11 prill 2020/ Arjola Hekurani/ Elisa Gjerani/ Porta Vendore
Të moshuarit e kanë të ndaluar rreptësisht të dalin nga shtëpia me vendim qeverie, duke “u burgosur” për një afat të pacaktuar, pasi sipas autoriteteve, strukturat vendore do të asistojnë për t’u ardhur në ndihmë për nevojat e tyre, si për pensionin, për të blerë ushqime apo për t’u çuar ilaçet. Megjithatë, ky mekanizëm në situatën e emergjencës së fatkeqësisë natyrore, edhe pse kanë kaluar më shumë se dy javë dhe bashkitë deklarojnë se po ndajnë ndihma si për pensionistët ashtu dhe për shtresat në nevojë, duket se nuk ka funksionuar, pasi dhjetëra familje detyrohen të thyejnë rregullat e karantinimit dhe të dalin jashtë shtëpive të tyre, duke u përballur me rrezikun e infeksionit nga Covid-19.
Familje të tëra, ende pa zgjidhje
Koço Vjeri është 83 vjeç. Ai jeton së bashku me bashkëshorten e tij 79-vjeçare në zonën e Kombinatit. Izolimi brenda në shtëpi nuk është një rend i ri për ta, pasi kanë më shumë se 1 vit e gjysmë pa dalë. Mosha ka rënduar tek ata edhe një mal me sëmundje të tjera, ndërsa nuk kanë asnjë të afërm që të mund t’u vijë në ndihmë.
“Nuk kemi njeri që të na rrijë afër. Gruaja është e sëmurë prej dy muajsh me probleme mendore. Unë jam invalid, pasi kam thyer femurin dhe kam një vit e gjysmë që nuk dal dot nga shtëpia. U katandisëm në këtë mënyrë, ku vetë i laj rrobat, vetë i laj enët. Edhe kur bëj ndonjë gjellë, apo laj ndonjë pjatë, mbështetem te lavamani, pasi nuk qëndroj dot në këmbë. Po të kisha vetëm moshën, e mos të kisha këto probleme, do të ishte gjysma e së keqes”, tregon ai thuajse i përlotur.
Bashkëshortja e tij ka afro dy muaj që qëndron shtrirë dhe e paaftë të kryejë as nevojat personale vetë. Ata nuk kanë asnjeri t’u qëndrojë afër për faktin se nga martesa e tyre nuk kanë sjellë në jetë fëmijë.
“Ne marrim 350 mijë lekë të dy, këto kemi. 45 mijë lekë paguajmë dritat, ujin. Por kemi edhe shumë ilaçe. Megjithatë nuk po kërkoj ushqim, se njeriu nuk vdes për të ngrënë. Unë e kam problemin për gruan që e kam të shtrirë, nuk mund ta përballoj dhe nuk mund të jetohet këtu. Ajo i ka të gjitha e shtrirë në këtë divan. Ju lutem të gjithëve që të marrin vetëm këtë ta shohin se çfarë ka dhe ta çojnë në spital. Ju lutem se jam i pafuqishëm, ajo ka muaj që nuk lëviz nga vendi, ajo po zë krimba. Ju lutem!” apelon Koço.
I vetmi që i viziton dhe plotëson nevojat e tyre ditore është fqinji i tyre, Lavdoshi.
“Asnjë, askush nuk ka ardhur, veç Lavdosh Balilaj, fqinji im. As nga Bashkia, as nga qeveria, nga askush. Kisha një grua që e paguaja vetë nga pensioni, pasi mendova të hamë më pak dhe të na ndihmojë. Por ajo iku në Francë për të takuar të bijën dhe ngeli atje për shkak të koronavirusit”, tregon i moshuari për Portën Vendore.
Ndërsa Lavdoshi tregon se e njeh çiftin prej 50 vitesh. Për të, komshiu njihet në ditë të keqe, se në të mira jemi të gjitha super të sjellshëm me njëri-tjetrin.
“Unë nuk jap ndonjë ndihmë të madhe, thjesht i marr pensionin, pasi ato zonjat më njohin dhe e dinë gjendjen e këtyre. Kur kam ndonjë mundësi, vij dhe fshij nganjëherë se e shoh zotërinë që përpiqet, por çfarë të bëjë. Kështu që i bashkohem apelit të zotërisë që institucionet të kujdesen për zonjën për një mundësi hospitalizimi, të vijë ndonjë mjek ta shikojë. Normalisht në pallatin tonë nuk ka ardhur asnjë ndihmë. Unë kam komunikuar personalisht me numrat e vënë në dispozicion nga Bashkia dhe na janë shprehur se nuk kemi çfarë bëjmë, po të jetë për ndonjë pako ushqimore, mund t’ua sjellim”, tha Lavdoshi për Portën Vendore.
Lavdoshi tregon se situata në pallatin e tij është kritike, pasi ndodhen dhe dy të moshuar të tjerë në këtë gjendje, të cilët i kanë fëmijët jashtë dhe jetojnë prej vitesh vetëm.
“Niko është i ve e ka djalin në Gjermani. Edhe Evzo gjithashtu është e ve, jeton e vetme prej disa vitesh, teksa gocën e vetme e ka në Greqi. Askush nuk ka ardhur t’i shikojë ose ndihmojë këta dy pleq në pallatin tonë. Unë jam kthyer në ndihmësin e tyre, e për çdo gjë më marrin në telefon e në çdo orë përpiqem t’i gjendem pranë”, tregon Lavdosh Balilaj.
Bashkia Tiranë ndërkohë ka nisur fushatën “adopto një gjysh” ku vullnetarët ndihmojnë të moshuarit për pazare.
“Që më 10 mars, ne jemi në terren për të ndihmuar target-grupet në nevojë. Me bërjen publike të rastit të parë më 9 mars, ne direkt të nesërmen filluam që të shpërndanim ushqim katering me vasketa nëpër shtëpi që të evitonim grumbullimet e mëdha nëpër qendrat komunitare të bashkisë. U bënë 20 ditë që ne punojmë në terren për target-grupet në nevojë”, shprehet për Portën Vendore, Albiona Muçoimaj, punonjëse sociale në Bashkinë e Tiranës
Sipas saj, target-grupet janë të ndryshme, që nga familjet me vështirësi, që janë të moshuarit e vetmuar dhe në nevojë, personat me aftësi ndryshe dhe nënat që janë kryefamiljare. “Nevojat e tyre janë të ndryshme, dhe ato përgjithësisht janë në varësi të target-grupit. Ka nga ata të moshuar që për shkak të karantinimit duan një njeri që t’i ndihmojë me blerjen e ushqimeve ose ilaçeve në farmaci, ose ka familje në nevojë që gjenden në vështirësi të mëdha ekonomike që kërkojnë pako ushqimore”, shpjegon Muçoimaj.
Familjet në nevojë në qytetet e tjera
Në çdo cep të Shqipërisë shumë familje apelojnë për ndihmë në këto ditë të vështira. Shumica e tyre ka mbetur pa punë për shkak të mbylljes së bizneseve nga masat e marra për parandalimin e Covid 19, ndërsa të tjerë kanë humbur edhe punën ditore në të zezë për shkak të karantinës.
Në rubrikën “Raporto” të platformës Porta Vendore kanë ardhur disa raste familjesh ku kërkojnë ndihmë, e të cilat po ndiqen nga Qendra për Advokim Social për të bërë ndërmjetësimin midis bashkisë së qytetit ku ata jetojnë dhe familjeve në kushte të këqija ekonomike.
“ Kam krushqit nga Rrogozhina, janë dy pleq, plaka 75 vjeç ndërsa plaku 80 vjeç, janë vetëm. Fëmijët i kanë jashtë shtetit ndaj i mora unë që nga fillimi i karantinës, i mbaj me bukë e gjithë gjërat. Por ama edhe unë kaq e kam mundësinë, deri më sot i kam mbajtur me ushqime e shtëpi, por tani s’kam më lekë as për vetë jo më për ata. Kam shkuar jam interesuar në bashki po hiç s’më kanë dhënë asnjë zgjidhje për ta. Ata janë dy pleq të vjetër, nuk lëvizin fare nga vendi se janë me 100 sëmundje, tani shteti se ka vënë uji në zjarr fare për ta”, tregon Qazim Avdiu i cili kërkon dëshpërimisht një ndihmë urgjente për të moshuarit.
Gëzim Sheko është një tjetër i moshuar, i cili apelon për ndihmë. Ai jeton bashkë me gruan në qytetin e Gjirokastrës, ndërsa situata e koronavirusit e ka kapur në situatë të keqe financiare dhe pa kursime mënjanë.
“Po bëj vite pa punuar, megjithëse kam punuar në shumë profesione. Nusja gjithashtu nuk është në punë. Jemi nga 60 vjeç e po presim moshën e pensionit, por kjo situata na ka kap si s’ka më keq. Kemi një djalë e ai na ka mbajtur deri më tani. Ndërsa ndihma nga institucionet na ka munguar. Kam kërkuar ndihmë ekonomike vazhdimisht, por nuk është bërë gjë. Sot vajtja tek zyrat e Bashkisë Gjirokastër e më thanë që do të japim ne ndihmë”, tha i moshuari për Portën Vendore.
Por pjesë e familjeve në nevojë në këtë situatë nuk janë vetëm të moshuarit, por edhe familjet që kanë jetuar deri më sot me punën në të zezë. I tillë është rasti i familjes Pepushaj, ku kryefamiljari punonte në ndërtim para karantinës që ka shkaktuar koronavirus.
“Burri ka 3 javë pa punë. Më kanë ndihmuar deri më tani vëllai e motra, por edhe ata kanë familjet e tyre. Kemi aplikuar për asistencë por nuk e fituam se na thanë që keni frigorifer e televizor, se ata s’e dinë që i kam të gjitha në shtëpi të falura nga të afërmit e mi. Unë vetë s’kam dalë në punë se i kam pasur fëmijët e vegjël. Situata është shumë kritike, edhe një javë bukë kemi. Kemi shkuar tek Bashkia Lezhë por s’na kanë dhënë zgjidhje”, tha Leonora Pepushaj, ku na shpjegon se në familjen e saj janë 4 anëtarë.
Osman Sallaku është 70-vjeçari nga Elbasani, i cili prej vitesh jeton i vetëm pasi fëmijët i ka të martuar jashtë shtetit ndërsa disa vite më parë ndërroi jetë edhe bashkëshortja e tij. Jetesa mes karantinës dhe nevojës për të dalë e kryer pazaret e nevojshme e lodhur. Ai shprehet për Portën Vendore se pavarësisht kërkesave dhe ankesave për ndihmë, sërish askush nuk është kujtuar për të.
“Dje dola bëra ca pazare, madje më kapi edhe një polic, por ma fali, s’më vuri gjobë sepse nuk di të regjistrohem tek ai portali i qeverisë, e s’kam se si, kam vetëm një telefon për të bërë alo. E kam pensionin 100 mijë lekë të vjetra, nga këto lekë 65 i harxhoj për ilaçe. Pa më thuaj ti çfarë të bëj me 35 mijë lekë unë, të paguaj ujin, dritat apo të ushqehem?!”pyet me të drejtë i moshuari, ndërsa thekson se fëmijët e kanë ndihmuar jashtë masa, por tani s’kanë më se si.
“Kam shkuar tek bashkia për të më ndihmuar me ndonjë pako ushqimore, por ata do vijmë, do vijmë, vajti 3 javë ky muhabet. Nuk mund ta shtyj më kështu”, tha Osmani për Portën Vendore, i cili jeton në lagjen “Aqif Pasha” në Elbasan.
Njësia 4 në qytetin e Elbasanit përbëhet nga 5 lagje të mëdha, lagja Vullnetari, Partizani, Aqif Pasha, Kala, Viserjon Xhuvani.
Porta Vendore kontaktoi me administratorin e kësaj njësie z. Arben Demiri, ku ai pranoi faktin se ndihma me pako ushqimore nuk ka filluar ende të shpërndahet për të moshuarit pensionistë, kjo sepse kur flasim për shtresat në nevojë ka prioritete.
“Deri më tani janë shpërndarë vetëm 50 pako në gjithë këtë lagje të mëdha ku nevojat janë së paku për 300 familje. Këto pako janë shpërndarë duke u ndihmuar nga një shoqatë, pasi ende bashkia nuk ka shpërndarë pako ushqimore. Këto pako janë shpërndarë te komuniteti rom dhe egjiptian, e te familjet me shumë fëmijë. Gjithsesi unë jam i mendimit që pensionistët ashtu siç kanë bërë edhe para karantinës do t’ia bëjnë me të ardhurat e tyre. E vetmja pamundësi është fakti që ato s’mund të dalin ndaj kush do, le të kontaktojë me ne për t’i ofruar një nga vullnetarët tanë që t’i ndihmojnë me blerje”, tha Demiri për Portën Vendore. Nga ana tjetër tha ai edhe kur të vijnë pakot e tjera ushqimore sërish prioritet janë familjet në nevojë, si familjet me shumë fëmijë, ose me një kryefamiljarë, më pas nëse tepron diçka do tu shpërndahet pensionistëve.
Ndërsa burime zyrtare nga Bashkia Elbasan tha për Portën Vendore se deri më tani janë shpërndarë rreth 1800 pako ushqimore, nga fondi i bashkisë dhe me ndihmën e organizatave.
Bashkitë, të vonuara për zbatimin e VKM-së
Por ndryshe nga sa deklaron administratori i një prej lagjeve të Elbasanit, ose duke marrë shkas dhe nga ankesat e dhjetëra qytetarëve të tjerë, kryeministri Rama, kur njoftoi ndalimin e të moshuarve për të dalë nga shtëpia, u shpreh se autoritetet do të shkojnë pranë pensionistëve të vetmuar. Madje, kreu i qeverisë vuri në dukje se janë përgatitur listat për të gjithë pensionistët e vetmuar, ose që nuk kanë familjarë në të njëjtin qytet ku jetojnë dhe për këtë, ai tha se autoritetet vendore do i ndihmojnë për t’u bërë pazaret, dhe për t’u çuar në shtëpi ilaçet dhe pensionet. Për këtë, qeveria miratoi dhe një vendim, pikërisht më datë 19 mars “Për marrjen e masave për ofrimin e asistencës në banesë ndaj shtresave në nevojë, në kushtet e epidemisë së shkaktuar nga COVID-19”. Në këtë vendim deklarohet se “ofrimi i asistencës, sipas këtij vendimi, do të konsistojë në dërgimin e pagesave mujore që subjektet përfitojnë nga programi i mbrojtjes sociale nga sigurimet shoqërore dhe në dërgimin e produkteve, ushqimore e joushqimore, minimale, barnave të rimbursueshme dhe atyre me kërkesë, për përballimin e situatës apo në kryerjen e furnizimeve me produktet e mësipërme, për llogari të tyre”. Në këto shtresa në nevojë, po sipas vendimit, janë klasifikuar dhe pensionistët. Megjithatë, ende mbeten shumë pensionistë që nuk janë kontaktuar nga bashkitë përkatëse, duke u detyruar ta thyejnë rregullin e karantinimit.
Familjet në nevojë
Fatkeqësia natyrore e shkaktuar nga pandemia COVID-19, ka krijuar vështirësi në përballimin e jetesës për familjet në nevojë, përfshirë familjet që i përkasin komuniteteve rome dhe egjiptiane. Organizatat Lëvizja Rinore Egjiptiane Rome, Qendra T’reja, Qendra për Advokim Social, Qendra për Aksion Komunitar në bashkëpunim me aktivistë në disa prej qyteteve të Shqipërisë janë duke monitoruar situatën e familjeve në nevojë por edhe të komuniteteve rome dhe egjiptiane, si dhe masat e ndërmarra nga qeveria për sigurimin e nevojave bazike.
“Përgjatë punës sonë si aktivistë kemi evidentuar se jashtë kësaj VKM-je ka mbetur një numër i lartë familjesh të cilat janë shkëputur padrejtësisht nga skema e ndihmës ekonomike. Aktualisht rreth 50.000 mijë familje trajtohen me skemën e N/E, ndërkohë që nga komunikimet që ka pasur grupi jonë me strukturën Përgjegjëse të shtabit të Emergjencave Civile, jemi informuar se mbështetja me ushqime bazë, të cilat janë domosdoshmëri për familjet e varfëra në këtë periudhë do të jepet vetëm për 56.000 mijë familje si kategori të përfshira në VKM. Pra në vlerësimin tonë kjo është një përllogaritje shumë e ulët krahasuar me nevojën e cila reflektohet shumë më e lartë”, tha Romina Sefa, drejtuese e Qendrë për Advokim Social, ndërsa thekson se jashtë VKM-së kanë mbetur kategoria e punëkërkuesve afat-gjatë dhe të familjeve të varfra, të cilët i sigurojnë të ardhurat me aktivitete informale (e cila kryhet kryesisht nga romët dhe egjiptianët) siç janë mbledhja e mbetjeve të riciklueshme, tregtimi i rrobave dhe mbledhja e hekurishteve etj.
“Lidhur me këtë vendim qendra që unë përfaqësoj, Për Advokim Social ka dërguar një ankesë pranë zyrës së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, pasi ne pretendojmë që këto familjet që janë lënë jashtë, janë duke u trajtuar jo në mënyrë proporcionale me jetesën dhe të ardhurat që fitojnë”, tha Sefa për Portën Vendore.
Sefa propozon rishikim të VKM-së dhe zgjerim të kategorive përfituese, pasi nevojat paraqiten shumë të mëdha në terren.
“Deri më tani në Tiranë janë shpërndarë disa pako me ushqime për minoritetin rom dhe egjiptian nga Bashkia e Tiranës, në zonën e Lana Bregasit, Shkozë, Selitë, Kombinat dhe Yzberisht. Aktualisht kemi kryer identifikimin e listës se personave që janë në nevojë dhe do t’i dërgohen bashkisë në mënyrë që të mund të mbulohen edhe familje të tjera, duke kërkuar gjithashtu që këtë herë sasia e ushqimeve të jetë më e madhe se herën e fundit dhe të ndihmojë familjet për të mbuluar nevojat për më shumë së një javë”, sqaron Romina Sefa.
Grupi i aktivistëve kanë krijuar edhe një pyetësor online, i cili mund të plotësohet nga çdo person që gjendet në vështirësi financiare. Të dhënat e grumbulluara nga ky pyetësor, do të përcillen më pas nga aktivistët tek bashkitë përkatëse, për të mundësuar që këtyre familjeve tu shkojë ndihma e premtuar.
“Ne, si organizata e vlerësojmë maksimalisht miratimin e VKM-së nr.236, datë. 19.03.2020 si një mundësi e mirë për t’i ardhur në ndihmë familjeve në nevojë. Por, nisur nga informacionet që kemi, shohim se VKM-ja nuk ka gjetur ende zbatim si pasojë e moskoordinimit të strukturave përgjegjëse dhe rakordimit në kohë i listave të familjeve në nevojë. Këto vonesa po ndikojnë në nxitjen e kryefamiljarëve të familjeve në nevojë të mos zbatojnë urdhrat e miratuara nga ana e qeverisë duke e ‘thyer’ karantinën”, thotë për Portën Vendore Ervis Çota, drejtues i LRER në Elbasan.
Të gjendur në këtë situatë organizatat kanë konstatuar disa problematika. Çota sqaron se familjet në nevojë janë të pakënaqur nga mënyra se si bashkitë dhe strukturat përkatëse po menaxhojnë shpërndarjen e pakove ushqimore dhe listat e familjeve. “Një numër i konsiderueshëm familjesh nuk kanë përfituar asnjë paketë ushqimore që nga momenti i përhapjes së pandemisë dhe ndërmarrjes së masave parandaluese nga ana e qeverisë. Në bashkitë ku është bërë e mundur mbështetja e disa prej familjeve në nevojë, paketa ushqimore ka pasur produkte të mjaftueshme për sigurimin e vakteve të 3-7 ditëve”, tha ai për Portën Vendore, ndërsa thekson se situata e komunitetit rom dhe egjiptian jo vetëm në Elbasan por edhe në qytete të tjera mbetet kritike, ku luftojnë çdo ditë për mbijetesë.
“Familjet në nevojë që i përkasin komuniteteve rome dhe egjiptiane kanë mungesë të theksuar të sigurimit të produkteve ushqimore/jo ushqimore dhe medikamenteve. Deri më tani pushteti qendror dhe vendor po ndërhyn me ritme të ngadalta për mbështetjen e këtyre familjeve. Nga komunikimi i vazhdueshme me familjet në qytetet Elbasan, Tiranë, Fier dhe Berat, janë evidentuar rreth 2000 familje në nevojë rome dhe egjiptiane, të cilave po u rrezikohet jetesa. Pjesa dërrmuese e tyre janë pa të ardhura, pasi nuk trajtohen në skemat e mbrojtjes sociale dhe as nuk janë të punësuar. Gjithashtu pezullimi i punëve në sektorin informal ka rënduar më tepër këtë situatë”, sqaron Çota.
Ndërsa Ervisi sqaron se e ka çuar shqetësimin e tij edhe në organet e pushtetit qendror e vendor në lidhje me këtë situatë.