27 mars 2020/ Porta Vendore/ Tiranë
9 muaj pas zgjedhjeve të 30 qershorit, shumica e kryepleqve në disa prej njësive administrative në Bashkinë e Tiranës nuk janë përzgjedhur, ndonëse zgjedhja e tyre bëhet maksimumi 3 muaj pas zgjedhjeve vendore nga kryesia e fshatit. Mos zgjedhja e tyre në kohë ka hapur vend ndaj një “beteje” të re mes kryesisë së fshatit dhe njësisë administrative, ku kësaj të fundit i lind e drejta e përzgjedhjes, ndërkohë që shumica e kryepleqve janë në detyrë që prej vitit 2015.
Në ligjin nr.139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, neni 70 përmban pikat për strukturat komunitare në fshat. Në pikën 1 të këtij neni, thuhet se: “Fshati drejtohet nga kryetari dhe kryesia e fshatit. Kryesia është organ këshillimor i kryetarit, dhe anëtarët e kryesisë së fshatit zgjidhen në mbledhje të fshatit, ku marrin pjesë jo më pak se gjysma e banorëve me të drejtë vote”. Po ashtu në pikën 3 thuhet se, “kryetari i fshatit zgjidhet nga radhët e anëtarëve të kryesisë së fshatit”. Ndërsa në pikën 4 të këtij neni thuhet se “zgjedhjet e kryesisë së fshatit bëhen një herë në katër vjet, pas zgjedhjeve për këshillin bashkiak dhe jo më vonë se tre muaj pas këtyre zgjedhjeve. Nëse kjo ndodh, atëherë kryetari i fshatit zgjidhet në mënyrë të përkohshme nga Kryetari i Bashkisë”.
Duke marrë shkas nga ky ligj, “Porta Vendore” bëri një vëzhgim në terren për Bashkinë Tiranë, duke zgjedhur 10 fshatra në mënyrë rastësore, për të parë se sa gjen zbatim në realitet ky ligj ‘Për Vetëqeverisjen Vendore” në Njësitë Administrative të periferisë së kryeqytetit, si bashkia më e madhe në vend.
Përkatësisht, ne verifikuam fshatrat Skuter dhe Myshqeta në Njësinë Administrative Krrabë, fshatin Ibë e Sipërme në njësinë Administrative Bërzhitë, fshatin Stërmos në Njësinë Administrative Petrelë, fshatin Dumje në Njësinë Administrative Vaqarr, fshatin Shpati i Vrapit në Njësinë Administrative Baldushk, fshatrat Pinar dhe Herraj në Njësinë Administrative Zall-Herr, fshatin Maknor në Njësinë Administrative Pezë, si dhe fshatin Çek në Njësinë Administrative Ndroq.
Nga vëzhgimi i kryer u konstatua se në asnjë nga fshatrat nuk është zbatuar si duhet ky ligj, pasi kryetarët e fshatrave ose kryepleqtë, ishin zgjedhur nga kryetarët e Njësive Administrative, ndërsa askush nga banorët nuk dinte se kush ishte në kryesinë e fshatit apo nëse kishte një të tillë fshati i tyre.
Kryepleqtë e zgjedhur që në 2015-ën
Në fshatin Skuter të Njësisë Administrative Krrabë, banorët dinin vetëm që kryeplak ishte Xhevahir Deda dhe që ishte zgjedhur nga Njësia Administrative, ndërsa thanë se nuk kishin votuar për kryesi fshati. “Unë nuk e di se çfarë bën bashkia apo Njësia Administrative, nuk kam votuar për kryesi fshati”, tha Besnik Alimadhi, banor u fshatit Skuter.
Pasi e takuam Xhevairin, ai pohoi të ishte zgjedhur nga Njësia Administrative në vitin 2015. “Kam dy muaj që kam dhënë dorëheqjen për arsyet e mia personale, por nuk di se më kë më kanë zëvendësuar, apo nëse më kanë zëvendësuar. Gjithsesi dihet se si funksionon nëpër fshatra, se këtu të gjithë njohin të gjithë. Problematika ka ky fshat, nuk është se s’ka, por që deri tani nuk kanë gjetur zgjidhje”, tha ish-kryeplaku Xhevahir Deda.
Problematika kryesore e fshatit Skuter, i cili ndodhet vetëm 26 km nga kryeqyteti ishte rruga e cila paraqitej në gjendje tejet të mjerueshme. “Rruga është në gjendje shumë të keqe. Këtu pavarësisht se vinë shumë turistë për të shkuar matanë malit te Syri i Ciklopit, bashkia nuk ka bërë asnjë ndërhyrje. Po ashtu edhe tek uji i pijshëm, neve e sigurojmë vetë, por nuk dimë se çfarë pimë”, tha Behar Rrumbullaku, banor i këtij fshati.
Për këto problematika, ish kryeplaku Deda thotë se i ka paraqitur në Njësinë Administrative, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. Ndërsa në dalje të Krrabës, pak metra më tutje, ndodhet fshati Myshqeta i po kësaj Njësie Administrative. Kryeplak aty është Xhemal Dapi, i cili ishte zgjedhur në të njëjtën mënyrë, nga Njësia Administrative. Edhe banorët e fshatit Myshqeta shprehen se nuk kanë votuar për kryesi fshati ndonjëherë dhe në dijeninë e tyre një gjë e tillë nuk ekzistonte. “Nuk kam votuar për kryesi, unë e di që ato i zgjedh bashkia. Këtu askush nuk na ka pyetur ne për asgjë”, tha për Portën vendore Xhemal Dapi.
Në fshatin Myshqeta problematika që donin zgjidhje ishin disa, të tilla si: rrugët e lagjeve që kërkonin investim infrastrukturor për shkak të gjendjes së mjerueshme në të cilën ndodheshin, prerjet pa kriter të pyjeve të zonës dhe një problem i mbartur me mos-shlyerjen e detyrimeve nga kompania Copri-AKTOR, që ka kryer rrugën Tiranë-Elbasan, e cila kalon nga ky fshat dhe me marrëveshje u ka marrë tokat banorëve, por që nuk i ka shlyer plotësisht. “Këtu ka prerje të pyjeve në mënyrë të padrejtë dhe pa pyetur njeri. Një problematikë është edhe lekët që nuk na i ka shlyer kompania që ka ndërtuar rrugën atje poshtë, por që na ka dhënë vetëm njërën pjesë të lekëve, ndërsa pjesën tjetër akoma jo”, tha për Portën Vendore, Zini Rama, banor i fshatit Myshqeta. Në lidhje me këto problematika, kryeplaku i këtij fshati tha se i ka adresuar pranë njësisë administrative dhe është në pritje të një përgjigjeje.
Fshati Ibë e Sipërme që i përket Njësisë Administrative Bërzhitë, si kryeplak ka Musa Dukën, i cili është zgjedhur si kryeplak fshati nga njësi administrative në vitin 2015. Edhe në këtë fshat, banorët nuk kishin votuar për kryesi fshati. Banorët e këtij fshati ishin tejet të shqetësuar për dëmet nga tërmeti i datës 26 nëntor.
Meqenëse para disa vitesh në këtë fshat, pati rrëshqitje të tokës nga ndërtimi i rrugës Tiranë-Elbasan duke i dëmtuar shtëpitë aty, tërmeti i muajit nëntor ndikoi jo pak në prishjen e disa shtëpive. “Shtëpia mu dëmtua që kur pati rrëshqitje të vendit, para disa vitesh, kurse tërmeti ma shkatërroi fare. Kam qenë në Njësinë Administrative, ata as nuk ma morën emrin, e jo më të vinë të shohin shtëpinë”, tha Ibrahim Kullojka. Pasi e pyetëm nëse e ka ngritur si shqetësim kryeplaku i fshatit, ai u përgjigj: “Po kush e pyet kryeplakun? Ai është djalë i mirë, po nuk e pyet kush, i vënë formalisht ata. Ata nuk na pyesin neve që kemi probleme apo jo, kur u shkojmë vetë në zyrë”, përfundoi ai.
Në Njësinë Administrative Petrelë që shtrihet në juglindje të kryeqytetit, fshati Stërmas si kryeplak kishte Fatmir Kacën, i cili ishte zgjedhur në vitin 2015. Banori Ysen Uku foli për “Portën Vendore” i cili tha: Në dijeninë time nuk kemi votuar për kryesi fshati, kryeplaku zgjidhet nga bashkia”, tha Ysen Uku, banor i këtij fshati. Ndërsa si shqetësim banorët kishin mungesën e sinjalistikës në rrugën që kalon përmes këtij fshati dhe që lidh njësitë e tjera administrative. Këtë shqetësim banorët e kanë prej vitesh. “Siç e shikon kam shtëpinë anës rrugës kryesore, këtu makinat kalojnë me shpejtësi të madhe dhe nuk ka as pengesa dhe as sinjalistikë rrugore”, tha Yseni.
20 kilometra më tutje Petrelës, ndodhej fshati Dumje që i përkiste Njësisë Administrative Vaqarr. Kryeplak në këtë fshat është Alfred Aga, i cili sipas banorëve ishte zgjedhur në vitin 2015 nga Njësia Administrative. “Kryepleqtë zgjidhen nga njësia administrative. Neve kemi votuar për kryetar bashkie, vetëm kaq”, tha Alfred Aga, banor i fshatit Dumje. Banorët si shqetësim kishin pasojat që u ka lënë tërmeti i 26 nëntorit 2019. Banori Xhemal Duma tha se shtëpia e tij dhe e vëllait të tij Durim Duma, kanë pësuar dëmtime serioze, por që nuk kishte shkuar asnjë grup ekspertësh për të parë gjendjen deri më tani.
Në Njësinë Administrative Baldushk, në jug të kësaj njësie shtrihet fshati Shpat-Vrapi, i cili si kryeplak ka Bexhet Salën, që ishte zgjedhur në vitin 2015 nga Njësia Administrative. Edhe në këtë fshat nuk ishin organizuar votime për zgjedhjen e kryesisë së fshatit. Madje banorët nuk e dinin se kush ishte kryesia e fshatit. “Rruga nuk është në gjendje të mirë dhe nuk ka pasur ndërhyrje nga askush, por sado që të ankohesh këtu nuk të dëgjon njeri dhe kryeplaku nuk të zgjidh punë”, tha Hysë Hoxha, banor i fshatit Shpat-Vrap në Njësinë Administrative Baldushk.
Një shqetësim tjetër në këtë fshat ishte edhe shkolla për fëmijët, të cilët detyroheshin të shkonin në Baldushk. “Kalamajtë e mi duhet të marrin fugonin për të shkuar në shkollë, pasi shkollë këtu nuk ka”, u shpreh Ilir Ramushi, i shqetësuar. Kryeplaku Bexhet Sala, tha se e kishte dërguar si problematika në Njësinë Administrative, por nuk i kanë marrë askush parasysh deri më tani.
Në veri të kryeqytetit ku ndodhet dhe Njësia Administrative Zall-Herr, në fshatin Pinar, kryeplak është Ramiz Xhepa, i cili gjithashtu ishte zgjedhur në vitin 2015 nga Njësia Administrative.
Në fshatin Pinar rruga ishte në gjendje skandaloze, pasi përveçse ishte vetëm me zhavorr dhe me gropa, nuk kishte as kanalizimi anash saj që të largonin ujin nga reshjet e shiut. “Si kjo rrugë në këtë gjendje, nuk ka në asnjë vend të Shqipërisë. Kam ndërruar tre makina deri më tani vetëm nga kjo rrugë”, tha Abazi për Portën Vendore. Në rrugë takojmë një tjetër banor, me bidonë në duar. “Po shkoj për të mbushur ujë, se fshati Pinar në vitin 2019, nuk ka ujë për të pirë, turpi i zotit”, tha Besnik Xhepa, banor i këtij fshati.
Në krahun tjetër të fshatit Pinarit, ndodhet fshati Herraj, i po kësaj Njësie Administrative. Ky fshat si kryeplak kishte Gëzim Lozin. Pasi e kontaktuam ai na tha shkurtimisht: “Jam zgjedhur në vitin 2015 nga Njësia Administrative”. “Fshati Herraj nuk ka rrugë. Ura që ndodhet përmbi zall është e ndërtuar që në kohën e komunizmit dhe nuk kanë bërë asnjë ndërhyrje”, tha Erjon Metani, banor i fshatit Herraj në Zall Herr.
Në fshatin Maknor në Njësinë Administrative Pezë, kryeplak është Zija Sinani, i cili kishte 25 vite që ishte kryeplak dhe sipas tij ishte zgjedhur nga populli, megjithëse banorët shpreheshin se nuk kishin votuar ndonjëherë për kryesi fshati. Banori Idriz Duraku u shpreh për Portën Vendore se: “Me këto merret Njësia Administrative dhe bashkia dhe kryeplaku ka vite që është zgjedhur dhe nuk ka ndryshuar. Për problemet që kemi nuk është që na ka zgjidhur njeri gjë, kështu që për ne njësoj është kushdo që do vihet aty”, tha Duraku. Në këtë fshat mungonte një shkollë për fëmijët deri në klasë të katërt. Fëmijët e vegjël detyrohen që të shkojnë me urban në shkollë. Në lidhje me këtë problematikë kryeplaku Sinani tha se i ka referuar si problematika, duke premtuar që shumë shpejt do të marrin zgjidhje.
Në perëndim të Tiranës, aty ku shtrihet Njësia Administrative Ndroq, në fshatin Gërbllesh të kësaj njësie, kryeplak është Pëllumb Çeka. Ai ka 12 vite si kryeplak megjithëse të pyetur nga Porta Vendore banorët betoheshin se nuk kishin votuar për kryesi fshati ndonjëherë. Banori i këtij fshati Agim Çela tha se “Zgjedhjet e kryepleqve i bëjnë vetë ata, neve nuk kemi votuar as për kryesi dhe as për kryeplak. Ne nuk ndjehemi fare të përfaqësuar. S’ka nevojë të të flas fare, rrugën e pe se në çfarë gjendje është. Uji i pijshëm, shikoje të të hap çezmën se çfarë ngjyre ka, që vetëm për të pirë nuk është. Bashkia thotë ta kam sjell ujin, por nuk e shikon se çfarë uji sjell. Unë që i paguaj edhe taksë për gjelbërimin bashkisë, nuk kam gjërat më minimale të investuara”, tha Agim Çela, banor i fshatit Gërbllesh në Ndroq. Edhe banori Skënder Çeka shprehej se rruga dhe uji janë kryesoret si investime, ndaj shpreson se Bashkia Tiranë do t’i kthejë sytë edhe nga ata.
Edhe pse ligji e citon në mënyrë të qartë se duhen të pyeten banorët për tu formuar këshilli i fshatit dhe më pas të zgjidhet kryeplaku, në bazë të vëzhgimit, ky ligj nuk ishte zbatuar në asnjë nga fshatrat e marrë në vëzhgim. Megjithëse shumica e kryepleqve të fshatit e kanë tejkaluar mandatin 4-vjeçar, ende nuk janë bërë zgjedhje të reja.
Ligji njihet por a zbatohet?
Porta Vendore kontaktoi gjithashtu disa prej administratorëve të njësive administrative për këtë problematikë, por shumica prej tyre iu shmangën pyetjes së drejtpërdrejtë nëse vërtetë kryepleqtë aktualë të fshatrave ishin përzgjedhur nga njësia administrative rreth 4 vite më parë apo jo. Ndërsa duket qartë se ata e njohin shumë mirë ligjin e “Vetëqeverisjes Vendore”, pavarësisht se nuk e zbatojnë në masën më të madhe.
Njësia administrative e Krrabës përbëhet nga 3 zona pas reformës territoriale të vitit 2015, përkatësisht; Qyteti Krrabë, e fshatrat Mushqetë e Skuterë. Sipas vëzhgimit të kryer nga Porta Vendore, në detyrë përkatësisht në Qytet Krrabë dhe fshatin Mushqetë vijojnë të jenë në krye të fshatrave për të përfaqësuar rreth 3000 banorë kryepleqtë e vjetër, të cilëve i ka mbaruar mandati. Alfred Brahja, administrator i Njësisë administrative Krrabë e pranon haptazi që mandati i kryepleqve ka mbaruar dhe ende nuk janë rizgjedhur të rinjtë. “Kryepleqve u ka mbaruar mandati dhe jemi në fazën e rizgjedhjes. Unë dy kryepleq kam gjithsej. Procedura e rizgjedhjes fillon duke shpallur një datë, afishohet një njoftim në lagjet e fshatrave, dalin 4-5 anëtarë kryesie që zgjidhen nëpër lagje. Lagjet zgjedhin një anëtar nga pesë që janë në total në një fshat. Bëhen zgjedhjet ku një nga këta pesë anëtar, do të jetë kryeplak fshati”, tha Brahja, administratori i Njësisë Administrative Krrabë.
Njësia Administrative Bërzhitë përbëhen nga 5800 banorë dhe ka 12 fshatra në total, por as atje ligji nuk është zbatuar, dhe këtë e konfirmon edhe administratori i Njësisë Administrative Bërzhitë. “Kryepleqtë akoma nuk janë zgjedhur, sepse janë në proces rizgjedhjeje. I kemi caktuar se kur do mbahen, por nuk e mbaj mend tani se kur, se s’jam as në zyrë tani. Procesi do të bëhet duke zhvilluar mbledhje nëpër lagje. Caktohen anëtarët për secilën lagje, kush del nga lagjja voton për kryeplakun. Fshatrat kanë nga tre anëtarë lagjesh, disa kanë nga pesë, varet nga numri i banorëve që kanë. Pra siç kanë qenë të përcaktuara më përpara, nga ish komunat. Ka qenë kjo periudha e emergjencave, prandaj s’kemi bërë lëvizje”, tha për Portën Vendore Alban Shaba, administrator i Njësisë Administrative Bërzhitë.
Njësia Administrative Ndroq përbëhet nga 9356 banorë dhe 11 fshatra në total. Xhavit Ceka, administrator i Njësisë Administrative Ndroq, ndryshe nga sa thonë banorët, deklaroi se janë zgjedhur kryepleqtë në fshatrat e Njësisë Ndroq, ku është bërë vetëm një ndryshim në fshatin Zhulje. “Procesi është kryer me votim, me anëtarë lagjesh, ku anëtarët e lagjeve kanë zgjedhur kryeplakun”, ndërsa përsa i përket problematikave të evidentuara nga banorët e fshatit Gërbllesh për rikonstruksionin e rrugës dhe furnizimin me ujë të pijshëm, ai tha se: Në fshatin Gërbllesh, lagjen Çek janë marrë masa për problematikat, ku është bërë ndërhyrja nga drejtoria numër 2 e Bashkisë Tiranë për sistemimin dhe hapjen e kanaleve, ka ngelur vetëm sistemimi me çakull sepse kapi kjo kriza e tërmetit dhe tani të shikojmë, kërkesat i kemi bërë dhe mendoj që do të vazhdojë”.
Një tjetër Njësi Administrative e marrë në vëzhgim nga Porta Vendore ishte edhe Petrela me 6587 banorë dhe 17 fshatra.
Sokol Kupi, administrator i Njësisë Administrative Petrelë i kontaktuar nga Porta Vendore tha se nuk ishte në dijeni nëse kishte përfunduar ky proces. “Më duhet të informohem për zgjedhjen e kryepleqve, se ka qenë në proces dhe nuk e di a ka përfunduar në të gjithë fshatrat apo jo. Procesi i zgjedhjes së kryepleqve ka qenë para katër vitesh. Për mënyrën se si bëhet zgjedhja, në mos gaboj, bëhet një mbledhje e këshillit që është përfaqësi e fshatit dhe zgjidhet kryeplaku”, u shpreh ai.
Eksperti: Këshillat bashkiakë shmangin përgjegjësinë
Ekspert i pushtetit vendor, Fatlum Nurja shprehet se zgjedhja e kryetarëve të fshatrave është përgjegjësi e këshillit bashkiak. “Kreu 12 i ligjit për vetëqeverisjen vendore , Nr.139/2015, flet për strukturat komunitare, në qytet dhe në fshat. Sipas ligjit, nëse për një periudhe 3-mujore këshillat nuk organizojnë zgjidhje, ato emërohen nga Kryetari i Bashkisë deri në zgjidhjen nga Këshilli. Këshillat Bashkiakë, me shumë pak përjashtime, heqin dorë me dashje nga kjo e drejtë që ia njeh ligji, për pasojë duke u bërë zgjedhja nga kryetari”, u shpreh Nurja.
Po ashtu, ai vuri në dukje me ironi se me këtë mekanizëm, nevojat e fshatit nuk shkojnë në vesh të kryetarit, por nevojat e kryetarit shkojnë te banorët fshatit. “Kryetari i kryesisë së fshatit nuk çon hallet e fshatit tek kryetari por çon nevojat e kryetarit te fshati… Pra, ajo nuk është një strukturë komunitare, por gati si një zgjatim i administratës. Pas reformës territoriale boshllëku i përfaqësimit me këshilltar në ish komuna u pa e nevojshme që të ‘zëvendësohet’ me këto struktura, të cilat duke u fuqizuar do jepnin informacion të mjaftueshëm për problematikën e zonave respektive, duke orientuar drejt vendimmarrjen e Këshillave Bashkiakë. Në mënyrën se si funksionon, kjo nuk është e duhura. Kemi një aberracion të mënyrës dhe qëllimeve të ngritjes së këtyre strukturave në qytet, por edhe në fshat. Shumë pak nga Këshillat Bashkiakë kanë rregullore se si zgjidhen dhe se si ndërveprojnë këto struktura me Këshillat Bashkiak”, shpjegoi eksperti Nurja.
Porta Vendore iu drejtua me dy kërkesa për informacion Bashkia Tiranë ku pyeti në lidhje me procesin e përzgjedhjes së kryetarëve të fshatrave dhe kryesive gjithashtu, por pavarësisht kërkesave të drejtuara në rrugë zyrtare nëpërmjet kërkesës për informacion dhe nëpërmjet mesazheve e telefonit me zëdhënësin e bashkisë sërish nuk mori një përgjigje lidhur me këtë proces. Porta Vendore kontaktoi gjithashtu edhe me përfaqësues nga Këshilli Bashkiak, ku e kërkuan këtë komunikim të bëhej në rrugë zyrtare nëpërmjet emailit, por pavarësisht kërkesave të dërguara dhe afateve të tejkaluara sërish as këshilli bashkiak nuk pati një reagim mbi këtë situatë.