mbeturinash”, sqaron ai. Megjithatë ai sqaron se nuk po punojnë me orar të zgjatur, por me të njëjtin orar si edhe më parë.
Natasha, me një pirg kutish kartoni në krahë, nxiton t’i hedhë para se të fillojë orari i kufizimit të lëvizjes. “Me thënë të drejtën këto ditë që jemi në shtëpi gjithë ditën tek e ngrëna e kemi mendjen, kishim blerë shumë produkte të ambalazhuara dhe normalisht që krijojmë edhe më shumë mbeturina”, thotë ajo.

Tirana mban rekordin për prodhimin e mbetjeve urbane me rreth 620 tonë në ditë. Ndërkohë sipas INSTAT, gjatë vitit 2018, janë menaxhuar 1.32 milionë tonë mbetje urbane, ose 383 kg/banorë. Por në këtë situatë volumi i mbetjeve është shtuar ndjeshëm.
Sipas informacionit që gjenden në faqen e Bashkisë së Tiranës, kryeqyteti është ndarë në 7 zona pastrimi, ku operojnë 6 operatorë privatë shërbimi të pastrimit dhe 1 operator publik. Operatori publik “Eco Tirana”, ka filluar të ushtrojë aktivitetin në fund të 2016-ës dhe kujdeset për pastrimin e asaj që konsiderohet “Zona e Kuqe”, e cila i korrespondon qendrës së kryeqytetit dhe është zona me dendësinë më të madhe dhe me numrin më të lartë të aktiviteteve tregtare si lokale dhe restorante, zotëron 450 kontenierë dhe realizon 680 zbrazje në dite, (450 zbrazje gjatë natës dhe 230 zbrazje gjatë ditës);
Ndërkohë Zona lindore është e ndarë në tre zona pastrimi përkatësisht: Zona Lindore 1 që i është besuar operatorit “Infinit Constructions ”sh.p.k” që zotëron që realizon 401 zbrazje/ditë (350 zbrazje gjatë natës dhe 51 zbrazje gjatë ditës). Për pastrimin e zonës lindore 2 përgjigjet operatori “T.T.A Alba-Lam”sh.p,k që realizon 551 zbrazje/ditë (377 zbrazje gjatë natës dhe 174 zbrazje gjatë ditës) dhe zona lindore 3 e ka marrë pë rsipër operatori i shërbimit: “Shpresa”sh.p.k”, që realizon 653 zbrazje/ditë (570 zbrazje gjatë natës dhe 83 zbrazje gjatë ditës).
Operator i shërbimit: “Korsel”sh.p.k” pastron atë që quhet Zona Perëndimore 1 me 653 zbrazje/ditë (600 zbrazje gjatë natës dhe 53 zbrazje gjatë ditës); Operator i shërbimit: “Fusha”sh.p.k” ka marrë përsipër pastrimin e Zonës Perëndimore 2 me 401 zbrazje/ditë (373 zbrazje gjatë natës dhe 28 zbrazje gjatë ditës); Operator i shërbimit: “Alko-Impex”sh.p.k” përgjigjet për , Zonën Perëndimore 3 me 730 zbrazje/ditë (652 zbrazje gjatë natës dhe 78 zbrazje gjatë ditës). Veliaj ka theksuar se gjatë këtyre ditëve volumi i punës është rritur edhe sepse janë rritur masat me higjienën duke dezinfektuar kazanët, por edhe vendet ku qëndrojnë kazanët e mbeturinave. Në fakt, kjo është një detyrë dhe përgjegjësi e përshkruar në kontratën e nënshkruar me Bashkinë e Tiranës dhe që duhet ta bëjnë normalisht.
Gjithsesi Porta Vendore pyeti edhe burime zyrtare nga Bashkia Tiranë, ku konfirmuan të njëjtën gjë që më herët Veliaj kishte thënë në media: “Gjatë gjithë këtyre ditëve ka pasur një shtim të pastrimit nëpër kosha, ku nga 3 herë, pastrimi është kryer 5 herë në ditë në të gjitha zonat e Tiranës, kjo për shkak të fluksit të madh të mbetjeve që vërshojnë në drejtim të koshave çdo ditë nga qytetarët dhe familjet shqiptare”.
Ekspertët e mjedisit, pro dhe kundër bashkisë
Ambientalisti Ened Mato, i cili drejton njëkohësisht edhe “Ecovolis” një shoqatë që ka në fokus ndarjen e mbeturinave që në burim, shprehet se mbetjet gjatë periudhës së karantinës janë 10-fishuar.
“Mjafton që të shohësh koshat e mbeturinave për të kuptuar se çfarë po ndodh. Konsumi gjatë kësaj kohe është 10-fishuar, ambalazhet kanë dalë komplet jashtë kontrollit…dhe si rrjedhojë edhe mbeturinat që krijohen”, shpjegon Mato.
Sipas tij, në këtë periudhë izolimi ka nevojë për më shumë ndërgjegjësim nga ana e vetë komunitetit. “Njerëzit duhet të jenë pak më minimalistë, të sakrifikojmë nga pak të gjithë, jemi në një situatë të pazakontë”, tha Mato për Portën Vendore. Ai sugjeron që ndoshta vendi ynë duhet të ndjekë politikat e vendeve të tjera që janë në situatë të ngjashme. “Po shikohet reduktimi në maksimum i ambalazheve. Ushqimet e freskëta apo perimet tregtohen me arka ose me ambalazh ekologjik…shumëfishimi i mbetjeve që po krijohen këto kohë është kthyer në një problem të madh”, pohon Mato.
Sipas tij, krahas policisë, punonjësit e pastrimit mund të konsiderohen heronjtë e pavlerësuar të të gjithë kësaj situate. “Në këto kushte, në këtë rrezik, e me atë pagë që marrin ata më mirë të jenë vullnetarë. Janë me të vërtetë heronj të pavlerësuar”, përfundon Mato.
Romeo Hanxhari, profesor i politikave mjedisore pranë Universitetit të Tiranës ka një këndvështrim krejt ndryshe për faktorët që kanë çuar në rritjen e sasisë së mbeturinave.
“Unë nuk mendoj se është shtuar konsumi, por mendoj se është shtuar përdorimi i produkteve të ambalazhuara. Që do të thotë nëse dikush më parë blinte qumësht fshati, tani është i detyruar të blejë qumësht me ambalazh plastik ose kartoni…”, tregon ai.
Sipas profesor Hanxharit një tjetër faktor është edhe koha e shkurtër që tashmë kanë njerëzit në dispozicion. “Nëse më parë nuk kishte kufizime, tani njerëzit kanë diku tek 5 orë kohë për hedhjen e mbeturinave që krijojnë dhe të gjithë nxitojnë t’i pastrojnë shtëpitë përgjatë këtij orari, por ndërkohë nga ana tjetër nuk ka ndryshuar orari i evadimit të mbetjeve”, sqaron ai.
Mentor Kikia, gazetari i njohur edhe për angazhimin e tij për çështjet mjedisore e shikon këtë shtim të mbeturinave me faktin se tashmë të gjithë janë të detyruar të ushqehen në shtëpi. “Kjo situatë na ka imponuar edhe sjellje të tjera. Nëse më parë, një pjesë e mirë e popullatës mund ta kenë shmangur mëngjesin, teksa nxitojnë për punë apo të hanë të paktën një vakt jashtë, tashmë, duke qëndruar në shtëpi, i hanë të tri vaktet. Padyshim që qëndrimi në shtëpi, shton edhe konsumimin”, thotë Kikia. “Por ndërkohë, vërtet mund të jetë shtuar konsumi në shtëpi, por ama qindra restorante e pika të tjera tregtimi janë kyçur”, tregon ai për Portën Vendore.
Ndërsa sipas ambientalistit Sazan Guri e gjitha kjo situatë duhet të menaxhohet më mirë nga Bashkia Tiranë. Ai madje është kritik për situatën e mbetjeve që ka përfshirë kryeqytetin.
“Jam i sigurt se kur flasim për mbetjet, e njëjta situatë është edhe në qytetet e tjera. Unë në fakt kur dal këto ditë nëpër zona të ndryshme kam parë tmerr me mbetjet, kazanë të mbushur plot e përplot e në shumicën e herëve të derdhura në rrugë, po flas për zonën e Bllokut, imagjinojeni vetë se ça ndodh në zonat e tjera të Tiranës. Të njëjtën panoramë kam parë edhe në zonën e Freskut, edhe në Yzberisht. Jemi duke luftuar një virus të padukshëm, ndaj gjykoj që në këto kohë pastërtia duhet të jetë maksimale. Pasi mosdezinfektimi i rrugëve, i koshave dhe pastrimi i këtyre të fundit na çon në thithjen e një helmi aspak të këndshëm për organizimin tonë tashmë delikat”, kritikon ambientalisti Guri.