31 mars 2020/ Julian Hoxhaj/ Porta Vendore/ Tiranë
Mjekët, infermierët apo dhe punonjësit mbështetës të sistemit shëndetësor, janë ata që po përballen në vijën e parë të luftës me koronavirusin. Pas tyre, nuk mbeten as punonjësit e policisë, ushtrisë, gazetarët, farmacistët, punonjësit e supermarketeve etj, që gjithashtu janë në shërbim gjatë kohës së lejuar nga qeveria për lëvizje. Mirëpo, nuk janë të vetmit. Një tjetër kategori njerëzisht, dhe ata “heronj” të heshtur, janë vullnetarët, të shumtë në numër, nga mjekët dhe infermierët e rinj, te njerëzit që ofrojnë shërbime mbështetëse për shtresat në nevojë.
Porta Vendore ka intervistuar pesë personazhe, të cilët prej ditës së shpërthimit të koronavirusit në Shqipëri, janë angazhuar vullnetarisht në fusha të ndryshme në ofrimin e shërbimeve.
Dea Buza, arkitektja që prodhon maska 3D për mjekët dhe infermierët
Dea Buza është me profesion arkitekte. Ajo është nga Kosova, por jeton në Shqipëri. Dea, së bashku me familjarët e saj, kanë nisur një projekt vullnetar duke prodhuar maska që printohen në 3D. Ajo tregon për Portën Vendore se si lindi kjo ide. “Idenë e nisi im atë Prof. Dr. Shaban Buza në kontakt me kolegë të tij, profesorë nga Universiteti i Transilvanisë dhe Politeknikut të Valencias. Këto dy universitete kishin filluar printimin e këtyre modeleve për t`i ardhur në ndihmë spitaleve”, tregon Dea.
Dea na tregon se janë krijuar dy ekipe për këtë nismë humanitare: një në Kosovë i udhëhequr nga Shaban Buza dhe i dyti në Shqipëri i udhëhequr nga vetë Dea.
Dea tregon gjithashtu se nuk kanë munguar në këto kohë personat që janë ofruar për të ndihmuar. Ajo thotë se vetëm në Kosovë janë 22 printera të ndryshëm të ofruar për të bërë printimin në 3D.
“Për momentin janë bërë diku te 120 copë. 90 prej tyre janë dorëzuar para disa ditësh në Ministrinë e Shëndetësisë, te rektori i Universitetit të Mjekësisë së Tiranës dhe Ministria e Shëndetësisë. Ne maskat i dorëzojmë në QSUT dhe më pas ata i shpërndajnë sipas nevojave. Në këtë mënyrë dhe shpërndarja është më e koordinuar. Që të mundohemi të mbulojmë një pjesë të mirë të spitaleve në Shqipëri”, thotë Dea Buza, me profesion arkitekte.

Në fund ajo tregon se synimi i tyre është të prodhojnë deri në 1000 maska, megjithëse kërkesa në spitale është e pafundme. Për arritjen e këtij qëllimi, nismës i janë bashkuar shumë njerëz që kanë dhuruar para për të blerë materialet plastike për prodhimin e tyre.
500 bukë falas çdo ditë për njerëzit në nevojë
Leonard Dedej është një aktivist i njohur në Shqipëri. Ai drejton prej vitesh lëvizjen “Reago”. Leonardi tregoi për Portën Vendore se çdo ditë po shpërndahen të paktën 500 bukë për familjet në nevojë. “Shumë persona mund të thonë që është vetëm bukë, por kjo që bëjmë është shumë njerëzore. Sot kemi shpërndarë mbi 500 bukë për ata që i mungon ky produkt nëpër tavolinat e shtëpisë. Gjithashtu shpërndajmë dhe maska falas”, tha Leonardi. Ai tregon se janë dy kategori të cilat ndihmohen. Së pari janë familjet në nevojë në zonat e varfra të Tiranës, por dhe ata njerëz që nuk kanë mundësi ekonomike dhe që i shohin shpesh në rrugë në përpjekje të vazhdueshme për mbijetesë. “Ditën e parë shpërndamë 200 bukë, të dytën mbi 300, sot mbi 500. Dhe japim më shumë se një bukë, një individi në rrugë i japim 3 bukë, kurse familjeve apo nënave që janë më fëmijë i japim 5 bukë. Vetëm sot mund të kemi ndihmuar rreth 200 familje dhe kryefamiljarë. Shifër kjo jo e vogël. Është një punë kolosale”, thotë Leonardi.

Leonardi ka krijuar bashkëpunim me një nga furrat e bukës në Tiranë që po ndihmon duke i dhënë bukë falas për familjet në nevojë, në këtë situatë pandemia globale. “Situata të lë pa fjalë. Si mendon se mund të paraqitet situata e një familje apo individi që nuk ha dot një kafshatë bukë!? Është situatë e tmerrshme, dje përshembull ishim te ish ‘Shkolla Partisë’, ka shumë familje dhe shumë fëmijë në gjendje të mjerueshme, që jetojnë në varfëri ekstreme. Dhe duan bukë çdo ditë. Këto familje kur u mungon buka e gojës do të thotë që nuk kanë asgjë. Nuk kanë një shtëpi të tyren apo shtëpi me kushte nga më minimalet. Nuk kanë të ardhura të rregullta sepse punojnë me punë ditore, dhe vetëm ashtu ushqehen, kanë një mijë e një halle, nuk paguajnë dot as ujin e as energjinë elektrike, nuk shkollojnë dot fëmijët dhe përballen jo vetëm me urinë e përditshme por dhe me probleme të ndryshme shëndetësore dhe neglizhencën e bashkisë apo shtetit”, shprehet Leonard Dedej, drejtuesi i Lëvizjes “Reago”.
Leonardi synon që të shpërndajë deri në 1500 bukë në ditë gjatë kësaj periudhe. Megjithatë, ai i bën thirrje edhe strukturave shtetërore që të “mos merren me propagandë”, por të punojnë.
Në Elbasan, 10 vullnetarë bëjnë pazaret për të moshuarit
Alban Shingjergji ka ndërmarrë një nismë së bashku me 10 të rinj të tjerë vullnetarë në Elbasan, duke kryer shërbim për të moshuarit e vetmuar. Ai, së bashku me vullnetarët e tjerë, identifikojnë të moshuarit që jetojnë vetëm. Më pas shkojnë në shtëpitë e tyre, marrin porositë e ushqimeve që u duhen dhe shkojnë në market dhe ua blejnë. “Nisma filloi në momentin që nisi karantinimi. Janë një grup aktivistësh nga qyteti i Elbasanit të pozicionuar në çdo zonë të qytetit. Identifikojmë familjet ose moshat e treta që jetojnë vetëm. Bashkëpunojmë dhe me bashkinë e Elbasanit. Ne shkojmë te të moshuarit që jetojnë vetëm. Ata na përgatisin listën me ushqime që kërkojnë t`u blejmë. Ne u paguajmë ujin, dritat, u rimbushim telefonin, gazin, hedhim mbeturinat”, shprehet Albani për Porta Vendore.

Ai tregon se gjithçka bëhet me paratë e vetë të moshuarve, ndërsa pranon se në fillim të moshuarit e kanë pasur të vështirë të krijojnë një raport besueshmërie me të rinjtë vullnetarë.
“Ne shkojmë u blejmë produkte të moshuarve me paratë e tyre. Më pas u dorëzojmë faturat që të jemi korrekt me ta. Kjo po përqafohet çdo ditë. Në fillim kishte mosbesim. Një zonjë madje më tha se nuk kam besim, por pastaj kur shkuam t`i çonim produktet ajo tregoi befasinë e saj. Ne bëjmë rolin e postierit. Jemi 10 aktivistë, asistojmë deri në 30 familje në ditë. Gjatë kohës që jemi në terren identifikojmë dhe problematika të tjera. Kemi raste të personave që kanë nevojë për ndihma ushqimore apo dezinfektim ku ne ia adresojmë bashkisë”, shprehet Albani.
Rrobaqepësja shpërndan maska për policët në Elbasan
Anila Lici është një rrobaqepëse në qytetin e Elbasanit. Prej ditësh, ajo ka lënë punën e saj të zakonshme dhe është fokusuar te qepja e maskave të fytyrës. Ajo tregon për Portën Vendore se ishte frymëzuar për të qepur maska nga vëllezërit dhe motrat nga Kosova, që po bënin të njëjtën gjë atje. “Në fakt për qepjen e maskave u motivova nga motrat e vëllezërit tonë kosovarë kur dëgjova se atje po qepnin falas, pse mos të qep dhe unë thashë, kur e kam mundësin të kontribuoj sado pak dhe ashtu bëra. Në këtë nisëm më ka ndihmuar bashkëshorti, pa mbështetjen e tij nuk do të bëja asgjë.”, shprehet Anila.
Ajo tregon se deri tani ka qepur 300 maska dhe është duke bërë dhe 500 të tjera. Ndërsa shton se ato po u shpërndahen kryesisht punonjësve të policisë që gjatë këtyre ditëve janë me shërbim të vështirë në rrugë. “Policët të gjithë më kanë falënderuar pafund. Në fakt bisedova në fillim me policin Erion Balla, që është me grupin e ‘Shqiponjave’ dhe i kërkova një numër pak a shumë të saktë të policëve dhe vazhdova shpërndarjen”, thotë Anila. Por maskat nuk po shpërndahen vetëm për policët. Anila tregon se ato po i shpërndan edhe për punonjësit e supermarketeve, mjekët dhe infermierët.

Anila shprehet se do të vazhdoj të qepë, deri sa të mundet nga pikëpamja financiare dhe fizike, ndërsa tregon edhe se si e vlerëson kontributin e saj në këtë situatë. “Kontributi im në këtë situatë do të thotë që të paktën të mos i blejnë. Në fillim vet e kam blerë 700 lekë një maskë. Unë nuk jam kursyer aspak te maskat që kam bërë. Kanë një shtresë filtër, një shtresë copë pambuku dhe një shtresë nap. Mund të lahen dhe përdoren vazhdimisht. Dhe do të doja që ky personel të mbante këto maska cilësore të qepura me shumë dashuri”, thotë Anila për Portën Vendore.
Për mjekët dhe infermierët “Heroi-im”
“Heroi-im”, është një platformë ku ftohen të regjistrohen vullnetarë, të cilët më pas do t`i shërbejnë familjeve të mjekëve dhe infermierëve. Leonard Shyti, krijuesi i www.heroi-im.al, rrëfen për Porta Vendore se çfarë është kjo platformë. “Kjo është një nismë e sipërmarrësve vullnetarë nga sektori i teknologjisë dhe inovacionit e krijuar për te ndihmuar mjekët, infermierët, sanitarët, personelin shëndetësor në përgjithësi. Njerëzit e interesuar mjafton të shkojnë në adresën www.heroi-im.al dhe të regjistrohen si vullnetarë. Pasi regjistrimi të jetë i plotë, ne përcjellim të dhënat e personit tek institucionet që janë në frontin e parë të luftës me Koronavirus, si Spitale apo Qendra shëndetësore,. Nëse ata kanë nevoje të përdorin ndihmën, ne i kontaktojmë personat e regjistruar si vullnetarë për detajet e mëtejshme”, shprehet ai.
Ideja për të krijuar këtë platformë lindi pas një bisede mes miqsh. Leonardi tregon se “Ne pamë që ne vende të ndryshme të Europës njerëzit e thjeshtë ndihmojnë ata që janë në vijën e parë të luftës me virusin, personelin shëndetësor. Janë njerëzit e thjeshtë që ndihmojnë mjekë, infermierë, sanitarë etj dhe familjet e tyre. Në Angli, vetëm brenda 24 orëve, një platformë e tillë grumbulloi 405 mijë vullnetarë. Ne besojmë se edhe në vendin tonë ka njerëz të përgjegjshëm dhe që mbi të gjitha kanë mundësi të ndihmojnë. Ne mendojmë që gjëja më e rëndësishme në këtë situatë është dëshira dhe vullneti, më pas gjenden mënyrat për të ndihmuar”, tregon ai.
Leonard Shyti tregon se deri më tani i janë bashkuar nismës 65 vullnetarë, ndërsa shton se synimi është që ky numër të shkojë deri në 1000 vullnetarë. Po çfarë do të bëjnë këta vullnetarë konkretisht? “Mënyra e dhënies të ndihmës është e shumëllojshme, sipas mundësive personale të secilit prej nesh. Ne mund t’i ndihmojmë duke bërë pazarin për personat që punojnë në vijën e parë të kësaj lufte. Dikush mund të kujdeset për fëmijët. Një tjetër mund të gatuajë dhe t’ia çojë në shtëpi ushqimin, familjes së një mjeku. Mundësitë janë të shumta. Oraret e karantinimit e bëjnë shumë të vështirë jetën për personelin shëndetësor. Kur do gjejnë kohë ata të bëjnë blerjet e përditshme, të gatuajnë, apo edhe të rregullojnë një pajisje elektronike të djegur në banesën e tyre. Ndoshta dikush ka nevojë t’i dërgojë ushqime prindërve, por e ka të pamundur për shkak të punës, largësisë fizike dhe orareve të kufizuara të lëvizjes. Mënyrat për të ndihmuar janë të pafundme. Ne shqiptarët kemi treguar që dimë të jemi kreativë. E rëndësishme është të kuptojmë se mijëra ofrues të kujdesit shëndetësor rrezikojnë shëndetin e tyre pa i kushtuar vëmendje orës. Ata shpëtojnë jetë dhe e mbajnë vendin në funksionim. Ata janë vija e parë e luftës kundër virusit. Po ne çfarë bëjmë? Bëjmë gropë divanin dhe ankohemi që nuk kemi si të shtyjmë ditën? Duhet të ndihmojë sa të mundemi, vetëm të bashkuar mund t’ia dalim”, shprehet Leonardi.
Deri më tani, lista me vullnetarë i është dorëzuar Institutit të Shëndetit Publik, që më pas e ka shpërndarë atë tek mjekët. Ai thotë se synimi është që për çdo personel shëndetësor që është në vijën e parë të frontit, të ketë 3-4 vullnetarë në prapavijë.
“Platforma është pritur mirë nga mjekët dhe infermierët”, thotë ideatori i “Heroi-im”. Ai tregon se gjithçka është ndërtuar vullnetarisht, ndërsa shton se platforma nuk pranon para apo ndihma. “Platforma bën lidhjen direkte mes vullnetarit dhe personelit shëndetësor që ka nevojë për ndihmë.Më pas është marrëdhënie personale mes tyre. Ndërkohë ne angazhohemi që mos lejojmë asnjë aktivitet tregtar në platformën www.heroi-im.al.”, thotë Leonard Shyti. Ai shton gjithashtu se kushdo mund të aplikojë për të qenë vullnetar, mjafton që të respektojë rregullat e vendosura nga institucionet shëndetësore.