6 prill 2020/ Jonida Qirko/ Porta Vendore/ Gjirokastër
Në zonën e Viroit jetojnë mbi 100 familje, të cilat prej vitesh vuajnë mungesën e investimeve më bazike nga bashkia, duke filluar nga rruga, ndriçimi publik apo uji i pijshëm. Vetë banorët pohojnë se për gati 20 vjet askush nuk ka menduar për ta, duke e konsideruar këtë një indiferencë totale ndaj tyre.\

Edhe pse zonë turistike, Viroi nuk ka as ujë e as ndriçim. Ndërsa investimi i fundit, banorët kujtojnë që ka qenë para 3 vitesh. “U bë investimi në kohën e ish kryetares të bashkisë 3 vite më parë, u bë pedonalja, deri te liqeni dhe zona përreth mbeti sërish ashtu si ishte. Ju e shikoni vetë në çfarë gjendje ndodhet. I paguajmë shtetit taksat të gjitha, por na mungojnë gjërat më elementare”, shprehet i pakënaqur ai.
Afërdita Hita, një tjetër banore e kësaj zone thotë se duhet patjetër që pushteti lokal të gjejë një zgjidhje . “Gjendja është e keqe. Rrugë nuk kemi, ndriçim gjithashtu. Dalim gjatë pasdites, kemi frikë të lëvizim se nuk ka drita, bëhet errësirë, por ka dhe vjedhje, mund të dalë ndonjë qen, rrezik është. Rruga është me gurë, ku të ecësh? Ka pasur raste plot që janë rrëzuar e janë vrarë në këto rrugë, kanë thyer gjymtyrët”, tha Afërdita.

Mungesa e investimeve në këtë zonë është evidente. Nga ana tjetër, pushteti vendor ka përllogaritur këtë vit disa investime në qytetin e Gjirokastrës, duke filluar me ujësjellësin e ri, i cili synon të furnizojë me ujë 24 orë qytetin çka do t’i japë zgjidhje dhe zonës së Viroit, si dhe ndriçimin publik në zonat më problematike të qytetit. Investime këto të bëra publike nga vetë kryetari i ri i Bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi . “Mungesa e fondeve është problem për mundësinë e investimeve të shumta në qytet”, tha ai. Sipas kryebashkiakut, arkën e bashkisë e ka gjetur bosh dhe për këtë arsye buxheti i vitit 2020 do të jetë i kufizuar dhe nuk ka ende një plan konkret për këtë zonë të qytetit.