Ngjarje/Personazhe

Izolimi nga COVID-19, romët dhe egjiptianët apelojnë për mbijetesë

24 mars 2020/ Brejdon Xhavara/ Porta Vendore/ Tiranë

Sot numërohen 123 persona të infektuar me koronavirus në Shqipëri, ndër të cilët 5 persona kanë humbur jetën dhe një prej tyre ka pësuar vdekje klinike. Qeveria shqiptare reagoi duke marrë masa të menjëhershme për të siguruar distancimin social e duke i kërkuar qytetarëve të izolohen në banesa, duke mos lejuar gjithashtu as makinat të qarkullojnë gjatë ditës, por vetëm në ato raste kur kanë leje të posaçme nga policia e shtetit. Por target-grupe të ndryshme e kanë pritur mes varfërisë dhe vuajtjes masat e ndërmarra për parandalimin e infektimit nga Covid 19.

Minoriteti Rom është një nga minoritetet në Shqipëri, i cili është edhe më i varfëri, me një popullsi prej 18 276, kjo referuar Censusit që Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë ka realizuar në vitin 2014. Ata nuk kanë mundur të përballojë izolimin e vendosur nga Kryeministri, dhe për pasojë të kësaj kanë protestuar në disa qytete të Shqipëri, në datën 17 Mars.

Tirana, Elbasani, Durrësi, Shkodra, Fieri dhe Saranda ishin qytetet ku pjesëtarë të komunitet romë filluan protestën e tyre në datës 17 mars. Protesta e cila zgjati për plot 3 ditësh. Ata protestuan të gjithë njëzëri për ushqim dhe mbështetje sociale nga bashkitë e qyteteve.

Kjo nxiti reagime të konfliktit social midis qytetarëve dhe strukturave shtetërore pasi një përqindje e lartë e popullsisë janë të papunë si pasojë e izolimit.

Ilirjani është babai i 3 fëmijëve, ka lindur në Tiranë, dhe prej vitesh bashkë me familjen e tij tregton rroba të përdorura te tregu i romëve në Selitë. Bashkë me Ilirin janë edhe 53 familje rome, të cilat punën e tyre e kanë ndërtuar pranë këtij tregu. Por me mbërritjen e Covid 19 edhe në vendin tonë si dhe masat e marra nga qeveria, këto familje po hasin vështirësi të mëdha për të siguruar jetesën.

“Që prej ditës së parë kur u dha lajmi se do mbyllej gjithccka për tu izoluar, unë dhe familja ime u izoluam me shpresën se ditën tjetër ne do të punonin sërish. Këtu familjet rome nuk kanë me çfarë të ushqehen, kjo sepse po kalojmë shumë ditë në izolim. Unë për veten time do e shtyj edhe 4 ditë me rezervat ushqimore që kam, por të tjerët po shpresojnë çdo ditë se do të vijë dikush t’i ndihmojë”, tha Ilirjani për Portën Vendore.

Ilirjan Jashari duke folur për Portën Vendore. Foto: B. Xhavara

Në fakt Bashkia Tiranë, menjëherë pas mesazheve që kishte marrë nga vetë banorët e zonës së Selitës, kishte shpërndarë 54 pako ushqimore për familjet rome, por nevojat sipas Ilirjanit janë akoma më të mëdha.

“Me një pako ushqimore ne nuk kalojmë më shumë së 2 ditë, e falënderojmë që reagoi bashkia, por ne duam përditë. Nuk kemi më mundësi ekonomike që t’ia dalim kësaj situate. Tek tregu nuk dalin më të shesim, sepse policia e mbylli, banorët e tjerë që punonin me riciklimin e mbetjeve nuk dalin më të punojnë pasi nuk lejohet të lëvizësh, dhe frika e përhapjes së virusit tek ne është e madhe”, tregoi për Porta Vendore Ilirjan Jashari.

Sanija, e cila mban dhe rrit 3 fëmijët e nipit të saj, jeton në Yzberisht në një barake. Streha e saj ka kudo vrima nëpër “mure” dhe varfëria ka pllakosur në këtë familje. Ajo prej 10 vitesh del dhe mbledh mbetje të riciklueshme për të ushqyer fëmijët. Sytë e saj qëndrojnë të ngulur tek dera se dikush do të vijë dhe do ta ndihmojë me ushqime. “Nuk kam më mundësi t’i ushqej fëmijët, është shumë e vështirë për mua si grua e vetme të mbijetoj në këto kushte. Kam kërkuar tek ajo shoqata (Qendra për Advokim Social) të na ndihmojë me ushqime, ilaçe dhe të na dezinfektojë zonën ku jetojmë sepse kemi frikë, kemi frikë se do vdesim nga uria” , tha Sanije Shaqiri, për Porta Vendore.

Sanije Shaqiri duke folur për Portën Vendore. Foto: B. Xhavara

Porta Vendore kontaktoi dhe me aktivistin Fatmir Zyberi, njëherazi banor i zonës së Yzberishtit, për të pyetur se si duket gjendja e familjeve rome. “Familjet këtu që prej ditës së parë të izolimit, filluan të shqetësoheshin për situatën dhe frikën e përhapjes së virusit, përpos kësaj ata nuk mund të punonin më si më parë dhe kjo vështirësoi situatën ekonomike në familjet e tyre, por unë konsiderova të rëndësishme që të bëhej dezinfektimi i zonës këtu. Këtu jetojnë 20 familje rome në baraka dhe sfida për të siguruar ushqim është e madhe. Bashkia e Tiranës erdhi këtu para 2 ditësh dhe shpërndau pako ushqimore, por nuk janë të mjaftueshme për të kaluar disa ditë, ndaj unë apeloj që të ndihmohen për të kaluar këto ditë të vështira” tha Fatmiri.

Videot e protestave të zhvilluara në qytete u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale duke shkaktuar kështu edhe reagime sociale ndërmjet minoriteteve rome në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Në Tiranë, romët që jetojnë në zonën e Selitës, për disa ditë rresht u mblodhën në lagjet e tyre për të protestuar, për të kërkuar mbështetje te shteti për ushqime dhe dezinfektues, pasi izolimi ka paralizuar të ardhurat e tyre, që kryesisht i nxjerrin duke tregtuar rroba të dorës së dytë dhe kolektimin e mbetjeve të riciklueshme.

Minoritet Rome dhe Egjiptiane në Shqipëri, janë më të prekurit nga izolimi, sepse një pjesë e mirë e këtyre minoriteteve punojnë duke ricikluar materiale të riciklueshme, kryesisht duke i marrë ato në kontejner dhe pas kolektimit, i tregtojnë për të përftuar para e për të jetuar.

Në Shqipëri sipas INSTAT numërohen rreth 50.000 familje që trajtohen me ndihmë ekonomike të cilët klasifikohen si kategori në nevojë, ku të vetmet të ardhura të sigurta mujore kanë pagesën e ndihmës ekonomike. Disa kategori te tjera, të cilat kanë vështirësi të theksuara social-ekonomike, janë minoritetet rome dhe egjiptiane të cilat janë potencialisht më me risk për tu prekur nga Covid-19 për shkak dhe të kushteve të vështira të jetesës.

Sot Shqipëria ndodhet në ditën e 15 të izolimit dhe shmangien e hapësirave publike, por për romët dhe egjiptianet kjo është dita e gjashtë që ata kanë vështirësi për të siguruar ushqimin, pasi në mungesë të të ardhurave dhe mungesës së një punë me të ardhura të qëndrueshme, e kanë të vështirë këto ditë izolimi që të ushqejnë familjen e tyre.

“Në qytetin e Elbasanit janë rreth 1000 familje Rome dhe Egjiptiane që janë në vështirësi ekonomike dhe kryesisht merret me kolektimin e mbetjeve të riciklueshme, ku nga komunikimet që kam pasur me disa prej banorëve, shprehen së në banesat e tyre nuk gjendet asnjë thërrime buke, fëmijët u qajnë për ushqim, mosha e thyer (prindërit dhe gjyshërit) janë të sëmurë dhe nuk kanë medikamente për tu kuruar. Kjo situatë po u krijon stres dita-ditës”, tha Ervis Çota, drejtues i Lëvizjes Rinore Egjiptiane dhe Rome në qytetin e Elbasanit. Sipas tij, nëse kjo situatë do zgjasë më tepër këto familje do të jenë seriozisht të kërcënuar nga uria. “Në këto kushte mbijetese druaj se këto familje nuk kanë për të respektuar masat, duke rrezikuar kështu vetveten dhe të tjerët”, përfundoi Çota.

Kryeplaku i fshatit Rom në Fier Panajot Alushi tregoi për Porta Vendore se janë më shumë se 60 familje që kërkojnë mbështetje për ushqime, medikamente dhe higjenues. “ Familjet rome protestuan 3 ditë rresht, ditën e djeshme bashkia erdhi këtu dhe shpërndau disa pako ushqimore dhe detergjente, por ato janë të pamjaftueshme për të kaluar këto ditët”, tregoi për Porta Vendore, Panajot Alushi.

Romët janë shtresa më e varfër që kanë një akses të ulët në shërbimet publike në krahasim me pjesën tjetër të popullatës, kjo ndikuar nga shumë faktorë, si; strehimi, punësimi, shëndetësia, arsimi etj. “Institucionet përgjegjëse duhet të marrin masa nisur nga vështirësitë që aktualisht familjet e varfra janë duke hasur. Në rast se kjo situatë e jashtëzakonshme do vijojë për një kohë të gjatë, minimumi duhet që familjeve t’u sigurohen pako ushqimore të mjaftueshme për një muaj” , tha për Portën Vendore, Romina Sefa, drejtuese e Qendrës për Advokim Social.

Ndërkohë që izolimi vazhdon, për shumë familje të varfra në Shqipëri, karantina është një zgjidhje midis jetës e mbijetesës.