2 prill 2020/ Ola Mitre/ Porta Vendore/ Tiranë
Operatorët e transportit ndërqytetës japin alarmin se bllokimi i lëvizjes për shkak të masave të marra për frenimin e përhapjes së COVID-19 do i çojë drejt falimentimit, ndërkohë që mijëra punonjës do të mbeten pa paga. Ata qortojnë mekanizmin e qeverisë për marrjen e kredive përmes garancisë sovrane, ndërsa kërkojnë masa shtesë për të dalë nga situata.
Ulur këmbëkryq në divan e me sytë që nuk i ndan nga ekrani i televizorit, Pëllumb Kasa pret një përgjigje nëse në fillim të muajit prill do të marrë pagën e tij. Ai është shofer autobusi dhe çdo ditë kryen linjën Tiranë-Peshkopi-Tiranë, ndërkohë që prej datës 12 mars, kur qeveria vendosi të ndërpresë funksionimin e transportit ndërqytetës, si një masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit të ri, 38-vjeçari nuk ka punuar më. Me pagën minimale të Pëllumbit dhe një pension prej 11 mijë lekësh mbahet gjithë familja e tij prej 7 vitesh. “Jam vetëm një krah pune, njërin nga pleqtë e kam të sëmurë në krevat dhe kam 3 fëmijë të vegjël”, tregon ai për Portën Vendore. “Tani presim, do zoti na japin ndonjë gjë. Gjithë ditën rrimë duke parë TV dhe presim ndonjë lajm të mirë”, shton ai. Në komunikimet që ka patur me kompaninë private ku punon, i kanë dhënë pak shpresa se do të marrë pagën, pasi sipas tij edhe pronarët varen nga ndihma që do të japë shteti. “Po qe se shteti do t’i japë ndonjë diçka pronarit, do të na japë edhe pronari ndonjë gjë neve. Përndryshe. . .”, thotë 38-vjeçari. “Ishalla o Zot e kalojmë lehtë këtë situatë, pastaj ishalla vë dorë shteti për këto ditë që kemi ngel pa punë e na ndihmon. Mos u përkeqësoftë situata!”, apelon më tej ai.

Shumica e kompanive të transportit ndërqytetës klasifikohen si biznes i madh, çka do të thotë se për këtë kategori, qeveria ka parashikuar si masë për kapërcimin e situatës së krijuar nga COVID-19, një garanci sovrane prej 100 milion dollarësh. Praktikisht, këto kompani kanë të drejtë t’i drejtohen bankave të nivelit të dytë për të marrë kredi, si një formë për të paguar punonjësit. Por kjo masë duket se nuk po merret në konsideratë nga këto kompani, pasi shlyerja e kredisë do të jetë e vështirë përsa kohë aktiviteti është 100% i bllokuar. Rifat Ajdini, administrator i kompanisë “Rilindja” SHPK, që operon në linjën Bajram Curri-Tiranë-Bajram Curri thotë se ka të punësuar 27 punonjës, por me pezullimin e aktivitetit pagat e tyre po vihen në pikëpyetje. “Shumë e vështirë është që t’i japim pagat, edhe pse ne e dimë që shumë punonjës kanë probleme: dikush ka kredi, dikush borxhe. Por, s’kemi çfarë të bëjmë”, thotë Ajdini për Portën Vendore. “Edhe për prillin është shumë e vështirë sepse janë edhe sigurimet, edhe tatim-fitimi, edhe TVSH-ja, janë të gjitha që duhen paguar”, shton ai. Po ashtu, sipas administratorit të kësaj kompanie, “kredia nuk është zgjidhje sepse kreditë janë me interesa”. “Ne edhe pa punë, të marrim dhe kredi, me çfarë do e shlyejmë sepse ne punojmë sot për sot. Shteti duhet të gjejë zgjidhje të tjera sepse ne jemi totalisht të bllokuar”, thotë Ajdini.

Klevis Meta, administrator i “Meta 2017” SHPK, që operon linjën Tiranë-Divjakë-Tiranë, thotë se kompani e tij numëron 16 punonjës, që normalisht janë të pezulluar totalisht. “Këtë muaj do mundohem t’u hedh lekët në bankë shoferëve, por muajin tjetër nëse nuk ndërhyn shteti do kemi të vështirë. Janë 15 punëtorë (pa mua) nga 45 000 lekë, llogaria del vetë, plus sigurimet apo detyrimet”, thotë Meta për Portën Vendore. “Jo më larg se pardje më erdhi mesazhi për detyrimet e Bashkisë së Tiranës, që po nuk i pagove nisin kamatëvonesat, etj”, shton ai. Po ashtu, administratori nuk e konsideron aspak si ndihmë mundësinë e marrjes së kredisë, përmes garancisë sovrane të vënë në dispozicion nga qeveria. “Ne të transportit jemi gjithmonë ‘në luftë’ me policinë, dhe na ndëshkojnë sepse kërkojnë rinovim të flotës së autobusëve, ndaj më herët ne jemi detyruar të marrim kredi. Po tani për çfarë ta dua kredinë?! Për rrogën e punonjësit?! Nëse do të ishte për hapjen e ndonjë biznesi edhe mund të kesh perspektivën që do e lash, por ta marrësh për rrogat e punëtorëve ti s’mund ta lash?!”, thotë Meta.
Edhe menaxheri i kompanisë “Tifa” SHPK, Leonard Shanaj thotë se situata është e zymtë. Kompania e tij numëron 25 punonjës, ndërsa operon linjën Tiranë-Sarandë-Tiranë si dhe Fierin. “E dimë që punëtorët kanë probleme sepse janë familjarë, por edhe për ne është e vështirë. Ndaj duhet të ndërhyjë shteti. Edhe Kosova po e mbështet biznesin, ndërsa vetëm ne jemi pak mbrapa”, thotë Shanaj për Portën Vendore. “Të marrësh kredi në këtë kohë s’është aspak normale”, shton ai.
Aktualisht, vetëm në linjat ndërqytetëse që operojnë në veri të vendit numërohen rreth 900 punonjës, pa përshirë këtu administratorët dhe aksionerët e kompanive. Ndërkohë që, në rang vendi numri i tyre shkon në rreth 1500 vetë.
Dashnor Memaj, kryetar i Shoqatës Urbane dhe Interurbane Veri thotë për “Porta Vendore” se situata është tejet e rëndë, edhe për faktin se shumë prej shoqërive kanë kredi të mëparshme. “Kemi ankesa të vazhdueshme nga shoqëritë. Duan informacion se çdo të bëhet me ta, si do të veprohet sepse vjen edhe afati i pagimit të detyrimeve, të tatim-fitimit, tatimit në burim, TVSH-ja, sigurimet, etj”, thotë Memaj. Edhe kryetari i Shoqatës së Transportit Kombëtar Interurban, Kujtim Mema konfirmon situatën e vështirë. “Normalisht ne jemi të stopuar, ndërkohë që ne jemi biznes i madh dhe zgjidhja që i ka dhënë qeveria është të marrë kredi për të paguar punëtorët”, thotë Mema. “Në këtë rast nuk do i interesojë ndonjërit të marrë kredi, por do harxhojë pak nga vetja për të përballuar këtë muajin e parë. Ne urojmë të mos zgjasë shumë situata. Nëse fillojmë në datën 1 maj të funksionojmë, edhe e kalojmë me ato pak rezerva që kemi, por më tej patjetër që do të ndjehemi keq”, shton ai.
Shoqatat nuk e konsiderojnë si zgjidhje të favorshme marrjen e kredisë, me mbështetjen e garancisë sovrane të vënë në dispozicion nga qeveria. “Ne jemi një biznes goxha i varfër dhe pa rezerva dhe ne nuk mund ta përballojmë. Kjo pasi, edhe nga kërkesa për rinovimin e mjeteve, kemi marrë edhe kredi bankare këto 2 vite dhe një pjesë e mirë kanë kredi dhe nuk kanë rezerva për ta përballuar situatën”, thotë Mema. Edhe sipas Memajt, “kredia mbetet kredi”.
Në këto kushte përfaqësuesit e këtij biznesi kërkojnë ndërhyrje të tjera nga qeveria. Sipas administratorit të “Rilindja” SHPK, duhen marrë shembuj nga vendet e tjerë të prekur nga COVID-19. “Edhe shteti ynë, duhet të miratojë një paketë ekonomike dhe sociale ku detyrimisht të bëhet rimbursimi i pagës së punonjësve si dhe rimbursimi i detyrimeve për derdhjen e sigurimeve shoqërore”, thotë Ajdini. Ky variant mbështetet edhe nga Kujtim Mema, i cili i referohet praktikës së ndjekur me biznesin e vogël, për të cilin qeveria është angazhuar të paguajë një pagë minimale. “Ne do të ishim dakord, që sikurse u ndihmua biznesi i vogël, të ndihmoheshim edhe ne, jo më tepër “,thotë ai. Ndërkaq, sipas Dashnor Memajt, qeveria duhet të shtyjë edhe pagesat e detyrimeve, sikurse është tatim-fitimi, TVSH-ja, sigurimet, etj. të paktën për një periudhë 3-mujore. “Është paralizuar e gjithë infrastruktura e transportit ndërqytetës, ndërsa detyrimet vazhdojnë”, thotë Memaj. “Janë një numër shumë i madh punëtorësh që presin të marrin pagat, të paguhen sigurimet, të paguhen kreditë, etj. Kjo shtyrje do t’i japë frymëmarrje biznesit. Unë jam në kontakt të vazhdueshëm me operatorët dhe janë në një ankth total sepse kjo do i çojë drejt falimentimit. Shpresoj të merren masa shumë serioze nga qeveria”, përfundon ai.