15 prill 2020/ Gjergj Figuri/ Porta Vendore/ Lezhë
Covid vështirëson situatën ekonomike të familjeve lezhjane. Në vetëm 30 ditë duhej të ndihmoheshin 3700 familje, ndërsa në skemën e ndihmës ekonomike janë vetëm 850 familje. Ndihma po shpërndahen për kategoritë sociale të përfshira në vendimin e qeverisë, por çdo ditë ka me dhjetëra telefonata që kërkojnë ndihmën e bashkisë për ushqime.
Në vendimin e qeverisë që mban datën 19 mars 2020 PËR MARRJEN E MASAVE PËR OFRIMIN E ASISTENCËS NË BANESË NDAJ SHTRESAVE NË NEVOJË, NË KUSHTET E EPIDEMISË SË SHKAKTUAR NGA COVID-19 thuhet se: Përcaktimi i masës së produkteve, ushqimore dhe joushqimore, minimale, dhe i llojit të ndihmës kryhen me vendim të Komisionit Qendror për Ofrimin e Asistencës, të ngritur për këtë qëllim, sipas përcaktimit të pikës 11, të këtij vendimi.
Në kuptim të këtij vendimi, shtresa në nevojë do të konsiderohen:
a) personat/familjet, të cilët nuk kanë familjarë të aftë për punë në njësinë administrative ku jetojnë, dhe që bëjnë pjesë në grupet, si më poshtë vijon:
i.Familjet/individët në nevojë, përfitues të ndihmës ekonomike;
ii.Personat me aftësi të kufizuara;
iii. Personat, të cilët përfitojnë pension pleqërie.
b) personat, të cilët, pavarësisht përbërjes familjare dhe vendndodhjes së saj, bëjnë pjesë në grupet, si më poshtë vijon:
i.Familjet/individët në nevojë, të cilët janë të pastrehë;
ii.Familjet që kanë humbur banesën për shkak të tërmetit
Dhjetëra pako ushqimore shpërndahen çdo ditë në Lezhë nga ana e bashkisë, ndërsa ky ritual vijon të përsëritet pa ndërprerje. Duket se nuk ka të mbaruar lista e familjeve që marrin ndihma dhe kjo listë sa vjen dhe shtohet. Bashkia e Lezhës u fokusua fillimisht tek shtresat në nevojë dhe përfituesit e ndihmës ekonomike, por kategoritë u shtuan ndërsa nisën telefonatat. Para se të niste pandemia nga Covid 19 në Bashkinë e Lezhës kishin marrë mbështetje me ndihmë ekonomike 850 familje, por situata e përkeqësoi gjendjen e familjeve lezhjane.
Një muaj pas konstatimit të rastit të parë me koronavirus dhe masave shtrënguese të qeverisë, që kufizojnë lëvizjen dhe punën e shumë bizneseve, familjet që kanë marrë ndihmë kanë shkuar në 3700 ose 4 herë më shumë, sipas të dhënave nga Bashkia Lezhë. Nuk janë vetëm familjet e identifikuara si në vështirësi ekonomike që e kanë marrë këtë mbështetje, pasi listës i janë shtuar personat me aftësi ndryshe dhe gjendje ekonomike të vështirë, të moshuar të vetëm pa përkrahje, si dhe shumë familje të cilat më parë kishin të ardhura që sigurohej nga puna informale.

Janë rreth 1500 familje që ndonëse nuk kishin patur probleme ekonomike më herët, mbyllja e lëvizjes dhe e bizneseve i ka vendosur ato në vështirësi mbijetese. Të ndodhur në këto kushte ato janë detyruar t’i telefonojnë bashkisë duke i kërkuar ndihma ushqimore për të tejkaluar situatën. Në çdo njësi administrative, si edhe në qytet gjenden me dhjetëra familje që në mungesë të të ardhurave të vazhdueshme dhe mos pasjes së rezervave i kanë kthyer sytë nga bashkia për të marrë ndonjë pako ushqimore.
Një pako të tillë ushqimore ku përfshiheshin produktet bazë, miell dhe detergjente të ndryshëm mori edhe Florinda Medja në lagjen Skënderbeg. Ajo kishte punuar më parë si pjatalarëse duke siguruar mbijetesën e familjes, por gjërat për të u përkeqësuan me mbylljen e bizneseve dhe ajo mbeti e papunë.
“Më parë punoja në lokale të ndryshme duke larë pjatat dhe kisha mundësi të mbaja familjen. Nuk kemi patur të ardhura të shumta që të kishim mundësi për të ruajtur, dhe me mbylljen e punës ne mbetëm pa asnjë të ardhur e për pasojë pa asnjë lek që të përballojmë jetën. Isha e detyruar të telefonoja punonjësit social në Bashkinë e Lezhës për t’ju kërkuar ndihmë. Shpresoj që kjo të marrë fund shpejt dhe unë të kthehem në punë sepse asnjë pako ushqimore nuk mund të na ndihmojë të përballojmë nevojën që kemi. Unë kam bashkëshortin dhe dy fëmijë, dhe kjo pako është mbështetje për disa ditë, por nuk e di se çdo të bëjmë pasi të mbarojë kjo pako. Di që sërish do të më duhet t’i telefonoj bashkisë”, tregon ajo për Portën Vendore.

Familjet më të ardhura të ulta duket se janë të parat që janë vendosur në vështirësi financiare dhe po përballen më sfidën për të siguruar mbijetesën. Pakot ushqimore që kryesisht përmbajnë 5 kg miell, 3 kg vaj, 3 kg makarona, 3 kg oriz, 2 kg sheqer, 2 kg salcë dhe detergjente janë zgjidhja e momentit, por jo e të gjithë situatës. Biznesi vazhdon të dhurojë ndihma dhe paketa ushqimore që shkojnë për familjet në nevojë, por duket e vështirë përballimi i mëtejshëm i situatës. Katërfishimi i familjeve që duhen të ndihmohen në vetëm një muaj nga nisja e masave shtrënguese për të parandaluar Covid 19, tregon sesi kanë ndryshuar ekuilibrat ekonomikë.
Porta Vendore verifikoi se familjet në nevojë kanë marrë deri më tani vetëm nga një pako ushqimore, ndërsa,ka edhe shumë familje që ende nuk kanë marrë asnjë ndihmë.

Nënkryetarja e Bashkisë Oliana Moriseni ka bërë të ditur se :
“Kemi ndihmuar familjet në nevojë, të moshuarit e vetëm, kategoritë sociale dhe tashmë po përballemi edhe me shtimin e familjeve që telefonojnë për të kërkuar pako ushqimore. Punonjësit social bëjnë fillimisht verifikimet në terren për të përcaktuar shkallën e gjendjes së personit apo familjes që kërkon ndihmë dhe menjëherë sapo na dhurohen ndihma ushqimore ato paketohen dhe u dërgohen këtyre familjeve. Janë vërtetë shumë dhe sigurisht që do të na duhet shumë mbështetje, që ne më pas të mbështesim kaq shumë familje”, tha Moriseni për Portën Vendore.
Akoma më keq është gjendja për ata që kanë punuar në të zezë, sepse duke mos figuruar në sistem edhe mbështetja për ta është edhe më e pakët, pasi nuk kanë rezultuar ndonjëherë target-grup në nevojë.