Video/Foto

“Durrësi e do fort Italinë”!

25 mars 2020/ Geri Emiri/ Porta Vendore/ Durrës

Në qytetin bregdetar të Durrësit në shenjë solidariteti me situatën që po kalon Italia fqinje në fasadën e godinës së bashkisë është vendosur një banderolë me shprehjen në italisht, “Durazzo ama Italia” (“Durrësi e do fort Italinë”).

“Në shenjë solidariteti, për t’u treguar fqinjëve tanë, por edhe të gjitha familjeve durrsake që prej vitesh jetojnë në anën tjetër të Adriatikut, se nuk janë VETËM!”, shkruajti në Facebook Kryetari në detyrë i Bashkisë Durrës, Zhuljen Varfaj.

Durrësi që në antikitet përmes Perandorisë Romake është i lidhur ngushtë me Italinë dhe sot qyteti ka disa ndërtime madhështore të periudhës romake, si amfiteatri, terma publike dhe monumente të tjera me një arkitekturë të spikatur.

Në mars të vitit 1991 Italia u bë toka e premtuar e mijëra shqiptarëve dhe vendi i shpresës. Nga Porti i Durrësit u nisën anijet e mallrave të tejmbushur me refugjatë shqiptarë që sot kanë ndërtuar jetën e tyre përtej Adriatikut.

Italia po përballet me Koronavirusin e ri COVID-19 dhe për herë të parë numri i vdekjeve i ka tejkaluar ato në Kinë, ku e ka zanafillën sëmundja. Europa është kthyer në një vatër të madhe me mijëra të infektuar, duke numëruar deri paraditen e sotme 146 persona të infektuar vetëm në Shqipëri.