12 prill 2020/ Artan Rama/ Porta Vendore/ Tiranë
Stolat e drunjtë janë liruar dhe rrugët me asfalt të butë kanë mbetur të zbrazura, por nëpër shtigjet e ngushta të Parkut lulet kanë bleruar. Kudo kanë mbirë luleshqerrat dhe kamaroshet bojë rozë kanë rrethuar trungjet e vjetra të lisave. Fluturat, bletët dhe të tjera insekte, të sapolindura, shijojnë gostinë dhe gëzimin që ofron natyra. Një pjalm i padukshëm ka mbushur ajrin me një aromë të hollë freskie.
Pandemia mund të na izolojë, por ajo nuk mund të pengojë shpërthimin e pranverës.
Këto fotografi tregojnë spektaklin e Florës në brendësi të Parkut të Tiranës. Monumentet nuk ka kush t’i vizitojë dhe sheshet janë të boshatisura. Tek tuk, shihen disa punonjës të Agjencisë së Parqeve që kujdesen për kontrollin e një vegjetacioni të shfrenuar. Në hyrjet kryesore vigjilojnë ushtarët dhe policia bashkiake. Të vetmet që mbushin heshtjen janë tingujt e zogjve dhe qetësia e rosave mbi liqen. Pranvera dhe mungesa e vizitorëve ka sjellë gjallërimin e natyrës. Ka vetëm një trishtim, që askush nuk mund ta shijojë spektaklin e saj. Por, le të durojmë edhe pak!