Ndodhi

Muzika dhe humori argëton qytetarët e karantinuar në Durrës

4 prill 2020/ Geri Emiri/ Porta Vendore/ Durrës

Një grup artistësh durrsakë kanë zgjedhur që mes tingujve të muzikës, qytetarët e lagjes 16 në qytetin e Durrësit të kalojnë disa orë ndryshe nën karantinë.

Tingujt e muzikës dhe batutat gjallëruan sheshin midis pallateve në lagjen numër 16 në Durrës. Me të shkuar ora 17:00 banorët e qytetit bregdetar nisën të dilnin njëri pas tjetrit në ballkon, të ngacmuar nga pjesët muzikore të interpretuara me mjeshtëri nga artistët durrsakë.

“Ne menduam që njerëzit që janë të mbyllur për shkak të karantinës së detyruar nga virusi, të kenë një argëtim më shumë, zëre se shkuan në teatër dhe prandaj ne shkuam pranë tyre”, tregoi për Portën Vendore iniciatori i nismës, poeti dhe moderatori i emisioneve të kulturës, Ardi Omeri.

Këngëtarë, instrumentistë dhe humoristë interpretuan në sheshin midis bllokut të pallateve në një prej lagjeve më të populluara në Durrës. Heshtja e rrugëve të zbrazura si pasojë e karantinës u thye fillimisht nga tingujt e violinës së kompozitorit dhe instrumentistit të shquar, Enver Qerimaj.

Enver Qerimaj, mjeshtri i madh i violinës. Foto: Geri Emiri

Humori ndezi ballkonet dhe dritaret e mbushura nga qytetarët që ndiqnin me entuziazëm aktivitetin. Edmond Halili dhe batutat e tij shoqëruan aktivitetin që zgjati mbi 1 orë. “Është e rëndësishme që në këtë qytet që kaloi tërmetin, ta kalojmë sa më mirë këtë situatë me sëmundjen që na erdhi tani. Ne si qytet, Shqipëria dhe e gjithë bota mbarë”, u shpreh humoristi Halili.

Fëmijët duke shijuar koncertin e artistëve. Foto: Geri Emiri

Me maska në fytyrë, duart e veshura me doreza dhe teksa mbanin mikrofonin, këngëtarët dhe humoristët rrëmbyen buzëqeshjet dhe duartrokitjet e shpeshta të familjeve durrsake. Forma origjinale e zgjedhur nga artistët është e para nisëm e marrë në vend që synon të argëtojë qytetarët që po përballen më pandeminë botërore të shkaktuar nga COVID-19 dhe që deri më tani në Shqipëri ka prekur 333 persona, ndër të cilët 18 kanë humbur jetën.

“Nisma ishte shumë e mirë sepse ne si artistë na nxori në skenë dhe në shtëpitë e durrsakëve solli shpresë”, komentoi sopranoja Julieta Strefi, që me pjesët e interpretuara në italisht përcolli edhe sensibilizimin me vendin fqinj që është prekur gjerësisht nga COVID-19.

Banorët e lagjes 16 në Durrës duke shijuar koncertin pranë pallatit të tyre. Foto: Geri Emiri

Trupa që interpretoi përbëhej edhe nga këngëtarët e mirënjohur në Durrës, Reshit Gjini, Dashamir Mehmeti dhe Kosta Bonshi. Organizatorët presin që nismës t’i bashkohen edhe artistë nga kryeqyteti, si Eranda Libohova, Kujtim Prodani dhe artistë të tjerë.

Qeveria qendrore dhe ajo vendore iu bashkuan nismës, duke e mbështetur me lejet përkatëse, policinë bashkiake dhe të rendit, që u siguruan që qytetarët të zbatonin masat e karantinës. Asaj iu bashkua dhe Teatri “Aleksandër Moisiu” përmes fonistit Orges Istrefi.

Nisma do të vijojë këtë të shtunë në orën 17:00 në lagjen numër 18 të qytetit, në sheshin përpara pallateve pas stadiumit dhe të dielën në orën 17:00, në lagjen numër 1, te pallatet e reja përbri rrugës “Taulantia”.

“Ju qëndroni në shtëpi, ne do t’ju sjellim këngë dhe humor poshtë ballkonit tuaj. Së bashku do t’ia dalim dhe të gjithë bashkë do ta fitojmë edhe këtë luftë”, është moto e organizatorit Ardi Omeri, i cili shton për Portën Vendore se nisma mund të shtrihet edhe në data të tjera.

previous arrow
dsc_0008
dsc_0023
dsc_0045
dsc_0052
dsc_0073
dsc_0077
dsc_0092
Webp.net-compress-image (27)
Webp.net-compress-image (25)
Webp.net-compress-image (24)
Webp.net-compress-image (23)
next arrow