10 prill 2020/ Eljona Ballhysa/ Elisa Gjerani/ Porta Vendore
Biznesi i madh në Shqipëri është goditur rëndë për shkak të masave drastike të marra nga qeveria për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi. Këtë e deklarojnë ekspertët e ekonomisë, të cilët vënë në dukje se për pasojë, efektet e kësaj goditje do të shoqërohen me mungesë likuiditeti, me ulje pagash dhe me shkarkime masive të punonjësve nga puna. Madje ata pohojnë se kjo ka nisur të aplikohet nga disa kompani të mëdha që kanë njoftuar përgjysmim pagash dhe shkarkime punonjësish. Por sipas ekspertëve të ekonomisë nëse kjo situatë vijon për të paktën edhe dy muaj të tjerë, do të ketë përkeqësim.
Biznesi i madh në “luftë” me koronavirusin
ArsTL GROUP është kompani që merret me prodhimin e lëngjeve dhe pijeve energjike si dhe importues dhe distributor i shumë artikujve dhe brandeve të njohura ndërkombëtare, e cila operon prej më shumë se 15 vitesh në tregun shqiptar. Kjo kompani numëron 300 punonjës në të gjithë Shqipërinë. Porta Vendore kontaktoi me Zv.Presidenti dhe dr.Marketingut të kësaj kompania z.Luljet Tormetaj, për mënyrën se si po e menaxhojnë situatën e krijuar nga masat e ndërmarra për parandalimin e përhapjes së Covid 19 në Shqipëri.
“Kjo situatë në biznesin tonë ka ndikuar negativisht duke rritur shpenzimet, ku marrim vetëm tre zëra në konsideratë: një është ai i blerjes dhe pajisjes së stafit me mjete mbrojtëse, zëri i dytë është ai ofrimit të transportit vajtje-ardhje nga dera e shtëpisë deri në ambientet e punës dhe anasjelltas për çdo punonjës, dhe tre është mbajtja me pagë e shumë pozicioneve që nuk po funksionojnë fare siç janë departamenti i printimeve, departamentet e shitjeve me pakicë në segmentet HoReCa (hotele-restorante-cafe) dhe përveç vështirësive të mësipërme njëkohësisht kemi dhe problemin më kryesor, atë të rënies së xhirove (shitjeve) me 50% “, sqaron Tormetaj.
Ai tregon se pavarësisht se punonjësit qëndrojnë 50% të kohës në shtëpi për shkak të reduktimit të stafit, po paguhen me pagë të plotë. Por nëse kjo situatë vijon matanë prillit, atëherë ai thotë se do të ndjehet i detyruar të bëjë një shtrëngim në pagesa.
“Deri tani po mundohemi që të mos bëjmë largime nga puna, por nga situatat e krijuara jemi të detyruar të punojmë me staf të reduktuar, duke bërë rotacion stafi në shumë departamente. Por në rast se situata do vazhdojë e tillë, do jemi të detyruar të mbyllim disa pozicione pune dhe si rrjedhojë të largojmë diku te 40% të stafit, në mënyrë që të mos shkojmë në falimentim të detyrueshëm. Për momentin e vetmja strategji mbijetese është ajo e reduktimit të shpenzimeve, pastaj vjen reduktimi i kostove, ku hyjnë pagat dhe shpenzimet operative në mbështetje të punonjësve. Nëse kjo situatë do të vijojë, duke filluar nga data 01-05-20 çdo punonjës që preket nga rotacioni do paguhet me 80% të pagës”, tha për Portën Vendore, Zv.President dhe dr.Marketingut i kompanisë ArsTL GROUP Albania, z. Luljet Tormetaj.
Përsa i përket rregullave për distancim social në punë dhe kushteve higjieno-sanitare, Tormetaj thotë se: “Ne po i përmbahemi me rigorozitet rregullave dhe protokolleve për distancimin social, duke pajisur me maska dhe doreza çdo ditë të gjithë stafin, por kjo na shkakton një kosto prej 100,000 lekë (të reja) në ditë. Ndërkohë, edhe këto të fundit janë të vështira për tu gjetur tanimë. Qeveria kujdeset të nxjerrë akte normative dhe rregulla, por pa na udhëzuar se ku mund t’i blejmë kaq sa na duhen ne dhe pa marrë parasysh që kjo është barrë e tepërt financiare në kushtet që ndodhemi”, shpjegon Tormetaj, ndërsa thekson se çdokush që hyn në ambientet e brendshme të kompanisë dezinfektohet.
I pyetur nga Porta Vendore nëse do të shfrytëzonte mundësinë e dhënë nga qeveria shqiptare për të përfituar nga garancia sovrane për marrjen e një kredie pranë bankave të nivelit të dytë me interes të ulët, për të shpëtuar biznesin dhe shpëtimin e këtij të fundit nga kolapsi financiar, drejtuesi i kompanisë ArsTL GROUP Albania z.Luljet Tormetaj nuk e përqafon fort këtë ide, duke e quajtur diçka jo me shumë vlerë në këtë moment ku ndodhet biznesi shqiptar.
“Me aq sa jemi informuar e gjitha kjo është një mundësi për marrje kredie me garanci nga qeveria dhe me kushte të mira, por në fakt sido që ta quash kjo është një kredi, e cila nëse e marrim duhet të paguhet nga ne. Kjo për mua është diçka e pa vlerë, pasi nëse zgjidhja për dhënie pagash do ishte marrja e një kredie nga bankat, atë do e bënim pa ndihmën dhe garancinë e qeverisë, pasi kushtet që na afrohen si biznese të mëdha janë shumë më të mirë nga bankat. Për mua është diçka e pa vlerë dhe nga kjo do përfitojnë kompani që këto fonde (kredi) do i tërheqin me pretendim për pagesë punonjësish, por në fakt do i përdorin për qëllime të tjera, dhe mbase duke shpallur falimentin pas pak muajsh dhe duke hapur biznese të reja me NIPT dhe në emra të tjerë, e duke evituar kështu pagesën e kredisë dhe duke detyruar buxhetin e shtetit të paguajë për ta (por kjo vetëm për ato biznese pranë instancave shtetërore)”, tha për Portën Vendore Tormetaj, ndërsa sugjeroi se edhe në Shqipëri duhet ndjekur modeli britanik, ku 80 % të pagës për punonjësit e paguan shteti dhe 20% punëdhënësi.
Sipas një sondazhi të zhvilluar nga Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, i realizuar me pjesëmarrjen e 90 kompanive të mëdha, shifrat janë akoma më pesimiste. Pjesa më e madhe e bizneseve kanë deklaruar se mund të rezistojnë maksimumi një muaj dhe më pas janë të detyruar të dorëzohen. 63% e kompanive kanë deklaruar se mund t’i përballojnë pagat për një muaj (marsin), dhe 70% e tyre ka pohuar se po planifikojnë shkurtim të punonjësve.
Kryetari i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë tha në një deklaratë për median se: “Masat shtrënguese të ndërmarra nga qeveria e Republikës së Shqipërisë, si dhe zgjatja në kohë e këtyre masave, kanë prekur në mënyrë të drejtpërdrejtë bizneset, duke shkaktuar një dëm serioz aktual dhe duke u shndërruar në një skenar shumë të rrezikshëm për të ardhmen e sipërmarrjes private në veçanti dhe ekonomisë shqiptare në tërësi. Nisur nga situata që sipërmarrja private po përjeton si dhe faktit që ekonomia shqiptare është e brishtë dhe jo e gatshme të përballojë sfida të mëdha, përfaqësuesit e dhomave të tregtisë dhe shoqatave të biznesit, pas një konsultimi të detajuar për një periudhë 2 javore, me të gjithë sektorët e sipërmarrjes private që operojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, e shikojnë si domosdoshmëri ndërhyrjen nga ana e qeverisë shqiptare me një paketë të detajuar financiare, kurajoze dhe të zgjuar”, shprehet Shkodra.
Bashkimit i Prodhuesve Shqiptarë i ka kërkuar qeverisë që të kompensojë pagat e punonjësve dhe biznesi të përjashtohet nga të gjitha detyrimet fiskale deri në kthimin në normalitet, si dhe të aplikohet 20% ulje çmimi për furnizimin me energji elektrike dhe ujë për të gjitha sipërmarrjet në sektorin e prodhimit.
“Garancia sovrane, e vënë në dispozicion të sipërmarrjes private, duhet të jetë e pa limituar dhe të përmbushë të gjitha kërkesat e sipërmarrjes private që kanë një rënie të të ardhurave në muajin mars 2020 prej më shumë se 20% e mesatares së muajt janar dhe shkurt 2020, përfshirë edhe sipërmarrjet bujqësore, blegtorale dhe peshkimi. Këto sipërmarrje aplikojnë për kredi vetëm: për likuidimin e pagave të punonjësve, për likuidimin e furnitorëve dhe për kapital qarkullues”, tha Shkodra për Portën Vendore, ndërsa sugjeroi se: Garancia sovrane duhet të ofrohet me një tarifë interesi jo më shumë se 0,2%, shlyerja e kësaj kredie të fillojë në janar të vitit 2021, gjithmonë nëse do të jemi në fazën e kthimit në normalitet, dhe kësti i shlyerjes mujore nuk duhet të jetë më i lartë se 20% e fitimit mujor të realizuar nga kompania kredi marrëse”, përfundon ai.
Zef Preçi dhe Selami Xhepa të dy ekspertë të ekonomisë kanë për Portën Vendore një analizë të situatës ekonomike në vend dhe ndikimit të saj tek e ardhmja e biznesit të madh dhe pasojat që do të vuajnë punonjësit, ndërsa ofrojnë edhe disa propozime për qeverinë.
Kështu eksperti Zef Preçi i propozon qeverisë që të aplikojë politika për shpërndarjen e burimeve dhe fuqisë punëtore nga një sektor në një tjetër, pra të orientojë dhe të nxisë sektorët ku kërkesa është e lartë.
Ndërsa pedagogu dhe eksperti Selami Xhepa i propozon qeverisë jo vetëm të 5-fishojë garancinë sovranë për biznesin e madh, por edhe të subvencionojë normat e interesit. Sipas tij, qeveria së bashku me Bankën e Shqipërisë duhet të subvencionojë normat e interesit për t’i ofruar sipërmarrjeve një masë më të madhe likuiditeti.
Zef Preçi: “Garancia sovrane”, imitim i gabuar perëndimor që nuk funksionon në Shqipëri
Zef Preçi, ekspert për çështjet ekonomike, thotë se situata aktuale e krijuar për shkak të pandemisë Covid-19 ndikon negativisht tek biznesi duke bërë që shumë kompani të nisin përgjysmimin e pagave, uljen e tyre dhe shkarkime masive nga puna. Preçi thotë se qeveria duhet të garantojë pagesën minimale për të gjithë fuqinë punëtore pavarësisht nëse punojnë në biznes të vogël apo të madh, në mënyrë që të mos thellohet polarizimi i shoqërisë dhe të mos krijohen premisa për konflikte sociale. Preçi gjithashtu thotë se garancia sovrane që qeveria ofron për biznesin e madh është një imitim i gabuar i shteteve perëndimore që në Shqipëri, zor se do të funksionojë.
“Nëse kjo situatë zgjat më shumë se dy muaj në vlerësimin tim, efektet negative do të jenë shumë të mëdha në dy drejtime: në humbjen e vendeve të punës të një numri të madh punonjësish dhe nga ana tjetër tek çrregullimet që krijohen për shkak të rënies së kërkesës së konsumatorëve qoftë të brendshëm dhe qoftë të jashtëm. Nga ana tjetër varet edhe nga politikat që do të ndjekë qeveria. Nga ajo që është afishuar deri tani, biznesi i madh i cili absorbon një numër të madh punonjësish praktikisht nuk është vendosur në vendin që i takon. Biznesi s’po trajtohet si biznes, por po ndahet si i madh dhe si i vogël. Por sipas mendimit tim mbështetja shtetërore duhet të adresohet në një krah tek ata që rrezikojnë të humbin vendet e punës dhe kjo kontribuon qoftë në zbutjen e rrezikut për konfliktet sociale, qoftë për ruajtjen e nivelit social të jetesës në mënyrë që të mos rrënohet më tej, të mos thellohet ndarja dhe të mos krijohen premisa për konflikte sociale dhe nga ana tjetër i shërben faktit që duke mbështetur shteti me rroga minimale për minimumin jetik, të punësuarit pavarësisht se janë biznes i madh apo i vogël, krijohet mundësia për të ruajtur lidhjet e tyre me kompanitë ku punojnë dhe për të qenë në gjendje për të riaktivizuar ekonominë më vonë. Pra ul koston e aktivizimit të ekonomisë në një periudhe të mëvonshme”, argumenton zoti Preçi.
Ai vë në dukje se është e vështirë të funksionojë në Shqipëri skema që biznesi i madh të marrë kredi për të paguar punonjësit, pasi këtu tek ne është shumë e lartë norma e papunësisë dhe biznesi i madh nuk humb asgjë nëse i shkarkon këta punonjës sot dhe nesër gjen të tjerë.
“Ndërkohë skema që biznesi i madh të marrin hua bankare të garantuara nga qeveria për punonjësit e tyre është vështirë të funksionojë dhe më duket jofunksionale, më duket një imitim i pamenduar i modeleve perëndimore ku kompanitë investojnë në kualifikimin e stafeve dhe për rrjedhojë humbja e një vendi pune nuk i kushton vetëm individit të punësuar por edhe punëdhënësit. Por në rastin e Shqipërisë shumica e kompanive edhe të mëdha kanë numër të kufizuar punonjësish të kualifikuar për të cilët kompania rrezikon të humbasë, për të mos thënë që norma e lartë e papunësisë ke mundësi të lartë zëvendësimi punëtorësh. Po të vësh re kompanitë e mëdha kanë nisur të ulin rrogat dhe të shkurtojnë punëtorët”, shprehet Preçi. “Fondi që ka ofruar qeveria është hipotetik, pasi presupozon që bizneset të marrin menjëherë kredi dhe të paguajnë punëtorët që kanë në punë. Dhe presupozohet që bizneset nëse falimentojnë më vonë, qeveria u garanton bankave mundësinë që paratë t’i marrin jo nga biznesi që kanë marrë kredi, por nga qeveria. Ajo është një shumë që rri si pjesë e borxhit, por nuk besoj se ka një kontribut real. Se po qe për të falimentuar bizneset më vonë, ata falimentojnë tani dhe minimizojnë risqet e tyre. Unë pres që qeveria të bllokojë dhe mundësinë e falimentimit gjatë kësaj periudhe”, shprehet Preçi për Portën Vendore.
Shkarkimet masive të punonjësve
Ai thekson se shkurtimi masiv i fuqisë punëtorëve do të ishte një rrënim për ekonominë për tërësi si dhe do të rriste koston e riaktivizimit të saj për një periudhë të mëvonshme. Madje i pyetur se kur mund të ndodhin shkarkimet masive të punonjësve në Shqipëri, Preçi thotë se ekonomia shqiptare nuk mund të rezistojë më shumë se dy muaj.
“Vështirë të bësh projeksione, por ajo që mund të thuhet është se një ekonomi si kjo e jona nuk mund të rezistojë më shumë se 2 muaj me shpresën se do kthehet shpejt në normalitet. Sepse nëse çrregullohen, siç po ndodh për fat të keq, tregjet, shkëputen lidhjet midis prodhimit dhe konsumit”, argumenton eksperti i ekonomisë. Madje Zef Preçi shigjeton qeverinë teksa thotë se ende nuk po ndërmerren politika për rishpërndarjen e burimeve apo fuqisë punëtore nga një sektor në tjetrin. “Kriza është gjithmonë një moment reflektimi dhe ndikon në rishpërndarje burimesh nga një sektor në një tjetër. Për shembull ne jemi në pranverë dhe në kushte normale do të kishte përparësi bujqësia, por unë nuk shoh asnjë politike shtetërore që të inkurajojë punimin e tokës. Sepse mund të ndodhë që shkurtohen fasonët, pasi s’ka nevojë për veshje dhe këpucë, por këta punëtorë mund të punojnë fare mirë në bujqësi. Por nuk ka asnjë politike që të inkurajojë lëvizjen e punëtorëve nga një sektor në një tjetër”, është shprehur Preçi.
Selami Xhepa: Biznesi në vështirësi, garancia sovrane të paktën 5 –fish më e madhe
Biznesi i madh është në vështirësi të madhe për shkak të masave drastike kufizuese të marra nga qeveria prej situatës së jashtëzakonshme të krijuar nga virusi korona ndaj dhe për këtë arsye pedagogu dhe eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa thekson se qeveria duhet patjetër të parashikojë një paketë të fortë masash që t’i vijë në ndihmë biznesit.
“Ndikimi është i qartë që është thellësisht negativ. Është situatë e paprecedentë. Është një situatë ku edhe kërkesa edhe oferta janë goditur ndjeshëm. Nga njëra anë kompanitë kanë mbyllur aktivitetet e tyre prodhuese dhe nga ana tjetër edhe aktiviteti i tregtimit është goditur edhe qytetarët për një kohë të gjatë do të racionalizojnë shpenzimet për mallrat ushqimore, kështu që efekti do të jetë shumë serioz dhe i thellë. Mendoj se vlerësimet e bëra tregojnë që në kontekstin e ekonomisë global , flas për ekonomitë e botës, sepse Shqipëria do të goditet edhe më shumë, që mund të presim që ekonomia për vitin 2020 do të shënojë rritje negative.
Kanë bërë disa vlerësime shoqatat e prodhuese dhe vështirësitë e likuiditeti kanë filluar që të ndjehen dhe besoj se në muajt prill dhe maj, ose nëse vazhdon deri në muajin qershor vështirësitë do të jenë serioze, jo vetëm në kuptimin e pamundësive të tyre financiare për të plotësuar detyrimet, por i gjithë zinxhiri i prodhimit po ndesh në vështirësi të rëndësishme. Ka mungesë furnizimi me lëndë të parë nga tregjet e huaja, ka anulime porosish dhe për pasojë reduktimi i aktivitetit ekonomik në fushën e shitjeve do detyrojë që kompanitë të pushojnë nga puna ndoshta në mënyrë të thellë fuqinë punëtore duke ndikuar në rritje të ndjeshme të papunësisë. Kështu që do të jetë një periudhë prove për të parë sesa mund të rezistojë, por në gjykimin tim nëse nuk ofrohet një paketë e fortë mbështetje me masa të fuqishme për të ndihmuar me likuiditet kompaninë mendoj se kostoja do jetë shumë e madhe” shprehet zoti Xhepa për Portën Vendore.
Në lidhje me garancinë sovrane të ofruar nga qeveria për biznesin e madh, Xhepa thotë se shifra prej 100 milionë dollarë është shumë e vogël dhe të paktën duhet të ishte 5-fish më e lartë.
“E para njëherë në dijeninë time nuk është definuar në termat përfundimtar të mekanizmave sesi do të realizohet. Sigurisht që 100 milionë dollarë është një shumë e vogël duke marrë parasysh se nevojat e për financim të sipërmarrjes janë tepër të larta. Kështu që e quaj shumë të vogël shkallën e mbështetjes për sipërmarrjen private. Duhet të theksoj se kjo shumë duhet të jetë disa herë më e madhe, ndoshta 500 milionë euro dot ishte për një start, për t’i dhënë një mbështetje industrisë dhe termat duhet të jenë sa më të lehta dhe me një kosto sa më minimale për sipërmarrjen. Kështu që ofrimi i garancisë sovrane duke ndarë edhe riskun me sektorin bankar me bankat e nivelit të dytë do të thotë se ata do të jenë edhe përgjegjëse për screening që iu bëjnë kredi-marrësve ashtu si nga ana tjetër për lehtësimin e kostove, qeveria mundet të subvencionojë normat e interesit. Qeveria ndoshta bashkë me bankën e Shqipërisë për t’iu ofruar një masë të madhe monetare likuiditeti për sipërmarrjet “, argumenton zoti Xhepa.
Ulja e pagave dhe shkurtimi i numrit të punonjësve te biznesit të madh
Një nga bizneset VIP në Shqipëri ku ka një numër të madh biznesesh e ku numëron më shumë se 4000 punëtorë ka bërë ndryshime pagash me situatën e re që ka kapluar sektorin financiar në vendin tonë.
Për etikë, Porta Vendore nuk do ta bëjë publik emrin e biznesit, por sjell dy dëshmi të punëtorëve që punojnë në kompanitë më të mëdha në treg, pjesë e të njëjtit pronar. “Jam shitëse në një nga supermarketet e mëdha dhe puna na është mbyllur që në mes të marsit, pasi ne punonim në brendësi të një qendre tregtare. Tani po bëhet muaji që jemi në shtëpi. Na kanë lajmëruar që do të na japin vetëm pagën minimale. Gjysma e të keqes, pasi mund të ishte edhe më keq”, thotë Ediola për Portën Vendore
Gjithashtu një inxhinier i tha Portës Vendore se punonjësit e departamentit të tij janë njoftuar nëpërmjet një emaili më datë 29 mars për ndryshimet që do të ndodhin në pagë për muajin prill.
“Personat e domosdoshëm në çdo kompani janë full time marrin 100% të pagës, personat që kanë punuar part time nga shtëpia 50% të pagës dhe atyre personave që i është mbyllur puna përkohësisht për këtë muaj janë pezulluar. Bëhet fjalë vetëm për këtë muaj. Urdhri është 30 mars deri në 30 prill. Nëse qeveria lejon hapjen e shërbimeve, automatikisht ky urdhër shfuqizohet. Di që deri tani askush nuk është pushuar nga puna, ndërsa muaji mars është paguar i plotë”, tha Rejnaldo.
Por vështirësitë janë ndjerë edhe në sektorin mediatik, ku ka filluar ditët e fundit edhe “qethja e pagave”. Media nuk u përfshi në paketën financiare të shpallur nga kryeministri Rama, edhe pse kreu i unionit të gazetarëve shqiptarë, Aleksandër Çipa e paralajmëroj krizën që do të përfshinte median dhe gazetarët. Ndërsa penalizimet për stafin që ka punuar nga shtëpia, për shkak të masave të ndërmarra nga vetë media për distancimin social, nuk kanë munguar. Të pakta janë ato media që i kanë rezistuar deri më tani krizës financiare që ka kapluar këtë sektor.
Jordan Daci: Sipas kodit civil, punëdhënësi më lehtë të heq nga puna se sa të ul rrogën
Porta Vendore gjithashtu ka marrë edhe opinionin e avokatit Jordan Daci për të analizuar ligjshmërinë e përgjysmimit të pagave të punonjësve nga ana e pronarëve të bizneseve apo dhe shkarkimet e menjëhershme nga puna; për të cilat pritet që së shpejti të ketë bum padish në gjykata. Sipas tij, Kodit Civil ka qartësuar se pagat nuk mund të ndërpriten në mënyrë të njëanshme, por në kushtet aktuale ku bizneset po ballafaqohen me krizë dhe faliment, atëherë shkarkimi i punonjësve sipas avokatit Jordan Daci është i justifikuar.
“Në situatën konkrete, jo çdo largim nga puna do ishte i justifikuar. Për shembull nëse një kompani largon nga puna sepse mbajtja në punë me rendiment të reduktuar nënkupton humbje, kjo nuk nënkupton ligjërimin e largimit. Por nëse vazhdimi i marrëdhënies së punës vë në rrezik qëndrueshmërinë financiare të shoqërisë, jo se ti merr më pak para, atëherë në këtë rast jemi në kushtet e një force madhore, e cila ndikon drejtpërdrejt në qëndrueshmërinë financiare të kompanisë, sepse kompania uljen ose ngritjen e fitimit e ka në xhiro krejt të natyrshme që janë shumë gjëra që ndikojnë në kosto dhe nuk mundet të shkurtojë punëtorin, sepse thjesht do të ulë kostot në thonjëza, por e ka të gjithë të drejtën ta bëjë kur shkurtimi i punonjësit lidhet me sigurimin e qëndrueshmërisë së shoqërisë. Sepse shoqëria duke e mbajtur në punë punonjësin do falimentojë, atëherë nuk i hyn në punë askujt”, argumenton avokati. Për ta thjeshtuar më shumë situatën konkrete, avokati thotë se pjesa më e madhe e shkarkimeve nga puna të punonjësve në këtë periudhe do të jenë plotësisht të justifikuara nga ana e punëdhënësve, pavarësisht se shumë padi do ngrihen nëpër gjykata. “Pjesa më e madhe e largimeve nga puna besoj se do jenë plotësisht të justifikuara. Besoj se do ketë shumë padi në gjykata, por do të rrëzohen sepse do jenë largime të justifikuara nga puna. Për shembull në zyrën time unë kam disa avokatë. Një avokat doja ta nxirrja në punë dhe ta paguaja edhe pse për mua s’do kishte leverdi sepse rendimenti do ishte i kufizuar, por ajo më tha se dua ta pezulloj marrëdhënien e punës deri në fund të periudhës së emergjencës. Pra ka edhe të tilla raste që e kërkojnë vetë. Pra kompania mund ta pezullojë ose mund ta largojë punonjësin për mosparaqitje në punë”, jep shembuj avokati.
Por i pyetur për një praktikë që po ndiqet gjerësisht nga disa kompani që është përgjysmimi i pagave, avokati sqaron se punëdhënësi nuk ka të drejtë ta marrë një vendim të tillë në mënyrë të njëanshme, pasi është shkelje e kontratës. “Jo. Paga nuk mund të ndryshojë. Paga, pozicioni i punës dhe elementë të tjerë janë çështje që vendosen me mirëkuptim mes palëve. Ulja e pagës nënkupton ndryshim të kontratës dhe ndryshimi i kontratës nuk mund të bëhet në mënyrë të njëanshme, as në situatën aktuale. Më të justifikuar, ata e kanë ta largojnë një punonjës nga puna, duke thënë që s’kam mundësi që ta paguaj sepse puna që t’i gjeneron nuk justifikon mbajtjen tënde në punë, sesa të ulë rrogën. Ndërrimi i pagës të vendit të punës kërkon se s’bën kontratë mes dy palëve në të gjitha rastet”, sqaron avokati.
Megjithatë, situata duket jo e mirë për shumë biznese, të cilat po kërkojnë argumentet e ekspertëve të tyre sesi do të veprojnë për të përballuar kostot e larta dhe mos të shkojnë në falimentim, ndërkohë që shpresojnë që izolimi të përfundojë sa më shpejt dhe t’i rikthehen aktivitetit normal.