6 prill 2020/ E. Gjerani/ Porta Vendore/ Krujë
Bashkia Krujë miraton fondin për bonusin e qirasë për familjen Kaçarri në fshatin Cudhi, kryefamiljari rrëfen vështirësitë për gjetjen e një banese në kohën e koronavirusit. Historinë e kësaj familje Porta Vendore publikoi një 1 javë më parë, teksa kushtet në të cilat jetonin ishin ekstreme.
Historia e familjes Kaçarri e përbërë prej 7 anëtarësh preku zemrat e qindra shqiptarëve. Kushtet në të cilat kjo familje jetonte ishin të mjerueshme.
Por vetëm 3 ditë më parë, Bujari, kryefamiljari i kësaj familjeje në nevojë, mori një lajm të mirë nga njësia administrative Cudhi. Bonusi i qirasë prej 20 mijë lekësh kishte mundur të dilte, dhe tani familja kishte së paku një burim financiar për të paguar qiranë e shtëpisë.
Por të gjendur në këtë situatë gëzimi u venit shpejt, pasi Bujari na tregon që sërish problemi i tij i strehimit mbetet pa zgjidhje.
“Bonusi i qirasë më doli, ndaj për këtë ju falënderoj shumë juve që e bëtë publike çështjen time, por ama tani kuptoj që unë dhe fëmijët e mi të vegjël qenkemi të destinuar të vuajmë mes çadrës dhe shtëpisë së rrënuar nga tërmeti, sepse është shumë e vështirë në këtë periudhë me virusin nëpër këmbë, teksa të gjithë janë në karantinë që të gjej shtëpi. Ne as nuk mund të lëvizim nga shtëpia”, rrëfen Bujari i trishtuar.
Bonusi i qirasë për këtë familje ishte miratuar para dy javësh, por teksa ka nisur kërkimet për një banesë të përshtatshme Bujari ndjehet i harruar nga fati.
“Për mua dhe familjen time nuk ka rëndësi zona tanimë se ku do ta gjejmë shtëpinë, mjaft që të gjejmë një vend të përshtatshëm për të futur kokën e të jetojmë edhe ne si njerëz, se mu sëmurën edhe fëmijët, duke jetuar në këto kushte mizerabël. Kam kërkuar këtu në fshat me aq sa njoh unë, por s’do të ishte keq edhe në Fushë-Krujë ose Krujë nëse do të gjeja një shtëpi që ta përballoja nga pikëpamja financiare me këtë pagesë, do të shkoja direkt”, tregon ai.
Pamundësia për të lëvizur, e aq më tepër për të kërkuar në zona të tjera shtëpi është një ëndërr e largët në të gjithë këtë situatë që vendi ynë po kalon. Pronari i shtëpisë aktuale i ka vendosur si afat datën 30 maj për largimin e tij nga banesa, e cila do t’i nënshtrohet rikonstruksionit. Bujari ka frikë se do mbetet në mes të 4 rrugëve, ndërsa qan hallin e tre fëmijëve të tij të vegjël që po rriten mes vuajtjesh.
“Do të doja që dikush të më ndihmonte, të më gjente një banesë. Frikë kemi se mos na kapë virusi, por ama na duhet shtëpia. Ish komuna aq ka mundësi sa të na mundësojë bonusin, shtëpinë me qira duhet ta gjejmë vetë. Po ku ta gjej unë tani në këtë kohë?!”, pyet me të drejtë Bujari.
Duket se familjet që janë prekur nga tërmeti e që jetojnë në zona të thella ose periferike të Tiranës, Krujës, Lezhës janë target-grupi më vunerabël në këtë situatë që po kalon vendi ynë, ku masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për parandalimin e përhapjes së Covid 19 kushtëzojnë jetën e tyre.