15 prill 2020/ Eljona Ballhysa/ Porta Vendore
Kryeministri Edi Rama prezantoi të hënën në mbrëmje paketën e dytë financiare për t’i ardhur në ndihmë bizneseve të prekura si pasojë e masave shtrënguese të marra për t’u mbrojtur nga koronavirusi. Paketa e dytë përfshin pagesën e 40 mijë lekëve të rinj për 176 mijë familjeve të mbetur të papunë, ku përfitojnë, jo vetëm punonjës nga biznesi i vogël, por edhe nga biznesi i madh; shumë kjo që do të nisë të paguhet brenda datës 20 prill. Paketa gjithashtu përfshin një garanci të dytë sovrane prej 150 milionë dollarësh kryesisht për tre sektorë, biznesin fason, turizmin dhe biznesin prodhues. Por kjo paketë e ka ndarë biznesin në pro dhe kundër, ndërkohë që ekspertët e cilësojnë modeste, duke kërkuar që qeveria të mendojë dhe për dy paketa të tjera shtesë.
Biznesi fason, skeptik për paketën
Pas paketës së lançuar nga Kryeministri Rama, biznesi fason u pozicionua në dy kahe. Ata që kishin bërë pushime nga puna çliruan një barrë të madhe kundrejt punonjësve të tyre me ndihmën që do t’i japë qeveria, ndërsa të tjerët që i kanë mbajtur në punë gjatë kësaj kohe shfaqën pendesën e tyre.
Muharrem Locja është pronari i një biznesi fason në Krujë, biznes i cili prodhon këpucë dhe kontratat më të shumta i ka me vendin fqinj Italinë.
“Dëgjova me vëmendje Kryeministrin dhe më pas në Opinion Ministrin Ahmetaj për paketën ekonomike, por përsëri kam ato pakënaqësitë e mia si biznes. Unë i kam mbajtur të gjithë punëtorët në punë, me shpresën se do kishim një përfitim nga qeveria, përveç punëtorëve që kanë qëndruar në shtëpi për arsyet e tyre të frikës dhe të mbajtjes së fëmijëve. Vlerësoj se fasonët kanë qenë në vijën e para të luftës, ashtu si doktorët, pasi fasonët janë përpjekur të mbajnë gjallë ekonominë shqiptare, me gjithë vështirësitë që na paraqiten gjatë kësaj periudhe”, tha për Portën Vendore Muharrem Hoçja, pronar i një fasonerie në Krujë, ndërsa shton se dy ditë më parë iu anulua edhe porosia nga Padova e Italisë dhe një kamion me këpucë pune qëndron stok tani në magazinë.
Ai tregon se më herët, biznesi fason në Krujë organizoi dhe një protestë me një mbyllje 10-ditore, por sërish nuk ua vuri veshin. Pikërisht, më 23 mars, rreth 15 fasoneri u mbyllën në rrethin e Krujës si shenjë proteste ndaj shtetit, në mënyrë që ndihma të shkonte edhe tek ky biznes. “Kemi punuar me periudha gjatë kësaj kohe. Industria jonë u mbyll për nja 10 ditë dhe më pas në datën 6 prill jemi rihapur, por ama nuk kam kërkesa se Italia po kalon situatë shumë të vështirë, ndaj nëse sot kam në punë 250 punonjës, mendoj se deri të premten mund të kem fuqi për t’i mbajtur në punë, edhe deri atëherë me zor. Dhe në fakt nuk është e drejtë që ata që rrinë në shtëpi të marrim 40 mijë lekëshin e shtetit, kurse këta që kanë punuar jo. Mua s’më duhet ndihmë, por punëtorëve po. Ne si sektor vuajmë nga fuqia punëtore si dhe kemi mungesë materialesh e porosish këto kohë”, tregon Hoçja për Portën Vendore. Ai kërkon gjithashtu nga qeveria shqiptare që të bëhet një marrëveshje bashkëpunimi midis dy vende Shqipëri-Itali për t’i hapur rrugë biznesit fason, që edhe pse në këtë situatë, të dorëzojë porositë e marra më parë.
Ndërsa Tonin Preçi, kryetar i sindikatës Solidariteti, i cili u pezullua nga puna 10 dite më parë, së bashku me 50 punonjës të tjerë të një Call Center, fill pas kohës kur mbaruan periudhën e karantinimit, shprehet i vendosur t’i shkojë këtij procesi deri në fund, ndërsa do të hapë edhe një çështje në gjykatë, midis punëtorëve të pezulluar dhe kompanisë Teleperformanca. I pyetur nga Porta Vendore për paketën nr. 2 të qeverisë, ai mendon se pagesa është krejt e pamjaftueshme për aq kohë sa jepet vetëm një herë.
“Praktikisht në bazë të shpjegimit që dha ministrja e financave ky 40 mijë lekësh është vetëm njëherë dhe nuk është e parashikuar për gjithë kohëzgjatjen e papunësisë dhe kjo është shumë problem për ata persona që janë larguar nga puna duke mos pasur një siguri financiare dhe një siguri rikthimi në punë. I bie që përfitimi 40,000 lekësh është vetëm për të ndaluar ndonjë rebelim në masë të punëtorëve. Është absolutisht i pamjaftueshëm”, tha ai për Portën Vendore, ndërsa tregon se ai dhe shumë të tjerë janë pezulluar në shkelje të kontratës së punës dhe pa një afat kohor. “Në këtë moment është e vështirë të gjesh punë tjetër, edhe pse po të ishte e mundur patjetër që do kërkoja. Ndërkohë kam nisur procedurat si sindikatë nëpërmjet Inspektoratit të Punës. Sindikata ka një studio ligjore që jep gjithë konsulencën ligjore. Por si fillim duhet të realizojmë të gjithë procedurën zyrtare para se shkojmë në gjyq”, përfundon ai për Portën Vendore.
Turizmi: Pro shtesave
Turizmi gjithashtu është një tjetër sektor i prekur nga e gjithë kjo situatë që po kalon Shqipëria nga pandemia globale e Covid 19. Ndonëse biznesi i agjencive turistike ishte i lejuar për të ushtruar aktivitetin, ky biznes s’ka pasur të ardhura fare në këto 3 javë që qëndron i hapur, pasi nuk ka askënd që pret bileta kur kufijtë janë të mbyllur.
Danieli disponon prej vitesh një agjenci, kryesisht për linjën e autobusëve me Greqinë. Ai gjykon se paketa mund të kishte qenë më e mirë për të ndihmuar edhe më shumë këtë sektor , të “vrarë” nga Covid 19, por e shikon me optimizëm miratimit e saj. “Unë gjatë kësaj kohe e kam hapur sa për të marrë ajër dyqanin, nja dy-tre orë, por kot, jo se kam pas shpresë për të bërë biznes, pasi unë punën e kam kryesisht me Greqinë. Kufijtë janë të mbyllur dhe ne kemi që në datën 12 mars pa asnjë lekë punë. Paketa e qeverisë është e mirë, të paktën gjysma e të keqes s’na la pa gjë, por gjithsesi mendoj se duhet të ishte diçka më shumë, pasi kjo pagesë është për gati 3 muaj i bie, dhe nga 100 e ca dollarë në muaj i bie, aq s’kemi qiranë e ambientit. Gjithsesi është shenjë pozitive që mendoi edhe për ne”, tha Danieli për Portën Vendore.
Profesionet e lira, jashtë pakete
Por një nga bizneset që u la jashtë paketës kishte të bënte me profesionet e lira. Avokatë, noterët, etj nuk do të jenë pjesë e paketës ekonomike nr.2 të qeverisë, ndërsa si shumë të tjerë edhe ky biznes ka pretendimet e tij. Margarita Kola është avokate dhe disponon një zyrë avokatie. Ajo tregon se megjithëse në karantinë është duke e paguar punonjësen e saj, në mënyrë që të mos e humbasë si aset.
“Të parët që jemi afektuar nga kjo situatë jemi ne, pasi gjykatat me të drejtë u mbyllën, pasi konsiderohen si vende të rrezikshme për përhapjen e Covid 19 për shkak të mbipopullimit. Paketa si e para, edhe e dyta nuk na mori fare në konsideratë, ndaj kjo më duket diskriminuese në vetvete, sepse qeveria nuk mundet që disa t’i fusë në paketë e disa t’i lërë jashtë”, thotë avokatja Margarita Kola për Portën Vendore. Ajo rrëfen se gabimi ka ardhur pikësëpari nga dhoma e avokatisë, e cila në këtë rast nuk i ka përfaqësuar siç duhet avokatët. “Ne paguajmë 13 mijë lekë të reja në vit në Dhomën e Avokatisë dhe kur vjen puna për të ngritur zërin, ajo nuk bëri asgjë. Pas përpjekjeve tona si një grup avokatësh në datën 13 prill Dhoma e Avokatisë i drejtojë një letër Ministrisë së Shëndetësisë, për lënien jashtë të këtij biznesi, por ishte tepër vonë sikurse kuptohet, pasi paketa e qeverisë doli pasdite”, shprehet Kola. Ajo thekson se është vepruar më mirë në Kosovë e rajon për sa i përket mbështetjes që qeveritë i kanë dhënë biznesit për t’i ndihmuar në rimëkëmbje. “Kosova është më mirë se ne, megjithëse u bë shtet shumë më vonë se ne. Po marr Kosovën me që kemi ngjashmëri në një sërë gjërash. Qeveria atje nuk tha disa po i lë jashtë e disa po i favorizoj. Nëse nuk ka lekë shteti, ta thotë këtë, por jo të mos e trajtojë lënien jashtë të avokatëve që ‘hë mo se do fitojnë paratë e humbura kur të dalim nga karantina’. Kush na siguron neve që pas kësaj do të kemi klientë. Nëse klienti është afektuar nuk do hapë proces gjyqësor. Kjo situatë i ka prekur të gjithë”, u shpreh avokatja Margarita Kola.
Ekspertët e ekonomisë kërkojnë dy paketa të tjera
Në këndvështrimin dhe në analizën e ekspertëve të ekonomisë kjo paketë e dytë financiare duket si reflektim i kërkesave të parashtruara më herët nga përfaqësues të biznesit, kryesisht atij të madh, por sërish është e pamjaftueshme për të mbajtur në këmbë ekonominë shqiptare. Për këtë arsye Ardian Civici, Luan Bregasi dhe Gjergj Buxhuku parashtrojnë për Portavendore.al disa propozime të tjera për qeverinë.
Eksperti i ekonomisë dhe pedagogu Ardian Civici e vlerëson pozitivisht paketën e dytë financiare të qeverisë. Ai thotë se paketa e dytë është më e orientuar ndaj kërkesave të biznesit, sepse paketa e parë kishte kryesisht natyrë sociale ndërsa në të dytën janë reflektuar disa kërkesa të biznesit, por sërish thotë ai, ndihma ndaj sipërmarrjes është modeste, krahasuar kjo edhe me paketat që janë prezantuar në shtetet e tjera.
“Mendoj që paketa e dytë financiare që ne po e quajmë Plani B është relativisht më e orientuar nga biznesi në raport me planin A, i cili kishte pothuajse 100 % në synim zbutjen e pasojave sociale dhe sidomos mbështetjen e njerëzve në nevojë. Edhe te paketa B mendoj se prapë dominon pjesa sociale, pasi bëhet fjalë për një numër shumë të madh, 176 mijë punonjës që do të përfitojnë pagesa kur janë të papunë, por ka një këndvështrim më të gjerë në lidhje me disa nevoja që ka biznesi. Por natyrisht edhe pagesa e papunësisë është një ndihmë për biznesin, kam parasysh me rritjen e fondit sovran deri në 150 milionë dollarë dhe njëkohësisht ka një ndarje të riskut ose përgjegjësisë midis shtetit dhe bankave sepse për herë të parë, qeveria shqiptare merr përsipër të paguajë edhe përqindjen e interesit për këto kredi”, shprehet Civici, duke shtuar se: “Natyrisht është paketë relativisht modeste në raport me nevojat që biznesi ka nevojë sot, sepse shumë sektorë dhe biznese vijojnë të jenë të mbyllura. Por nga ana tjetër dhe ato që po hapen gradualisht duke pasur parasysh se ekonomia është shumë e ndërlidhur nuk kanë mundësinë që të operojnë 100% të kapacitetit të tyre sepse një pjesë e këtij zinxhiri që funksionon biznesi mund të jetë i mbyllur dhe sigurisht dhe ato kanë kufizimet e veta”, shprehet zoti Civici. Ai e sheh shumë pozitiv që në paketën e dytë është shtyrë detyrimi i tatim fitimit deri në dhjetor dhe më pas pagimi i tij sipas një skeme të koordinuar në vitet që vijnë. “Mendoj se është pozitiv fakti që në këtë paketë kryesisht iu bashkëngjit edhe një masë tjetër e rëndësishme siç është shtyrja e detyrimeve qoftë të tatim fitimit, qoftë të disa detyrimeve të tjera tatimore për biznesin deri në dhjetor dhe më pas pagimit e tyre sipas një plani të koordinuar në një ose dy vitet në vazhdim. Natyrisht po t’i referohemi paketave të tjera ndihmëse financiare të vendeve të tjera natyrisht për masat modeste që në Shqipëri po aplikohen, mendoj se edhe ne jemi në të njëjtën linjë”, shprehet Civici. Ai i propozon qeverisë që të mendojë edhe për dy paketa të tjera financiare që do ndihmojnë biznesin të ringrihet pas kësaj periudhe. “Shumë shpejt nëse karantina do vazhdojë për dy tre javë apo një muaj, do ketë nevojë për një paketë të tretë, e cila duhet të jetë ekskluzivisht në shërbim të biznesit, për sa i përket injektimit të likuiditetit, sidomos për shpenzimet e qarkullimit të këtyre bizneseve që mund të mbahen në këmbë dhe të funksionojnë minimalisht. Pastaj nga muaji korrik ose gusht do na duhet një paketë e katërt natyrisht e shoqëruar me disa politika më të thella dhe më strukturore për të filluar procesin e ringritjes së ekonomisë dhe funksionim normal të saj”, propozon zoti Civici.
Turizmi, sektori më i prekur, 2 vjet të stabilizohet
Përsa i përket sektorit të fasonëve, Ardian Civici thotë se kjo paketë i vjen sado pak në ndihmë, megjithëse nuk mjafton për përmbushjen e të gjitha kërkesave të tyre. “Për fasonët nëse do ketë një lirim të fillimit të aktivitetit të tyre natyrisht kjo është një paketë që i ndihmon. Nuk mund të them se është e mjaftueshme. Sepse duke lexuar kërkesat që ka bërë sektori fason nevojat janë shumë të mëdha, jo vetëm nga pikëpamja financiare, por edhe nga shtrirja apo elementët që prek paketa B”, shprehet Civici. Ndërsa përsa i përket sektorit të turizmit, ai thotë se ky është sektori më i prekur nga situata e koronavirusit dhe se do t’i duhet të paktën dy vjet që të stabilizohet. “Sa i përket turizmit, do thosha që është sektori më i prekur dhe me prespektivë më të dobët për të dalë nga kjo gjendje, sepse turizmi jonë shumicën e aktivitetit të tij e ka nga qershori deri në shtator. Natyrisht që pak shanse ka që qoftë turistët e huaj apo shqiptarë të mund të kalojnë pushimet duke shfrytëzuar operatorët turistikë që kemi ne, duke pasur parasysh situatën që kalojmë. Kështu që mendoj se ky është sektori më i prekur dhe që do kalojë në rritje ekonomike shumë të dobët, ndoshta në rënien në recension të ekonomisë shqiptare sepse kontribuon shumë në prodhimin e brendshëm bruto. Pasi është edhe sektor që funksionon me cikle dhe do t’i duhet një ose dy vjet që të stabilizohet”, thekson Civici.
Kredia sovrane lehtëson kushtet, por është shumë modeste
Për garancinë e dytë sovrane prej 150 milionë dollarësh që qeveria vë në dispozicion të biznesit, eksperti Civici vlerëson faktin se ajo ka lehtësuar kushtet dhe nuk merret më vetëm për të paguar punëtorët, por merret edhe për pagesa të tjera që biznesi duhet të kryejë. Por thekson se kjo ndihmë vijon të mbetet modeste. “Ka një lehtësim të disa kushteve. Për shembull nuk është kushti që duhet të merret kredi vetëm për overdraft. Pra mund të merret edhe për qëllime të tjera. Nga ana tjetër marrja përsipër e shtetit të përqindjes së interesit edhe kjo është një element ndihmës. Po t’i shtosh elementin tjetër nga paketa A, që për tre muaj bizneset mund të mos paguajnë interesin për t’i shtyrë pas korrikut dhe gushtit, natyrisht që janë masa lehtësuese. Por janë masa lehtësuese, po e theksoj, modeste, pasi kërkesat që ka dhe nevojat që ka ekonomia jonë shumë e brishtë, po t’i shtojmë edhe faktin se ne nuk është se erdhi kriza e koronavirusit edhe u përballëm për herë të parë me dobësitë e mëdha që ka biznesi shqiptar; por kjo krizë i shtoi dhe më shumë dhe i bën më urgjente nevojën për mbështetje më të madhe sepse rreziku që një pjesë e tyre të ndërpresin prodhimin dhe të falimentojnë është shumë i madh”, thekson pedagogu Ardian Civici.
Luan Bregasi: Kompensim pagave dhe shtyrje të taksave
Luan Bregasi, kryetar i “Biznes Albania” thotë për Portavendore.al se paketa e dytë financiare e qeverisë ka përfshirë disa kërkesa që kanë parashtruar më herët përfaqësuesit e bizneseve dhe vlerëson disa aspekte të saj siç është lehtësimi i kushteve për të përfituar nga kredia sovrane dhe përballimin e interesave bankare të kësaj kredie nga shteti.
“Së pari krahasuar me paketën e parë e cila kishte pothuajse tërësisht karakter social, paketa e dytë ka edhe dimensionin social, por edhe atë ekonomik. Paketa e parë më shumë ishte një ndihmë për njerëzit në nevojë për ata të papunë dhe për bizneset që u goditën direkt nga koronavirusi. Ndërsa paketa e dytë ka një vizion më të gjerë, përfshihet edhe biznesi i madh, përfshihet edhe sektorë të rëndësishëm të ekonomisë që janë goditur direkt siç është turizmi, dhe industria prodhuese, fasoneria, shërbimet. Nga kjo pikëpamje paketa e dytë është më e mirëpritur nga sipërmarrja private. Së dyti ajo që konsiderohet një mirëseardhje e kësaj pakete është edhe fakti se disa kërkesa që bëri biznesi i madh në lidhje me instrumentin e garancisë sovrane që në paketën e parë ishte thjeshtë marrja e një kredie për pagat e punonjësve meqenëse në rezervat tona u konsiderua një instrument që i rrit kostot biznesit, ne bëmë vërejtje, që është reflektuar në paketën e dytë; që kredia të shtrihet edhe për kapital pezullues, edhe për disa investime të qenësishme, dhe për shkrirje të faturave të klientëve, detyrimeve që kanë nga kompanitë në raste konkrete. Pra fakti që garancia sovrane si instrument është shoqëruar me një objekt më të gjerë të marrjes së kësaj kredie e bën edhe më të sjellshëm sipërmarrjen private ndaj këtij instrumenti. Së dyti, vërejtja që ne bëmë kishte lidhje me prodhimin e kostove që të kësaj kredie që kishte si referencë garancinë sovrane. Në paketën e dytë interesat e kredive do t’i përballojë buxheti i shtetit, pra nuk do të ketë kosto për sipërmarrjen private. Pra e parë në këtë këndvështrim dhe pastaj dhe dhënia e pagave për një pjesë të sektorit të turizmit apo bizneseve prodhuese, fasonerisë dhe call center e zgjeron më shumë hartën e ndihmës ekonomike ndaj biznesit”, thekson Luan Bregasi.
Por sipas tij, kjo paketë është e pamjaftueshme krahasuar dhe me paketat e tjera në shtetet fqinje të rajonit. “Nuk mendoj se është e mjaftueshme sepse krahasuar me paketat e vendeve ët rajonit që mund të krahasohemi nga dimensioni ekonomik, me Kosovën, Serbinë apo me Maqedoninë, paketa e ndihmës është ende larg; jo pretendimeve tona, por larg mbajtjes në vëmendje të ekonomisë shqiptare sepse ekonomitë po diskutojmë disa skenarë. Duke hedhur këndvështrimin nga ekonomia janë dy skenarë të mundshëm. Një që të mos ndërhyhet fare në ekonomi dhe ekonomia të shkojë drejt zeros. Dhe skenari i dytë është të ndërhyhet nga pak, pra të injektohen pak para me qëllim që rënia të mos jetë e menjëhershme dhe ringritja të mos jetë shumë e ngadaltë. Pra në këtë këndvështrim kërkohet mbështetje më e madhe nga ana e qeverisë”, thekson Luan Bregasi.
Ai madje bën disa propozime konkrete për qeverinë si për shembull të paguajë një pjesë të rrogave të punonjësve të sipërmarrjeve prodhuese, si dhe të shtyjë pagimin e disa taksave, siç është akciza, pulla fiskale etj. “Për shembull nga kompanitë prodhuese që kanë punuar gjatë kësaj periudhe me kapacitete nën mesatar mund t’i paguhen punëtorët në nivelin 50 me 50 %. Pra pagat të kompensohen nga shteti një pjesë. Kështu kërkohet që disa taksa që parapaguhet, siç është pulla fiskale, siç është akciza, mund të ndihmohet biznesi që të mos i paguajnë në parapagim. Në mënyrë që biznesi ato pak para që ka t’i përdorë për lëndë të parë dhe për të prodhuar dhe këto taksa mund të paguhen më vonë, ndoshta pas një muaji. Ose siç kanë bërë disa kompani të prodhimit të fasonëve që një pjesë e rimbursimit të TVSH që shteti nuk ka mundësi t’ua japë, të mos u marrë TVSH derisa të kompletohet në vlerë të barabartë borxhi që shteti i ka biznesit dhe detyrimet që biznesi i ka shtetit. Pra ka shumë mundësi që shteti pa i rënduar koston e buxhetit të shtetit mund të bëjë disa lëvizje dhe instrumente që të lehtësojë qëllimin e punës të ndërmarrjeve private”, thekson zoti Bregasi.
Gjergj Buxhuku: Shuma e ofruar, e papërfillshme
Kurse Kryetari i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku thotë se shuma e ofruar nga qeveria në paketën e dytë financiare është shumë e vogël, madje e papërfillshme që nuk ndikon fare në rritjen e likuiditetit për bizneset, por vlerëson korrigjimin e gabimit të bërë nga qeveria, sipas tij në paketën e parë, ku nuk u përfshinë fare bizneset e mëdha.
“Shuma është tepër e vogël, sepse llogaritet që i gjithë likuiditeti i hedhur në të dy paketat është diku te 100 milionë euro, jo më shumë. Pozitiv është fakti se për herë të parë qeveria e pranoi që kishte vepruar gabim në paketën e parë që nuk kishte përfshirë dhe bizneset e mëdha në skemë. Ne e bëmë të qartë që në fillim që është gabim i madh që të ndahet biznesi i madh apo biznes i vogël sepse s’ka asnjë kuptim, qoftë nga ana ekonomike, qoftë nga ana ligjore dhe morale. Në këtë rast u morën parasysh. Kjo paketë e dytë financiare ishte një hapje, por shuma është shumë e vogël. E papërfillshme që nuk pikon fare në likuiditet. Ki parasysh se 400 mijë lekëshi që i jepet punonjësve dhe që ndahet për 3 muaj është shumë e vogël. Kështu që është problematike”, shprehet Buxhuku. Madje ai thotë se qeveria shqiptare nuk ka mundësi t’i vijë në ndihmë biznesit, ndaj dhe do të ishte më mirë që të kthehemi në normalitet pasi duke u nisur edhe nga shifrat e viktimave nga covid-19 në Shqipëri nuk ka epidemi. “Nga ana tjetër nuk dihet se si do të jetë vazhdimi i ndihmës, por kërkesa kryesore që ne kemi është se nëse i shikojmë qartë që mundësi financiare të shtetit, të paktën me kaq sa mund të shohim me këto dy paketa janë të vogla, dhe ne kërkojmë që të kalohet sa më shpejt në normalizim të plotë. Shtojmë dhe faktin këtu duke parë edhe të dhënat që Shqipëria nuk ka epidemi të Covidit 19”, thekson Buxhuku.
Lidhur me garancinë e re sovrane të ofruar nga qeveria në masën 150 milionë dollarëve, Buxhuku thotë se duhen parë me çfarë kushtesh ofrohet se nëse janë të ngjashme me paketën e parë, do ketë shumë kategori që nuk do arrijnë të përfitojnë prej saj. “Të presim çfarë kushtesh ka. Nëse do jetë si e para do ketë interes të ulët. Nuk e kemi parë të shkruar se kush do i paguajë interesat e kredisë. Nëse do jetë si e para nuk do jetë një ndihmë e madhe. Nuk do të shfrytëzohet. Do ketë kategori shumë të mëdha që nuk do kenë mundësi që ta marrin. Megjithatë ne jemi në pritje. Pozitive është se filloi të diskutohet shtyrja e tatim fitimit”, thekson Buxhuku.
Lidhur me ndihmën që i është ofruar sektorit fason Buxhuku thotë se ky sektor do të goditej nga kriza e krijuar për shkak të koronavirusit për shkak të mbylljes së tregjeve evropiane.
“Për hir të vërtetës duhet thënë që fasonët do kishin vështirësi edhe pa u marrë masat shtrënguese të qeverisë sonë. Pasi puna e tyre varet shumë nga tregjet e huaja sidomos nga Italia. Siç e dimë të gjithë tregu i Italisë dhe i Spanjës është i bllokuar. Pavarësisht masave që do kishte marrë qeveria shqiptare që në fakt i mori njëherë dhe më pas i rihapi, ata do kishin vështirësi. Plus që kishte ardhur një moment që fasonët kishin nevojë për një ristrukturim të plotë të sektorit. Nuk mund të rezistonin gjatë”, thekson Buxhuku.
Gjergj Buxhuku e shikon të gabuar vendimin e qeverisë të parashikuar në paketën e dytë financiare për të paguar me 40 mijë lekë të rinj 176 mijë të papunë. Kjo sipas tij bie në kundërshtim me thirrjen e kryeministrit drejtuar bizneseve që të mos pushojnë njerëz nga puna dhe nga ana tjetër paguan të papunët. Sipas Buxhukut, ky vendim nxit papunësinë.