Vëzhgim/Analizë

Covid-19, Shqipëria në shifra përballë vendeve fqinje

10 prill 2020/ Bledar Gilaj/ Porta Vendore

Dje u mbush një muaj nga rasti i parë i konstatuar me koronavirus në Shqipëri, ku deri më datë 9 Prill 2020 kanë rezultuar pozitivë 416 raste, prej të cilëve 56 vazhdojnë të jenë në trajtimin spitalor, 23 kanë ndërruar jetë, dhe 182 janë shëruar. Sipas shifrave që publikohen çdo ditë nga Ministria e Shëndetësisë, në Shqipëri, prej të paktën tre ditëve numri i rasteve të reja të infektuar është më i ulët se numri i të shëruarve nga ky virus, duke dhënë një dritë jeshile se vendi ynë e ka kaluar pikun e kësaj pandemie. Por si paraqitet situata në Shqipëri, krahasuar me vendet fqinje, por dhe me vendet më të goditura në botë? Porta Vendore ka analizuar shifrat e secilit vend, ku rezulton se Shqipëria mbetet vendi që ka kryer më pak testime për një milion banorë se secili nga vendet fqinje, duke patur edhe numrin më të lartë ndër fqinjët, të të prekurve kundrejt numrit të testeve, si dhe përqindjen më të lartë të vdekjeve kundrejt numrit të përgjithshëm të rasteve (duke përjashtuar Italinë). Por shifrat e javës së fundit japin shpresë që kurba po fillon rënien.

Shqipëria, krahasuar me veten

Autoritetet shqiptare kanë kryer 2930 teste për Covid-19 për 31 ditë, konkretisht nga data 9 mars, kur është konstatuar “rasti 0” deri më 8 prill, ndërkohë që nga këto testime, 400 veta kanë rezultuar pozitivë. Duke i analizuar këto shifra në vlerë relative rezulton se në 13.65% e testeve të kryera, qytetarët kanë rezultuar pozitivë me virusin Covid-19.

Përqindja mesatare e rasteve që kanë rezultuar pozitivë gjatë 31 ditëve ka lëvizur nga vlera më e lartë 50% më 9 mars deri në vlerën më të ulët 3.2% më 7 prill.

Për të kuptuar pak më tepër mbi trendin e lëvizjes së rasteve pozitive kundrejt numrit të testeve, po analizojmë këtë trend në baza javore, për të evituar keqinterpretimet e ndryshimeve rastësore ditore. Më poshtë tabela tregon numrin e testeve dhe numrin e rasteve pozitive gjatë 4 javëve të fundit (11 Mars – 7 Prill 2020). Nga kjo tabele duket që java e ‘zjarrit’ siç pëlqehet të cilësohet në ligjërimet publike, duket të ketë qenë 22 – 26 Mars 2020, ku edhe përqindja e rasteve pozitive mbi numrin e testeve ka qenë mesatarisht 26,2 %, pra dyfish me mesataren mujore prej 13,4%. Për pesë ditë rresht, përqindja ka qenë mjaft e lartë (pjese me të kuqe më poshtë), periudhë që u pasua me rritje të numrit të testeve në dy javët në vazhdim.

Ndërkohë, nëse krahasojmë mesataret javore (grafiku me poshtë), shohim që java e dytë dhe java e tretë kanë qenë në nivelet më të larta të intensitetit të rezultateve pozitive (kundrejt numrit të testimeve), përkatësisht 20% dhe 19%, trend ky që ka rënë në javën e katërt.

Nga ky grafik duket që tashme pas arritjes së pikut në javën e tretë të Marsit, kurba ka filluar të zbresë, duke dhënë shpresë për një vazhdimësi në rënie të numrave, dhe duke besuar se masat e forta shtrënguese kanë dhënë një efekt pozitiv në Shqipëri për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit.

Shqipëria, krahasuar me rajonin dhe vendet më të prekura

Më poshtë vijojnë shifrat e pesë vendeve fqinje me Shqipërinë.

Ajo që vihet re në tabelën krahasuese më sipër është fakti se Shqipëria ka përqindjen më të lartë të rasteve pozitive kundrejt testimeve (13.4%), me përjashtim të Italisë, ç’ka mund të lidhet si me përhapjen më të gjerë të virusit në Shqipëri, por edhe me numrin më të ulët të testeve të realizuara në Shqipëri krahasuar me vendet e rajonit fqinje (numër testesh për një milion banorë).

Në këtë aspekt, duke krahasuar Shqipërinë me vendet fqinje, rezulton se vendi ynë ka numrin më të ulët të testeve për 1 milion.

Ndërsa si numër absolut testesh të realizuara, Shqipëria renditet në vendin e katërt, pas Italisë me 807 125 teste, Greqisë me 32 528 teste dhe Maqedonisë së Veriut me 6 230 teste. Për numrin total të testeve Shqipëria ka lënë pas vetëm Kosovën me 2352 teste dhe Malin e Zi me 2329 teste.

Ndërkohë edhe për numrin e vdekjeve kundrejt rasteve pozitive me Covid-19, rezulton se Shqipëria renditet sërish në pozita jo të favorshme, pasi ka përqindjen më të lartë të vdekjeve kundrejt rasteve të identifikuara krahasuar me vendet fqinje, me përjashtim të Italisë (tabela më poshtë).

Ndërkohë, në nivel botëror, nga 210 vende që kanë publikuar shifrat e të infektuarve nga Koronavirus, Shqipëria renditet në vendin e 47 për numrin më të lartë të vdekje për një milion banorë, ku në 5 vendet e para renditen, San Marino, Spanja, Andorra, Italia dhe Belgjika. Kurse për numrin e të infektuarve të konstatuar për një milion banorë, Shqipëria renditet në vendin e 85 në rang botëror, ku në 5 vendet e para renditen Vatikani, San Marino, Andorra, Luksemburgu dhe Islanda. Pra, ndonëse Italia ka numrin më të lartë të vdekjeve të shkaktuara nga koronavirus, (17,669), e ndjekur nga Spanja (14,673) dhe SHBA (14,463) rezulton se vende të tjera renditen para saj sa i përket rasteve të konstatuara me Covid-19 dhe vdekjeve të shkaktuara nga ky virus llogaritur për një milion banorë.

Shqipëria, krahasuar me 5 vendet e para për numrin më të lartë të të prekurve nga Covid-19, ka numrin më të ulët të vdekjeve për një milion banorë, por ka përqindje më të lartë të vdekjeve kundrejt rasteve pozitive me covid-19, krahasuar me SHBA dhe Gjermaninë.

Po ashtu, sa i përket përqindjes së rasteve të zbuluara nga testet e kryera, krahasuar me 5 vendet e para në botë, rezulton se Shqipëria renditet e parafundit, ku vetëm Gjermania rezulton se ka përqindje më të ulët të të infektuarve, konkretisht më 12.1%. Ndërsa vendin e parë për përqindjen më të lartë të rasteve të zbuluara nga testet, e ka Franca, ku rezulton se 1 në dy teste, rezulton pozitiv, ç’ka mund të lidhet dhe me numrin e ulët të testeve që janë kryer në këtë shtet, pasi aktualisht ka testuar vetëm 3436 persona për një milion banorë, krahasuar me Italinë, Gjermaninë dhe Spanjën që kanë një numër testesh për një milion banorë përkatësisht katër fish, trefish dhe dyfish më të madh.