Ndodhi

Covid-19, qeveria: Dyfishim pagash për biznesin e vogël, ndihmën ekonomike dhe papunësinë

24 mars 2020/ E.Gjerani/ Porta Vendore/ Tiranë
Të gjithë të punësuarit në biznesin e vogël, të cilët kanë mbyllur aktivitetin e tyre familjarë për shkak të Covid-19 do të paguhen nga qeveria me dyfishin e pagës së deklaruar prej tyre pranë tatim-taksave. Këtë e ka deklaruar vetë Kryeministri Rama, i cili ka “zbërthyer” planin financiar për përballimin e pasojave të Coronavirus. Dyfishim të përfitimeve do të kenë edhe ata që trajtohen me ndihmë ekonomike ose ata që përfitojnë asistencë për shkak të papunësisë.

Biznesi i Vogël

Kreu i qeverisë, Edi Rama, në një dalje publike, deklaroi se ka vendosur që dyfishi i pagës së deklaruar do të jepet për të gjithë të punësuarit dhe vetëpunësuarit në bizneset familjare të mbyllura për shkak të Covid-19 për të gjithë periudhën e luftës. Sipas të dhënave, në regjistrat e shtetit, shuma e pagave mujore e deklaruara në biznesin e vogël është 731 milionë lekë të reja, ndërkohë që kryeministri deklaroi se pagesa që është urdhër tashmë për lëvrim është 1.57 miliardë lekë të reja. Kryeministri tha se ky vendim është marrë për t’i ardhur në ndihmë të gjithë shqiptarëve, si një familje e madhe në kohë lufte, ndërkohë që ka sqaruar dhe arsyet përse është vendosur që të jepet dyfishi i atyre që janë përfituar deri më sot. “Në regjistrat e deklarimeve mujore, shpesh herë paga e vetme e deklaruar në shtet nga një biznes i vogël është ajo e kryefamiljarit, e cila përgjithësisht deklarohet në kufijtë e pagës minimale. Rruga e shkurtër, më e thjeshta në këtë rast, do të ishte të thoshim sot, dakord ne po i japim kryefamiljarit pagën minimale të deklaruar nga ai vetë dhe jemi në rregull me aritmetikën e regjistrit të pagave të deklaruara të atyre që sot nuk punojnë për shkak se është mbyllur biznesi i vogël. Pra 710 milionë janë pagat e deklaruara nga biznesi i vogël, 710 milionë po shpërndajmë edhe ne. Me logjikën e ligjit jemi në rregull, kemi shlyer detyrimet. Por ka një shprehje të bukur populli ynë, kur thotë ‘i takon me ligj dhe me zakon’. E pra e dimë se ka shumë familje të vetëpunësuara ku shembull tipik, kryefamiljari deklaron pagën e tij minimale, por bashkëshorten e deklaron të punësuar pa pagë. Tani mirë ligji, po zakoni si e do në këtë luftë se jemi të gjithë një familje e madhe, jo me fjalë, por me fakt, prandaj nuk mund të mjaftohemi me aritmetikën e numrit të të vetëpunësuarve me pagesë të deklaruar që sot nuk punojnë për shkak të mbylljes së aktivitetit. Kështu që ne do të shkojmë përtej këtij numri. Në këtë mënyrë, çdo i regjistruar me pagë, pa pagë, si i vetëpunësuar nga familja në biznes të vogël, do të marrë një pagë lufte dhe shuma 710 milionë lekë të reja e pagave të deklaruara nga ata që e kanë mbyllur biznesin e vogël në kohë lufte do të bëhet 1.57 miliardë lekë të reja. Pra shteti do t’i japë biznesit të vogël dyfishin e shumë se deklaruar si pagesa në kohë paqeje, duke kompensuar kështu të gjithë të punësuarit, apo vetëpunësuarit në një biznes të vogël që nuk punojnë dot sot për shkak të luftës, pavarësisht se në kohë paqeje, shumë syresh figurojë pa pagë në biznesin e tyre familjar. Këta janë plot 60 mijë e 440 persona që nuk do t’i lëmë vetëm”, deklaroi Rama. Megjithatë, ende nuk është sqaruar sesi do të jepen këto para, kush do të përfitojnë në fillim dhe si do të bëhet shpërndarja. Por burime zyrtare thanë se kjo do të sqarohet në ditët në vijim nëpërmjet një udhëzimi të Ministrisë së Financave.

Ndihma ekonomike dhe papunësia

Por, kreu i qeverisë nuk u ndal vetëm me biznesin e vogël. Rama vuri në dukje se dy kategori të tjera që do të kenë dyfishim të përfitimeve gjatë kohës së masave shtrënguese për shkak të Covid-19 do të jenë ata që trajtohen me ndihmë ekonomike nga shteti.

“Po kështu, shuma që shteti shqiptar në kohë paqeje paguan për familjet në kategorinë e ndihmës ekonomike, është 340 milionë lekë të reja. Po të vazhdojmë të paguajmë po kaq, me ligjin jemi në rregull, por me zakon në rregull jemi. E dimë që në ato familje, realisht në nevojë, gjatë kohës së paqes, dikush del e bën edhe ndonjë punë tek tuk në të zezë, për një shishe qumësht më shumë për fëmijët, kur i thonë fjalës. Prandaj, që të jemi në rregull, jo vetëm me ligj por dhe me zakon, ne do të shpërndajmë për familjet me ndihmë ekonomike dyfishin e shumës që shpërndajmë në kohë paqeje. Pra, ndihma ekonomike gjatë luftës për 70 mijë familjet që figurojnë në regjistrin e ndihmës ekonomike shtetërore do të dyfishohet. Kështu e do zakoni i një familjeje kur e gjen një hall si ky që i ka rënë në kokë familjes sonë të madhe shqiptare. Kemi në regjistrin e ndihmës shtetërore dhe të papunët, që përfitojnë pagesë papunësie”, deklaroi Kryeministri Edi Rama. Gjithashtu dyfishim do të kenë dhe ata që përfitojnë pagesë të papunësisë. “Dyfish do ta bëjmë dhe pagesën e papunësisë, sepse nuk është kohë për të parë si llogaritar, vetëm strikt ligjin, por të respektuar dhe si shqiptar zakonin”, deklaroi kreu i qeverisë. Sipas të dhënave, urdhri për lëvrimin e fondeve si për biznesin e vogël, ndihmën ekonomike dhe pagesën e papunësi tashmë është dhënë dhe shumë shpejt do të nisë shpërndarja e tyre.