14 prill 2020/ Artan Rama/ Porta Vendore
Xhek Neza, Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura të Qarkut të Elbasanit, njeriu që pa për herë të parë tre rrëqebujt, të martën e shkuar, diku në pyjet e Malit të Polisit, ishte vonuar me gjashtë javë, përpara se të kryente kontrollin rutinë të kamerave sekrete, të vendosura nëpër shtigjet ku mendohej se mund të kalonin kafshët e egra. Vonesa ishte shkaktuar për dy arsye: dëbora e madhe në lartësi dhe pezullimi i përkohshëm i veprimtarive publike për të parandaluar përhapjen e virusit (COVID-19). Kamerat ishin vendosur në 30 janar dhe sipas parashikimit, kontrolli do të kryhej në 15 shkurt. Por Xhek Neza mundi të shkojë vetëm në 7 prill. Ai udhëtoi qysh herët në mëngjes nga Librazhdi, së bashku me dy kolegë të tjerë dhe ende pa dalë mëngjesi mbërriti në pyll. Më pas e morën shpatin në këmbë dhe pas dy orësh, në mesditë, mbërritën në vendin ku ishte vendosur kamera e parë… Ajo çka panë të tre inspektorët nuk ishte thjesht surprizë, por një ngjarje e pazakontë, jo e lehtë për t’u besuar; në video u dukën tre rrëqebuj. Informacioni fotografik tregonte 16 shkurtin si datën e regjistrimit. Nëse kontrolli do të ishte kryer sipas parashikimit, pra në 15 shkurt, kamerat do të ishin lëvizuar në të tjera shtigje dhe me gjasë, rrëqebujt nuk do të ishin ekspozuar, ende për disa kohë. Kështu, në një farë mënyrë, vonesa e shkaktuar prej gjendjes së jashtëzakonshme, në kushtet e përhapjes së pandemisë, u shndërrua në një rastësi fatlume në favor të biodiversitetit. Sot kemi një lajm të mrekullueshëm, po aq të jashtëzakonshëm: zbulimin e popullatës së dytë të rrëqebujve në Shqipëri.
“Është një lajm me rëndësi ballkanike”, – thotë biologu Bledi Hoxha, i cili drejton, prej dhjetë vjetësh, Projektin për Ripërtëritjen e Rrëqebullit të Ballkanit në Qendrën për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Mjedisit në Shqipëri (PPNEA). “Popullata e parë u zbulua në Malin e Munellës, ndërkohë që ky zbulim konfirmoi ekzistencën e një tjetre, në një territor edhe më të madh, edhe më në jug. Kjo familje (me shumë mundësi të jenë anëtarë të së njëjtës familjë) përbën popullatën më jugore në Ballkanin Perëndimor të Rrëqebullit Bakllkanik.
Për herë të parë prania e Rrëqebullit Ballkanik në Shqipëri u konstatua në Malësitë e Mirditës. Pas tre vjet kërkimesh, në mars të 2011-s, njëra prej katër kamerave të vendosura nga PPNEA-ja, në Malin e Munellës, arriti të regjistrojë një mini-popullatë rrëqebujsh. Qysh atëherë, PPNEA-ja, një organizatë që mbron Faunën e Egër, e specializuar edhe në monitoirmin e rrëqebullit, i thelloi kërkimet për të kuptuar përhapjen reale të tij. Shtatë vjet më vonë, në dhjetor të vitit 2018, kamerat e regjistruan atë për herë të dytë. Kësaj radhe ishte vetëm një individ, në jug të Malit të Polisit, në të njëjtën zonë ku u raportua dhe zbulimi i pak ditëve më parë.
“Është e njëjta zonë”, – thotë Xhe Neza. “Bëhet fjalë për perimetrin Guri i Zi-Sopot-Gjinar. Janë sipërfaqe pyjore të shfrytëzuara, të kombinuara me djerrina, por sidoqoftë ekziston një florë e egër e larmishme, çka dëshmon në thelb, se pyjet e virgjëra nuk janë domosdoshmëri për mbijetesën e rrëqebujve.
“Janë arealet ku ata e kanë më të lehtë për t’u ushqyer”, thotë Bledi Hoxha.

Prej dhjetë vjetësh, biologu Bledi Hoxha dhe shokët e tij nga PPNEA-ja, kanë ndjekur gjurmët e mishngrënësit autokton, në përpjekje për të zbuluar sekretet e një jete të egër, të panjohur më parë. Si një prej organizatave më të rëndësishme që mbron dhe monitoron gjendjen e rrëqebullit në Shqipëri, deri tani, PPNEA-ja ka arritur rezultate të qëndrueshme. Projektet për mbrojtjen e rrëqebullit kanë qënë në partneritet me të tjera organizata të ngjashme në Kosovë dhe në Maqedoni. Falë këtij bashkëpunimi, në vitin 2017, rrëqebulli u cilësua një specie “e mbrojtur rreptësisht” nga Traktati Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (Bern Convention). Krahas mbrojtjes, ky “gradim” rrit përgjegjësitë e shteteve anëtare, kundrejt sigurimit të kushteve të jetesës, të përshtatshme për shtimin e rrëqebullit.
Në fakt autoritet mjedisore e përshëndetën publikisht regjistrimin e rrëqebujve, të martën e shkuar. Por siç ndodh rëndom, në traditën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, meritat konsiderohen privilegje zyrtarësh. Kështu, ishte Ministria e Turizmi dhe e Mjedisit që i njoftoi e para mediat. Vetë PPNEA-ja publikoi të njëjtin tekst dy orë më vonë në llogarinë e saj në Facebook,. Të nesërmen në mbrëmje, Zamir Dedej, Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM), e ndau lajmin në një prej programeve më të ndjekura televizive të Primetime-it. Por kur puna zbret në terren, entuziazmi bie dukshëm.
Një studim i kryer, pak muaj më parë, nga Arie Trauwbourst, një ekspert ligjor ndërkombëtar, mbi realizimin e detyrimeve të shteteve anëtare kundrejt Bernës, arriti në përfundimin se fakti që rrëqebulli ballkanik është ende një specie e rrezikuar, tregon se shtetet anëtare nuk po i përmbushin detyrimet përballë Traktatit Ndërkombëtar të Natyrës. Studimi shpreh keqardhjen për Malin e Munellës që nuk është ende një zonë e mbrojtur.
Nisma për shpalljen e Munellës si një territor i mbrojtur, e nxitur rreth pesë vite të shkuara ka mbetur ende një projekt. Kur PPNEA-ja e paraqiti, ajo propozoi klasifikimin si një Park Kombëtar (kategoria II). Pas diskutimeve me autoritetet, palët ranë dakort për një klasifikim më të ulët, duke ruajtur të njëjtën hapësirë territoriale, por sidoqoftë, jo më pak mbrojtëse.
“Rreziku tani qëndron tek autoritetet e larta planifikuese”, – shprehet Aleksandër Trajçe, Drejtori Ekzekutiv i PPNEA-s.“ KKT-ja, një organ kolegjial, ndërministror, rezervon të drejtën, për të ndryshuar propozimin, nisur edhe prej interesave të grupeve të tjera,”, – përfundon ai.
Në Janar, për herë të parë qysh prej themelimit, AKZM-ja kreu rivlerësimin e kufinjve të territoreve të mbrojtura. Fatmirësisht, vendi ku u regjistruan rrëqebujt ishte parashikuar të përfshihej brenda një territori të mbrojtur, sipërfaqja e së cilës do të rritej, nga 800 ha, në 1500 ha. Por ajo përbënte vetëm një pjesë të një areali të mundshëm për rrëqebullin, shumë herë më të madh, që përfshinte Librazhdin, Pogradecin dhe Korçën. Kësisoj në kushtet e reja përmasat e këtij zgjerimi mund të jetë të pamjaftueshme, ndaj autoritetet duhet të dëshmojnë se postimet promocionale nëpër rrjete për Faunën e Egër do të pasohen nga vendimmarrje, të cilat sigurojnë qëndrueshmërinë e kësaj faune.
“Mbijetesa e Rrëqebullit kërkon hapësira të mëdha. Duhet, të paktën, një sipërfaqe prej 40 mijë ha”, – thotë Trajçe.
Por sigurimi i territoreve të rrëqebullit ballkanik është vetëm një prej detyrimeve që duhet të përmbushin autoritetet.
“Problemi tjetër ka të bëjë me sigurimin e një baze ushqimore të mjaftueshme për rrëqebullin e ballkanit në habitatin ku ai jeton”, – thotë Xhek Neza. “Përballjet me vrasjet ilegale të kafshëve të egra, një pjesë e të cilave përbëjnë menunë e rrëqebullit nuk mungojnë as tani, në kushtet e izolimit total prej pandemisë së koronavirusit, shpjegon ai.
Por Dedej është optimist.
“Po shohim një rikthim të Faunës së Egër. Janë gjëra të cilat i kishim humbur dhe natyrisht, izolimi për shkak të pandemisë është një arsye, por edhe falë administratës tonë”, përfundon.
Nga zyra e tij, në ekranin e kompjuterit shijon videot që i dërgojnë inspektorët e administratës që ai drejton. Në një tjetër zyrë, një kat më lart, në të njëjtën ndërtesë, ministri Klosi poston për shtimin e pelikanëve në Lagunën e Karavastasë.
“Keqbërësit e natyrës janë gjithmonë një hap para”, – thotë Xhek Neza, i pari që pa tre rrëqebujt, të martën e shkuar.
