5 prill/ Bledar Gilaj/ Porta Vendore
Qeveria shqiptare ka vendosur të japë ndihmë ekonomike për të gjitha bizneset e vogla (me të ardhura vjetore deri në 14 milionë lekë), të cilat kanë mbyllur aktivitetin e tyre për shkak të masave të marra ndaj Covid 19. Kjo u deklarua nga vetë kryeministri Rama më datë 24 mars 2020 me anë të një videomesazhi, por veç deklaratës së kryeministrit, ka një kakofoni informacioni se sa para do të jepen dhe për çfarë periudhe kohore do të jepen, duke sjellë paqartësi, jo vetëm për biznesin e vogël, por edhe për vetë ministrat e kabinetit qeveritar.
Porta Vendore ka analizuar tre nga elementët e kësaj pakete ekonomike për ndihmë ndaj biznesit të vogël, të prezantuar fillimisht nga kryeministri Rama si “pagë lufte”, e më pas të detajuara nga ministrat e tij, deri ne zbardhjen e vendimit në datën 27 mars 2020.
SA PAGA PËRFITON BIZNESI I VOGËL
Elementi i parë lidhet pikërisht me numrin e pagave mujore që përfiton biznesi i vogël, i cili është detyruar të mbyllet për shkak të masave të qeverisë për Coronavirusin. Kryeministri Rama, në një videomesazh më datë 24 mars 2020 sqaroi pikërisht edhe këtë çështje. Mesazhi i tij është publikuar i plotë nga mediat e ndryshme, ku kreu i qeverisë ka deklaruar “shteti do t’i japë biznesit të vogël dyfishin e shumës se deklaruar si pagesa në kohë paqeje, duke kompensuar kështu të gjithë të punësuarit, apo vetëpunësuarit në një biznes të vogël që nuk punojnë dot sot për shkak të luftës, pavarësisht se në kohë paqeje, shumë syresh figurojë pa pagë në biznesin e tyre familjar. Këta janë plot 60,440 persona që nuk do t’i lëmë vetëm”. Kjo deklaratë krijoi pritshmëritë që çdokush i punësuar në biznesin e vogël do të merrte dyfishin e pagës së deklaruar.
Por, katër ditë më vonë, më datë 27 mars 2020 u miratua vendimi “Për përcaktimin e procedurave, të dokumentacionit dhe të masës së përfitimit të ndihmës financiare për të punësuarit në subjektet e biznesit me të ardhura vjetore deri 14 milionë lekë, ndihmës ekonomike e të pagesës të së ardhurës nga papunësia gjatë periudhës së fatkeqësisë natyrore, të shpallur si pasojë e Covid-19”. Në këtë vendim, u qartësua se për çfarë bëhej fjalë konkretisht : “Ndihma financiare, që përfitojnë të vetëpunësuarit, punëtorët e papaguar të familjes dhe të punësuarit sipas këtij vendimi, është e barabartë me pagën minimale në fuqi, 26 000 (njëzet e gjashtë mijë) lekë në muaj, e miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave”. Ky vendim saktësoi që të vetëpunësuarit do të përfitojnë vetëm një pagë mujore, dhe po kaq do të përfitojë edhe një anëtar tjetër i familjes i deklaruar me parë si familjar i punësuar pa pagesë. Por ndërkohë të punësuarit në biznesin e vogël do të marrin vetëm një pagë minimale, dhe jo dy siç u krijua pritshmëria nga deklarata në media e kryeministrit.


MASA E PAGËS MUJORE
Ky vendim hodhi dritë edhe mbi një tjetër pritshmëri të gabuar si rrjedhojë e deklaratës së bërë nga kreu i qeverisë. Në deklaratën e tij, Rama është shprehur se “shteti do i japë biznesit të vogël dyfishin e shumës së deklaruar si pagesa në kohë paqeje”. Kjo interpretohet se nëse një i punësuar apo i vetëpunësuar ka deklaruar 50 mijë lekë pagë, do të përfitojë 100 mijë lekë pagë. Në vendim vihet re, që jo vetëm nuk do të marrë dyfishin, por nuk do të marrë as masën e një page të deklaruar. Sipas vendimit të qeverisë, “Ndihma financiare është e barabartë me pagën minimale në fuqi, 26 000 (njëzet e gjashtë mijë) lekë në muaj”.
PAGESA NIS NË MUAJIN MARS APO PRILL?
Por, veç çështjes nëse do të jepet një “pagë lufte” apo dy paga në muaj, për shumë biznese mbetet ende e paqartë se në cilin muaj ka nisur përllogaritja e kësaj page, duke qenë se shumë biznese janë mbyllur që më 12 mars, kur filluan masat e para të karantinimit, 3 ditë pas rastit të parë pozitiv me Covid-19 në Shqipëri. Në lidhje me këtë çështje, Kryeministri Rama deklaroi se; “Çdo i regjistruar me pagë, pa pagë, si i vetëpunësuar nga familja në biznes të vogël, do të marrë një pagë lufte dhe shuma 710 milionë lekë të reja e pagave të deklaruara nga ata që e kanë mbyllur biznesin e vogël në kohë lufte do të bëhet 1.57 miliardë lekë të reja”, duke iu referuar të gjithë atyre që në kohën e deklaratës e kishin mbyllur biznesin, por pa saktësuar se kur do fillojë përllogaritja.
Për të kuptuar se kur fillon përllogaritja e pagës “së luftës”, më 31 mars, Koordinatori për situatën ekonomike të COVID 19, Arben Ahmetaj në një dalje në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ka shpjeguar procedurën dhe periudhën kohore që do të marr shpërndarja e parave cash për biznesin e vogël që tashmë është i mbyllur. Ahmetaj deklaroi se “pagesa e parë nis nga 1 prilli”. I pyetur për periudhën 12-30 mars, ku shumë persona nuk kanë punuar, Ahmetaj u përgjigj “Ashtu si edhe ti e unë, pagën e marrim në prill për marsin. Paguhet në prill për marsin”. Pra sipas ministrit Ahmetaj, në prill do të paguhet për muajin mars.
Por, kjo deklaratë u hodh poshtë një ditë më vonë nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj. Në një prononcim për emisionin Open në Top Channel, ministrja Denaj deklaroi se “në prill do paguhet prilli, në maj do paguhet maji, në qershor do paguhet qershori. Ne flasim për një pagë mujore, nuk po i vendosim datë, por në muajin prill do të procesohet një pagë mujore për muajin prill. Efektiviteti i këtij vendimi është nga data 1 prill”.
Pra, ministrja Denaj rrëzon pikërisht atë që Ahmetaj kishte thënë një ditë më herët. Porta Vendore verifikoi dhe më tej këtë çështje për të kuptuar se nëse do të paguhen apo jo ditët e mbylljes së biznesit të vogël nga data 12-31 mars. Por sipas vendimit të lartpërmendur, rezulton se qeveria nuk do të japë asnjë pagesë për këto ditë. Në vendim deklarohet qartazi se “Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet nga data 1 prill 2020 deri në përfundim të gjendjes së epidemisë nga COVID-19, por jo më shumë se 3 (tre) muaj”. Kjo do të thotë se pagesat do të përllogariten nga data 1 prill dhe nëse qeveria vendos zhbllokimin e biznesit para datës 30 qershor, atëherë paga do të llogaritet deri në atë ditë, duke mos paguar asnjë lek për 20 ditët e marsit, pavarësisht se bizneset u mbyllën me urdhër të qeverisë.
Aktualisht janë 60,420 punonjës, ose 30,758 biznese, të cilët përfitojnë “pagën e luftës”. Konkretisht 27,900 që kanë të deklaruar pagën si të vetëpunësuar apo të punësuar në këto biznese dhe 32,100 që kanë qenë të deklaruar me pagën zero dhe kanë qenë familjarë të bizneseve të drejtuara nga të vetëpunësuarit.
Numri total i rreth 60 mijë punonjësve, aktualisht është në fazën e procesimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Të gjitha bizneset që janë pjesë e këtij vendimi duhet të aplikojnë brenda 10 ditëve të para të prillit. Deri më 2 prill kanë qenë 5,700 aplikime në numër biznesesh dhe pothuajse 9,000 në numër punonjësish, të cilët kanë plotësuar formularin.