30 mars 2020/ Julian Hoxhaj/ Porta Vendore/ Tiranë
Masat e marra nga qeveria për parandalimin e përhapjes së Covid-19 ka vënë në vështirësi shumë biznese, por gjithashtu ka krijuar terren për abuzime me çmimet dhe me cilësinë e produkteve, kryesisht ushqimore dhe farmaceutike. Porta Vendore kreu një vëzhgim dy ditor në disa nga aktivitetet tregtare më të shpeshta të qytetarëve, ku shumë veta ankohen për mbylljen e bizneseve, ndërsa të tjerë për oraret e vendosura nga qeveria dhe për cilësinë e çmimet.
Farmacistët: Duhet zgjerim i fashës së orarit
Teuta Maçi është prej vitesh farmaciste, por ngarkesën e këtyre ditëve nuk e kishte provuar ndonjëherë. Ajo tregon se produktet më të kërkuara në treg si maskat, dorezat dhe dezinfektues po mbërrijnë me pikatore nga furnitorët nëpër farmacitë e kryeqytetit. Por për të, problem më i madh mbetet orari i vënë në dispozicion nga autoritetet për ushtrimin e aktivitetit.
“Problemi është që kemi një volum shumë të lartë pune dhe e gjitha kjo në një kohë shumë të shkurtër. Stafit të farmacive iu duhet lënë më shumë orë në dispozicion për të lëvizur lirshëm sepse nuk arrijnë të mbarojnë volumin e punës në fashën 05:00-13:00. Duhet një zgjerim orari sidomos për farmacitë që kanë pacientë me rimbursim dhe që duhet të shpërndajnë barna nëpër shtëpi”, tha Teuta, e cila thekson se qytetarët i kanë inat radhët që mesa duket i kujtojnë kohën e komunizmit. “Duhet shumë kohë, edukim dhe sensibilizim për të arritur që radha të respektohet si duhet. E kështu higjiena është e vështirë të ruhet. Tani jemi pajisur me peciglas dhe arrijmë t’i mbajmë pacientët pas xhamit, por më parë kishim plot pacientë, të cilët ende kolliteshin në farmaci apo teshtinin pa përdorur masat e duhura mbrojtëse”, tregon ajo.
Gjatë marsit në farmaci po kërkohen gjithnjë e më shumë suplementet e vitaminave për rritjen e imunitetit. Ndërsa Teuta sqaron se një shtim të kërkesës ka pasur edhe për tipe barnash që mjekët infeksionistë kanë artikuluar në media.
“Përveç ilaçeve kronike për të cilat ka kërkesë të shtuar sepse pacientet kanë frikë se mos iu mbarojnë, ka edhe kërkesa për paracetamol, shurup për kollë të thatë dhe barna, të cilat jep media dhe që luftojnë sëmundjen e koronavirusit, si Plaquenil dhe Azitromicine. Por këto janë barna të cilat jepen me recetë dhe nuk mund të blihen pa arsye”, tha Teuta për Portën Vendore.
Gjatë vëzhgimit dy ditor Porta Vendore konstatoi se në thuajse të gjitha farmacitë kanë vendosur tabela për të parandaluar hyrjen e më shumë se një personi në ambientet e farmacive dhe për respektimin e radhës, por nuk mungonin as lajmërimet për mungesën e dorezave, maskave dhe dezinfektantëve.

“Jemi në një fluks pune të pazakontë. Kemi shtuar stafin meqë kemi një reduktim të orarit të punës, e prapë nuk ia dalim dot. Megjithatë vihet re një ndërgjegjësim i lehtë në popullatë për ndryshimin e mënyrës së jetesës, kujdesit për higjienën dhe respektimin e rregullave të përcaktuara nga qeveria, ndërsa ne farmacitë s’kemi asnjë mungesë në medikamente, pasi edhe distributorët po kujdesen që të sjellin ilaçe nga jashtë. Uroj që kjo situatë të kalojë sa me parë, pasi të gjithë jemi të riskuar në një formë ose në një tjetër”, tha Fatjoni, një farmacist në rrugën e Porcelanit.

Marketet respektojnë masat dhe distancën sociale
Marketet e mëdha si Spar, Big Market, Conad, Eco Market, Xhangolli etj kanë pasur edhe punën më të madhe gjatë të gjithë këtyre ditëve. Në fakt një shtim i punës së tyre vihet re që nga ditët e para të marsit, kur nuk ishte shfaqur ende rasti i parë i prekur nga koronavirus në Shqipëri. Ndërsa administratorët dhe shitësit theksojnë se bum të madh blerjesh nga qytetarët pati menjëherë pas masave të para të datës 12 mars të ndërmarra nga qeveria Rama, për kufizimin e lëvizjeve.
Por megjithatë ndryshe nga marketet e vogla të lagjeve duket se filialet e supermarketeve të mëdha janë kujdesuar të marrin masa që në ditën e parë të karantinës, ku shumica e tyre ka të vendosur në hyrje dezinfektues duarsh.
Menaxheri i një prej pikave të Spar i ndodhur në Qytetin Studenti nuk harron t’i kujtojë qytetarëve të kujdesen për distancën sociale dhe higjienën. Përgjithësisht oraret e paradites dhe drekës janë gjithnjë të ngarkuara, por njerëzit e respektojnë radhën.

Jashtë marketit, qytetarët rrinë të paktën 1 metër larg njëri-tjetrit. Ndërkohë, në market lejohen të futen më pak se 10 persona, ndërsa stafi i marketit punon me doreza dhe maska fytyre!
“Ne fillojmë punën në mëngjes herët. Të paktën në 6 e 30 dhe e përfundojmë në orën 13:00. Njerëzit duket se janë edukuar për të respektuar radhët. Ne kemi vendosur dezinfektant te dera për njerëzit, ndërsa në market futen me radhë“, tha një prej shitëseve të këtij filiali.
Në fashën e orareve të caktuara nga qeveria radhë ka edhe në marketet e tjera të mëdha. Teksa është ditë e shtunë dhe ora shënon 12:00, qytetarë të shumtë qëndrojnë në radhë në një tjetër market.

Xhangolli ndodhet pranë pazarit të ri dhe në këtë orë, sipas menaxheres së këtij marketi, shënohet edhe piku i xhiros.
“Njerëzit nxitojnë për të marrë produktet e tyre ushqimore dhe mbajnë distancë nga njëri-tjetri kjo jo vetëm teksa presin në radhë, por edhe brenda marketit. Këto dy javë e gjysmë kanë qenë vërtetë shumë produktive për ne, pasi siç duket njerëzit duke qenë në shtëpi dhe pranë familjes kanë filluar të gatuajnë e si rrjedhojë të konsumojnë më shumë ushqime. Për sa i përket çmimeve ato nuk kanë lëvizur, të paktën te ne. Paraditja është çdo ditë shumë e ngarkuar, por ora 11:00-13:00 shënon pikun e lëvizjeve sepse ka edhe shumë prej atyre qytetarëve që kthehen nga puna dhe bëjnë pazaret në atë orë, ndërsa e shtuna na ka rezultuar e ngarkuar edhe gjatë fundjavës së kaluar, kjo pasi qytetarët marrin masa për të blerë ushqime për gjithë fundjavën”, tha Dori, menaxherja e Xhangollit.
Koronavirusi “bereqet” për shitësit e fruta-perimeve
Pranë komisariatit numër 1, radha për te dyqani i fruta-perimeve është e madhe. Sipas vëzhgimit të Portës Vendore, qytetarët tregohen të kujdesshëm kur vjen puna te radha që duhet të mbajnë për të paguar në kasë, por ky kujdes nuk ekziston në ato pak metra katror të dyqanit të fruta-perimeve në këtë zonë të Tiranës, i vetmi në këtë lagje. Si pasojë edhe çmimet kanë më shumë se dy javë që kanë ndryshuar duke u rritur me 30-50 lekë për produkt. Këtë fakt e pranon edhe vetë pronari i dyqanit.
“ Kemi rritur shumë pak çmimet e artikujve kryesore për perimet e frutat. Në fakt nuk i kemi rritur ne, por shumica dhe ne si pakicë normal që duhet ta reflektojmë këtë në çmimin e produktit që do t’i shesim konsumatorit. Gjithsesi këto ditë ka pasur shumë punë, pasi njerëzit po blejnë për disa ditë dhe nuk ka më nga ato qytetarë që marrin 2 domate e dy speca”, tha Ladi për Portën Vendore.

Ai gjithashtu rrëfen se puna e këtyre ditëve i kujton festat e fundvitit, ai madje ka qenë i detyruar që të shtojë edhe stafin brenda dyqanit. Por pavarësisht fluksit të punës frikës nga koronavirus nuk i shpëton as tregtari.
“Normal që kemi frikë, sepse shqiptarët nuk e respektojnë shumë rregullin dhe radhën dhe këtu ambienti kaq është. Madje unë kam bërë dy kasa që të mos bëhen grumbull vetëm te njëra. Por megjithatë e rëndësishme është që kjo periudhë të mbarojë sa më shpejt pavarësisht se për ne tregtarët është periudhë e mirë financiare. Por këto oraret s’duhet të ishin kaq të limituara për mendimin tim se ngjishen gjithë njerëzit para orës 1 të drekës me vrap e bëhet një rrëmujë e paparë. Nga ana tjetër, kontrollet e policisë bashkiake vijnë e na thonë mbylle dyqanin , s’duhet të kalojë 1 minutë pas orës 1”, tregon Ladi.
Por pavarësisht rritjes së çmimeve në disa prej dyqaneve të fruta-perimeve sërish banorët e zonave janë në një farë mënyre të detyruar të blejnë pranë këtyre dyqaneve kjo për shkak të aksesit.
Në rrugën e Elbasanit takojmë një tjetër shitëse. Ajo është rreth të 45-ve dhe ka zgjedhur të shesë pranë një supermarketi, teksa thekson se gjatë kësaj periudhe pavarësisht orareve të reduktuara të punës sërish mbetet e kënaqur.
“Jam e kënaqur, ka pasur punë si kurrë më parë”, thotë ajo. “Njerëzit vijnë blejnë, ndonjëherë presin në radhë se ka shumë njerëz”, shprehet shitësja. Ajo kujdeset që frutat të mos i prek vetë me dorë. “Të lutem”, thotë ajo. “Merre qesen dhe zgjidhi vetë. Nuk na lejohet që t`i prekim me dorë”, thotë shitësja, ndërsa kujdeset që të mos afrohet shumë.
Por pavarësisht volumit të madh të punës, ajo tregon për Portën Vendore edhe frikën e saj për të ardhmen.
“Shiko, ishallah nuk vazhdon shumë kështu! Deri më tani kanë blerë, ka pasur shitje, po muajin tjetër pritet të jetë keq”, shprehet shitësja, ndërkohë që vendos qeset mbi peshore.

Bizneset e ndërtimit dhe rrobaqepësitë drejt falimentimit
Por jo për të gjithë situata është njësoj. Dyqanet që tregtojnë artikuj ndërtimi duken si më të goditurit në këto kushte krize. Madje, pronarët e bizneseve që shesin materiale ndërtimi, nuk ngurrojnë të thonë se mund të falimentojnë. Por, ajo që duket më e trishtë, është fakti se ata kanë humbur besimin te qeveria. “Situata është shumë e vështirë. Shitje nuk ka, njerëzit nuk blejnë. Ç`të të them! Besim te paketa e qeverisë nuk kam, sepse unë nuk kam problemin te jetesa ime, problem është te biznesi. Dhe disa ditë dhe do shkojë drejt mbylljes. Duhet të paguaj qiranë e vendit këtu. Paketa financiare e qeverisë më duket rrenë. Gjyshja ime më tregonte një histori: ‘Ishte rritur jetime! Në gjumë binin pa ngrënë, ndërsa nëna i thoshte: nesër do t`ju bëjë nëna lakror! Kështu vazhdonte përditë kjo histori dhe asnjëherë nuk kishte lakror, kishte rrenë, nga halli se nuk kishte. Ndaj po vazhdoi shumë kështu kjo situatë, do fillojnë vjedhjet”, shprehet ndër të tjera pronari i dyqanit.

Ndërsa rrobaqepësitë janë përpjekur që të ridimensionojnë biznesin e tyre në këtë kohë krize, duke përfituar nga fakti se nëpër farmaci nuk ka maska, ato i ofrojnë qytetarëve zgjidhje alternative, duke i qepur.
“Nëse deri më tani thoshim krizë e madhe, s’ka punë, tani po që jemi dorëzuar komplet. S’e kam mbyllur dyqanin për asnjë ditë, sepse këtu lagja është mësuar me mua dhe kam punë të vogla por të përditshme. Dikush sillte një palë pantallona për t’i shkurtuar, dikush sillte një bluzë për t’i vendosur zinxhir, dmth meremete të vogla, por që dilja e kënaqur në fund të ditës, se qepje kostumesh e fustanesh ka kohë që s’para po bëjnë më njerëzit, blejnë te gabi të gatshme. Por tani? Tani kjo situatë ishte rrufe në qiell të hapur. E hap dyqanin sepse kam qira për të paguar në fund të muajit si dhe familje për të mbajtur. Kam pasur kërkesa për maska, por pak, megjithëse çmimi është i leverdishëm, 2 mijë lekë të vjetra i shes”, tha Dona, rrobaqepëse.

Marketet, furrat e bukës dhe tregjet në “shënjestër” të AKU
Abuzimi me çmimet, por dhe shitja e produkteve jashtë afatit të lejuar për konsum, ka qenë një shqetësim i shtuar gjatë këtyre ditëve.
Porta Vendore kontaktoi me Drejtorin e Përgjithshëm të AKU, Robert Lili lidhur me punën që po bëhet për të garantuar sigurinë ushqimore dhe ndalur abuzimet e çmimeve në këto kohë krize. “AKU po punon me staf të reduktuar për shkak të kushteve të vendosura nga qeveria”, thotë ai. Lili tregon se puna është fokusuar në tre drejtime: “Jemi fokusuar te furrat e bukës, tregjet dhe marketet. Përditë bëjmë monitorimin e këtyre, dhe më pas bëjmë raportim në Kryeministri. Kemi bërë një check-list për subjektet, ku u kërkojmë masat për sigurinë ushqimore. Lajmi i mirë është që virusi nuk transmetohet nga ushqimet. Në kontrollet tona janë kushtet higjieno-sanitare. Në furrat e bukës kemi vendosur që të mos pritet më buka, sepse fletat e sharrës mund të jenë burim që mbledhin mikrobe. Kemi dy javë që e kemi nxjerr urdhrin që jo vetëm të mos pritet më buka, por edhe prerëset të hiqen nga ambientet”, thotë Drejtori i Përgjithshëm i AKU, Robert Lili për Portën Vendore.

Shqetësimi kryesor, veç abuzimit me çmimet, është dhe hedhja në treg e produkteve të skaduara. Në rrjetet sociale ka pasur një sërë denoncimesh nga qytetarët për produkte ushqimore, të cilat vijonin të tregtoheshin në markete, ndonëse u kishte kaluar afati i përdorimit. Por, kreu i AKU jep garanci, duke u shprehur se në këtë drejtim qytetarët janë të garantuar.
“Nga kontrollet që kemi kryer, këto janë minimizuar. Nga stoku nuk mund të nxjerrin dot mallra sepse janë rritur gjobat. Ne i bëjmë thirrje dhe konsumatorit që t’i shohë datat e skandencës dhe të mos i blejnë. Në këto momente që flasim nuk ka mashtrime me skandencat. Kush dyshohet, ne e kemi ndjekur, kemi bërë dhe aksione blic. Por nuk ka, nuk mund ta them me 100%, por nuk besoj se ka njeri ndërmend që ta bëjë këtë”, tha Robert Lili.
Kreu i AKU tregon se qytetarët janë bërë një ndihmë e madhe për këtë institucion, pasi denoncimet e tyre kanë bërë të mundur identifikimin e subjekteve që kanë abuzuar me çmimin ose cilësinë ushqimore. “Ne përditë kemi kontrolle. Në Korçë pardje kishim mbylljen e një furre buke. Ne na vijnë denoncime nga qytetarët dhe ne ushtrojmë kontroll pastaj. Tek faqja e AKU mund të bëhen denoncime, pasi ato janë baza e punës tonë. Kontrolle kemi deri në 150 në ditë në të gjithë Shqipërinë. Ne po monitorojmë edhe pjesën e task-forcës për abuzimin e çmimeve. Në Tiranë kryejmë kontrolle të përditshme”, shprehet Drejtuesi i AKU-së Robert Lili.
Jo panik, nuk do të ketë krizë ushqimore
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit kryen kontrolle në terren, jo vetëm te subjektet që ofrojnë tregtimit në supermarkete apo minimarkete, por kontrollon edhe produktet që futen në vend nga importi. Robert Lili e quan “lajm të mirë” faktin se në Shqipëri nuk do të ketë krizë për ushqime. Këtë, ai e thotë, pasi gjatë kësaj periudhe në Portin e Durrësi ka pasur një shtim të importit të produkteve ushqimore. “Importi i produkteve ushqimore vazhdon pa ndërprerje, madje ka dhe rritje të fluksit. Krahasuar me një vit më parë ka rritje të importit të produkteve ushqimore, grurë, miell etj. Nuk duhet të ketë panik për krizë ushqimore. Supermarketet e mëdha sjellin përditë kamionë me ushqime”, tha ai.
Siguria ushqimore në kohë karantine
Qendra Alert, e cila merret me sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit, prej disa ditësh ka ndërmarrë një nismë për raportimin e abuzimeve të ndryshme lidhur me çmimet e produkteve në këtë periudhë të koronavirusit, ku ka pasur një sërë denoncimesh.
Denoncime që i janë adresuar më pas Bashkisë Tiranë, Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit, si dhe Autoritetit të Konkurrencës.
Granit Sokolaj, drejtues i qendrës Alert shprehet se konsumatorët nuk po shohin më datat e skadencës nga nxitimi i madh dhe presioni i blerjeve.
“Një problem për cenimin e sigurisë ushqimore në këto kushte janë dhe vetë marketet. Kjo, pasi të gjendur nën presionin e orareve, të fluksit të konsumatorëve dhe me qëllim që në rafte të mos mungojnë produkte, çështja e sigurisë e veçanërisht e kontrollit të datave të skadencave, në disa raste edhe kushtet e mbajtjes, janë lënë në harresë. Ndërsa vetë konsumatorët në këtë situatë janë të prirë vetëm të blejnë, të rrinë në radhë, të mbushin karrocat, por kontrolli i produkteve që marrim dhe çojmë në shtëpi është thuajse zero”, u shpreh Sokolaj për Portën Vendore.
I pyetur për rritjen e çmimeve të produkteve të shportës, një trend i ditëve të para të karantinës që u vu re jo vetëm në kryeqytete por edhe në rrethe të tjera e që Porta Vendore e pasqyroi me një vëzhgim në disa prej qyteteve kryesore të Shqipërisë, Sokolaj tha se kjo rritje ka filluar të stabilizohet.
“Rritja e çmimeve u vu re në ditët e para të “luftës së ftohtë”. Veçanërisht portokalli e limoni, edhe pse këto ishin e janë produkte importi, për shkak të kërkesës së madhe, si dhe i disa produkteve të tjera si qepa apo hudhra. Megjithatë, kjo nisi të stabilizohej pas pak ditësh.
E rëndësishme është që çmimet e produkteve të tjera ushqimore, në markete apo buka, nuk ka ndryshuar e prodhuesit e miellit e kanë garantuar këtë”, tha Granit Sokolaj për Portën Vendore.
Megjithatë, shkelje janë konstatuar pothuajse çdo ditë nga policia. Sipas të dhënave, vetëm në javën e fundit janë konstatuar 17 raste të abuzimeve me çmimet. Sipas policisë, në 8 raste administratorët e bizneseve janë dërguar për ndjekje penale dhe në 10 raste janë ndëshkuar me masë administrative prej 50 mijë lekësh të reja. Rastet janë konstatuar në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Vlorë. Në të gjitha rastet, policia tha se të ndëshkuarit ushtronin aktivitetin e shitjes së produkteve ushqimore, pa fatura tatimore, pa e regjistruar pranë organeve tatimore, ose me fatura tatimore të shitjeve fiktive të çmimit të produkteve që tregtojnë pikat e pakicës, duke abuzuar dhe përfituar me çmimet e tyre.