9 prill 2020/ Elvis Hila/ Porta Vendore/ Mirditë
Situata e krijuar nga koronavirusi nuk e ka penguar humanisten Austriake Marianne Graf, që të vijojë të japë kontributin e saj për zonën e Mirditës, me të cilën është lidhur ngushtësisht prej 20 vitesh. Duke parë vështirësitë e shumë familjeve në këtë zone malore, nga karantina ku po qëndron, Graf ka organizuar prodhimin e maskave artizanale për familjet në nevojë.
Prej disa ditësh punonjësit e qendrave sociale arsimore të ngritura nga Marianne Graf, po qepin maska dhe ua shpërndajnë familjeve në nevojë në zonën e Mirditës. Humanistja Austriake Marianne Graf thotë se mbrojtja e shëndetit të çdo qytetari duhet të jetë prioritet gjatë kësaj kohë të vështirë që po kalon Shqipëria nga Covid 19.
“Unë këto kohë po i kaloj e izoluar në shtëpinë time në Austri, po siç e dini unë jam shumë e lidhur me zonën e Mirditës. Jam munduar në vazhdimësi që t’u gjendem njerëzve në nevojë dhe të bëj sa të mundem për ta. Duke parë që Mirdita është zonë e varfër dhe shumë njerëz e kanë të pamundur të sigurojnë mjete mbrojtëse kundër koronavirusit, u kam kërkuar qendrave sociale të ndërtuara nga unë që të prodhojnë në vazhdimësi maska dhe t’ua japin njerëzve në nevojë, të cilët nuk kanë të ardhura për të siguruar mjete mbrojtëse. Kjo është një mënyrë e mirë për t’u ardhur atyre në ndihmë dhe për t’i mbrojtur ata nga ky virus vdekjeprurës. Sa të kem frymën gjallë unë nuk do ndalem të kontribuoj për zonën e Mirditës me të cilën jam e lidhur shumë. Kam bërë shumë investime dhe kam ndihmuar shumë njerëz dhe këtë do vijoj ta bëj dhe shpresoj se kjo situatë e krijuar nga koronavirusi të kalojë sa më parë dhe vendi t’i rikthehet normalitetit”, thotë Graf për Portën Vendore.
Maskat po realizohen në mënyrë artizanale përmes qepjes nga punonjësit në qendrat sociale. Maskat mund të përdoren më shumë se një herë dhe deri tani janë prodhuar një numër i konsiderueshëm i tyre.
“Menjëherë pas porosisë se zonjës Marianne Graf kemi nisur punën për prodhimin e maskave. Po i realizojmë në mënyre artizanale përmes qepjes. Janë shumë cilësore dhe disa përdorimshme. Deri tani kemi prodhuar një numër të konsiderueshëm maskash, të cilat ua kemi shpërndarë njerëzve në nevojë që ne i kemi të identifikuar. Puna jonë në prodhimin e maskave do të vijojë deri në tejkalimin e kësaj situate. Gjatë kësaj periudhe jemi në shërbim të njerëzve në nevojë me qëllim që të mbrojmë shëndetin e tyre në këtë kohë pandemie”, thotë një punonjëse në qendrën sociale në Rubik.

Kjo nismë e veçantë është pritur mjaft mirë nga njerëzit në nevojë në zonën e Mirditës, të cilët nuk kanë të ardhura për të siguruar mjete mbrojtëse kundër Covid-19.
“Unë jam nga fshati Velë. Me njoftuan për shpërndarjen e maskave pa pagesë dhe erdha i mora këtu në Rubik. Më dhanë 10 copë për mua dhe familjen time. Të them të drejtën kjo është një gjë shumë e mirë, sepse ne nuk kemi të ardhura për të siguruar vetë mjete mbrojtëse. Këto maska na mbrojnë nga virusi, i cili për fat të keq është përhapur dhe këtu në Mirditë. Marianne Graf ka bërë shumë përgjatë këtyre viteve për zonën tonë dhe ne jemi shumë mirënjohës. Ka ndërtuar ambulanca, shkolla, qendra sociale dhe ka ndihmuar shumë familje, madje duke iu ndërtuar dhe shtëpi”, thotë Kol Nikolli, banor i fshatit Velë në Mirditë, i cili punon në sektorin privat. Por, si ai ka shumë qytetarë që punojnë, ose u duhet të dalin për të kryer pazaret e shtëpisë dhe s’kanë mundësi të sigurojnë masat mbrojtëse.
Marianne Graf, gjatë 20 vite kontribut në zonën Mirditës, ka ndihmuar shumë familje në këtë zonë si dhe ka realizuar një sërë investimesh publike me ndikim të drejtpërdrejtë në jetesën e banorëve të këtyre zonave. Në Mirditë janë ngritur prej disa vitesh dy qendra sociale me financim të humanistes austriake, që shërbejnë për trajtimin e fëmijëve me aftësi ndryshe dhe njerëzve në nevojë. Gjatë pandemisë, punonjësit e këtyre qendrave janë vënë në dispozicion të prodhimit të maskave. Janë 5 gra punonjëse që merren me prodhimin e maskave gjatë këtyre ditëve dhe që normalisht ruhet distanca fizike mes tyre. Deri tani janë prodhuar rreth 300 maska dhe puna po vijon për të pajisur me maska çdo njeri që s’ka mundësi financiare për të siguruar mjete mbrojtëse, duke qenë se Mirdita është një zonë e varfër. Ndërkohë, në Bashkinë Mirditë rezultojnë të prekur 3 persona nga Covid-19, ndaj dhe masat mbrojtëse siç janë maskat shihen si domosdoshmëri për mbrojtjen e qytetarëve nga virusi vdekjeprurës.