1 prill 2020/ Elvis Hila/ Porta Vendore/ Lezhë
Në fshatrat e Lezhës, si kudo në Shqipëri ka një numër të konsiderueshëm të moshuarish, të cilët janë të vetmuar, e ku kjo situatë i ka shtuar edhe më tej hallet e tyre. Në shumë prej dyqaneve të fshatrave furnizuesi bukës nuk e çon më këtë produkt, ndaj të moshuarve i duhet të bëjnë në shumicën e rasteve 10 km rrugë për të siguruar thjesht një bukë.
Që prej nisjes së masave shtrënguese të qeverisë për mbrojtjen nga koronavirusi, sigurimi i bukës është kthyer në një mision të vështirë për Nora Ndokën në fshatin Troshan të Lezhës. Në dyqanin ushqimor të fshatit, ku merrte bukën 76-vjeçarja, nuk e gjen më këtë produkt që prej datës 13 mars. Furnitori që bënte furnizimin e ka ndërprerë shërbimin në këtë fshat, kjo pasi një pjesë e banorëve kanë nisur ta gatuajnë vetë bukën. Kjo situatë i ka vështirësuar së tepërmi jetesën Nora Ndokës. E moshuara jeton e vetme, pasi djalin e ka në emigracion.

“Unë jetoi vetëm, pasi burri më ka vdekur prej gati 18 muajsh, ndërsa djalin e kam në emigracion. Situata e krijuar nga koronaviruri ka sjellë shumë vështirësi për ne që jemi të vjetër. Prej disa ditësh në dyqanin ku unë blija bukën mungon ky produkt. Pronari i dyqanit na ka thënë se furnitori nuk e ka furnizuar ma me bukë sepse atij nuk i leverdis të vijë këtu në Troshan “, thotë e moshuara.
Një i afërm i Norës është bërë në këto ditë karantine engjëlli i saj mbrojtës, duke bërë të mundur që ta ndihmojë me ushqime e bukë.
“Deri tani më ka ndihmuar një i afërm i imi. E ka blerë bukën në një fshat tjetër dhe më ka furnizuar të paktën 1 herë në tre ditë. Por nuk mund të vazhdoj kështu sepse njerëzit kanë punët e veta në këto ditë të vështira që po kalojmë ku është kufizuar edhe lëvizja. Dua që shteti të mendojë për ne që jemi në vetmi, pasi vetë kryeministri ka thënë se do të vijë në ndihmë. Unë thjesht kërkoj që ta sjellin sërish bukën tk dyqani ku e kam blerë më parë. Nuk kërkoj asgjë falas, por vetëm të kem ku ta blej dhe mos të më mungojë asnjë element që na nevojitet për të jetuar. Shteti duhet të mendojë për njerëzit, pasi nuk dihet sa do të zgjasë kjo punë”, tregon Nora për Portën Vendore.

Problematikë të ngjashme kanë edhe të moshuar të tjerë që jetojnë të vetmuar në këtë fshat. Izolimi që është bërë si masë parandaluese për mos përhapjen e koronavirusit, po i detyron ata që të sakrifikojnë për të siguruar bukën e përditshme.
Vlash Simoni, 75 vjeç, i cili jeton i vetëm thotë se është i detyruar të bëjë 10 km në këmbë, duke shkelur edhe rregullat e karantintimit për të siguruar blerjen e bukën. Në mungesë të këtij produkti në fshatin e tij, ai thotë se i duhet të shkojë ta marrë në një fshat tjetër aty afër.
“Unë jetoj i vetëm sepse fëmijët i kam jashtë shtetit. Që kur nisi kjo puna e koronavirusit këtu në dyqanin e fshatit nuk kanë sjellë bukë. Kjo situata na ka penalizuar shumë, mua po që po por edhe fshatarë të tjerë, të cilët janë të moshuar. Një herë në tre ditë udhëtoj në këmbë nga Troshani në fshatin Kallmet që është 100 km vajtje-ardhje për të blerë bukën. Kam ndihmuar dhe familje të tjera, duke iu blerë bukën duke qenë se shkoj për vete. Por kjo është sakrificë e madhe për mua sepse nuk kam fuqi të eci në këmbë në këtë moshë që jam. Jemi dakord për masat që janë marrë për virusin, por shteti duhet të mendojë për ne. Kryeministri ka thënë se do jemi pranë të vetmuarve, por ne s’po shohim asgjë. Nuk jemi për lëmoshë, por të paktën kërkojmë që mos të na mungojnë shërbimet që i kemi të domosdoshme për të jetuar”, thotë ai.
I pyetur për këtë problematikë, shitësja e dyqanit të fshatit thotë se pas masave të qeverisë për të kufizuar lëvizjet kërkesat për bukë kanë qenë të pakta, ndaj dhe furnitori e ka ndërprerë furnizimin.
“Që prej kufizimit të lëvizjes kërkesat e banorëve për të blerë bukën kanë qenë të pakta, pasi shumica po e prodhojnë vetë. Në këto kushte furnitori nuk kishte leverdi të bënte 30 km në ditë për të sjellë bukë për ato pak kërkesa që kishim” thotë shitësja.
Masat shtrënguese të qeverisë për mbrojtjen nga koronavirusi, po japin ndikim negativ për shumë familje që jetojnë në kushte të vështira ekonomike në Bashkinë e Lezhës. Bllokimi i lëvizjes prej disa ditës ka vështirësuar jetesën e qytetarëve, sidomos të atyre që kanë qenë të vetëpunësuar. Ata prezantojnë situatën dhe nevojën që kanë për ndihmë.
“Jam dakord me urdhrat e kryeministrit për të mos lëvizur dhe zbatuar rregullat. Por kjo duhet të shoqërohet edhe me ndihmë për neve që jemi në kushte të vështira ekonomike. Unë kam qenë i vetëpunësuar në sektorin e ndërtimit dhe tani ka dy javë që kam ngelur pa punë. Kur je pa punë, pronari s’të paguan, ndërsa unë dhe familja ime duhet të hamë çdo ditë. E kam të pamundur të mbijetoj kështu, nëse shteti nuk do ta na ndihmojë. Duhet të mendojë për ne që jemi në kushte të vështira ekonomike sepse e kemi të pamundur të përballojmë këtë izolim pa punë. Në familjen time vetëm unë kam qenë në punë dhe s’kemi asnjë të ardhur tjetër. Deri tani askush nuk na ka ardhur në ndihmë dhe se dimë se deri kur do të zgjasë kjo situatë”, thotë Llesh Prenga banor i Rrilës.
Tërmeti i 26 nëntorit dëmtoi banesën e familjes Kola në fshatin Spiten të Lezhës, duke lënë të pastrehë 8 anëtarë ndërsa situata e krijuar nga Covid-19 e ka vështirësuar edhe më shumë jetesën e tyre, duke qenë se 2 prej pjesëtarëve të familjes ishin të vetëpunësuar. Kryefamiljari Pjetër Kola tregon vështirësitë me të cilat po përballen në kushtet e izolimit si dhe nevojën për ndihmë.
“Unë dhe djali kemi qenë të vetëpunësuar në sektorin e ndërtimit. Por prej dy javësh kemi ngelur pa punë, pasi është bllokuar gjithçka nga virusi. Kur nuk jemi në punë normalisht që nuk paguhemi dhe kjo po na vështirëson gjithnjë e më shumë jetesën. E kemi të vështire të qëndrojmë gjatë në izolim, pasi nuk kemi të ardhura. Jemi 8 pjesëtarë në familje dhe nuk e di si do ia bëjmë në ditët në vazhdim. Deri tani askush nuk na ka ndihmuar. Ne jemi dakord me masat shtrënguese të qeverisë për të penguar përhapjen e virusit, por mendoj se duhet të mendojnë për qytetaret në nevojë siç jemi dhe ne. Tërmeti na ka shkatërruar dhe shtëpinë dhe asgjë nuk është bërë deri më tani. Madje unë me gruan vazhdojmë të jetojmë aty, duke rrezikuar dhe jetën ndërsa djali është zhvendosur tek njerëzit e gruas. I kërkoj shtetit që t’i kthejë sytë nga neve sepse do vijë dita që do vdesim për bukë, nëse ky izolim do të vazhdojë gjatë”, thotë Pjetër Kola për Portën Vendore.
Kërkesat për ndihmë referuar institucioneve vendore gjatë këtyre ditëve kanë qenë të shumta. Ky fakt është konfirmuar edhe nga kryebashkiaku Pjerin Ndreu, sipas të cilit gjatë fundjavës ka nisur mbështetja kryesisht për të moshuarit që jetojnë në vetmi.
“Gjatë gjithë këtyre ditëve Bashkia Lezhë ka asistuar me ndihma ushqimore në banesë 394 familje. Nga këto 70 të moshuar, 200 të komunitetit rom /egjiptian, 124 familje me persona me aftësi të kufizuara dhe ekstremisht të varfra. Po identifikojmë të gjitha rastet dhe mbështetja, nuk do të mungojë. Por as qytetarët nuk duhet të abuzojnë me këtë situatë dhe të na lënë të ndihmojmë ata që realisht kanë nevojë. Ne po bashkëpunojmë dhe me disa shoqata dhe besoj që do ia dalim me sukses”, thotë Pjerin Ndreu, Kryetar i Bashkisë Lezhë
Bashkia e Lezhës është një ndër zonat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 dhe situata e krijuar nga koronavirusi e ka vështirësuar edhe më shumë situatën për afro 400 familje që kanë ngelur të pastreha si pasoja e shkatërrimit të banesave nga tërmeti.