15 prill 2020/ Aurora Sulce/ Porta Vendore
Bashkimi Europian do të ndihmojë Ballkanin Perëndimor me një shumë prej 410 milionë euro për të përballuar goditjen e COVID 19. Paketa e ndihmës konsiston në një asistencë financiare të rialokuar për vendet e rajonit tonë për të përballuar emergjencën shëndetësore të koronavirusit.
Sipas raportit të Komisionit Europian, një pjesë e financimeve do të jetë e menjëhershme për të ndihmuar në blerjen e pajisjeve mjekësore dhe nevojave të tjera në këtë drejtim. Kjo pjesë e paketës vlerësohet në 38 milionë euro. Ndërkohë që pjesa tjetër prej 374 milion euro konsiston në ndihmë financiare për të mbështetur rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike të rajonit. Por si do të ndahet torta e fondeve të bashkimit Europian?
Nga të dhënat e raportit të KE rezulton se Shqipëria do të përfitojë më pak se të gjitha shtetet e tjera fqinjë nga kjo ndihmë financiare. Vendi ynë do të përfitojë në total një ndihmë prej 50.7 milionë euro, nga të cilat 4 milion euro do të shkojnë si mbështetje e menjëhershme për sektorin e shëndetësisë dhe 46.7 milion euro mbështetje për rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike.
Shteti që do të përfitojë më shumë nga ndihma e Bashkimit Europian është Serbia me një shumë prej 93.4 milionë euro, e ndarë kjo në 15 milion euro mbështetje e menjëhershme për sektorin e shëndetësisë dhe 78.4 milion euro ndihmë për rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike, pasi pandemia e koronavirusit të kalojë. Një shumë të konsiderueshme prej 80.5 milionë euro do ta përfitojë Bosnje Hercegovina. Ajo do të jetë e ndarë në 7 milion euro mbështetje e menjëhershme për sektorin e shëndetësisë dhe 73.5 milion euro si stimul për rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike.
Për Kosovën, Bashkimi Europian do të akordojë një shumë totale prej 68 milionë euro për të përballuar situatën me koronavirusin. Nga këto, 5 milion euro mbështetje për sektorin e shëndetësisë dhe 63 milion euro për rimëkëmbjen e ekonomisë. Për Maqedoninë e Veriut, ndihma financiare e BE arrin në 66 milionë euro, nga të cilat 4 milion euro do të shkojnë si mbështetje e menjëhershme për sektorin e shëndetësisë dhe 62 milionë euro për rimëkëmbjen ekonomike.
Ndërkohë për Malin e Zi, Bashkimi Europian do të akordojë një shumë prej 53 milionë euro për përballimin e situatës së koronavirusit. Nga kjo shumë, 3 milionë euro është ndihma e menjëhershme për sektorin e shëndetësisë për të blerë pajisje të ndryshme, dhe diferenca prej 50 milionë euro për të rimëkëmbur ekonominë, pasi pandemia të ketë kaluar.
Raporti i Komisionit Europian shpjegon edhe mënyrën sesi do të shpenzohet pjesa e dedikuar e ndihmës financiare për sektorin shëndetësor, sipas vendeve që e kanë përfituar atë. Kështu, për Shqipërinë shuma prej 4 milionë euro për këtë destinacion, do të përdoret për të siguruar pajisjet e nevojshme mjekësore, përfshi këtu 5 autoambulanca të pajisura plotësisht, respiratorë dhe pajisje të tjera për kujdesin intensiv. Gjithashtu, nëpërmjet këtij fondi u mundësuan pako me ndihma ushqimore për më shumë se 400 familje të komunitetit rom.
Krahas ndihmës që po jep Bashkimi Europian, edhe vetë shtetet e prekura nga përhapja e virusit COVID 19 kanë hartuar paketa sociale dhe ekonomike për të përballuar gjendjen. Në një krahasim me Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar, Shqipëria rezulton se paketën financiare me vlerë më të ulët kundrejt GDP krahasuar me vendet e tjera. Qeveria shqiptare ka prezantuar dy paketa financiare, me një vlerë financiare në total prej 570 milionë euro, ose thuajse sa 4% e GDP-së, siç Porta Vendore e ka publikuar më herët. Por nëse zbresim dy garancitë sovrane, me vlerë totale 250 milionë euro, që nuk janë shpenzime të zbritshme nga buxheti, atëherë vlera totale e dy paketave financiare zbret në 320 milionë euro, ekuivalent me rreth 1.8% të GDP-së.
Nga ana tjetër, e para në rajon për faturën më të lartë buxhetore ndaj kësaj situate është Serbia, me një paketë masash financiare që kap vlerën e 5.1 miliardë lekëve ose sa 11% e GDP së këtij vendi.