31 mars 2020/ Geri Emiri/ Porta Vendore/ Durrës
Tregu i Fruta-Perimeve në Durrës do të shpërndahet me një grafik të ri pune. Bashkia Durrës vendosi që prej ditës së nesërme 260 tregtarët do t’i nënshtrohen një regjimi të ri, ku në një ditë do të shërbejnë 130 tregtarë dhe në ditën tjetër 130 tregtarët e tjerë.
Tregtarët në tregun e Fruta-Perimeve në Durrës mëngjesin e së hënës organizuan një protestë të shkurtër me pretendimin se nuk ishin njoftuar paraprakisht për mbylljen e tregut.
“Ky regjim nis me datë 1 prill dhe një ditë do të jenë tregtarët e banakëve me numra tek, e një ditë ato me numër çift”, shpjegoi për Portën Vendore përgjegjësi i tregut, Edlir Cërri. Sipas tij, masat po merren pasi ditën e shtunë qytetarët u dyndën në treg dhe nuk respektonin distancën e sigurisë.
“Të shohim se ku do na caktojnë të shkojmë, por ne duam të dimë a do të ketë ujë atje, kushte”, u shpreh Afërdita për Portën Vendore, pa dashur të identifikohet. Ajo është një prej tregtareve të licencuara.
“Tregtarët ishin njoftuar për ndryshimet. Ne po shohim që të hapim edhe një pikë tjetër si treg provizor pranë zonë së stadiumit”, shpjegon Edlir Cërri. “Kemi nisur vendosjen e banakëve, por po shohim të ngremë edhe një tendë që të krijojmë kushtet e përshtatshme për tregtimin e produkteve”, shtoi përgjegjësi i tregut.
Pas mbërritjes së koronavirusit të ri në Shqipëri, tregtarët janë përballur me shtim të masave mbrojtëse. Atyre ju kërkua zyrtarisht nga bashkia të shërbejnë me doreza e maska mbrojtëse dhe duke reduktuar orarin e aktivitetit.
Përgjatë ditës së djeshme dhe të sotme tregu po pastrohet dhe dezinfektohet që të hapet ditën e nesërme, në orarin 5 të mëngjesit deri në orën 13:00. Sipas përfaqësuesve të bashkisë nëse tregu provizor pranë stadiumit do të jetë i suksesshëm, ai do të zgjerohet edhe në zona të tjera.
Tregu i Fruta-Perimeve në Durrës është i vetmi i këtij lloji në qytet dhe nuk është hera e parë që ai është shënjestruar si jashtë kushteve higjieno-sanitare. Porta Vendore ka raportuar më herët se tregu i vendosur në lagjen numër 12 të qytetit, në rrugën “Abaz Çelkupa”, prej vitesh nuk plotëson asnjë standard, duke u kthyer në një vatër të rrezikshme infeksionesh.
Brenda tregut të Fruta-Perimeve në Durrës funksionon një hapësirë dedikuar tregtimit të bulmetit dhe një Markat Peshku. Që prej datës 17 mars hapësira dedikuar bulmetit dhe peshkut është mbyllur. “E kemi pezulluar për momentin dhe do t’i rihapim në ditët në vijim sepse kemi mundësi të ruhet distanca e sigurisë brenda tyre”, sqaroi Cërri për Portën Vendore.
Për vitin 2019 bashkia lidhi me tregtarët 271 kontrata, pa llogaritur ato ditore. Tregtarët i paguajnë pushtetit vendor 600 lekë (të reja) si tarifë për gjelbërimin, ndërsa tarifa mujore për çdo banak është 3900 lekë. Kryeministri Edi Rama njoftoi se do t’i kërkonte kryebashkiakëve që tezgat me ushqime të jenë të ndara në distancë të baraslarguar, teksa më herët gjatë një vizitë në tregjet e Tiranës shkruante në një postim në Facebook, “Sot [isha] në disa tregje të Tiranës ku situata ishte mjaft pozitive”.