Vëzhgim/Analizë

Lufta ndaj Covid-19, bashkitë shpërndajnë ushqime, por nuk ulin taksa

3 prill 2020/ Bledi Gilaj/ Porta Vendore

Izolimi i gjithë Shqipërisë dhe masat e forta të marra për përballimin e situatës së krijuar nga Covid-19, ka angazhuar strukturat, jo vetëm të qeverisë qendrore, por dhe ato vendore. Megjithatë, angazhimi i strukturave vendore më së shumti ka qenë vetëm në shpërndarjen e ndihmave ushqimore për familjet në nevojë, pasi të gjitha po punojnë me staf të reduktuar, ndërkohë që vëmendja ndaj biznesit ka qenë pothuajse zero. Deri tani, vetëm Bashkia Lezhë dhe Bashkia Tiranë kanë ndërmarrë hapa për lehtësi fiskale ndaj biznesit.

Porta Vendore ka realizuar një vëzhgim të gjerë në 12 bashkitë kryesore të vendit (qendra të 12 qarqeve), ku vihet një angazhim i madh sa i përket shpërndarjes së ndihmave për familjet në nevojë dhe dezinfektimit të ambienteve publike, por duket se aktiviteti i tyre është kufizuar për më shumë, ndonëse, të gjitha bashkitë kanë vënë në funksionin mbledhjet e këshillit në distancë, nëpërmjet shërbimit on line. Sipas të dhënave të marra nga bashkitë, rezulton se realizimin e mbledhjeve të këshillave bashkiakë në distancë, duke përdorur mjetet elektronike të komunikimit, si Skype, E-mail, Whatsapp, e kanë vënë në përdorim 8 nga 12 bashkitë e vëzhguara, si Tirana, Kukësi, Shkodra, Lezha, Berati, Vlora, Gjirokastra dhe Korça, të cilat kanë miratuar vendimet e nevojshme për funksionimin e bashkive.

STAFI I REDUKTUAR

Por, me urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë për kufizimin e lëvizjeve si me mjete, ashtu dhe në këmbë, të gjitha bashkitë në vend rezultojnë se aktualisht po punojnë me staf të reduktuar, ndërsa kanë kufizuar shërbimet.

Në Bashkinë e Tiranës rezulton se aktualisht janë mbajtur aktive vetëm shërbimet e domosdoshme, si ujësjellësi, punonjësit e mirëmbajtjes së rrugëve, policia bashkiake dhe punonjës të shërbimit të emergjencës, të cilët shpërndajnë ndihma për familjet në nevojë. E gjithë pjesa tjetër po funksionin vetëm nëpërmjet shërbimeve online, duke përfshirë këtu dhe punonjësit e gjendjes civile.

Edhe në Elbasan duket e njëjta situatë, ku që pas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë, ka njoftuar qytetarët si nëpërmjet medias, ashtu dhe në faqen e saj zyrtare, se është pezulluar shërbimi i pritjes së qytetarëve pranë bashkisë dhe marrja e shërbimeve drejtpërdrejtë pranë one stop shop-eve. Por, Bashkia Elbasan ka publikuar në faqen e saj, të gjitha kontaktet e nevojshme për shërbimet e domosdoshme.

Po ashtu, Bashkia Shkodër ka qenë një ndër ato bashki që ka njoftuar për reduktimin e stafit nëpërmjet kanaleve të saj zyrtare, duke deklaruar se veç mbylljes së zyrës me një ndalesë, është mbyllur, gjendja civile dhe muzetë.

Ndërsa Bashkia Lezhë, veç mbylljes së këtyre shërbimeve, si bashkitë e tjera, ka njoftuar se ka pezulluar përkohësisht dhe procedurat e konkurrimit për punësim në këtë njësi vendore.

Kurse Bashkia Durrës, deri më tani vazhdon të punojë normalisht. Sipas të dhënave, nuk ka reduktim të stafit apo ndryshime në të, me përjashtim të një numri të vogël punëtorësh që kanë fëmijë sipas moshave të përcaktuara për të marrë leje qëndrimi në shtëpi dhe për t’u kujdesur.

Bashkia Fier i mori me vonesë masat për reduktim stafi, por javën e fundit, pothuajse të gjithë punonjësit që nuk ishin pjesë e shërbimeve të domosdoshme kanë punuar nga shtëpia. Fillimisht, kjo bashki ka pasur reduktim stafi vetëm për punonjës të tatim taksave dhe të njësive administrative. Po ashtu, punonjësit mbi 60 vjeç dhe ata që kanë fëmijë të vegjël ishin lënë në shtëpi që pas vendimit të qeverisë.

Ndërsa Bashkia Vlorë deklaroi se ka një kufizim të shërbimeve të ofruara fizikisht, por ato ofrohen elektronikisht. Mbledhja e Këshillit është realizuar përmes votimit online, ndërsa në lidhje me shërbimin e pastrimit mësohet se janë dezinfektuar të gjithë kopshtet, shkollat dhe ambientet e administratës, ndërsa vazhdon çdo ditë dezinfektimi i rrugëve, shesheve ambienteve të përbashkëta.

Edhe në qytetet e tjera ka pasur reduktim të stafit, por kryesisht vetëm duke u bazuar në vendimin e qeverisë për moshat mbi 60 vjeç dhe për prindër që kanë fëmijë të vegjël në shtëpi.

TAKSAT DHE TARIFAT

Një tjetër masë, e cila është parë si e domosdoshme nga bizneset dhe individët, që mund të ndërmerret nga bashkitë, është edhe lehtësimi i taksave dhe tarifave vendore. Por, ajo që vihet re deri tanimë është fakti që vetëm Bashkia e Tiranës dhe Bashkia e Lezhës kanë ndërmarrë një vendim të tillë, ndërsa tri bashki të tjera janë në proces.

E para që mori një vendim për paketë lehtësuese për biznesin dhe familjet ishte Bashkia Lezhë. Me vendimin e këshillit bashkiak më 31 mars 2020, Bashkia Lezhë alokoi 80 milionë lekë të reja për shtesë në fondin e emergjencës. Po ashtu, kjo bashki vendosi heqjen e tarifës së shërbimeve publike (Pastrim, Gjelbërim, Ndriçim, Dekor) për tre muaj, por sa i përket taksave, vendosi vetëm shtyrjen e pagesave deri më 30 qershor. Lidhur me bizneset, veç shtyrjes së pagesave, lehtësimi i vetëm që vjen nga paketa e miratuar nga këshilli bashkiak Lezhë është falja në masën 20% të vlerës së përgjithshme të tarifës së shërbimeve publike.

Ndërsa Bashkia Tiranë ka deklaruar se për 10 mijë biznese që janë në Tiranë, Bashkia nuk do të marrë taksën e hapësirës publike për të gjithë periudhën e marsit dhe të prillit. Këtë e deklaroi vetë Kryetari i Bashkisë Tiranë për mediat pak ditë më herët, i cili shpjegoi se për të lehtësuar sa më shumë bizneset, çdo detyrim tjetër do të shtyhet për në Qershor dhe askush nuk do të ketë ankthin se do të ketë kamatëvonesa ose do të ketë penalizime. Por për këtë deklaratë mediatike të Kryetarit nuk gjendet një vendim i  këshillit bashkiak, duke vënë në dyshim vlefshmërinë zyrtare të kesaj mase lehtësuese për bizneset dhe procedurat përkatëse që duhen ndjekur, ndërsa na ndajnë pak ditë nga data 20 prill kur bizneset duhet të bëjnë pagesën e taksave të bashkisë . Sipas njoftimit zyrtar të Bashkisë Tiranë, Këshilli bashkiak në Tiranë, në mbledhjen e datës 23 mars nuk diskutoi mbi këtë çështje, duke vendosur lehtësim financiar vetëm për transportin qytetas. Porta Vendore pyeti Bashkinë Tiranë mbi këtë çështje, nëpërmjet një kërkese për informacion, por ende nuk ka një përgjigje nga ky institucion. Në mbledhjen e datës 23 mars 2020, Këshilli Bashkiak Tiranë miratoi ndryshimet e kontratave me operatorët që ofrojnë transportin publik kryeqytetas. Operatorët e licencuar nga Bashkia e Tiranës në linjat e shërbimit publik të transportit qytetas të udhëtarëve, do ta ofrojnë këtë shërbim vetëm në funksion të personelit dhe stafit mjekësor. “Të gjitha shpenzimet për ofrimin e këtij shërbimi për stafin dhe personelin mjekësor do të paguhen nga Bashkia Tiranë, e cila ka parashikuar dhe buxhetin përkatës për këtë shërbim”, thuhet në vendimin e këshillit bashkiak të Tiranës.

Ndërkaq, Veliaj ka deklaruar gjithashtu se Bashkia Tiranë ka vendosur faljen e qirasë për marsin dhe prillin për 385 familje në nevojë. “Do bëjmë një mbledhje online të Këshillit Bashkiak dhe do heqim të gjitha pagesat e qirasë për familjet që jetojnë në banesat sociale. Nëse kriza vazhdon, do heqim edhe majin”, deklaroi Veliaj.

Falje të taksave dhe tarifave vendore deri më 30 qershor ka kërkuar dhe Kryetarja e Bashkisë Shkodër. Me një kërkesë të datës 19 mars 2020, kryebashkiakja Voltana Ademi ka kërkuar “të përjashtohen nga taksat e pronës dhe tarifat vendore (pastrim, gjelbërim, ndriçim publik) për një periudhë 3-mujore individët, familjet, persona fizikë dhe juridikë, ambulantë, OJF dhe institucione publike në të gjithë territorin e kësaj bashkie”. Po ashtu, ajo kërkon që këto kategori të përjashtohen dhe nga kamatëvonesat e detyrimeve vendore dhe gjobave. Megjithatë, deri tani ende nuk është mbledhur këshilli bashkiak që të vendosë mbi këtë projektvendim të kërkuar nga kryetarja e bashkisë.

Kërkesa e Kryetares së Bashkisë Shkodër për taksat dhe tarifat vendore
Kërkesa e Kryetares së Bashkisë Shkodër për taksat dhe tarifat vendore

Një hap të tillë duket se po e ndjekin dhe dy bashki të tjera, konkretisht Bashkia Vlorë dhe Bashkia Gjirokastër. Në një prononcim për Portën Vendore, Bashkia Vlorë deklaroi se “është duke punuar në lidhje me një paketë lehtësuese për bizneset, duke qenë në koherencë me Qeverinë Qendrore”. Edhe Kryetari i Bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi, në një komunikim publik më 27 mars, pas mbledhjes së këshillit bashkiak, u shpreh se “në mbledhjet e radhës do të rishikohet Paketa Fiskale për disa lehtësi ndaj bizneseve të penalizuara nga kriza e Covid-19, lidhur me taksat dhe tarifat vendore”.

Ndërsa nga tetë Bashkitë e tjera të marra nën vezhgim, të pyetura nga Porta Vendore, ende nuk ka një nismë konkrete për ndonjë paketë lehtësuese ndaj biznesit dhe qytetarit gjatë kësaj periudhe.

NJERËZIT NË NEVOJË

Një çështje, ku janë angazhuar së shumti strukturat e bashkive është ajo e shpërndarjes së ndihmave, kryesisht ushqimore për familjet në nevojë. Angazhimi i punonjësve të bashkisë ka qenë sa vullnetar, ashtu dhe me ndihma financiare ndaj kësaj shtrese, si në rastin e Kukësit dhe Beratit, ku këshilltarët bashkiakë kanë dhuruar ndihma dhe ushqime për familjet në nevojë. Po ashtu, në Lezhë, Gjirokastër apo dhe qytete të tjera, këshilltarët bashkiakë janë përfshirë në grupet e vullnetarëve.

Sipas të dhënave të marra pranë bashkive, punonjësit vendorë janë përfshirë gjithashtu dhe në dërgimin e barnave të rimbursueshme në shtëpi, duke përfshirë këtu dhe pensionistët, të cilët e kanë të ndaluar të dalin nga shtëpia. Në Bashkinë e Vlorë, ky shërbim është kryer nga ana e policisë bashkiake, ndërkohë që në Gjirokastër, Bashkia ka ndihmuar punonjësit e qendrave shëndetësore dhe ambulancat për dërgimin e tyre pranë njerëzve në nevojë.

Por, vëmendje kanë pasur dhe familjet e goditura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Konkretisht në Lezhë, Lezhë, Berat, Kukës, Shkodër, Dibër dhe Fier është vendosur që të ketë mbështetje të familjeve në nevojë apo ato të goditura nga tërmeti, me ushqime dhe materiale të nevojshme të ofruara nga fondet e bashkive dhe nga donacione private ose fetare.

Po ashtu, në Durrës, në vijim të operacionit humanitar të qeverisë në njësitë administrative Ishëm, Manzë, Sukth, Rrashbull dhe Katund i Ri janë shpërndarë ndihma për rreth 500 familje, mes të cilave familje që jetojnë në çadra që pas tërmetit të 26 nëntorit, familje në ndihmë ekonomike, pensionistë, të moshuar të vetmuar dhe persona me aftësi të kufizuar apo familje të pastreha. Gjithashtu gjatë këtyre ditëve janë trajtuar me ndihma nga bashkia e Durrësit 220 familje, nga të cilat rreth 110 familje në nevojë, komuniteti rom dhe egjiptian,  persona me aftësi të kufizuar, ku edhe me mbështetjen e organizatave të ndryshme janë shpërndarë pako ushqimore  dhe higjienike. Po kështu bashkia Durrës vijon të trajtojë 110 të moshuar (qendra ditore e shërbimit social) të cilëve u janë shpërndarë ditë më parë dhe këtë javë do t’u shpërndahen sërish pako të tjera.

Ndërsa në Vlorë, janë evidentuar rreth 1500 familje në total (të moshuar dhe familje në nevojë), ku ka nisur ndarja e ndihmave sipas rajoneve. “Gjithashtu është ofruar mbështetje për blerjen e ushqimeve apo ilaçeve për pensionistët e vetmuar dhe personat që nuk kanë mundësi fizike. Janë vendosur në dispozicion të banorëve 4 numra telefoni”, deklaroi Bashkia Vlorë.

NDRYSHIMI I DESTINACIONIT TË FONDEVE

Disa nga bashkitë, për të përballuar këtë situatë, kanë ndërmarrë dhe veprime të tjera, duke ndryshuar destinacionin e fondeve të planifikuara më herët për aktivitete të tjera, që tashmë kanë kaluar për fond emergjence. Një veprim të tillë deri tani e kanë bërë Bashkia e Lezhës, Vlorës dhe Shkodrës, të cilat fondet e miratuara për furnizimin me ushqime të kopshteve dhe çerdheve e kanë kaluar si fond për ndihmën e familjeve në nevojë. Kurse në Kukës, fondi i caktuar për aktivitetet social-kulturore ka kaluar për familjet në nevojë.

Ndërsa këshilli bashkiak i Tiranës, nisur nga pezullimi i frekuentimit të çerdheve dhe kopshteve në këtë periudhë, ka vendosur që ta përdorë sasinë e tyre ushqimore për t’i ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë, që ata ta kalojnë sa më lehtë këtë situatë të krijuar nga COVID-19. Ushqimet e gatshme, por edhe pakot me ushqime grumbullohen dhe më pas shpërndahen në banesat e shtresave në nevojë nga Bashkia Tiranë nëpërmjet punonjësve të qendrave sociale, njësive administrative dhe grupeve të ngritura enkas për këtë qëllim.