Ngjarje/Personazhe

“Shuarja” e Lazaratit, fshatit që i kanë mbetur vetëm pleqtë

11 prill 2020/ Brikena Metaj/ Porta Vendore/ Gjirokastër

Porta Vendore sjell historinë e dy të moshuarve nga Lazarati i Gjirokastrës. Jetesa e tyre në karantinë është mes vetmisë dhe vështirësive financiare, të cilat po i sfilitin pa asnjë mëshirë.

Afo Rabaj nuk e di se sa vjeçe është. Kur e pyetëm për moshën, ngriti dorën lart dhe duke qeshur tha “Ehu, ku di unë sa jam, moj bijë. Në luftën e grekut me talianët (italianët) qesh vajzë e rritur”.

92-vjeçarja jeton krejt e vetme në një shtëpi të vjetër e të rrënuar. I shoqi u largua nga jeta 25 vite më parë. Ata nuk patën kurrë fëmijë dhe ky është meraku më i madh i nënë Afos.

Me vitet e lëna pas, banesa u rrënua gjithnjë e më shumë. Sot, e moshuara i gdhin ditët e netët e vetmuar, në dhomën pothuajse të zbrazët, pa një shtrat ku të prehet, me macen që i bën shoqëri dhe me zërin e lartë të një televizori, me të cilin mbush momentet e heshtjes së gjatë të shurdhërisë që e ka zaptuar.

Kur na sheh në derë gëzon dhe afrohet, kërkon të na përqafojë, ndonëse ne përpiqemi t’i qëndrojmë larg. “Është për të mirën tënde nëne”, i themi disa herë, derisa arrin të na kuptojë me vështirësi.

 “T’ju bëjë një kafe nëna? Jam e varfër, po një filxhan kafe e kam”, thotë sërish duke qeshur e moshuara. “Na mbylli brenda fare kjo e flamosura. Se ço ku dilja nga pak, me të keq, tani nuk dal fare, fare. Ja vjen kjo vajza,( dhe tregon me dorë nga Rudina, administratorja e Lazaratit,) më sheh ajo, më sjell ndonjë ushqim, dhe pastaj vetëm o vajzë, çfarë të bëj!”, rrëfen Nënë Afo për Portën Vendore.

Në atë që mund të quhet shtëpia e nënë Afos nuk ka një kuzhinë, as një dollap ushqimesh. Në oborr janë ende gjurmët e kohës kur ajo kultivonte kanabis, por gjendja e shtëpisë është dëshmia më e mirë e fitimeve që kjo grua ka pasur nga ky biznes. Te dera e jashtme janë disa llamarina me të cilat plaka thotë se mbulon derën për të mos hyrë shiu brenda në ditët me reshje, ndërsa tavani që nuk mund të quhet i tillë, është i mbuluar me plastmasa. Gruaja e moshuar fle në shesh mbi disa velenxa të leshta të endura që në rininë e saj. Në mur është vetëm fotoja e të shoqit në rini, i veshur me kostum popullor. “Ja me atë llafosem gjithë ditën e ditës”, thotë ajo, e prapë qesh.

Nënë Afo duke folur për Portën Vendore. Foto:B.Metaj

 “Nuk të dëgjoj moj bijë, se më kanë lënë veshët, po rrofshi që erdhët”, na thotë hareshëm nënë Afoja, ndërsa nuk nguron të na përcjellë deri në portën e jashtme të shtëpisë së vjetër.

Nënë Afo teksa del të marrë pak ajër në pragun e shtëpisë. Foto: B.Metaj

Në fshatin e njohur nënë Afoja nuk është e vetmja kryefamiljare e vetmuar. Ka mes tyre që fëmijët i kanë të larguar në emigrim dhe prej gati një muaji nuk kanë mundur të kenë asnjë ndihmë prej tyre. I tillë është rasti i Dritës. 61-vjeçarja, nënë e pesë fëmijëve në emigrim, nuk ka përfituar pension dhe ushqehet vetëm me lekët që i dërgojnë fëmijët.

“Kam pasur shumë fëmijë dhe kam punuar duke mbledhur bimë në mal. Me ato i kam rritur. Tani ata janë larg, të mbyllur vetë nëpër shtëpi, pa punë kanë mbetur dhe nuk më dërgojnë dot gjë”, thotë ajo.

Drita Nuri e ka të pamundur të lëvizë për shkak të problemeve me këmbët. Karantinimi ka vështirësuar edhe mjekimin e saj. “Ilaçet i merrja në Greqi se këtu nuk gjenden. Tani kam edhe për dy javë akoma. U përpoq djali të m’i dërgonte andej, por është e pamundur”, shton ajo. “Njërën këmbë e kisha për ta operuar tani në pranverë. As atë nuk do ta bëj dot. Më ka ndihmuar bashkia, më ka sjellë një pako me ushqime, por shtëpia nuk do vetëm oriz e sheqer. Të vështirë e kam, moj vajzë. Po më ndihmove, hallall ta bëftë Zoti!”, thotë Drita me sytë plot shpresë, ndërsa unë buzëqesh pa mundur t’i premtoj se “po, patjetër që do të të ndihmoj ty dhe nënë Afon”.

Drita Nuri duke folur për Portën Vendore. Foto: B. Metaj

Historia e Lazaratit nuk është e panjohur, por ajo që ndodhi në periudhën post-kanabis ishte një goditje e rëndë për ato familje të ndershme dhe të varfra që vazhdojnë ende të jetojnë në Lazarat. Kultivimi i kanabisit ishte fitimprurës për jo pak familje të fshatit, të tjera nxirrnin fitime të vogla që i investuan në përmirësimin e jetës duke restauruar shtëpitë e vjetra.

Rudina tregon se sipas të dhënave të gjendjes civile, në fshat janë të regjistruar 3466 banorë apo 965 familje. Por kjo nuk është pasqyra reale e rezidentëve në Lazarat, pasi numri i tyre është disa herë më i vogël. “Vitet e fundit fshati njohu largimin masiv të të rinjve dhe familjeve të tëra, por statistika të sakta ende ne nuk kemi”, thotë Rudina.

Fshati malor ka pasur traditë të vetën blegtorinë, ndërsa banorët vitet e fundit iu përkushtuan sërish mbledhjes së bimëve mjekësore. Rudina tregon se më shumë se gjysma e familjeve të fshatit gjatë periudhës pranverë – verë merrem me grumbullimin e bimëve medicinale si: rigon, sherbelë etj, duke i shitur më pas tek grumbulluesit.

Rreth 85 gra të fshatit ngrihen herët në mëngjes, edhe në këto ditë izolimi, për të punuar në fasoneritë e Gjirokastrës. 65 prej tyre punojnë në rrobaqepësi dhe 20 gra në punishten e ullinjve. Frika e ndërprerjes së punës zgjoi tek to frikën për të nesërmen, por pavarësisht vështirësive të situatës, ato vazhdojnë ende të punojnë. Një pjesë e tyre i kanë të ardhurat minimale që marrin nga kjo punë, si të vetmin burim financiar për familjet e tyre.