Ngjarje/Personazhe

Durrësi, qyteti që njohu ‘fundin e botës’ tenton të ringrihet për herën e katërt

4 prill 2020/ Geri Emiri/ Porta Vendore/ Durrës

Instalacioni i Redonit, perëndisë ilire të deteve dhe ujërave duket sikur ka zënë vend midis boshllëkut të detit. Skulptori Ilirjan Xhixha as nuk mund ta ketë përfytyruar se një ditë vepra e tij do të mbushte një qytet të zbrazur pas orës 13:00, përgjatë gjashtë ditëve të javës.

Instalacioni i Redonit, vepër e Skulptorit Ilirjan Xhixha. Foto: Geri Emiri

Të moshuarit po e shijojnë ajrin e pastër vetëm nga ballkonet e banesave, teksa sipas një urdhri të qeverisë nuk munden të zbresin më në rrugë për nevojat e përditshme, ndërsa qeveria ka premtuar përkujdesje për të moshuarit që nuk kanë të afërm pranë. Nga 30 Marsi 2020, çdo qytetar që ka nevojë të lëvizë për të blerë ushqime dhe ilaçe duhet të aplikojë paraprakisht për leje në portalin “E-Albania”.

Të moshuarit teksa qendrojnë nëballkonet e banesave. Foto: Geri Emiri

Në rrethrrotullim nuk duket gjëkundi as postblloku i zakonshëm i policisë. Nuk vonon pak dhe midis diellit që zhvishet nga retë e nis të ndrisë fort asfaltin, zhurma bëhet më e qartë. Me ecje të ngadaltë, dallohen 2 “Humvee”. Ato janë automjete të blinduara që populli amerikan ia dhuroi Shqipërisë për ditë të errëta.

Forcat e Armatosura për herë të parë kanë urdhër të merren me civilët. As me ata në vetvete, por me një armik të infiltruar brenda shoqërisë shqiptare. Koronavirusi COVID-19, i shpallur si pandemi botërore ka detyruar edhe oficerët e Forcës Detare Shqiptare të bazës së Durrësit të patrullojnë në lagjet e qytetit.

Automjetet e blinduara të Forcave të Armatosura duke patrulluar në rrugët e Durrësit. Foto: Geri Emiri

Pak metra më larg, në Portin e Durrësit vijon rregullisht përpunimi i anijeve të mallrave. Kontejnerë që ngarkohen e shkarkohen nga anijet që përshkojnë detet dhe oqeanet në kohë pandemie. Shqipëria ka mbyllur të gjithë kufijtë tokësorë, transportin detar dhe ajror të pasagjerëve. Në Durrës çdo ditë nga tragetet zbresin vetëm kamionët e ngarkuar me ushqime, ilaçe dhe mallra, kryesisht nga Italia fqinje.

Në portin detar të Durrësit vazhdon puna për përpunimin e anijeve tregtare të mallrave. Foto: Geri Emiri

Nuk kanë rëndësi sa të mëdha janë dallgët. Shiu nuk ndryshon gjë, as era po ashtu. Peshkatarët që gjuajnë në cekëtinat e Adriatikut e kanë përballuar gjithnjë detin e egër, por nuk e kishin menduar ndonjëherë se COVID-19 do t’i detyronte të qëndrojnë në shtëpi, larg pasionit për detin. Varkat e tyre të rrjepura nga kripa e detit, që njihen rëndom si “pedalon”, janë rreshtuar buzë shëtitores së Vollgës.

“Pedalonët”, e peshkatarëve teksa presin që pandemia të mbarojë. Foto: Geri Emiri

Pak metra më tutje, restorantet që gatuajnë prodhimet e detit “kanë ngrirë në kohë”, në pritje të shkrirjes nga udhëzimet e qeverisë. Tavolinat e kuruara me delikatesë dhe gotat e kthyera përmbys kanë nisur të përshkohen nga rrjetat e merimangave. Qeveria shqiptare mbylli të gjitha baret, “fast food”-et dhe restorantet në vend, me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit. Punonjësit e kafeneve dhe restoranteve zënë një pjesë të madhe të të punësuarve në vend dhe pas mbylljes së aktivitetit po përballen më vështirësi ekonomike.

Restorantet në zonën e plazhit të Durrësit. Foto: Geri Emiri

Tallazet e Adriatikut njomin njëra pas tjetrës shkallët e “Sfinksit”. Dielli që reflekton mbi det dhe në sipërfaqen e gurëve të shëtitores që formojnë emrin Durrës do të tundonte çdo vizitor për tu afruar. Vetëm izolimi në shtëpi ka mundur t’i mbajë larg ata, teksa deri më tani në Shqipëri numërohen 333 të infektuar me COVID-19, ndër të cilët 18 persona kanë humbur jetën. Durrësi shënoi rritje të numrit të të prekurve, në 33 persona në total.

“Sfinksi” në Durrës vizitohet vetëm nga dallgët e detit në këto ditë të karantinimit. Foto: Geri Emiri

Amfiteatri romak, Muzeu Arkeologjik dhe monumentet e tjera janë rrethuar me zinxhirë hijerëndë. Prilli që sillte valën e parë të vizitorëve të huaj duket i zymtë për monumentet shekullore. Pranë mureve antike të qytetit gjenden disa vizitorë. Motra më e madhe kujdeset për 2 vëllezërit. Është ulur pranë motrës më të vogël duke e ushqyer. Qëndron pranë karrocës me një copë byrek në dorë. E ëma së bashku më një prej fëmijëve po rrëmon midis kontejnerit të mbeturinave pranë amfiteatrit.

Komuniteti rom vijon të endet kontejnerëve të mbeturinave për të gjetur një kafshatë bukë. Pa maska, doreza, ata ekspozohen ndaj virusit vdekjeprurës, teksa edhe policia duket e pafuqishme të ndalojë të pamundurit në misionin e tyre në kërkim të ushqimit.

Komuniteti rom endet kontejnerëve të mbeturinave në kërkim të kafshatës së bukës. Ata nuk kanë masa mbrojtëse dhe policia “i mirëkupton” duke mos i penalizuar. Foto: Geri Emiri

Mjerimi në rrugët e Durrësit pasohet nga trishtimi. Natyra duket se është kthyer në vitin 522 të Erës Sonë. Pasi qyteti u përball me tërmetin që e bëri copash, ai e vijoi betejën me një murtajë vdekjeprurëse. Rrënojat e Kullës C të mureve rrethuese të qytetit vijojnë të kenë bllokuar gjysmën e rrugës. Ajo u shemb nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 që i mori jetën 52 personave dhe e ka ende të hapur plagën që ka lënë pa shtëpi mijëra persona dhe një pjesë e të cilëve janë kthyer në banesat e dëmtuara për tu karantinuar, duke u përballur me vonesat e lëvrimit të bonusit të qirasë. Qyteti po tenton të ringrihet, ashtu si pas goditjes shkatërrimtare të 3 tërmeteve që ndër shekuj për pak e fundosën qytetin dhe epidemitë që u endën rrugëve të tij.

Pasojat e tërmetit të 26 nëntorit janë ende të qarta, me rrënojat e shembura të kullës C të mureve rrethuese të qytetit. Foto: Geri Emiri
Pas orës 13:00 në rrugë lëvizin punonjësit e shëndetësisë, policisë, pastrim-gjelbërimit dhe ata me autorizim të veçantë. Foto: Geri Emiri

Banorët e sodisin qytetin nga ballkonet, teksa një pjesë në pallatet e Durrësit kanë vendosur në ballkon flamurin kombëtar, si gjest patriotik në këto ditë të vështira që po kalon kombi shqiptar dhe jo vetëm.

Disa nga banorët e Durrësit vendosin flamurin kuq e zi në ballkonet e tyre. Foto: Geri Emiri

Kafshët e rrugës janë të vetmet që lëvizin pa orar në qytetin e boshatisur. Megjithatë ato duken të shqetësuara nga zbrazëtia, teksa qytetarët që kujdesen për ta rrezikojnë të gjobiten, duke dalë për t’i ushqyer.

Qentë nëpër rrugët e qytetit të Durrësit. Foto:Geri Emiri

Me ardhjen e pranverës në rrugët e qytetit të Durrësit pemët kanë nisur të lulëzojnë dhe bashkë me to shpresat e qytetarëve se virusi nuk do t’i rezistojë vapës, teksa biznesi shpreson që t’i rikthehet shpejt ritmit të mëparshëm dhe të përfitojë të ardhura nga sezoni veror.

Rrugët e qytetit të Durrësit në këtë kohë karantine. Foto: Geri Emiri