24 mars 2020/ Ola Mitre/ Porta Vendore/ Tiranë
Programi Buxhetor Afatmesëm 2020-2022i Bashkisë së Tiranës parashikon nisjen apo vazhdimin e disa projekteve strategjike, por të dhënat e përpunuara nga ‘Porta Vendore’ tregojnë se një pjesë e tyre zvarriten prej vitesh, ndërsa për disa të tjerë nuk është akorduar asnjë financim.
Në Programin Buxhetor Afatmesëm 2020-2022 , Bashkia e Tiranës parashikon nisjen apo vazhdimin e 10 projekteve që i konsideron si strategjikë për 3-vjeçarin, e që sipas saj “synojnë jo vetëm përmirësimin e infrastrukturës, por edhe rritjen ekonomike, zhvillime teknologjike dhe rritjen e punësimit në qytet”. Një prej projekteve për periudhën 2020-2022 është Kopshti Zoologjik. Rindërtimi i tij ishte një nga premtimet e kryebashkiakut Erion Veliaj gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e vitit 2015, ndërkohë që ai u konsiderua si investim strategjik qysh në programin buxhetor 2016-2018. Që prej asaj kohe, gjithmonë është argumentuar se në Kopshtin Zoologjik “ka rreth 30 vjet që nuk është bërë asnjë investim dhe si pasojë është shndërruar në një kopsht të vjetër dhe pa kushtet minimale për mirëmbajtjen e kafshëve”. Po ashtu, në dokumente është sqaruar se ekziston edhe projekti “që do të zgjerojë sipërfaqen aktuale dhe do ta shndërrojë kopshtin zoologjik në një park zoologjik të standardeve më të larta”. Por, pavarësisht kësaj, ky investim nuk është realizuar, ndërkohë që në ndryshim nga planet e tjerë buxhetorë afatmesëm, në planin e këtij 3-vjeçari është hequr parashikimi i bashkimit të Zoologjikut me Kopshtin Botanik, si pjesë përbërëse e projektit. Në fakt, për “Botanikun” pati një sërë përplasjesh gjatë 2019-ës, pasi Universiteti i Tiranës dhe Fakulteti i Shkencave të Natyrës kundërshtuan një vendim qeverie me datë 17 korrik, që parashikonte transferimin e pronësisë nga universiteti te bashkia e kryeqytetit. Kjo e fundit ka deklaruar se kalimi i pronësisë ka për qëllim hapjen e Kopshtit për publikun, por trupa akademike argumenton se hapësira e tij është në funksion të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor. Aktualisht, përplasja vazhdon në një proces gjyqësor, teksa në datën 20 shkurt seanca e zhvilluar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë u mbyll në favor të Universitetit të Tiranes, ku Fakulteti i Shkencave u legjitimua që të jetë palë mbështetëse paditëse bashkë me universitetin. Ndërkaq, sa i takon Kopshtit Zoologjik, kosto totale e projektit për rindërtimin e tij kap vlerën e 840 milionë lekëve. Për vitin 2020 bashkia ka akorduar 207.75 milionë lekë, ndërsa pjesa tjetër e financimit parashikohet të bëhet në vitet në vijim.
Piramida
Një tjetër projekt strategjik është rijetëzimi i Piramidës, që sipas dokumentit synon krijimin e një Qendre për Edukimin për Teknologjinë. Listimi i këtij projekti si strategjik u bë në programin buxhetor afatmesëm 2018-2020, ku kërkohej qartësimi i vizionit. “Çfarë Piramida do të jetë për Tiranën në vitet e ardhshme është hapi i parë, që dikton më pas programet, politikat dhe planet e qendrës”, thuhej në dokument.ër qartësimin e këtij vizioni u nevojit më shumë se një vit, ndërkohë që vetëm në muajin prill të vitit 2019 u prezantua edhe projekti për shndërrimin e saj. Megjithatë, pas kësaj ceremonie, nuk pati asnjë zhvillim konkret në drejtim të zbatimit të punimeve. Ndërkaq, në programin buxhetor afatmesëm, saktësohet se qëllimi i këtij projekti është ngritja e një qendre të edukimit mbi teknologjinë për nxënësit e moshës 12-18 vjeç, për rritjen e aftësive të tyre kreative dhe teknike, nëpërmjet kurseve në dizajn dhe teknologji, që nuk ofrohen nga sistemi arsimor. “Piramida do të jetë një mjedis, ku fëmijët edukohen dhe trajnohen, prodhohet dhe shfaqet, dhe gjithçka ndodh brenda objektit të piramidës dhe në hapësirën publike të saj”, thuhet ndër të tjera në dokument. Sipas bashkisë, ky projekt ka një vlerë prej 364,879,120 lekësh, ndërsa në buxhetin e 2020-ës është parashikuar një fond total prej 124.8 milionë lekësh, pak më shumë se 1/3 e fondit total, në funksion të zbatimit të tij.
Kampusi universitar
Ndërtimi i Kampusit të Universitetit të Tiranës dhe ndërtimi i Qendrës së Studentëve ishin 2 nga premtimet që Veliaj bëri në fushën e arsimit, gjatë fushatës së vitit 2015. Kjo nënkupton se ato duhet të ishin mbyllur brenda mandatit të tij 4-vjeçar, por ndonëse kanë kaluar edhe 6 muaj nga mandali i dytë, këto projekte janë ende në letër, ndërsa i gjejmë të listuar te projektet strategjike për periudhën 2020-2022. “Ne e konsiderojmë investimin në kapitalin njerëzor si një nga elementët më të rëndësishëm që garanton zhvillimin ekonomik. Ndërtimi i kampuseve të reja për Universitetin e Tiranës, që është njëkohësisht dhe universiteti më i rëndësishëm në vend është sot një domosdoshmëri”, thuhet ndër të tjera në dokument. “Për këtë arsye do të bashkërendojmë punën me qeverinë për ndërtimin e kampuseve si dhe për ndërtimin e të parës Qendër të Studentëve në vendin tonë”, citohet më tej. Megjithatë, aparati i bashkisë nuk ka planifikuar asnjë fond për zbatimin e këtij projekti për vitin 2020.
Ndërkohë që, vetëm në fund të muajit janar u bë publik një vendim qeverie i miratuar në nëntor 2019, që parashikon ndërtimin e kampusit përmes partneritetit publik privat. Kjo do të thotë se fillimisht investimi do të duhet të kryhet nga kompanitë private e më pas të nisë likujdimi nga fondet publike. Referuar vendimit të qeverisë, Bashkia e Tiranës është autoriteti kontraktor që do të zhvillojë të gjitha procedurat për dhënien me koncesion, jo vetëm për këtë kampus, por edhe për ndërtimin e godinës së Universitetit të Arteve si dhe Korpusit të Policisë së Shtetit. Ndërkaq, teksa ky projekt është listuar te prioritetet e bashkisë, një tjetër kampus i premtuar në vitin 2015 duket se është harruar tërësisht. Bëhet fjalë për Kampusin e Universitetit Politeknik të Tiranës, për të cilin aktualisht nuk ka asnjë parashikim.
Zona e lirë ekonomike
Krijimi i një zone të lirë ekonomike në kryeqytet u artikulua disa vite më parë nga kryebashkiaku Erion Veliaj. Gjatë prezantimit të Planit të Përgjithshëm Vendor, në vitin 2016, ai tha se: “Bashkia e Tiranës po konsideron aplikimin për të hapur një zonë të lirë ekonomike në Tiranë dhe për t’i përcaktuar shumë qartë ku do të jenë zonat ku prodhohet, ku do të jenë zonat ku ka manifakturë dhe ku do të jenë zonat rezidenciale. Ndarja në këtë mënyrë dhe fuqizimi i disa zonave të caktuara, i disa korridoreve ekonomike, bën më shumë sens për të ruajtur cilësinë e jetës në qytet”, shtoi Veliaj në atë kohë. Në muajin mars të 2019-ës, u duk se plani ishte më i qartë, pasi Veliaj deklaroi se bashkia po përgatitej të aplikonte pranë qeverisë, që një hapësirë prej 50 hektarësh në Kashar të shpallej zonë e lirë ekonomike, por deri më tani kjo nuk ka ndodhur. Megjithatë, ky projekt është listuar si strategjik në programin 3-vjeçar, sipas të cilit, ngritja dhe funksionimi i Zonës së Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik (TEDA), ka si qëllim krijimin e një territori të veçantë me një regjim fiskal dhe doganor tepër lehtësues për ushtrimin e aktivitetit ekonomik dhe që nxit investimet, hapjen e vendeve të punës dhe rritjen e të ardhurave. Po ashtu, ky projekt ka për qëllim përshpejtimin e zhvillimit rajonal dhe zgjerimin e lidhjeve ekonomike të tregut kombëtar dhe ndërkombëtar, futjen e teknologjisë së përparuar dhe përshpejtimin e qarkullimit të mallrave dhe kapitaleve. Ndërkaq, në dokument bëhet me dije se “deri më sot është përfunduar studimi i parafizibilitetit, studimi dhe vërtetimi i titujve të pronësisë së tokave, të cilat do merren në përdorim, vlerësimi i riskut të projektit dhe jemi në fazën e shpalljes dhe zyrtarizimit të zonës me titullin ‘Zonë e lirë ekonomike’. Menjëherë pas kësaj do fillojë puna për krijimin e paketës së plotë ligjore dhe incentivuese për thithjen e investimeve dhe ngritjen e industrive e bizneseve me teknologji të avancuar dhe potencial të lartë ekonomik”, shtohet më tej.
Pylli orbital & Tirana e gjelbër
Edhe Pylli Orbital është listuar nga Bashkia e Tiranës si një projekt strategjik, që sikurse dihet ka nisur të implementohet. Mbjellja e pemëve po kryhet në funksion të Planit të Përgjithshëm Vendor, që përfshin një objektiv për mbjelljen e dy milionë pemëve për të formuar Pyllin Orbital deri në vitin 2030. Ndërkohë, sipas programit buxhetor afatmesëm “për të realizuar me sukses këtë projekt ambicioz dhe afatgjatë janë identifikuar në hartë një sërë hapësirash të gjelbra tek të cilat do të ngrihen fidanishte të zotëruara nga Bashkia, të cilat do të ndihmojnë në arritjen e objektivave vjetore të mbjelljeve dhe uljen e kostove të importit dhe blerjes së fidanëve nga subjekte të jashtme”. Por, ndonëse ky është një prej projekteve më të promovuar në publik, buxheti i bashkisë nuk ka akorduar asnjë fond në funksion të tij. Në fakt edhe vitet e kaluara, ai është lënë në duar të donacioneve private. Sipas të dhënave të bashkisë në funksion të projektit të gjelbërimit, mbjelljeve të reja në Tiranë, mobilimit urban, rehabilitim i mjediseve publike, etj. janë nënshkruar 781 kontrata donacionesh, me një vlerë totale prej rreth 380 milionë lekësh. Ndërkaq, teksa Pylli Orbital prezantohet si një projekt më vete, ai është pjesë e “Axhendës së gjelbër të qytetit”, një tjetër projekt strategjik për 3-vjeçarin. “Mbjellja e pemëve në kuadër dhe të pyllit orbital, korridoret e xhepat e gjelbër si dhe mbi 40 hapësirat e reja rekreative të krijuara ndihmojnë përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe shërbejnë njëkohësisht si hapësira socializimi për qytetarët”, thuhet në programin buxhetor, ku renditen dhe sfidat në kuadër të këtij projekti. Përmirësimi i cilësisë së ajrit në qytet dhe reduktimi i zhurmave nëpërmjet marrjes së masave, janë disa prej këtyre sfidave. Sfidë për bashkinë është edhe përmirësimi i transportit publik në qytet, duke investuar në infrastrukturën rrugore, kryesisht në korsitë e dedikuara për autobusët e tranzitit të shpejtë (BRT) dhe ndërtimi i 100 km korsi të dedikuara biçikletash.
Zgjerimi i Lumit Lana
Zgjerimi i lumit Lana është një tjetër projekt strategjik për Tiranën, që parashikon zgjatjen e tij nga Kashari deri në Shkozë, duke u zgjeruar kështu rreth 2 km në Veri dhe 1.8 km në Jug. Kosto totale e projektit për pjesën jugore është 24 milionë euro, ndërsa parashikon rehabilitimin e lumit Lana nga ura e Shkollës Teknologjike deri te kryqëzimi me Unazën e Madhe. Segmenti ka një gjatësi prej 1.8 km, ndërsa paraprakisht është bërë me dije se financimi parashikohet të kryhet në masën e 14 milionë euro nga buxheti i bashkisë, 8 milionë euro kredi nga Banka Evropiane e Investimeve dhe 2.4 milionë euro grant i kësaj banke. Marrëveshja e kredisë për këtë vepër është miratuar në Kuvend, ndërkohë që për vitin 2020 buxheti i bashkisë ka akorduar vetëm një vlerë prej 51,168,000 lekë (rreth 420 mijë euro) si pagesë TVSH-je.
Teatri kombëtar
Pas shumë përplasjesh dhe kundërshtimesh, Bashkia e Tiranës nuk ka ngurruar të listojë si strategjik projektin e Teatrit Kombëtar. “Kryeqyteti ka nevojë për një godinë të re të Teatrit Kombëtar që plotëson të gjitha standardet, ndryshe nga ai ekzistues”, thuhet në program. Projekti ofron një godinë të arkitekturës me dizajn modern dhe që krijon një hapësirë unike në qytetin e Tiranës, duke ofruar të gjitha kushtet e nevojshme dhe frymëzuese për zhvillimin e talentit të aktrimit, ashtu edhe për vetë publikun, i cili mund të angazhojë imagjinatën”, shtohet më tej në dokument. Sipas bashkisë projekti garanton një akses të këmbësorëve që udhëtojnë nga Rr. “Sermedin Said Toptani” në rrugën paralele me të. Për financimin e këtij projekti, buxheti i bashkisë nuk ka të parashikuar asnjë fond, por deri në fund të muajit shkurt, shoqëria “Fusha” shpk, në cilësinë e pronarit të një pjese të truallit kishte shprehur interesin për zhvillimin e zonës, duke nisur që nga Teatri Kombëtar e deri në afërsi të godinës “Gjergji Center”. Ky variant tashmë nuk është më në tavolinë, pas një njoftimi për shtyp nga Bashkia Tiranë, që bëri me dije se “modeli financiar i propozuar nga pala private e interesuar për ndërtimin e godinës së Teatrit të ri Kombëtar dhe zhvillimit të zonës urbane, por edhe kompleksiteti i projektit, nuk mundësonte ndërtimin e godinës në një kohë të shpejtë dhe me infrastrukturë moderne për një teatër bashkëkohor”. Në këto kushte, qeveria dhe bashkia vendosën që godina e re e Teatrit Kombëtar të ndërtohet nga shteti si një investim publik. “Bashkia e Tiranës do t’i kërkojë Qeverisë Shqiptare që ta mbështesë financiarisht për realizimin e kësaj vepre ikonike për qytetin dhe vendin tonë ”, thuhej në njoftim. Tashmë realizimi i këtij investimi strategjik duket edhe më i largët, pasi vetë institucionet kanë deklaruar vazhdimisht se ndërtimi i tij nga privati ishte forma e vetme, në mungesë të financave shtetërore.
Unazat e Tiranës
5 unazat e Tiranës janë një tjetër projekt strategjik i bashkisë. Ndërkohë, për realizimin e tyre në buxhetin e vitit 2020 janë akorduar një sërë fondesh, që kryesisht fokusohen te studim-projektimi. Kjo do të thotë se deri në përfundimin e tyre do të kërkohet një kohë e konsiderueshme, për shkak të procedurave standarde që kërkohen në drejtim të kontraktimit të kompanive që do të hartojnë projektet, në drejtim të gjetjes së fondeve të domosdoshme për zbatimin e punimeve si dhe kryerjen e këtyre të fundit. Kështu për Unazën e parë, tashmë ka përfunduar dhe është akorduar një fond për sinjalistikën, ndërsa për Unazën 2 është akorduar shuma e nevojshme prej rreth 4.8 milionë lekëve për studim-projektimin e segmentit nga rruga “Myslym Shyri” deri te rruga e Durrësit. Kjo unazë aktualisht nuk është funksionale pasi mungojnë një pjesë e madhe e segmenteve që e mbyllin, ndërkohë që zhvillimi i saj përfshin zgjerimin dhe rindërtimin e disa rrugëve ekzistuese dhe ndërtimin e disa rrugëve të tjera që mungojnë. Për Unazën e Mesme, që përfshin unazën ekzistuese të qytetit, buxheti i vitit 2020 ka akorduar 82.2 milionë lekë për shtesën e kontratës ekzistuese. Po ashtu, është akorduar edhe fondi i domosdoshëm prej rreth 10 milionë lekësh për studim-projektimin e fazës II. Një tjetër fond i akorduar lidhet me unazën e katërt, ku janë parashikuar 13.89 milionë lekë për studim-projektimin e segmentit “Ndre Mjeda – Dritan Hoxha”. Unaza e Katërt është parashikuar për herë të parë gjatë Planit të Ri Rregullues për Zhvillimin Urban të Tiranës në vitin 1939. PPVBT rikthen ndërtimin e kësaj unaze, e cila parashikohet të jetë mbi gjurmën e unazës së madhe të atëhershme dhe vendos si objektiv realizimin e një unaze tërësisht të dedikuar për transportin publik të qëndrueshëm. Ndërkaq, Unaza e pestë apo siç njihet ndryshe Unaza e Madhe, është një investim i Autoritetit Rrugor Shqiptar, por situata është komplekse për shkak të përfshirjes së saj në skandalin e falsifikimit të dokumenteve nga kompania ‘DH Albania’. Pas shumë zvarritjesh punimet në këtë lot kanë nisur, ndërkohë që 2 lotet e tjerë mbeten ende të bllokuar për shkak të hetimeve të prokurorisë për kompanitë pjesëmarrëse në tender.
Tirana Policentrike, sfida e 4-vjeçarit
Plani i Përgjithshëm Vendor i Tiranës parasheh një qytet me 5 qendra të reja urbane në Kombinat, Kinostudio, Laprakë, tek Bulevardi i ri si dhe në Shkozë. Tirana Policentrike është listuar fillimisht si projekt strategjik në programin buxhetor 2018-2020, ndërkohë që në planin e ri ky projekt konsiderohet nga bashkia si sfida e 4-vjeçarit të ardhshëm, por që në fund do të sjellë një rikonceptim të strukturës urbane të qytetit, shtimin e pesë zonave atraktive të reja për qytetarët dhe vizitorët e huaj dhe një rritje me rreth 20% të investimeve në këto pole të reja. Për polin e bulevardit të ri, aktualisht ka përfunduar segmenti i fundit, ndërsa parashikohet të nisë puna për realizimin e sheshit fundor. Sa i takon Polit Kombinat, po punohet për rivitalizimin e Sheshit Garibaldi dhe godinave të vjetra përreth, ndërkohë që janë bërë investime në përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe ndriçimit të zonës. “Vizioni dhe objektivat tona për 4-vjeçarin e ardhshëm synojnë kthimin e Kombinatit në një zonë urbane me karakter kreativ artistik dhe mjeshtëror, i cili sjell më shumë mundësi biznesi dhe do të zbatohet modeli i Pazarit të Ri”, thuhet në program. Për Polin Farkë – Qyteti Studenti parashikohen investime dhe shërbime si: shkolla, kopshte e çerdhe, biblioteka si dhe lidhja e Farkës me Qytetin Studenti. Poli Kinostudio dhe Poli Laprakë janë 2 polet e tjerë për të cilët sipas bashkisë po punohet për hartimin e planeve të detajuara vendore. “Për to kemi parashikuar një sërë investimesh infrastrukturore në qendrat dhe pikat referuese të zonave, të cilat do të kthehen në pole të mirëfillta zhvillimi ekonomik dhe zhvillimi i jetës sociale e rekreative për komunitetin duke ngushtuar hendekun dhe diferencat mes tyre dhe qendrës së qytetit”, thuhet në program. “Për Polin Kinostudio kanë filluar punimet për përmirësimin e infrastrukturës së qendrës së polit dhe infrastrukturës rrugore, ndriçimit dhe gjelbërimit përreth. Ndërkohë që Poli Laprakë është në fazë projektimi”, saktësohet më tej.