29 mars 2020/ Arjola Hekurani/ Porta Vendore/ Tiranë
Bllokimi i punës për shumë qytetarë në të gjithë vendin, për shkak të situatës së krijuar nga koronavirus, po përball shumë familje me mjaft vështirësi financiare, si të vetëpunësuarit ashtu edhe të punësuarit në bisnese të vogla e të mëdha. Akoma më problematike është situata për profesionet e lira- zanatcinjtë, të cilët nuk kanë punë edhe pse u lejohet ushtrimi i profesionit, dhe për më tepër nuk përfitojnë nga plani financiar i qeverisë pasi nuk janë të regjistruar në organet tatimore.
Porta Vendore evidentoi disa prej këtyre personave që nuk përfitojnë asnjë pagesë nga shteti, megjithëse ndodhen në një situatë tejet të vështirë financiare. Të tillë janë elektricistët, hidraulikët, punëtorët e ndërtimit, pastrueset, etj, por pa përjashtuar edhe një sërë familjesh e punëtorësh që punonin deri dje në biznesin e madh, por që tani qëndrojnë në shtëpi për shkak të frikës nga koronavirus ose probleme të biznesit e që s’mund të paguhen.
Toni është 38 vjeç dhe prej 2 vitesh është rikthyer nga Italia në Shqipëri për të ushtruar zanatin e bojaxhiut. Ai ka krijuar një skuadër të vogël ndërtimi dhe shkojnë kudo, në çdo qytet a fshat, kur dikush i kërkon për të ndërtuar e rikonstruktuar shtëpinë.
“Nuk mund të dal të ushtroj profesionin tim, megjithëse shteti i lejon tanimë aktivitetet e ndërtimit, pasi nuk ka njerëz që ndërtojnë. Frika nga koronavirus na ka bërë të humbasim punën dhe si rrjedhim edhe të ardhurat. Aktualisht po ia dal mbanë me ato pak kursime që kishim vënë mënjanë si familje”, tha Toni, për Portën Vendore.
Të njëjtin shqetësim ndan edhe Isaku, 56-vjeçari me profesion hidraulik. Ai ankohet se nuk ka më asnjë klient në këto kohë, kur thuajse të gjithë janë vetë nëpër shtëpi. “Situata më duket çdo ditë e më gri, pasi shumica e njerëzve tani janë vetë nëpër shtëpi dhe kanë më shumë kohë në dispozicion e si rrjedhojë edhe më pak para për të shpenzuar, ndaj zanati im është në një moment delikat dhe kam frikë se kështu do vijojë të jetë edhe pasi e gjithë kjo situatë të ketë përfunduar. Nga ana tjetër edhe ata që janë në punë kanë frikë këto kohë që të fusin një person tjetër në shtëpi, person që mund të jetë edhe i infektuar, ndaj them që ca zanate po shuhen, e bashkë me ta edhe ekonomia jonë familjare”, tha Isaku, i cili punon prej më shumë se 20 vitesh si hidraulik.
Naimja është 58-vjeçarja që në 10 vitet e fundit punon si pastruese në 3-4 familje part-time, ajo tregon se nuk ia kishte marrë mendja që do të mbërrinte deri në këtë situatë financiare. “Punoj 15 mijë lekë dita, për 5 orë në 3-4 familje që më marrin rregullisht për t’i ndihmuar për punët e shtëpisë, por s’më kishte vajtur mendja që do të vinte kjo situatë përndryshe do ta kisha menduar më seriozisht kur një nga zonjat më thoshte që duhet që të deklarohesh në shtet se varet si vjen puna. Dhe ja tani kam një muaj pa punë. Po ne shqiptarët kryesisht mendojmë për atë vezën sot dhe jo për pulën mot, ndaj edhe neglizhojmë të punojmë ashtu sikurse edhe ligji e parashikon, por për të çuar në shtëpi dy lekë më shumë kam preferuar të punoj në të zezë. Tani jam shumë e stresuar se nuk e di se kur do të mbarojë kjo situatë që të rifilloj sërish punën time. Për t’ia dalë këto kohë, ja ashtu pak më ndihmojnë fëmijët, nga pak duke kursyer, se vetëm me burrin jam”, tha Naimja, duke shtuar se pas kësaj situate do të regjistrohet tek tatimet për pagën minimale e do të paguajë detyrimet që i takojnë në shtet.
Rreth një javë më parë qeveria publikoi listën për lejimin e hapjes së një sërë shërbimesh, por berberët nuk ishin pjesë e kësaj liste, pasi konsiderohen shërbime të mirëqenies fizike, të cilat janë ende të ndaluara të funksionojnë.
Arbri punon si berber në zonën e ish Parkut të Autobusëve prej 5 vitesh, ai bie dakord me vendimin e marrë nga qeveria, por nuk është njësoj dakord me pagesën që kjo e fundit do t’i bëjë biznesit të vogël.
“Paga minimale e shpallur nga qeveria si pagë lufte me duket realisht shumë pak, sepse aq nuk më kushton as qiraja e dyqanit. Mendoj se duhet të ketë një reflektim serioz në shtyrjen e taksave, të paktën për këtë periudhë që nuk e dimë se kur do mbarojë”, tha Arbri për Portën Vendore.
Neri Ibi ka 8 vite që punon si guidë turistike, ndërkohë që prej dy javësh është izoluar në shtëpi, me shpresën se çdo gjë do të shkojë mirë.
“Shpresojmë të jemi pjesë e paketës së biznesit të vogël, për të përfituar 26 000 lekë. Mendoj se e gjitha kjo ka ndikuar shumë në çdo sektor por shpresojmë që mos të zgjasë akoma më shumë, duke e paralizuar komplet ekonominë shqiptare. Mbas kësaj katastrofe nga ana ekonomike shumë biznese kanë ulur ritmin, teksa turizmi ka ndalur”, tha Neri Ibi për Portën Vendore.
Por stresi për përballimin e kësaj situate emergjence nuk ka kapur vetëm qytetin, por ka prekur gjithashtu edhe fshatin.
Agimi sillte për çdo të diel produktet e tij bio për tregtim në Tiranë, ndërsa kishte edhe klientelën e tij gjatë ditëve të javës për tregtimin e qumështit. Përballë kësaj situate, edhe Agimi, si shumë të tjerë, ndjehet i humbur dhe i pashpresë.
“Unë produktet e bahçes i çoja në Tiranë dhe i shisja, por tani s’kam ku t’i çoj. Dhe atë pak prodhim po e konsumoj vetë në familje. Kam pas edhe klientelën time që merrnin vezë, qumësht e pula të freskëta fshati, por as ato nuk mund të lëvizin në këto kohë. E kemi shumë të vështirë të ambientohemi me këtë jetesë të re, plot stres e varfëri, pasi fshati ka disa gjëra, por të tjerat i kemi edhe ne me të blemë”, tha Agimi, banor i fshatit Baldushk, për Portën Vendore.
Familjen Rushani si shumë familje të tjera kjo situatë i ka gjetur të papërgatitur financiarisht. Fatmira është e divorcuar nga burri dhe jeton me 2 fëmijët e saj në një banesë sociale të dhënë nga Bashkia Tiranë. Fatmira ka provuar një sërë zanatesh, ku si fillim ka punuar në komunale, më pas tentoi të merret me tregtinë e rrobave të përdorura, por pa sukses. Ndërsa sot ajo mbledh kanaçe për të siguruar jetesën.
“Bashkia nuk më ka sjellë asgjë. Banoj tek banesat sociale dhe tani në këto kohë është bashkuar edhe goca me çunin me mua dhe jemi bërë 8 anëtarë. Marr vetëm një ndihmë ekonomike, ndërkohë që kam 3 fëmijë sëmurë astmatik, e ato para s’më dalin as për ilaçe. Çuni i madh punon, por ai ka familjen e tij, nusen e ka shtatzënë, nuk na del fare. Po shtyjmë ditët me shkop kur i thonë, s’kemi më ushqime. Bëra kërkesë te njësia nr. 4 dhe më morën në celular e më thanë që këto dy ditë do të sjellim pako ushqimore por deri tani jemi në pritje”, shprehet Fatmira Rushani, pjesë e komunitetit rom.
Sektori fason dhe Call Center vijon punën, vetëm 30% e punëtorëve punojnë nga shtëpia
Tonin Preçi, kryetar i Sindikatës së Call Centerave në Shqipëri shprehu rezervat e tij për mënyrën se si po menaxhohet situata nga biznesi dhe qeveria.
“S’po e vlerësojnë siç duhet situatën. Distancimi social po respektohet deri diku te disa kompani, por një sallë ka mbi 50 punëtorë dhe sado të kujdesesh sërish ata frekuentojnë të njëjtat ambiente, shkojnë në të njëjtin tualet etj. Por e sigurt është që rregullorja e OBSH nuk respektohet. Ditët e para po kishte kontrolle nga inspektoratet mbi respektimin e masave, por tani jo më”, tha Preçi për Portën Vendore.
Rastet e konstatuara me koronavirus në mjediset e call centerave deri tani janë vetëm dy. I pari ishte një punonjës italian, i cili rezulton pozitiv me koronavirus. Dhe rasti i dytë ishte sërish një punonjës i “Teleperformancës” por që ky i fundit sipas të burimeve ishte infektuar nga babai i tij.
“Italiani ishte kolegu im dhe ndaj unë e disa të tjerë kemi qëndruar për një periudhë 14 ditore në vetëkarantimin, periudhë e cila po përfundon me sukses dhe pa asnjë shenjë fatmirësisht. Të gjithë personat që punonin në atë sallë i kanë çuar në vetëkarantinim të detyruar ose duke shfrytëzuar lejen e zakonshme ose pa pagesë. Po muajin tjetër që s’kanë më leje ça do të ndodhë me këta punonjës që për arsyet e tyre kanë pamundësi të shkojnë në punë? I bie që s’do hanë bukë?!”, pyet Tonin Preçi, i cili përveçse drejton sindikatën është edhe vetë punonjës në këtë sektor.
Sipas tij, në këtë situatë, duhet të ndërhyjë shteti, si rregullator që është dhe të mos ia lejë në dorë pronarit, i cili në gjithë këtë situatë po përpiqet të përfitojë në kurriz të punëtorit. “Sindikata i ka çuar letër të gjitha institucioneve për t’i kërkuar mbështetje në gjithë këtë situatë. Po mbahet kontakt me të gjithë punëtorët dhe herë pas herë do të dalim edhe me deklarata zyrtare për situatën”, tha ai.
Në sektorin e Call Center po punohet çdo ditë, duke respektuar oraret e vendosura nga qeveria shqiptare, ndërsa vetëm 30% e punonjësve janë duke punuar nga shtëpia, megjithëse Tonini sqaroi se rreth 90% e shërbimit mund të funksiononte pa problem në këtë mënyrë.
“Por unë them që kjo industri nuk ka qenë e përgatitur për këtë situatë. Deri më tani call centerat po punojnë me oraret e përcaktuara nga qeveria, pasi vetëm dy tre të tilla nëpër rrethe që kanë një nr. të vogël punëtorësh afro 20-30 persona merren me shitje produkte, të tjerat janë kthyer në shërbim klienti dhe ky shërbim është i pamundur në oraret 5:00-13:00 , kështu që një punonjësi i bie që çdo ditë të punojë vetëm 4 orë pra nga ora 8-12 dhe të paguhet në muaj vetëm 320 mijë lekë, pra gjysmën e shifrës që mund të marrë në kohë normale, duke hequr gjithashtu bonuset. Por si mund t’ia dalë një punonjës me kaq rrogë në fund të muajit, kur ka kredi, qira, ushqim, ujë, drita e fëmijë?”, thotë me të drejtë kryetari i sindikatës së Call Centerave.
Në Shqipëri sektori i Call Centerit është kthyer në shpresën e të rinjve dhe jo vetëm, ku shtrirja e këtij biznesi është fokusuar më së shumti në Tiranë dhe Durrës e me sipërmarrje më të vogla në qytetet e Elbasanit, Vlorës e Shkodrës. Ky sektor numëron rreth 25.000 punëtorë.
Porta Vendore kontaktoi me një nga punonjëset e këtij sektori, emri i të cilës do të mbetet në trajtën e anonimatit. “Punoj si operatore tek Teleperformanca. Një javë ndenjëm në shtëpi, pas rasteve të evidentuara me kononavirus në kompaninë tonë. Tani kemi dy-tre ditë që i jemi rikthyer punës, ja ashtu me frikë, pasi jemi 100 operatorë në një sallë. Por e keqja është që fushatat që nuk mund të bëhen nga shtëpia, psh. Amazon, Ebay ose Apple nuk e lejon sepse kanë të bëjnë me të dhënat e klientëve dhe kanë hall se nga shtëpia mund të vjedhim të dhënat. Por gjithsesi edhe tani punojmë me orare të reduktuara, vetëm 4 orë në ditë, pasi kompani po zbaton oraret e vendosura nga shteti se i druhet gjobës”, tha një prej operatoreve të Teleperformancës.
Biznesi fason në Shqipëri është një tjetër, sektor i rëndësishëm që punëson një pjesë të madhe të popullsisë. Porta Vendore kontaktoi me Kryetarin e Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë Kol Nikollën, përsa i përket situatës së biznesin fason dhe si e sheh ai mbarëvajtjen në pagat e punonjësve qe punojnë në këtë sektor.
“Më 9 Mars 2020 kërkuam nga qeveria marrjen në mbrojtje posaçërisht të industrisë së fasonerisë dhe kompanive të call-centrave si njësi ekonomike më të ekspozuara. Marrja e masave shtesë, kontrolluese dhe dezinfektuese si dhe pajisja e tyre me mjetet e domosdoshme mbrojtëse ishte çështje urgjente. Ne kërkuam vazhdimin e punës vetëm aty, ku këto masa bëheshin të mundura, si dhe dezinfektimin e të gjitha ambienteve të brendshme e të jashtme” tha Kryetari i KKSH-së.
Por kur flitet për pagesat e punonjësve nga këto biznese të mëdha, opinionet janë të ndryshme në lidhje me mundësitë reale dhe kapacitetet e një biznesi të madh për të përballuar pagesat në këtë situatë financiare që ka përfshirë vendin tonë. Sipas kryetarit të Konfederatës së Sindikatave Shqiptare, pagesa e punëtorëve tani për tani nuk paraqet problem për këtë sektor biznesi.
“Në lidhje me pagesën e punonjësve akoma nuk është problem, pasi kompanitë që punojnë i mbulojnë këto shpenzime nga të ardhurat e tyre. Ne mendojmë se akoma ekziston mundësia të vazhdojë puna në këto kompani, kjo sigurisht do varet edhe nga dinamikat e reja të ecurisë se mëtejshme të situatës” tha Kol Nikolla për Portën Vendore.
Por për shkak të krizës që ka kapluar Europën dhe situatës në Shqipëri, rreth 15 fasoneri që operonin në rrethin e Krujës janë detyruar të mbyllen dy ditë më parë.
“Jemi të ndërgjegjshëm se edhe pse i plotësojmë te gjitha kushtet e te gjitha normat e sigurisë të vendosura nga qeveria e nga Instituti i higjienës publike jemi vatra të mëdha infeksioni. Për këtë arsye vendosëm ndërprerjen e punës për të paktën një javë. Ndërsa i bëjmë apel shtetit që të na japë ato që parashikon ligji në fuqi për fatkeqësitë natyrore”, tha Muharrem Hoçja, njëri prej pronarëve.
Sipas drejtuesve të këtij sektori ky veprim është marrë si një mase parandaluese ndaj përhapjes së epidemisë së virusit Covid-19.
Por vendimi i marrë nga pronarët e fasonerive të Krujës duket më shumë i diktuar nga mungesa e madhe e punëtorëve, të cilët kanë frikë të paraqiten në punë, si pasojë e situatës së krijuar nga koronavirus.
Në secilën prej tyre janë të punësuar nga 60-350 punëtorë. “Në ato kompani ku ka mundësi organizative një pjesë e punëmarrësi punojnë direkt nga shtëpia. Por kjo mbetet e kufizuar, vetëm në disa kompani të vogla apo të mesme, si dhe nga ato nënkontraktuese qa punojnë me material porositësi. Shifra e punonjësve që punojnë nga shtëpia në fasoneri apo Call-Center është diku te 30% e numrit të punonjësve. Disa kompani sidomos në Tiranë dhe Durrës kanë ndërprerë përkohësisht punën apo punojnë me kapacitete minimale, kjo edhe për shkak të tregtisë së tyre të lidhur me Italinë”, tha Nikolla për Portën Vendore.
Ndërsa në rrethet e tjera, si Shkodra, Lezha, Puka, Elbasani, Librazhdi, Korça, Devolli, Gjirokastra e Berati puna vijon me orare të reduktuara.