1 prill 2020/ Arben Vata/ Porta Vendore/ Kukës
Edhe pse në kohë pandemie, dhe një nyje e rëndësishme e transportit kombëtar e ndërkombëtar, deri më tani qyteti i Kukësit nuk i është bashkangjitur hartës së qyteteve të prekura nga Covid-19. Kjo ka bërë që shumica e qytetarëve të ndjehen të qetë e të thyejnë kështu rregullat e karantinimit të vendosura nga qeveria, për parandalimin e virusit Covid 19 në Shqipëri.
Në qarkun e Kukësit janë 6 raste pozitive me Covid-19 të konfirmuar zyrtarisht dhe këto i takojnë 2 qytetit të Hasit dhe 4 Tropojës.
Sipas Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Kukës, nga data 10.03.2020 deri më sot janë bërë gjithsej 3 teste të Covid-19. Por që të tre rastet fatmirësisht kanë rezultuar negative. Kontrolli i strukturave të Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor tanimë që prej datës 25.03.2020 po punojnë më tre turne në doganën e Morinit, nga ku siç dihet janë kufizuar plotësisht lëvizjet e mjeteve, përveçse mjetet e transporti të mallrave.
Banorët duken që nuk kanë frikë nga Koronavirusi e kjo, për faktin që ato dalin në çdo moment të ditës edhe jashtë orareve të përcaktuara në aktet normative. Qytetarë të Kukësit shprehen se dalin nga shtëpitë sepse është koha e mirë, nuk e durojnë dot mbylljen e izolimin dhe për faktin që ende nuk ka asnjë të infektuar në qytet. “Mjaftojnë të ruajmë distancën me njëri-tjetrin”, shprehet një qytetar.
Përpos personave që ecin vetëm në rrugët e qytetit vihen re edhe grupe me nga 2, 3, 4, 5 persona që ecin në grup. Rruga “Ramadan Zaskoci”, por që shumica e njohin me “Turizmi i Ri” është hapësira ku njeh frekuentuesit më të shumtë këto ditë, sidomos familjarë. Kjo për arsyen sepse është larg qendrave të banuara, ajri është i pastër dhe aty ofrohet një pamje panoramike e qytetit, të cilët banorët po e shfrytëzojnë në këto ditë.
Ndërsa situata është krejt ndryshe me automjetet e transportit rrugor, të cilat janë të mbyllura dhe nuk lëvizin aspak nëpër rrugët e qytetit pa autorizimet përkatëse. Në rrugët kryesore shihen vetëm mjetet e policisë, ushtrisë dhe ato të autoambulancave.
Diana Deda, Zëdhënëse e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës shprehet për Portën Vendore se deri më tani në qarkun e Kukësit, policia ka sekuestruar 8 makina dhe pezulluar 8 leje drejtimi dhe janë gjobitur dy këmbësorë për shkelje të aktit normativ.
Në rrugët e qytetit, kryesisht në kryqëzimet e mëdha ka postblloqe policore, por qytetarët vazhdojnë të mos i binden borive të altoparlantëve, duke marrë situatën vetë nën kontroll.