30 mars 2020/ Brikena Metaj/ Porta Vendore/ Gjirokastër
Në kohën kur pjesa më e madhe e bizneseve në vend kanë pezulluar aktivitetet për shkak të situatës së jashtëzakonshme ku gjendet vendi, nuk mungojnë rastet e atyre që vullnetarisht japin ndihmesën e tyre.
Xhimi Hasanbeu që prej vitesh menaxhon një restorant të njohur tradicional në Jug të vendit është ndër ata që e mbyllën aktivitetin e tyre disavjeçar menjëherë pas nisjes së periudhës së karantinimit. I ndërgjegjshëm për domosdoshmërinë e këtyre masave drastike, Xhimi nuk do të flasë për humbjet e biznesit. Ai e konsideron më të rëndësishme kalimin e kësaj situate pa dëme njerëzore, sesa pasojat ekonomike.
“Biznesi është një kategori e prekur jo pak në këtë periudhë”, shprehet ai për Portën Vendore. “Por ne humbasim vetëm financiarisht, ndërsa të tjerë luftojnë me jetën dhe vdekjen përditë në kohën kur shumica prej nesh duhet thjesht të qëndrojnë në shtëpi”, thotë sipërmarrësi.
Së bashku me ndihmësit e tij ai përgatiti disa receta tradicionale me gatime të freskëta për t’ia shpërndarë personelit mjekësor të urgjencave të tre spitaleve në Gjirokastër, Tepelenë dhe Memaliaj si shenjë mirënjohjeje për punën e bluzave të bardha në këto ditë pandemie.
“Vendosëm që bashkë me stafin të përgatisim vakte ushqimore për mjekët dhe infermierët e spitaleve Tepelenë, Memaliaj dhe Gjirokastër”, tregon Xhimi. “U menduam gjatë se si mund të bënim edhe ne diçka të vlefshme dhe gjykuam se kjo ishte më e duhura”, shprehet ai.
Për mjekët dhe infermierët e këtyre spitaleve kjo është një mënyrë vlerësimi për punën dhe sakrificën e tyre në këto ditë të vështira.
“Fatmirësisht ne ende nuk jemi përballur me raste konkrete të të prekurve, por jemi përditë në gatishmëri dhe të rrezikuar. Në kushtet ku jemi, çdo pacient i ri është një rrezik potencial, dhe ne e kryejmë punën tonë duke e ditur këtë rrezik. Ndihemi mirë kur njerëzit na mbështesin dhe na vlerësojnë”, shprehet mjeku imazherist në spitalin e Tepelenës Ditar Hoxha.
Në Gjirokastër disa biznese të mëdha, kryesisht supermarkete, magazina ushqimore dhe fabrika prodhimi ushqimesh i janë përgjigjur thirrjes së kryetarit të bashkisë për të kontribuar në ndihmat për familjet në nevojë. Mbi 450 pako me ushqime dhe ilaçe janë shpërndarë deri tani në të gjithë Bashkinë e Gjirokastrës duke u ardhur në ndihmë shtresave në nevojë dhe të moshuarve të vetmuar, ndërsa aksioni i shpërndarjes së ndihmave vazhdon ende si në Gjirokastër edhe në bashkitë e tjera të qarkut .
Xhimi Hasanbeu është i pari që ndërmori një iniciativë personale në mënyrë vullnetare, duke bërë një gjest simbolik për t’u bërë pjesë e ndihmës ndaj bluzave të bardha në këtë periudhë të vështirë. Ai thotë se do të vazhdojë duke ndihmuar shtresa të tjera në nevojë dhe objektivi i tij i radhës synohet të jetë “Shtëpia e të moshuarve”.
Ai u bën thirrje edhe sipërmarrësve të tjerë të mbështesin mjekët dhe infermierët në punën e tyre në shërbim të komunitetit.
Qarku i Gjirokastrës deri tani nuk ka të regjistruar asnjë rast pozitiv me COVID – 19, ndërsa ka patur 5 raste të dyshuara dhe mbi 60 familje me persona të kthyer nga jashtë vijojnë të jenë në karantinë.