Vëzhgim/Analizë

Shtetrrethimi “rrënon” biznesin, ekspertët propozojnë 1 miliard euro për shpëtimin e ekonomisë

12 prill 2020/ Julian Hoxhaj/ Porta Vendore Tiranë

Lufta ndaj koronavirusit tashmë është shtrirë në dy drejtime; së pari për të parandaluar përhapjen e virusit dhe shpëtuar jetën e njerëzve që janë infektuar; së dyti është beteja ekonomike, ajo që duket dhe sfida e vërtetë për të gjithë shtetet, pasi virusi të jetë zhdukur. Në Shqipëri, një muaj pas nisjes së masave shtrënguese, një pjesë e mirë e bizneseve të vegjël e të mesëm kanë hapur qepenat e tyre, pas urdhrit të qeverisë për lejimin e ushtrimit të aktivitetit. Por hapja e qepenave të dyqaneve nuk përkon me hapjen e dritës jeshile për punë dhe xhiro gjatë ditëve të “luftës” me armikun e padukshëm.

Porta Vendore, bëri një vëzhgim në Tiranë duke pyetur dhe kontaktuar dhjetëra biznese që lejohen të ushtrojnë aktivitet gjatë kësaj periudhe. Nga bizneset e shitjes me pakicë në fushën e ndërtimit, shitjet me pakicë të produkteve kozmetike, të shëndetit, detergjenteve, materialeve elektrike, bojërave, agjenci udhëtimi, shitje kompjuterësh, celularësh etj, tregojnë pothuajse njëzëri se “thjesht sa i mbajnë hapur bizneset, pasi shitjet janë në nivele të shumë të ulëta”.

Qytetarët ‘heqin’ dorë nga teknologjia, shpenzojnë për gjëra jetike!

Flori është pronari i një dyqani celularësh në qendër të Tiranës. Pas një periudhë të vogël pauze, ai vijon ta mbajë hapur biznesin e tij. Megjithatë, duket se qytetarët tanimë kanë hequr dorë nga shpenzimet për celularë. “Kuptohet situata është shumë e rëndë dhe nuk është aspak e mirë në aspektin ekonomik, kjo mbase për arsye që ne i dimë të gjithë. Shitjet tona vijnë nga konsumatorët, njerëzit nuk kanë para, priren për të blerë gjërat e domosdoshme për mbijetesë, ushqime kryesisht. Këto ditë që e kemi hapur, 3 apo 4 orë në ditë kemi punuar. Njerëzit nuk kanë nga ia mbajnë për këto, psh karikuesit, riparimet, aksesorët e vegjël, pra gjëra të domosdoshme. Nuk ka pasur shpenzime të tjera jashtë kësaj”, tregon Flori për Portën Vendore.

Megjithatë, në këtë periudhë biznesi, edhe pse në kushte të vështira, i është dashur të përshtatet me situatën. Flori tregon se ka nisur shitjet online, por shtetrrethimi ka bërë që edhe kjo mënyrë të jetë jo funksionale. “Neve e kemi ofruar dhe vazhdojmë ta ofrojmë si shërbim, mirëpo problem është se në një situatë të tillë që është kaotike dhe ligjet ndryshojnë nga dita në ditë dhe neve nuk dimë sesi të veprojmë. Kemi bërë disa herë kërkesë për të marrë leje dhe nuk kemi marrë leje, nuk na kanë kthyer përgjigje, i kemi dhënë me vete punëtorit një vërtetim pune dhe një dokument të varur në qafë, por zyrtarisht nuk e dimë tamam sesi është kjo çështje”, thotë ai, duke shtuar se biznesi i tij tashmë është dëmtuar shumë. “Kuptohet që na ka dëmtuar, sepse kjo tymnajë gjithkënd e dëmton, është e kuptueshme. Neve punojmë me frikë, nuk e dimë a e cenojmë apo nuk e cenojmë rregullin apo ligjin, si ta quajmë, se ky nuk është as ligj”, tregon ai.

Flori shton gjithashtu se për të është absurde që biznesi i vogël të mbyllej, ndërkohë që mund të ishte funksional, duke zbatuar rregullat e distancimit fizik. Ai shpreh habi se si sot në Shqipëri vijon puna në rrobaqepësi apo ‘call center’, ku punohet në ambiente të mbyllura dhe mbyllet biznesi i vogël, ku rregullat e distancimit fizik mund të zbatohen më me lehtësi. “Situata kështu siç është menaxhuar në raport me biznesin dhe me popullsinë, për ne njëherë e shohim shumë të keqmenaxhuar. E para për arsye se e gjithë popullsia është izoluar në të njëjtën mënyrë siç janë izoluar ata 400 ose +- të sëmurë që ka Shqipëria. Nuk ka qenë aspak e nevojshme që bizneset e vogla të mbylleshin në mënyrë drastike të gjitha masivisht, bizneset që kanë një dyqan të vogël, që mund të vendosin rregulloren që mos të hyjë asnjë njeri përveç njërit në dyqan dhe të shërbehet me tek person, nuk ka qenë aspak e nevojshme. Ndërkohë punohet në një Call Center me 500 veta ose fasoneri me 500 veta brenda, dhe në një dyqan 20 ose 30 m2 siç janë dyqanet tona përgjithësisht nuk punohet. Kjo është alogjike. Daljet në rrugë dhe oraret e mbylljes duhet të kufizoheshin nga ora 6-7 pasdite, mbase do ishte shumë më mirë sesa të kufizoheshin kështu”, shprehet i indinjuar Flori, një djalë rreth të 30-tave.

Ndalon shitja e kompjuterëve, kufijtë lënë pa furnizim pikat e shitjes

Elidioni është një sipërmarrës i ri, i cili disponon një servis kompjuterësh afër “Ali Demit”. Ai tregton kompjuterë dhe aksesorë për to, ndërsa kryen dhe shërbimet e riparimit. Edhe Elidioni tregoi për Portën Vendore se ka nisur shitjet online, në një situatë të vështirë, por përsëri edhe ky shërbim është tepër i kufizuar për shkak se shërbimet postare janë gjithashtu të kufizuara. “Situata është shumë e vështirë, nuk ka njerëz, puna është shumë dobët, mundohemi të funksionojmë online, por është e pamundur sepse edhe posta funksionon me orar të kufizuar, njerëzit nuk kanë besim për blerje online kështu që është shumë e vështirë”, rrëfen ai.

Dyqani i shitjes së kompjuterëve në Ali Dem. Foto: J. Hoxhaj

Sipas tij, shitjet kanë rënë në mënyrë të ndjeshme, ndërsa krahasuar me një vit më parë, xhiro mujore është pothuajse 50% më pak. Por, ndonëse ankohet se nuk ka punë, kjo nuk e ka penguar atë që të bëjë porosi për furnizimeve me pajisje elektronike. “Është tkurrur goxha blerja për këto produkte, vetëm ato që e kanë të nevojshme, këto që po bëjnë mësimet online apo atyre që i duhet për punë ose ndonjë që ka lekë dhe do ta blejë për të luajtur, por këto janë shumë të rrallë, nuk është se ka siç është në ditë të zakonshme, është shumë e vështirë. Jemi drejt falimentimit sepse është e pamundur të paguash qiranë, të paguash sigurimet, taksat të gjitha është e pamundur. Edhe porositë që duam të bëjmë për furnizime nuk vijnë sepse janë të mbyllura të gjitha me aeroporte, me të tëra, kështu që edhe të duam të shesim nuk kemi mall sepse nuk po na vjen”, thotë Elidioni, duke theksuar se për shkak të situatës së vështirë financiare është i detyruar të heqë edhe punëtorin e tij.

 “E mira do ishte të kishim një mbështetje sepse pavarësisht se na ka lejuar të punojmë nuk po nxjerrim dot aq lekë sa të paguajmë të gjitha detyrimet e tjera. Një farë leku e nxjerrim por që nuk është i mjaftueshëm për të mbijetuar. Brenda muajit mund të falimentosh me kaq pak punë sa ka. E mira do ishte të na mbështesnin minimalisht me atë rrogën bazë prej 26.000 lekësh dhe kështu do kishim mundësinë të paguanim qiranë. Kjo do ishte një ndihmë goxha e madhe por nuk e dimë përderisa na ka lejuar të hapemi nuk do përfitojmë dhe me këtë skemë po funksionon, lejon bizneset të hapen që të mos i paguajë. Klientë janë shumë pak, mund të vijnë 3 ose 4 veta në ditë, dy janë për të pyetur, njëri për të blerë, njërit s’i pëlqen çmimi dhe kjo është situata”, përfundon Elidoni.

Ndërtimi në kolaps, bizneset paralajmërojnë falimentin

Bizneset që shesin materiale ndërtimi me pakicë duket se janë më të goditurit nga situata. Janë një numër i madh biznesesh në këtë fushë që janë hapur gjatë “ditëve të karantinës”, por që tregojnë se do të kishte qenë më mirë të kishin qëndruar mbyllur. Porta Vendore ka zhvilluar disa intervista me këto biznese, të cilët tregojnë situatën e vështirë financiare që po kalojnë. Pronari i një dyqani (bojëra, gipse dhe dekorime) për shtëpi apo ambiente të tjera, tregon se ka pak ditë që është rikthyer në punë, pasi kërkesa për të përfituar pagën e luftës iu refuzua. “Nuk ka pasur punë, ça pune do ketë pasur, puna ka qenë e mbyllur që nga data 9 mars. Në datën 6 prill kam dalë në punë, ditë e hënë. Dola sapo mu refuzua kërkesa për pagën e luftës”, thotë ai, ndërsa shton se gjatë periudhës që ka qëndruar pa punë nuk ka pasur kërkesa për materiale ndërtimi nga klientët e tij.

Dyqani i bojërave, gipseve dhe dekorimeve, i hapur që nga data 6 prill. Foto:J.Hoxhaj

Kërkesa nuk ka pasur sepse ne punojmë në banesa që janë të banuara, dhe logjike s’ke ku shkon të ushtrosh shërbimin tënd. E kam me qira, por mendoj se është pak jashtë logjike t’i thuash tjetrit unë s’ta paguaj qiranë sepse ka thënë kryeministri, i zoti është tjetër kush”, shprehet ai. Por pronari i biznesit, i cili ushtron aktivitetin e tij te Rruga e Elbasanit, por që nuk preferoi të identifikohej me emër, tregoi gjithashtu se nuk ka besim as te sindikatat e biznesit, të cilat i kanë paraqitur qeverisë kërkesa për subvencionim. “Në Shqipëri nuk ka pasur ndonjëherë as shoqatë dhe as sindikata, më thuaj ti mua ku ka sindikata dhe shoqata që merret me këtë. Ai që ka qenë kryetar sindikate në 1991, ai është edhe tani në 2020. Ka tjetër?! Surviver… kush mundet punon, kush s’mundet nuk punon, ça fati të kemi, shëndeti dhe sa më larg Covidit”, tregon pronari i dyqanit për Portën Vendore.

Enveri është pronari i një tjetër biznesi me artikuj ndërtimi, që shet materiale që përdoren kryesisht për pikat e saldimit dhe punimit të hekurit pranë zonës së ish-parkut të autobusëve. Ai tregon për Portën Vendore, se puna i ka rënë deri në 30% në krahasim me një vit më parë. “Punojmë për të dalë nga shtëpia edhe për të nxjerrë të paktën qiranë sepse qiranë s’na e njeh shteti. Ne shesim kryesisht gjëra shërbimi, i prishet një fresibël, apo rri në shtëpi e zotëria ka për të montuar diçka, dmth punë që i bëjnë njerëzit vetë në shtëpi, jo me ustallarë. Ustallarë nuk ka nëpër këmbë, nuk punohet, vetëm këto kompanitë e mëdha të ndërtimit punojnë. Dmth 30% kemi xhiro nga çfarë është normale. Tani ka edhe ditë që janë të dobëta, por një mesatare vjetore ose mujore kjo është. Shteti mirë është të ndihmojë por kur s`ka…”, thotë Enveri. Ndërkohë, ai beson se nga muaji maj, situata do të ndryshojë, ndërsa thotë se biznesin e ka së bashku me bashkëshorten. “Sivjet keq do të jetë, sivjet kjo nga maji fillon që të kemi shpresë, e nga gushti ta marrim veten të paktën si biznesi i vogël, se biznesi i madh është tjetër gjë”, tha Enveri.

Artani, një i punësuar në një dyqan bojërash pranë zonës së “Brrylit”, tregoi se situata në biznesin ku ai punon është shumë e rëndë. Ai nuk di të thotë se çfarë e pret në të ardhmen biznesin ku punon, por tregon se vështirësitë janë të mëdha, pasi njerëzit janë fokusuar te këto kohë vetëm te blerja e ushqimeve. “Jo nuk ka pasur fare punë, nuk kemi pasur shitje fare. Ta shikojmë, nuk e di, nuk di çfarë të them. Po normale që ka krijuar vështirësi sepse populli s`ka të hajë bukë jo të blejë bojëra. Shumë keq, në krahasim me vitin e kaluar është përtokë fare”, tregon ai.

Toni është pronari i një dyqani të vogël materiale elektrike në zonën e quajtur “Tregu Elektrik”. Ai tregon se gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur punë, ndërsa paralajmëron se do të mbyllë biznesin e tij nëse situata vijon kështu. “Nuk kemi pasur punë. Ne dalim kot, pasi derisa janë të mbyllura rrugët nuk vjen asnjë për të blerë. Nuk vjen askush, se dhe ai që del shkon për të blerë për të ngrënë për shtëpinë, nuk do blejë tela dhe kabllo. Unë jam i vetëpunësuar bashkë me bashkëshorten. Do donim që paketa financiare të na prekte dhe ne. Nëse situata vazhdon kështu do e mbyllim. Kjo po e bën të pamundur vazhdimësinë e biznesit. Është shumë keq situata, dhe po zgjati dhe pak do falimentojmë. Edhe shitësit e tjerë kanë të njëjtin problem”, tregon ai.

Pronari i një dyqani shitjes produkte për mobilieri afër “Maternitetit të Ri”, tregon se as klientët e rregullt që ka pasur nuk kanë shkuar për të blerë lëndë të parë. Tregtari, shprehet se fuqia blerëse ka rënë, njerëzit në këtë periudhë nuk e kanë fokusin te mobiliet. “Dje kemi filluar punë pas karantinimit dhe pothuajse fare punë. Jo nuk kanë interes fare. Klientë që i kemi pasur të rregullt nuk kanë ardhur fare sepse s`kanë punë. Ndoshta mund të jetë fuqia blerëse po mund të jetë edhe tjetra që njerëzit tani nuk fusin kollaj njerëz në shtëpi që të montojnë mobilie. Ne shesim lëndën e parë të mobilierisë kështu që edhe unë që jam familjar nëse sot në këtë situatë do të kisha nevojë për një mobilie as unë nuk do ta bëja, sepse duhet futur njeriu në shtëpi. Nëse janë shtëpi të reja të pabanueshme që duan t’i mobilojnë është tjetër gjë. Aty si duket nuk investon kush sepse është një gjë që pret puna edhe …”, thotë ai për Portën Vendore.

Pronari i mobilerisë duke folur për Portën Vendore.

Karantina “lulëzon” biznesin e kancelarive

Rreth 10 ditë më parë, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu njoftoi lejimin e tre bizneseve të tjera, si gomisteritë, kancelaritë dhe libraritë që mund të hapeshin duke respektuar oraret e aktivitetit të përcaktuara më parë nga qeveria.

Porta Vendore vëzhgoi gjithashtu një kancelari e një librari për të parë se si po funksionojnë këto biznese të vogla në këtë situatë. Pronarja e një kancelarie pranë rrugës së Elbasanit, na tregoi se biznesi i saj ka ecur shumë mirë gjatë këtyre ditëve, pavarësisht orarit të kufizuar të punës. “Njerëzit blejnë puzzle, lego, gjëra që u duhen fëmijëve që të shtyjnë kohën në shtëpi. Edhe bojëra marrin pafund, gjithashtu edhe libra për fëmijët, nga këto librat që ngjyrosin. Mendoj që duhet të ishim hapur sepse edhe shkolla është duke vazhduar edhe duhen pafund mjete. Mirë, nuk është se e hapim që në 6, aq 3-4 orë punojmë se nuk do shkojë njeri që në orën 6 në kancelari, por nga ora 8-9 vijnë sepse bëjnë edhe shumë printime nga këto lejet që u vijnë me telefon për qarkullimin e mjeteve, edhe njerëzit e kishin të nevojshme kancelarinë të hapur. Po, puzzle?! Shqiptarët paskan qenë të vdekur për puzzle, këtë e kemi pasur definitivisht produktin më të shitur”, thorë Mirela, pronarja e një kancelarie.

Kancelari në rrugën e Elbasanit. Foto:J.Hoxhaj

Ndërsa Pëllumbi, i cili administron një librari të vogël, jep një lajm të mirë, ku mesa duket karantina ka shërbyer si rikthim në botën e leximit për shumëkënd.

“Mbyllja e librarive ishte një absurditet, i cili u kuptua me vonesë, kur u lejua më pas bashkë me 2 biznese të tjera. Jo vetëm pse ishte një mbështetëse e lejimit të mësimit ‘online’, por edhe se karantina solli si rrjedhojë edhe një rritje të lehtë të kërkesës për libra. Mirëpo kufizimi ekstrem i lëvizjes vetëm 1 orë, madje me aplikim, e vështirëson shkuarjen e klientit në librari, kur atij i duhet të shkojë më parë në market, te dyqani i bukës etj. Unë personalisht mund të them që për një muaj që qëndrova mbyllur kam humbur 1 milion lekë. Unë paguaj 500 mijë lekë qira, dhe nëse nuk do isha hapur për muajin mars nuk do kisha nxjerrë as lekët e qirasë. Ndërkohë, punëtores i kam paguar pagën e plotë së bashku me siguracionet”, u shpreh Pëllumbi për Portën Vendore.

Karantia lë pa “make up” shqiptarët

Ela, është punëtore e një dyqani për shitjen e produkteve kozmetike. Ajo tregon se është “dështim” hapja e këtij lloji biznesi për momentin, pasi qytetarët nuk blejnë produkte kozmetike. Por jo vetëm kaq, edhe për shkak se sallonet e bukurisë apo berberët janë mbyllur, shitja e produkteve të kozmetikës ka rënë në mënyrë të ndjeshme. “S`ka punë fare, është një dështim totalisht them unë, nuk të hyn njeri në dyqan, plus që koha është shumë e kufizuar. Në një orë çfarë do të bëjë më përpara, do bëjë pazaret apo do vijë këtu në dyqan për të blerë diçka që mund t’i duhet. Për mendimin tim është dështim, kot që janë hapur”, thotë ajo.

Një tjetër punëtore, e një biznesi që shet gjithashtu produkte kozmetike në zonën e Bllokut, që nuk preferoi të identifikohej me emër, tregon se situata në këtë biznes është si mos më keq. Ajo thotë se klientët që futen në dyqan janë të rrallë, ndërsa shton se aktualisht po shesin vetëm online. “Ne kemi tre javë që vijojmë punën, por jemi shumë dobët. Klientë që vijnë në dyqan janë shumë të rrallë, por kryesisht po shesim online. Shesim vetëm brenda Tiranës. Në krahasim me një vit më parë situata është shumë dobët. Ne kemi klientët tanë, por dhe klientë të tjerë që vijnë. Ka një lloj hezitimi për të blerë produkte kozmetike në këtë periudhë”, thotë shitësja e dyqanit.

Biznes i hapur i produkteve kozmetike. Foto: J.Hoxhaj

Dezinfektuesit “Made in USA” në zemër të Bllokut

Amerikan Quality, është një dyqan që shet produkte detertegjente dhe dezinfektues, që vijnë kryesisht nga SHBA. Pronari i këtij biznesi tregon se në fillim të nisjes së epidemisë, ai si shumë të tjerë e mbylli dyqanin dhe u largua në jug të vendit për t`u karantinuar. Por klientët e thirrën në telefon, duke i kërkuar produkte dezinfektimi, të shumë kërkuara në këtë periudhë për shkak të koronavirusit. “U ktheva dhe çfarë kisha u shit shumë shpejt. Produktet kryesore na mbaruan, që ishin dezinfektues. Ka pasur një kërkesë të madhe për ta. Ne bëjmë porosi vetëm në SHBA, dhe tani presim një ngarkesë të radhës. Lysol është një dezinfektues që është përdorur për dezinfektimin kundër koronavirusit. Kisha dhe një spray kundër koronavirusit që u shit gjithashtu. Ishin disa produkte antibakterialë që u shitën. Këto kryesoret mbaruan, tani njerëzit duan detergjent, shampo apo pastë dhëmbësh. Deri tani nuk kemi pasur probleme me importin e produkteve, por pritet të ketë probleme se SHBA tani është në bllokim”, tregon pronari i American Quality.

Agjencitë turistike kthejnë paratë te klientët që kishin rezervuar bileta

Eltoni është pronari i një agjencie turistike në zonën e “Tregut Elektrik”. Ai, si të gjithë bizneset e tjera që mund të qëndrojnë hapur në këtë periudhë, ka vijuar punën. Mirëpo, siç tregon Eltoni, mbyllja e kufijve ka goditur më së shumti biznesin që ai drejton. Sipas Eltonit, ai ka paguar deri tani punëtorët, ndërsa kolegë të tij kanë nisur pushimet nga puna. Gjithashtu, ai tregon se është duke kthyer mbrapsht dhe paratë për klientët që kishin rezervuar biletat.

“Ne veç e hapim biznesin, tani jemi duke anuluar të gjitha biletat. Ne jemi të parët që u goditëm me mbylljen e kufijve. Ne ‘ai’ na mban kot hapur sepse nuk punojmë dot. Ne kemi bërë një kërkesë, doli kreu i shoqatës dhe tha ‘që turizmi ka 30% të GDP-së’ dhe duhet të ndihmohet. Ai (kryeministri) s`ka bërë asgjë për ne, jemi në situatë shumë të keqe. As pagat e punonjësve nuk na i dha. Unë i kam paguar nga xhepi, ndërsa tani jam duke kthyer dhe lekët e rezervimeve. Shumë agjenci të mëdha kanë filluar të pushojnë njerëzit nga puna. Kanë nga 20-30 punonjës, me rroga të larta. Shumë agjenci nuk po i kthejnë paratë mbrapsht të prenotimeve, u kanë thënë që lekët nuk kthehen. Nuk kemi besim te kjo paketa e re që thuhet se do të zgjerohet. Është grup shumë i madh biznesi i turizmit. Unë tre punëtorët e mi i pagova për marsin, ndërsa për prillin nuk e di”, thotë Eltoni.

Ndërkohë, Eridioni është një punonjës i një agjencie udhëtimesh në Tiranë. Ai tregon se puna është mbyllur prej datës 12 mars në agjencinë ku punonte, ndërsa thotë se u pagua vetëm për ditët që punoi. Eridioni thotë se nuk ka informacion se çfarë do të ndodhë më tej me punën që kishte. “U mbyllën dhe kufijtë dhe nuk kishte më vlerë të punoje. Gjithçka u mbyll, u paguam vetëm për ditët që kishim punuar. Tani nuk e di nëse do të na paguajnë, por nuk kam shumë shpresë. E rëndësishme është të kemi shëndetin”, thotë i riu, i cili e gjeti veten të papunë pas gati 9 vjetësh në këtë sektor.

Biznese në ‘ilegalitet’

Por si çdo herë kur ka masa të forta, ka dhe nga ata që i thyejnë rregullat. Edhe në rastin e pandemisë ka një grup biznesesh që vijojnë të punojnë edhe pse qeveria për ta ka vendosur të qëndrojnë mbyllur. Pronarët e këtyre bizneseve, e përligjin hapjen me idenë se askush nuk ka ardhur t’i thotë se duhet të mbyllen gjatë kësaj periudhe. “Unë nuk lejohem të punoj sipas aktit normativ, por qëndroj hapur sepse jam biznes që shes enë kuzhine dhe produkte elektroshtëpiake”, tregon pronari i një biznesi që shet enë kuzhine në “Tregun Elektrik”.

Ndërkohë, pronarja e një dyqani lulesh natyrale konfirmon të njëjtën gjë. “Unë duhet të isha mbyllur, por më kanë lejuar meqë lulet janë të domosdoshme. Duhen për shërbimet funerale por edhe për festa të ndryshme. Të them të drejtën kam pasur punë, madje zyrtarë të lartë të qeverisë kanë blerë lule këtu tek unë dhe më kanë thënë që këto biznese duhet të kishin mbetur hapur. Ndaj ne po punojmë”, tregon zonja, pronare e një dyqani lulesh .

Dyqan lulesh, biznes i hapur pavarësisht aktit normativ të vendosur nga qeveria. Foto: J.Hoxhaj

Ekspertët: Mosndërhyrja e qeverisë do të çojë në falimentimin e biznesit të vogël

Por si mendojnë ekspertët për gjithë këtë situatë? Porta Vendore pyeti një prej zërave aktivë të fushës së ekonomisë gjatë kësaj periudhe, ekspertin Mateo Spaho. Ai tregoi se nga paketa e qeverisë për biznesin e vogël do të përfitojnë vetëm 18% e bizneseve. Kjo, sipas Spahos, po bën që shumë prej bizneseve të shkojnë drejt falimentit.

“Normalisht kriza e shkaktuar nga COVID-19 ka ngadalësuar dhe në disa raste bllokuar tërësisht aktivitetin ekonomik. Të gjitha bizneset, kush më shumë e kush më pak kanë ndjerë impaktin dhe pasojat e këtij bllokimi kombëtar dhe ndërkombëtar. Doja ta filloja nga biznesi i vogël sepse në Shqipëri janë gati 200 mijë persona që punojnë në këtë biznes. Në këtë aspekt, qeveria u ka dhënë mundësi për të aplikuar për pagën minimale për punonjësit e tyre vetëm 30% të bizneseve dhe duke marrë parasysh se më shumë se 40% të aplikimeve janë refuzuar, mund të themi se vetëm 16-18% të bizneseve të vogla do të përfshihen në skemat ndihmëse. Në të kundërt mosveprimi po sjell dëme që mund të jenë të pariparueshme dhe shumë biznese të vogla mund të mos rihapin qepenat, duke u zhytur në varfëri pa alternative të tjera veçse emigrimit”, thotë Spaho.

Ai deklaron gjithashtu se biznesi i madh është “lënë në dorë të fatit” sepse masat në këtë sens nuk ekzistojnë dhe kjo është dramatike sidomos “po të mendojmë se 90% e të ardhurave të buxhetit të shtetit paguhen pikërisht nga biznesi i madh”. I pyetur lidhur me disa nga llojet e bizneseve, që ne kemi paraqitur në këtë shkrim, Mateo Spaho tregon se “lënia hapur e tyre nuk ka sens, pasi shembulli është se sektori i ndërtimit ka ndalur së bashku me derivatet që kanë të bëjnë me të. Në fakt riparimet e shtëpive, ndërtimi i banesave ose godinave të vogla ka ndaluar dhe të gjitha derivatet që kanë të bëjnë me to. Në këtë aspekt lënia hapur e dyqaneve që merren me këtë fushë nuk ka sens veçse t`i lejojë qeverisë t`i përfshijë në skemën ndihmëse”, thotë Spaho.

Ai bën dhe një përllogaritje se sa do të jetë numri i personave që do të humbin punën në Shqipëri. Ai thotë se vetëm në sektorin fason punojnë të paktën 70 mijë persona, çka mund të çojë deri në 10% të humbjes së vendeve të punës për të punësuarit në këtë sektor. Por ekonomia do të goditet edhe në sektorë të tjerë.

“Problemi me papunësinë do të ndihet jo vetëm nga bizneset e vogla, por sidomos ato të mëdhatë që punësojnë sot së paku 250 mijë shqiptarë. Italia pritet të ketë një recesion ekonomik -6% të prodhimit të brendshëm bruto dhe konfeksionet e veshjet janë ato që do të ndjejnë më shumë krizën. Në një situatë edhe më të keqe janë operatorët turistikë, të cilët kanë filluar që tani të heqin nga puna personelin e ty , dhe gjatë verës, kriza ekonomike nuk do të lejojë që lokalet e rivierës të jenë plot. Hotelet, bujtinat dhe shtëpitë e bregdetit do ta kenë problematike mbajtjen e personelit. Probleme jo të vogla do të ketë i gjithë sektori i transportit sidomos atij kombëtar dhe ajror me pezullime nga puna dhe heqje në masën 20/50% të personelit”, tha Spaho për Portën Vendore, duke mos lënë mënjanë as bujqësinë, e cila duket se ka ngadalësuar punën dhe prodhimin veror.

“Është e nevojshme një ndërhyrje në ekonominë shqiptare me një injektim financiar prej së paku 1 miliard eurosh ndërsa qeveria premton 200 milionë euro, ose një e pesta e asaj që duhet. Sa para realisht do të hidhen në treg, këtë ende nuk e dimë sepse fatkeqësisht besoj se as paratë e premtuara nuk do t’i shohim dot të gjitha”, thotë Spaho me skepticizëm.