Vëzhgim/Analizë

Arsimi online në kohën e koronavirusit dhe sfida e shpëtimit të vitit shkollor

25 mars 2020/ Eljona Ballhysa/ Porta Vendore/ Tiranë

Prej më se dy javësh qeveria ka vendosur të mbyllë shkollat si masë mbrojtëse ndaj koronavirusit dhe që nga ajo ditë po aplikohet mësimi online. Në shumicën e rasteve mësimi realizohet mes mësuesve dhe nxënësve përmes grupeve të Ëhatsapp-it ose google classroom. Por si do të vazhdojë ky proces, sa gjatë do aplikohet mësimi online, sa eficient është ai, sa cilësor është dhe a kanë të gjithë akses? Cila do të ketë e ardhmja e arsimit, a do mund të shpëtohet ky vit shkollor përtej objektivave të Ministrisë së Arsimit? Për të gjitha këto pikëpyetje Porta Vendore sjell një mori opinionesh: çfarë mendojnë nxënësit, prindërit, mësuesit, pedagogët dhe ekspertët e arsimit. Të shqetësuar për ngarkesën mësimore, të paqartë për të ardhmen, por të gjithë në përpjekje me sfidën e vështirë të mësimit online dhe disa propozime që ky vit shkollor të shpëtohet.

Prindërit dhe fëmijët të shqetësuar e të paqartë

Genta ka dy vajza në shkollën 9 vjeçare “Ali Demi”, njërën në klasë të katërt dhe tjetrën në të parën dhe e shqetësuar shprehet se fëmijët janë ngarkuar shumë me detyrat që jepen online nga mësuesit. “Kanë gocat që në orën 9 të mëngjesit e po vjen ora 9 e darkës që janë ulur dhe akoma si kanë mbaruar detyrat. Po japin nga dy mësime në ditë. Nuk e kuptoj pse i ngarkojnë kaq shumë. Nuk e di si do shkojë ky muhabet. Jam shumë e shqetësuar për shkollën e fëmijëve përveç hallit që na zuri me koronavirusin”, thotë Genta.

Të njëjtin shqetësim ka dhe Alma, një tjetër prind. Ajo ka dy djem, njërin në klasë të shtatë dhe tjetrin në të parën. “Ne shyqyr kemi telefon e internet në shtëpi dhe djemtë i marrin mësimet dhe komunikojnë me mësueset, por unë di që gjysma e nxënësve në klasën e çunit të madh nuk janë pjesë e grupit të ëhatsapp-it dhe nuk ia kam idenë se çfarë bëhet me ata fëmijë. Djali i madh Geni ka një shok në klasë që ka shkuar te gjyshërit në Pukë dhe ai s’ka marrë asnjë mësim. Pjesa që më shqetëson më shumë është se fëmijët janë të tejngarkuar me mësime e teste pafund dhe është shumë më e vështirë për ta, pasi jo të gjitha ushtrimet e mësimet shpjegohen siç duhet dhe na bie ne prindërve puna më e rëndë, që të merremi me ta”, tregon Alma.

Geni është 12 vjeç, është në klasë të shtatë dhe thotë se i pëlqen më shumë të shkojë në shkollë se të rrijë e të mësojë në shtëpi. “Është më mirë në shkollë sepse dal, takoj shokët, dëgjoj shpjegimin, e kap më shpejt mësimin. Ne na japin shumë detyra përmes ëhatsapp. Shumica janë të vështira. Disa mësues shpjegojnë vetëm ushtrimet e thjeshta dhe të vështirat s’dimë si t’i bëjmë. Ka nga ata mësues që s’janë përfshirë fare të na japin mësime online. Nuk e di çfarë do bëhet me provimet”, thotë Geni.

Kliti është nxënës i shkollës “Jusuf Puka” në qytetin e Durrësit. Edhe ai shprehet se e ka të vështirë të përqendrohet në klasën virtuale, pavarësisht se stafi përpiqet që të respektohet orari dhe programi mësimor.

“Ne bëjmë mësim sipas programit, përveç fizkulturës. Pra bëjmë 5 orë në ditë. Në 8 fillon mësimi si normalisht, ku zyshat në audio japin shpjegimin dhe shkruajnë më pas ushtrimet ose detyrat që kemi. Por kjo metodë me thënë të drejtën nuk më pëlqen shumë, pasi më mungon përqendrimi. Aty shpeshherë as nuk bëjmë mësim tamam se fillojnë zyshat flasin me njëra tjetrën dhe ikën ora e parë e mësimit. Për sa i përket provimeve na kanë thënë mësueset që do ta bëjmë online me një test që ato do të na i nisin dhe ku ne do ta plotësojmë, njësoj siç po funksionon aktualisht me detyrat, por se kuptoj ça vlere ka e gjitha kjo, kur unë shumë mirë mund ti shoh përgjigjet në google”, shprehet i shqetësuar 13-vjeçari.

Mësuesit dhe vështirësitë e mësimit online

Në datën 21 mars 2020 Ministria e Arsimit i shpërndau mësuesve një udhëzues për realizimin e programit lëndor dhe vlerësimin e nxënësve gjatë mësimit në kushte shtëpie.
udhëzuesin e Ministrisë që Porta Vendore e disponon thuhet se:

“Vlerësimi i nxënësve në klasat 1-3 do të bëhet mbi bazën e shënimeve që mësuesi ka mbajtur në fletoren personale gjatë periudhës kur mësimi është zhvilluar në shkollë, si dhe në vlerësimet që mësuesi mund të ketë kryer gjatë mësimit në kushtet e shtëpisë (përfshirë pjesëmarrjen në mësimin online dhe vlerësimet e detyrave të shtëpisë). Testimi për lëndën e gjuhës shqipe dhe të matematikës do të zhvillohet online me nxënësit në komunikim të drejtpërdrejtë, ose me teste të thjeshta të dërguara në grupet e krijuara” .

 

Ndërsa thuhet gjithashtu që për testimet online që do të kryhen mësuesi duhet të përcaktojë datën, orarin e zhvillimit të testit, kohëzgjatjen si dhe mënyrën e organizimit. Teste do të ketë vetëm për lëndët e rëndësishme si: “Gjuha”, “Matematika” si dhe “Shkencat e natyrës”, ndërsa për lëndët e tjera do të ketë detyra përmbledhëse .

Gjithashtu dy ditë më parë Ministria ka shpërndarë edhe modelin e testit online për arsimit fillor, nga klasa e parë në të pestë.

“Mësuesit që punojnë me klasat kolektive, mund të krijojnë grup vetëm me nxënësit e së njëjtës klasë, ose do të punojnë individualisht me nxënësit. P.sh., nëse në një klasë kolektive ka 2 nxënës klasa e parë, 3 nxënës klasa e tretë dhe 1 nxënës klasa e pestë, mësuesi do të krijojë grup të veçantë për klasën e parë, grup të veçantë për klasën e tretë dhe do të punojë individualisht me nxënësin e klasës së pestë”, thuhet në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit.

Në të gjithë këtë situatë nuk mbetet jashtë edhe ngarkesa e mësuesve. Të pyetur nga Porta Vendore rreth mësimin online, ata shprehen se në këtë situatë të jashtëzakonshme po përdoren edhe metoda të tilla, por që gjithsesi do të preferonin më shumë mësimin ballë për ballë pasi nxënësit mund të pyesin lirshëm për diçka që s’e kuptojnë, por edhe ngarkesa e mësuesve nuk do të ishte kaq e madhe, sa është tani.

Mua në fakt megjithëse jam e re në moshë nuk më pëlqen shumë teknologjia sepse jam me atë idenë që mësimi përthithet më mirë nga afër.Megjithatë ne si mësues po bëjmë maksimumin në këtë situatë që nxënësit të mos mbeten mbrapa. Unë personalisht jap lëndën e anglishtes dhe më thënë të drejtën shpenzoj thuajse të gjithë ditën me ta sepse ka fjalë e fraza që nxënësit nuk i kuptojnë”, tha Greta, e cila punon mësuese anglishte në një nga gjimnazet e Tiranës.

Për sa i përket gjithëpërfshirjes së nxënësve në procesin e të mësuarit online, mësuesja e Letërsisë Adriana Cili tregon se nxënësit punojnë në shumicën e rasteve me telefonat e prindërve.

“Unë nuk rri vetëm në momentin që jap konceptet e reja në bashkëbisedim me ta, por gjithë ditën. Jap orën time e më pas rri e kontrolloj detyrat. Dorëzojmë përgatitjen ditore te drejtoria. Më pas nëse ndonjë prej nxënësve ka paqartësi ia shpjegoj më gojë në telefon ose rrjete sociale sepse ka nxënës që mezi lexojnë. Pra në jemi praktikisht në punë gjithë ditën”, tha Adriana, e cila punon si mësuese në shkollën 9-vjeçare “Tahir Sinani”, Kamëz.

Për shkak të situatës së krijuar nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019, mësimi u ndërpre për disa ditë, për të cilat ende nuk kanë përfunduar së zëvendësuari nga programi mësimor. Ndërsa tani arsimi përballet me një tjetër situatë të vështirë, ku mësuesit, prindërit e nxënësit po japin kontributin e tyre që të mund tja dalin.

Nora Malaj, pro mësimit online, por edhe disa propozime për MAS

Ish zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj, aktualisht pedagoge në Universitetin Mesdhetar e sheh shfrytëzimin e teknologjisë në mësimdhënie një mundësi mjaft të mirë për situatën aktuale ku ndodhet vendi, por Malaj shkon më tej dhe bën disa propozime që mësimi të shkojë kudo, jo vetëm tek ata që kanë akses në internet. “Puna e parë që duhet të bëjë qeveria është të shtrijë internetin kudo në Shqipëri në çdo familje nxënësish dhe studentësh. Këtë ia propozoj Ministrisë së Arsimit ta ketë si prioritet. Në këtë situatë, Ministria e Arsimit ka 3 detyra: Të japë shansin që viti të quhet i plotë; të japë shansin që fëmijët të marrin vetëm bazat duke reduktuar programin mësimor; e treta që të përdoren të gjitha mekanizmat që mësimi të shkojë dhe tek ai që ka internet dhe tek ai që s’ka. Pra qeveria duhet të vërë në dispozicion të mësimit një kanal të dedikuar në TVSH për të gjitha ciklet e mësimit. Kjo kërkon vetëm pak dëshirë dhe investim”, shprehet pedagogia për Portën Vendore. Ajo thekson se kjo situatë i kapi të papërgatitur institucionet arsimore. “Teknologjia është shumë e mirë dhe është shumë interesante për t’u aplikuar vetëm se jemi kapur në një lloj befasie për ta menaxhuar dhe aplikuar. Personalisht e shikoj që situata i kapi të papërgatitur institucionet e arsimit. Dhënia e mësimit përmes televizionit për mua do ishte një alternativë shumë më e mirë akoma. Madje unë mendoj se dhënia e mësimit përmes Skype do ishte akoma më e mirë, pasi edhe i sheh studentët”, tregon Malaj. Ajo thotë se ka nisur të shpërndajë online leksionet për studentët dhe kjo gjë është mirëpritur nga ata që e shohin mësimin online si një mundësi bashkëveprimi mes tyre në një kohë të tillë izolimi.

“Unë kam filluar që javën që shkoi me mësimin online. Përmes sekretarive të fakulteteve u mblodhën të dhënat e studentëve dhe komunikojmë nëpërmjet email ose ëhatsapp ose përmes skype. Unë i dërgoj leksionet që kanë edhe librin me pikat kryesore. Ndërsa për sa i përket studentëve, ata janë shumë të gatshëm të mësojnë online. Pasi ka një frikë kolektive dhe kjo është një mënyrë që i bën ata të ndihen bashkë dhe i bën të motivuar për jetën. Se i duket jeta si bardh e zi, si pakuptim. Prandaj mendoj se është shumë i rëndësishëm roli i profesionistëve të arsimit në këtë situatë”, thotë Malaj.

Ish zëvendësministrja thotë se viti shkollor mund të shpëtohet vetëm nëse merren në kohë masat e duhura dhe vetëm nëse të gjithë nxënësit e dy niveleve të para, pra arsimit të detyrueshëm dhe arsimit parauniversitar do arrijnë të marrin bazat e programit mësimor.

“Viti shkollor nuk mund të humbasë nëse merren masat e duhura sa më parë. Personalisht unë mendoj se ne dalim nga karantina nga fundi i majit, duke nisur nga trendi në botë. Por nëse fëmijët marrin bazat mësimore besoj se mund ta shpëtojmë vitin, por duhet që mësimi të shkojë kudo”, thekson ish zëvendësministrja Nora Malaj.

Ekspertët e arsimit, pesimistë: Arsimi online, sa për të kaluar radhën

Eksperti i Arsimit Ndriçim Mehmeti bie dakord me ish zëvendësministren Nora Malaj në propozimin që duhet të zgjerohet koha e mësimdhënies në televizionin shtetëror, veçanërisht për klasat e 9 dhe të 12 që do t’i nënshtrohen provimeve; por ndryshe nga Malaj ai thotë se mësimi online është sa për të kaluar radhën, aspak cilësor dhe madje diskriminues, pasi nuk i ofrohet të gjithëve.

“Mos harroni se nuk është punë ditësh. As në 3 prill nuk hapen shkollat. Duhet t’i thonë hapur gjërat, në rast se vazhdon kjo situatë deri në fund të prillit është e kotë të vazhdojë mësimi online. Është një tallje me të gjithë sistemin arsimor. Le të ketë kritika sa të dojë. Kush të dojë le të më japë argumente sesi nxënësit shqiptarë marrin mësim të barabartë nga Tropoja deri në Konispol. Nëse ma thonë këtë, atëherë le të vazhdojë mësimi online, por në fund do kemi nota fiktive dhe diskriminim”, thotë Mehmeti për Portën Vendore. Ai thekson faktin se jo të gjithë nxënësit dhe studentët kanë akses në internet, ndaj sipas tij duke u nisur nga situata e vështirë në të cilën ndodhet vendi për shkak të izolimit total prej koronavirusit nuk do të ishte e gabuar nëse përsëritej ky vit shkollor.

“Situata është shumë e vështirë dhe kërkon një përgjegjësi shumë të lartë, që për fat të keq nuk është reflektuar në vendimmarrje, qoftë nga ana e kryeministrit, qoftë nga ana e ministres së arsimit. E shoh me shumë trishtim faktin që ka ende një vendimmarrje të vakët. Pra ka një problem shumë të madh sa i takon çështjes së çfarë do të bëhet me arsimin, me shkollën. Për fat të keq, unë do doja të isha aq entuziast sa ministrja që thotë që shkolla do hapet në filan ditë, por për fat të keq ne mund ta humbasim vitin shkollor dhe nuk është ndonjë gjë e madhe përpara jetës së secilit prej nesh. Për shembull nëse shkolla nuk hapet edhe për tre javë të tjera, për mua nuk ka asnjë kuptim mësimi online në kushtet kur kemi një grup familjesh që janë shumë të varfra dhe të pamundura ekonomikisht, njerëz që janë me sëmundje të ndryshme, që i kanë fëmijët me aftësi të kufizuara, klasat kolektive që janë mbi 30 mijë nxënës. Ne nuk mund të bëjmë një mësim formal, sa për të kaluar radhën, që njëkohësisht mund të jetë diskriminues, mund të jetë diskriminues për ata që nuk kanë arrijnë dot të kenë akses në internet. Mund të jetë fiktiv për disa të tjerë, pasi i ndihmon motra ose vëllai të bëjnë detyrat. Si mund të bëjmë ne testime online në kushtet e Shqipërisë. Ne kemi vënë më dhjetëra filtra për të mos kopjuar dhe prapë kopjohet në Maturën Shtetërore. Unë mendoj të ndërpritet shkolla. Të rifillojë në fund të gushtit kur ne të kontrollojmë situatën dhe higjienën nëpër shkolla”, shprehet specialisti i Arsimit, Ndriçim Mehmeti.

I pyetur se çfarë mund të bëhet për nxënësit e klasave të 9 dhe për maturantët ai thotë se ekziston një mundësi që ata të mos e përsërisin vitin dhe kjo realizohet përmes një mësimi të dedikuar prej disa orësh në kanalin e TVSH. “Po mund ta shpëtonim por jo me 1 orë e gjysmë leksione në TV por duke filluar nga ora 9 e mëngjesit deri në 3 me një orë pushim në drekë. Edhe prindërit do ta kishin më të lehtë. Ne themi mësimi online, por po ata nxënës që i kanë prindërit në punë kush i asiston? Ke mësues në shkolla private që s’mund të marrin rrogën pasi janë me kredi dhe atij si intereson fare fëmija. Ka mësues që janë në vështirësi ekonomike sot. Pra ne e bënim mësimin për klasat e 9 dhe të 12. Le të fillonin në rastin më të mirë në 20 maj deri në gusht. Dhe gjatë kësaj kohe të rishikonim politikat tona. Por kjo do një konsultim më të gjerë. Nuk do një vendimmarrje nga shtëpia. Jemi në kushtet kur njerëzit duan përgjegjshmëri dhe realizëm. Nuk bëhet kjo me një platformë online që është marrë nga Kosova, ndërsa mos harrojmë që aksesin me internet ne nuk e kemi falas. Ka shumë familje që s’kanë akses në internet”, sqaron Mehmeti.

Rektorët Koni e Maliqari: Gati platforma nisim mësimin online për studentët

Rektorët e dy universiteteve më të mëdha shtetërore, të universitetit të Tiranës dhe universitetit Politeknik thanë për Portën Vendore se kanë firmosur urdhrat për fakultetet e tyre dhe brenda javës do të kenë gati platformat për zhvillimin e leksioneve online.

“Është një situatë që kërkon një zgjidhje dhe ne nuk e kemi të qartë se sa do të zgjasë kjo. Ne kemi diskutuar në të gjitha nivelet e fakulteteve për të menduar sesi do ta organizojmë këtë kohë, në mënyrë që të mos e lemë mësimin që të rrjedh pa drejtim. Menduam të tentojmë me mësimin online. Unë sot kam firmosur shkresën që u jep të drejtë fakulteteve të organizojnë mësimin online, që do të thotë organizimi në platforma falas që mund të jetë google classroom ose Microsoft, mbi bazën e të cilave fakultetet do organizojnë sipas programeve të studimit për mënyrën sesi do t’i shpërndajnë leksionet. Pra së pari do kenë mundësi të komunikojnë me studentët”, shprehet rektori i Politeknikut Andrea Maliqari.

I pyetur se si do të bëhen provimet, ai thotë se ende nuk është menduar për këtë fazë, ndërsa pohon se një peshë të rëndësishme në vlerësimin e studentëve kanë projektet e realizuara dhe kjo nuk mund të realizohet përmes mësimit online.

“Për provimet nuk është menduar ende. Sepse universiteti Politeknik ka disa specifika. Këtu tek ne është shumë i rëndësishëm projekti. Kështu që kërkohet detyrimisht një komunikim i drejtpërdrejtë në komunikimin e projekteve. Kështu që nuk bëhet fjalë për një mësim online 100%. Por ne duam ta provojmë mësimin online në mënyrë që të shfrytëzojmë kohën. Ne duam të komunikojmë me studentët, ti japim mundësinë atyre që të marrin informacionin e nevojshëm, në mënyrë që kur të kthehemi në gjendjen normale ta kemi më të lehtë. Normalisht tek politekniku nuk mund të ketë 100% leksione online si në një situatë normale”, shprehet profesor Maliqari, i cili thekson se do të bëhen të gjitha përpjekjet që ky vit akademik të shpëtohet.

 “Ne do të përpiqemi në maksimum të bëjmë atë që varet nga ne. Sepse këtu ka dhe shumë faktorë që s’varen nga ne. Ne shpresojmë që kjo situatë e vështirë të mbarojë sa më shpejt. Por ne nuk mund të rrimë pasivë për të mos transmetuar atë që duhet të transmetojmë tek studentët. Ne kemi 1 javë që diskutojmë me dekanët dhe besoj se deri në datën 27 mars do përgatiten leksionet online”, thotë Maliqari.

Edhe rektori i Universitetit të Tiranës Mynyr Koni pohoi se po punohet për ndërtimin e një platforme mësimdhënie online që do të jetë gati në fund të kësaj jave. “Jemi duke punuar aktualisht dhe presim që në fundjavë të kemi diçka konkrete për mësimin online”, u shpreh rektori Koni, për Portën Vendore

Mësimi online nis edhe në universitetet e rretheve. Universiteti “Aleksandër Xhuvani” në qytetin e Elbasanit , Universiteti “Ismail Qemali” Universiteti i Durrësit “Aleksandër Moisiu dhe Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” gjithashtu kanë përqafuar idenë e mësimit online për studentët, duke ndjekur kështu universitetet homologë në vend.

Por nëse situata është disi gri për grupmoshat e vogla të cilat i përkasin sistemit arsimor të detyrueshëm, kur vjen puna tek studentët ata e kanë më të thjeshtë të adaptohen me këtë mënyrë të re të mësimdhënies.

Në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit Pedagogu Elvin Luku thotë se online leksioni merr dhe karakter multimedial. Megjithatë ai kërkon mbështetje për studentet pasi konsumimi i tyre merr një volum të madh interneti dhe rëndon xhepat e këtyre të fundit.

“Ne zyrtarisht jemi në Gjendjen e Fatkeqësisë Natyrore dhe kjo situatë kërkon adaptim të proceseve, përfshi dhe mësimdhënien online, që aplikohet nga disa universitete ndërkombëtare. Si pedagog i komunikimit dhe si gazetar unë e konsideroj si një sfidë personale këtë qasje multimediale të mësimdhënies. Ndonëse është ende herët, mund të them se leksionet e para ia kanë arritur qëllimit, pasi ka patur një ndërthurje mes shpjegimit klasik, ilustrimit grafik, kronikave video të lajmeve por dhe tekstit në letër i cili nuk duhet harruar. Nga ana tjetër dhe studentët duken shumë të interesuar dhe bashkëpunues. Ata duhen mbështetur në çdo formë. Shpresoj që i gjithë ky proces të asistohet dhe nga kompanitë celulare, që ashtu sikurse janë dakordësuar me qeverinë, të ofrojnë sa më shumë hapësira internet për studentët, pasi bëhet fjalë për leksione livestream, për videoleksione, materiale audio dhe libra”, tha Pedagogu i Departamentit të Komunikimit, Elvin Luku.

Ndërkohë, Ministrja Shahini në video-mesazhin e radhës përmes rrjeteve sociale, nënvizon se janë 40 mijë studentë tashmë që kanë kaluar në mësim online, ndërsa tha se është shumë herët për të marrë një vendim për provimet kombëtare.