29 mars 2020/ E. Gjerani/ Porta Vendore/ Krujë
Ndërsa masat e qeverisë po shtrëngohen dita-ditës për të përballuar situatën që ka kapluar vendin nga koronavirus, duket se situata e familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit është më delikate se kurrë. Ata jetojnë në çadër ose në banesat e shpallura të pabanueshme, nën karantinë dhe me sytë nga shteti, duke apeluar për ndihmë. I tillë është edhe rasti i familjes Kaçarri nga fshati Cudhi i Krujës, e cila raportoi pranë platformës Porta Vendore gjendjen e vështirë në të cilën kjo familje ndodhet.
Familja Kaçarri jeton prej 4 muajsh në çadër. Banesa e tyre me qira pësoi dëmtime nga tërmeti i datës 26 nëntor dhe si pasojë është kthyer në të pabanueshme. Kryefamiljari, Bujar Kaçerri ka mundur të sigurojë dy çadra, një verore e një dimërore, të cilat stoike qëndrojnë në oborrin e shtëpisë si një strehë shprese për familjen.
“Edhe këto dy çadra mezi i kam marrë në ish-komunë. Në atë kohë, veç këtyre dy çadrave, mund të merrje dy pako ushqimore dhe asgjë më tepër. Ndërsa tani askush nuk është kujtuar më për ne, edhe pse kam trokitur me qindra herë në derën e njësisë administrative por pa sukses”, tregon Bujari për Portën Vendore.
I gjendur në vështirësi dhe me shpresa të pakta që situata e tij e strehimit të ndryshojë, ai pohon për Portën Vendore se ka shkuar mbi 100 herë në njësinë administrative për tu interesuar për një banesë, por sikurse ligji e parashikon, ata që kanë jetuar me qira nuk do të marrin asnjë dëmshpërblim për dëmet nga tërmeti.
“Po e di ligjin, ma kanë shpjeguar, por sërish unë dua ndihmë nga shteti sepse ndjehem dhe jam i vetëm në gjithë këtë situatë. Ndërkohë që shumë mirë unë jam me qira dhe mund të shkojë edhe në një vend tjetër, por s’mund të kem këtë qira që kisha këtu si dhe këtë akses në punë e për shkollën e fëmijëve”, thotë Bujari.
I gjendur në mes të 4 rrugëve, atij i është bërë krah vetëm pronari i banesës së dëmtuar, i cili prej 4 muajsh nuk po i merr qira. Ndërsa herë pas herë kur temperaturat kanë qenë të ulëta, Bujari së bashku me familjen janë strehuar në një nga dhomat më pak të dëmtuara.
Por, sikur të mos mjaftonin të gjitha përpjekjet e familjes për mbijetesë, situata e krijuar në Shqipëri nga Koronavirus ka sjellë frikë e pasiguri në familjen Kaçarri e përbërë prej 7 anëtarësh, kjo pasi Bujari ka merakun e prindërve të tij të moshuar dhe të tre fëmijëve, ku më e vogla është 7-muajshe.
“Kemi shumë frikë, megjithëse në fshat është pak më e vështirë të kesh shumë kontakte me njerëzit, pasi këtu gjithsecili shikon punën e tij dhe nuk i del koha për shumë socializim. Po normal që unë tregoja kujdes maksimal, edhe në punë kur shkoja vija maskë dhe doreza”, thotë 39-vjeçari për Portën Vendore.
Megjithëse shtëpia e tyre është disi e veçuar nga të tjerat, përsëri ekziston frika nga virusi i padukshëm, ndaj pa pasur ndonjë zgjidhje tjetër më të mirë, ata janë rikthyer brenda në banesën e rrënuar të shtëpisë për të qëndruar të izoluar deri në përfundimin e kësaj situate.
“Familjen e kam izoluar në një nga dhomat e shtëpisë dhe aty qëndrojnë me shpresën tek zoti që e gjitha kjo nuk do të na prekë”, tregon ai.
I vetmi që dilte deri dje për punë ishte Bujari, i cili punonte në një lavatriçe betoni, por për fat të keq edhe ai rrezikon të mbetet i papaguar për aq kohë sa kjo situatë zgjat, pasi pronari e ka pezulluar aktualisht biznesin.
“Dje është ndalur puna në kompaninë që unë punoja, kjo pa na dhënë ndonjë shpjegim se kur do fillojë dhe sigurisht pa na sqaruar nëse do të paguhemi gjatë kësaj situate apo jo. Unë jetesën e nxjerr me rrogën time minimale dhe pensionin e prindërve, që më shumë shkon për ilaçe, ndaj do të doja ndihmë nga shteti, megjithëse duke qenë i zhgënjyer nga rasti i tërmetit nuk kam shkuar me thënë të drejtën në njësinë administrative për tu interesuar nëse përfitojë ndonjë pako ushqimore apo jo”, tha Bujari.
Ai tregon se nuk e ka të vështirë të nxjerrë bukën e gojës në ditë normale, pasi është njeri punëtor dhe mund ta mbajë familjen e tij me bukë, por apeli i Bujarit me zërin që i dridhet shkon për këto ditë nën karantinë.
Ai nuk e kishte menduar kurrë që jeta do ta sfidonte në këtë mënyrë. Por tani ka vetëm një merak të sigurojë mirëqenien e prindërve e fëmijëve dhe të mund të gjejë një mënyrë për tu strehuar.